2013-05-20

Gi de Mopasan, Gratë e pasditeve të së dielës

“Është mesditë. Familja drekon nën hijen e dardhës së mbjellë para portës: babai, nëna, katër fëmijë, dy bujkesha dhe tre argatë. Gjatë ngrënies pothuajse nuk kuvendohet. Hahet supa pastaj mbushet pjata nga pjatanca plot me patate të skuqura në dhjamë. Herë pas here, një nga shërbyeset çohet dhe shkon në qilar për të mbushur një kanë me sidër. Babai, një burrë rreth të dyzetave, sodit hardhinë para shtëpisë së tij, një hardhi me një trung të zhveshur e që ishte i dredhur si një gjarpër nën qemer gjatë gjithë murit. Ai e çau heshtjen dhe tha: – Hardhia e babos lulëzoi shpejt këtë vit, mund të japë dhe fruta.
guy_de_maupassant_0
E shoqja u kthye nga hardhia, e pa, por nuk tha asnjë fjalë. Kjo hardhi ishte mbjellë pikërisht aty ku e kishin pushkatuar Babo Milonin….” Kur Kristaq Kotolika lexoi “Babo Milonin” një prej novelave më të njohura të Gi De Mopasan, ndjeu të njëjtën ndjesi që e kishte përshkruar gjithnjë në prozat e lexuara prej tij. Për një të dashuruar pas librit, tregimet e Mopasanit janë gjithnjë një stol në një park të mbushur me blirë, ku ti ke dëshirë të ulesh, sa herë që do të shohësh thellë jetën tënde. Rrëfimet e Mopasanit të bëjnë të shohësh thellë në jetën tënde dhe secila prej historive të tij, duket sikur i jep zgjedhje një mëdyshjeje që e mbart prej kohësh. Por, teksa endej në faqet italisht të “Babo Milonit” Kotonika e gjeti veten duke përkthyer në shqip këtë histori. Nuk ka shpjegim pse një përkthyes zgjedh të përkthejë një vepër të caktuar. Shpjegimi i takon një momenti që është vetëm midis tij dhe leximit, që ka një fuqi të papërshkrueshme që e shtyn drejt artit të përkthimit. Kështu, nisi dhe aventura e Kristaq Kotonikës me Mopasanin për të sjellë në shqip një prej novelave të tij më të bukura “Babo Milonit”. “Për përkthimin e këtij libri kam përdorur dy vepra. Përkthimin e botuar më Itali dhe më pas botimin e plotë të Mopasanit në gjuhën ruse më vitin 2007 “Vepra të përmbledhura”. Në këtë libër përfshihet dhe një komedi, i vetmi shkrim i Mopasanit në gjininë e dramës”, thotë përkthyesi. Teksa endesh në letërsinë e një shkrimtari, gjithnjë je i tërhequr për të menduar më shumë për jetën e tij. Ndaj, Kotonika mund të flasë gjatë për këtë emër të madh të letërsisë botërore, proza e të cilit vazhdon të magjeps në të gjitha gjuhët ku është botuar. Anri– Rene-Alber-Gi de Mopassant ka lindur afër Kështjellës së Miromensnil-it, pranë Dieppe-së në Normandi të Francës, më 5 gusht të vitit 1850. Ai rrjedh prej një familje fisnikësh të rënë e të shpërngulur nga Lorena në Normandi nga mezi i shekullit të 19-të. Vitet e fëminisë Mopassani i kaloi në Normandi. Kur ai mbushi 13 vjet, nëna e çoi në seminarin fetar të qytetit Yvetot. Të riut Gi, nuk i dukej e drejtë disiplina e hekurt në seminar. Ai jo njëherë u largua prej këtij seminari për në shtëpi dhe me çdo mënyrë kundërshtonte e shkaktonte poterë. Në vitin 1875, ai botoi me pseudonimin Zhozef Prunje novelën e tij të parë “Dora e trupit”. Ndërsa në mars të 1876-s me miratimin dhe të mësuesit të tij, në revistën “Letërsia Republikane” u botua poema e parë e Mopassanit “Në breg” nën pseudonimin Gi de Valmar. Me po këtë pseudonim më 22 tetor 1876 botoi po këtu artikullin e parë për krijimtarinë e Floberit. Poema “Në breg” u ribotua në nëntor 1879 tashmë me emrin e vërtetë të autorit, por me mbititullin arbitrar “Beqarka” të vendosur nga vetë redaksia e revistës “Kronika natyrore e kohës” dhe kjo rrethanë e papritur bëri që të përdorej si shkak për të çelur një proces gjyqësor për autorin nën akuzën për pornografi. Mopassan-i u thirr më 14 shkurt 1880 në prokurorinë e Etamp-it, – qyteti ku botohej kjo revistë. Kjo e shqetësoi shumë shkrimtarin. Kjo gjë u bë dhe shkak për ta larguar nga puna, që për të ishte i vetmi burim jetësor. Letër këmbimi me Floberin në këtë kohë ishte me shumë indinjatë e shqetësime. Por në sajë të Floberit u botua më 21 shkurt në gazetën “Galua”(Le Gaulois) letra e hapur e Mopassan-it së bashku me materialin e mbrojtjes së tij si shkrimtar, në kohën kur tashmë po hetohej autori lidhur me “Madam Bovarinë” e tij, prandaj dhe ndjekja gjyqësore për të u ndërpre. Mbas vdekjes së Floberit, Mopassan-i e ka renditur këtë letër në botimin e tretë të përmbledhjes se tij nën titullin “Poezi”. Bashkëpunimi me revistën “Letërsia Republikane” i dha mundësi autorit të njihej me një grup shkrimtarësh të rinj, ndër të cilët: Leon Enik, Zh.K.Gusman, Anri Sear, Pol Aleksis, e Oktav Mirbo. Afrimi më vonë me të riun Emil Zola, prozatori me preferencë, bëri që në fund të viteve “70, Mopassan-i të kalonte gjithnjë e më mirë nga poezia në prozë. Suksesi që pati me “Bullafi qet” bëri të mundur ftesën për të nga gazeta “Galua” në të cilën shumë shpejt doli cikli i novelave – skica, “Shëtitjet e së dielës të borgjezisë parisiene”. Në shtator të vitit 1880, ai kreu një udhëtim në Korsikë, përshtypjet e të cilit, u pasqyruan në një sërë skicash e novelash dhe në një nga romanet e tij kryesore “Një Jetë”. Në vitin 1881 udhëtoi nëpër Algjeri, ku vazhdonte ndërkohë kryengritja e popullsisë vendase-indigjente- kundër zgjedhës së kolonizatorëve francezë. Shënimet e këtij udhëtimi do t’i botonte në vitin 1884 në formën e një libri me titullin “Nën diell”. Në verën e vitit 1883 udhëtoi për të dytën herë në Britani. Në vitet 1881 – 1883 Mopassan-i u lidh ngushtë me Turgenievin që i krijoi mundësinë në shqyrtimin e krijimeve të reja, me të cilin qëndroi në anëtarësinë e komitetit për ngritjen e përmendores së Flober-it, të cilin e patën vizituar së bashku kur ishte i sëmurë, në javët e fundit të jetës së tij. Femrat, kanë luajtur një rol shumë të madh në jetën e Mopassan-it. Ai ka shumë romanca e lidhje të rastit me emra shumë të njohura në atë kohë, si dashnore, bile është i njohur dhe rasti që ai në vitin 1883 pati me një syresh për të cilën pat menduar edhe seriozisht për martesë, por më pas kjo punë u prish dhe ai mbeti për tërë jetën beqar. Më mirë këto ndodhi të jetës së tij bëhen të njohura prej librit që shkroi shërbëtori i tij, Fransua Tasara, nën titullin “Kujtime mbi Gi de Mopassan”-in, botuar në vitin 1911 i përkthyer edhe në gjuhën ruse në vitin 1915. Ky libër i thjeshtë, pa pretendime, por shumë i saktë në përmbajtje, ngre perden e jetës private të shkrimtarit mbi të cilën u patën thurur shumë thashetheme e legjenda të papërfytyruara.

