HAMDI JUPE
Rastësisht u bëra dëshmitar i një situate të trishtuar. Natyrisht, e trishtuar për mua dhe mendoj edhe për shumë shqiptarë të tjerë që mendojnë si unë. Sepse për dikë tjetër, kjo që do të tregoj mund të duket krejt normale. Dhe e keqja fillon pikërisht këtu, te ky “normalitet” anormal i autoriteteve të larta të arsimit shqiptar ndaj atyre mijëra studentëve shqiptarë që kanë mbaruar shkollat jashtë vendit. Në muajin shkurt të këtij viti erdhi nga Greqia një e afërmja ime, një vajzë e re që ka mbaruar studimet në një nga universitetet prestigjioze të Athinës. Si shumë shqiptarë të tjerë, ka emigruar me familjen atje që kur ishte fëmijë. Tani kthehet e diplomuar, për të parë mundësinë e punësimit këtu, sepse në Greqi e ka marrë ferra uratën. Me këtë rast, duhet aplikuar në Ministrinë tonë të Arsimit dhe Shkencës edhe për njohjen e diplomës së marrë në vendin fqinj, sepse kudo që të trokasësh për punë, ta kërkojnë diplomën. Bashkë me diplomanten e re, e cila nuk i di rrugët e Tiranës, aq më pak Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, trokasim në dyert e kësaj të fundit. Na presin mirë. Na thonë se çfarë duhet të bëjmë, dokumentet që duhen paraqitur, paratë që duhen paguar në bankë për njohjen e diplomës e të tjera formalitete si këto. I kryejmë të gjitha ato që na kërkohen dhe shkojmë, unë në punën time, çupa e sapodiplomuar në “punën” e saj, d.m.th. e papunë në Greqi. Atje gjërat janë zi e më zi. Administrata shtetërore po shkurtohet përditë, sipas kërkesave të financuesve të huaj. Këto i dimë edhe pa vajtur në Greqi. Le që kush i afron shqiptarët në adiministratën shtetrore atje? Ndërsa në bisneset private, shkurtimet e punonjësve janë akoma më të mëdha. Prandaj duhet mbajtuar një vesh dhe një sy nga atdheu. Mbase ai nuk na ka harruar që jemi shqiptarë, pavarësisht se jemi rritur e shkolluar në vend të huaj. Me këto mendime u largua e sapodiplomuara. Ministra e Arsimit dhe e Shkencës është transparente lidhur me procesin e njohjes së diplomave të studentëve që kanë mbaruar shkollat në vendet e huaja. Në ueb-sajtin e saj e gjen lehtë ruprikën “Njehsimi i diplomave”. Herë pas here, kur jam i ngeshëm, e hap faqen e mësipërme dhe lexoj ato që më interesojnë për problemin në fjalë. Ja, për shembull, udhëzimi i ministrit Myqerem Tafaj, i vitit 2009. Udhëzimi nuk ka as numër protokolli dhe as datë, por kjo nuk ka shumë rëndësi për mua; ai është në faqen zyrtare të kësaj Ministrie. Rëndësi ka se kur do të ndodhë njohja e asaj dilpomës për të cilën ka aplikuar e diplomuara në Athinë. Udhëzimi i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, pika 4 e tij, thotë shprehimisht: 4.3. Dosja e aplikantit i paraqitet Komisionit të Njohjes së MASH-it jo më vonë se 35 (tridhjetë e pesë) ditë nga mbërritja e saj në MASH, kur ajo është e plotë. Brenda 1 (një) jave nga marrja e dosjes, Komisioni i Njohjes mund të marrë vendim sipas përcaktimit në pikat 4.1; 4.2, ose mund të vendosë t’ia kthejë dosjen SENJOD-it për plotësime të nevojshme në dokumentacion, sipas këtij udhëzimi. 4.4. Në përfundim të procedurës, aplikantit i lëshohet një dëshmi njohjeje nga MASH, jo më vonë se 1 (një) javë nga përfundimi i procedurës… Sipas aritmetikës sime, njohja e diplomës duhet të bëhet brenda pesëdhjetë ditëve. Kështu thotë udhëzimi i ministrit. Po këto janë hollësira pa shumë vlerë. Për mua nuk është problem afati i njohjes. Për të diplomuarën në Athinë, ndoshta po. Sidoqoftë, le të presim. Më në fund, në datën 23 korrik, në ueb-sajtin e Ministrisë publikohet lista ku është edhe emri për të cilën po interesohem. Kanë kaluar plot pesë muaj, ose 150 ditë, nga pesëdhjetë ditë që thotë udhëzimi i ministrit. Po, në fund të fundit, kush i lexon udhëzimet e ministrave? Lajm i mirë është se më në fund, diploma është njohur nga qeveria shqiptare. Lista e publikuar është me 130 veta. Por, në muajin korrik janë njohur diplomat edhe për shumë studentë të tjerë. Në tri listat e publikuara në këtë muaj, dhe ku përfshihen diplomat e atyre që kanë aplikuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë plot 402 persona, djem e vajza shqiptare që kanë mbaruar studimet jashtë shtetit dhe që u janë njohur diplomat në vendin e tyre. Shifër jo e vogël vetëm për një gjashtëmujor. Për vitin e kaluar, 2011, janë njohur më shumë se gjashtëqind e pesëdhjetë diploma. Kjo do të thotë se këtë vit numri do të shkojë në mbi 800 veta të diplomuar jashtë vendit, që do t’u jenë njohur diplomat këtu, në atdhe. Entuziazmohem nga këto shifra. I gëzuar drejtohem për në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës për të mësuar se kur do të shpërndahen këto diploma të njohura. A do të ketë ndonjë ceremoni simbolike për këtë, apo jo? Sepse në verë është një rast i mirë që dikush nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës të takojë qoftë edhe një pjesë të këtyre të sapodiplomuarve. Pse jo, edhe vetë ministri i Arsimit dhe Shkencës. Pse jo, t’u ofrojë studentëve më të mirë, p.sh. 10 për qind të tyre, nisur nga shkolla që kanë mbaruar dhe nga rezultatet, nga një vend pune në administratën shtetërore, si shenjë se atdheu po mendon për ta, se atdheu i ka sytë edhe tek ata; se ata mund ta ndërtojnë këtu jetën e tyre duke kontribuar për atdheun. A nuk ka folur vetë Kryeministri ynë për “ekselencën” e të diplomuarve? Vetë ministri aktual i Arsimit është një i kthyer nga Gjermania, ku ka punuar si “refugjat” për vite me radhë, për t’u bërë pastaj ministër në atdhe. Tani, në sezonin e verës, një numër i madh i këtyre të diplomuarve jashtë vendit vijnë në Shqiperi për të takuar të afërmit e tyre. Janë nga ata që kanë emigruar me gjithë familjet vite më parë, ose janë shkolluar në Shqipëri deri në shkollën e mesme, ndërsa shkollën e lartë e kanë kryer jashtë vendit. Vera është rasti, pra, kur atdheu i mbledh këta zogj të shpërndarë anë e kënd globit. ¨shtë edhe rasti që institucionet përkatëse shtetërore të takohen me ta dhe t’u përcjellin disa mesazhe të ngrohta. T’u thonë p.sh. se këtë vit në atdhe po festohet 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë dhe për këtë edhe ata duhet të ndihen krenarë kudo që të jenë etj. Këta të rinj e të reja, të shkolluar jashtë shtetit, shpeshherë me shumë mundime e sakrifica financiare dhe të natyrave të tjera, e duan njohjen e diplomës pikërisht sepse e shikojnë atë si një mundësi për të punuar në atdhe. Gjetkë nuk bën punë kjo njohje. Ata, pra, në një farë mënyre, duke kërkuar njohjen e diplomës, i kanë ofruar atdheut gatishmërinë e tyre për t’u kthyer e punuar këtu. Por kjo gatishmëri nuk gjen përgjigjen e merituar nga qeveria shqiptare. Me ta nuk ka as takime, as fjalime, as premtime. Ata kanë mbaruar shkolla të mira jashtë vendit. Atje nuk e kanë marrë diplomën me mik e as me para. Diplomat e tyre nuk janë të ”kristalizuara”, siç ndodh në vendin tonë. Kjo, natyrisht që do të mund të bëhej nëse qeveria do të mendonte prej kohësh për këtë problem. Dhe jo vetëm do të mendonte, por edhe do të vepronte. Por për këtë nuk po e vë kush ujët në zjarr, me gjithë disa deklarata për “eskelencën” nga ana e Kryeministrit. Ashtu i ndrojtur, me dokumentet në dorë, drejtohem për te Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Pritja