Puna e rregullt, amaneti i Flober-it mbeti gjatë gjithë viteve “80 kushti i parë i krijimtarisë së shkrimtarit. Duke punuar çdo ditë nga ora 7 e mëngjesit deri në 19 të mbrëmjes, ai arriti të shkruante mesatarisht gjashtë faqe në ditë, ndërsa në mbrëmje shkruante përshtypjet e tij të ditës. Suksesi letrar i Mopassan-it u rrit libër pas libri që ai nxori në dritë. Në vitin 1881 u publikua volumi i parë me tregime nën titullin “Shtëpia Telier”, e cila për dy vjet pati 12 ribotime. Më 1882 u botua përmbledhja me novela nën titullin

“Madmazel Fifi”, më 1883 përmbledhja “Tregimet e Voldshipit”

dhe romani “Një Jetë” i vlerësuar nga I.S.Turgenievi dhe Leon Tolstoi dhe që e vunë Mopassan-in në rreshtin e parë të shkrimtarëve francezë të njëkohshëm. Në vitin 1884 u botuan përmbledhjet: “Drita e hënës”,

“Motrat Rondoli”, “Miss Harieta” dhe libri “Në diell”. Më 1885 u botuan: “Iveta”, “Përralla të ditës e të natës”, “Tuan” dhe në të njëjtën kohë me këto romani “Bel Ami” që e bëri Mopassan-in të njohur në botë.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...