atje, si përherë, është “e ngrohtë” dhe shpejt hyj në zyrën në katin e parë, krahu i majtë, ku një punonjëse më pret me mirësjellje. “Vërtetimin e diplomes? – pyet ajo? – Kërkoje te ai grumbulli atje”. Dhe më bën me dorë nga një tavolinë e mbushur me letra. “Atje” janë një grumbull fletësh formati, me tri rreshta shkrim mbi to. “Vërtetohet njohja e diplomës së …, lëshuar nga …, me program 4–vjecar në…. Kjo diplomë njësohet si Master Profesional në Republikën e Shqipërisë”. Dy firma dhe një vulë. Kaq. Ky është tekstualisht vërtetimi i njohjes se diplomës. Letrat nuk kanë fotografi të aplikantit, megjithëse nga ana jonë janë dorëzuar dy fotografi kur është bërë aplikimi. Letra ka një njollë me boje të zezë në krye të saj, e cila nga unë kuptohet që është shenja e stemës së Republikës, e dalë nga fotokopja me ngjyra bardhezi. Them nga unë, sepse nga ata mijëra të rinj që janë rritur larg atdheut, zor se kuptohet kjo. E gjej fletën për të cilën jam i interesuar. “Kjo është?” – pyes punonjësen, për t’u siguruar. “Po”, – më përgjigjet ajo dhe më kërkon të firmos për marrjen e saj. Jam disi i zhgënjyer dhe i trishtuar. Prisja të merrja në dorë diçka tjetër më serioze, më solemne, më dinjitoze, më shprehëse, më fymëzuese. Kam vite që e kam mbaruar shkollën e lartë, por jam në gjendje të përfytyroj emocionet e marrjes në dorë të diplomës prej studentëve të sapodiplomuar. Kështu e përfytyroj unë këtë dokument. Kur kam marrë diplomën time më shumë se tridhjetë vjet më parë, gjërat kanë qenë shumë më serioze se kjo copë letër formati e fotokopjuar bardhezi si sot. Entuziazmi im bie në fund të këmbëve. Nuk më rrihet dot pa pyetur. “Po nuk u gjet dot një copë karton me ngjyra për diplomën e njohur?” – pyes punonjësen e Ministrisë. “Kemi patur, por na ka kanë mbaruar”, – përgjigjet ajo, si e zënë në faj. Firmos dhe largohem. Nuk kam çfarë t’i kërkoj më kësaj punonjëseje. E di që nuk është fajtore ajo. Kur u ktheva në shtëpi dhe i hodha një sy prapë ueb-sajtit të Ministrisë, vura re se letra model për njohjen e diplomave është e miratuar nga vetë ministri i Arsimit dhe i Shkencës, dhe nuk është çështje e mbarimit të kartonëve me ngjyra në Ministri. Për këtë lexuesi mund të bindet duke parë në ueb-sajtin në fund të udhëzimit nr. 6, datë 06.04.2012, për disa ndryshime në udhëzimin nr. 41, datë 08.12.2009, “Për procedurat dhe kriteret e njohjes së diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja të arsimit të lartë”. “Shtojca nr. 1. – Formati i Vërtetimit të Njohjes dhe Njehsimit”. ¨shtë vetë ministri, pra, që e ka miratuar formatin e atyre dy gisht letër të mjeruar, pa fotografinë e të diplomuarit, pa stemën e Republikës, që është “një shqyt me fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Në krye të shqytit, me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja e Skënderbeut”. (Neni 14, pika 3 e Kushtetutës). Në vend të tri ngjyrave të bukura që thotë Kushtetuta, është vetëm një njollë e zezë boje, me të cilën pajisen të rinjtë shqiptarë që diplomohen jashtë vendit nga shteti i tyre amë. Vetëm kaq. Dhe kjo letër do të duhet të ruhet prej tyre për nja dyzet vjet, derisa këta të rinj të dalin në pension. “Atdheu” nuk u jep atyre as dy gisht letër për të qenë, jo më shumë. I vetmi problem tani është se si do t’ia servir copën e letrës që mora në Ministri së diplomuarës në Greqi, kur ajo të kthehet në atdhe. “Kjo është diploma?!” – do të pyesë ajo e habitur. Dhe unë do t’i përgjigjem me një “po” të mjerë dhe i turpëruar, sikur të isha unë fajtor për këtë. Natyrisht, jo për fajin tim.