Artisti i ri italian, Leone Contini, në Shqipëri, në kërkim të gjurmëve të mbetura në një hartë të vitit 1939, që i përket gjyshit të tij ushtar gjatë okupimit italian në vendin tonë
Ai u bë pjesë e projektit të “Tirana Art Lab” dhe për tre muaj do të qëndrojë në një rezidencë artistike për të prezantuar më pas projektin e quajtur “Harta e thesarit”. Sikurse e shkuara kolonialiste e Italisë nuk është pjesë e debatit publik, po ashtu amnezia ka fshirë kujtimet e gjyshit të tij. Periudha e pasviteve ‘30-të është një periudhë e cila ka frymëzuar shumë artistë e shkrimtarë në vendin fqinj. Harta e rigjetur në këtë rast i ofron artistit një mundësi për t’u rikthyer prapa në kohë. Në përpjekje për të rigjetur shtigjet e dëbuara nga kujtesa personale dhe ajo kolektive, Contini do të rivizitojë vendet e shënjuara në hartë me qëllim rigjenerimin e informacioneve dhe të një kujtese të re. Tirana është stacioni i tij i parë, për të vijuar më pas ashtu, si dhe vetë thotë në qytete si Krujë, Berat, Kavajë, Elbasan Durrës, Laç, Rrogozhinë… Ka vizituar “Kazermën italiane ‘39-‘40”, por ajo çfarë i ka bërë përshtypje më shumë në ditët e para të qëndrimit këtu është Kombinati. “Jam i befasuar nga transformimi që ka pësuar kjo pjesë e qytetit”, thotë ai. Pas përfundimit të studimeve për antropologji në Universitetin e Sienës, Leone ka udhëtuar në disa vende të botës, për të thelluar studimet e tij në këtë fushë. Ajo çfarë i ka bërë përshtypje në qytezën e dikurshme të tekstileve, janë antenat e mëdha mbi pallatet trekatëshe. Ajo i kujton vitet ‘80-të, kur prindërit shqetësoheshin për kohën që djali kalonte para televizorit. “Ata më thoshin se Italia është një vend i varur nga televizori. Ekrani merrte gjithë kohën time, më izolonte në shtëpi dhe më çonte në një gjendje pasive. Përveç këtyre, televizori ngjallte brenda meje dëshira komplekse”, kujton Contini. Në atë periudhë ata jetonin në një qytezë të vogël afër Firences, dhe Leone atëherë një djalosh do të joshej nga valët e ekranit. Por ndërsa ky është koncepti italian për televizionin, në konceptin shqiptar ekrani kishte një tjetër dimension e simbolikë. Në Tiranën e atyre viteve të shikoje “Rain” mund të dënoheshe me burg. Të kapje sinjalet e televizioneve italiane kërkonte kurajë, aftësi dhe kreativitet, dhe këto antena që ai sheh mbi pallatet në Kombinat mbartnin një tjetër kuptim. Leone ka folur me banorë të këtyre pallateve, për të kuptuar përpjekjen e tyre për t’i realizuar ato. Leone mundohet të kuptojë çdo gjë, në këtë qytet që vjen nga një e kaluar e trishtë siç ishte komunizmi. Ai u nis drejt Shqipërisë për të zbuluar gjurmët e së shkuarës, për të zbuluar atë çfarë ka mbetur nga fushata e shpejtë ushtarake e Italisë kundër Shqipërisë më prill të 1939-s. Hyrja e Italisë në Shqipëri, si pasojë e politikës së Musolinit, do të sillte ndryshime në vend që nga largimi i Mbretit Zog… Leone ka lexuar për Shqipërinë e paspushtimit italian, por ajo çfarë kërkon të ndërtojë është historia e munguar e muajve italianë në Shqipëri, për të cilat nuk ka gjetur sa duhet në vendin e tij. Gjurmët e mbetura në hartë duken të vështira, por Leone është i sigurt se ato do ta çojnë diku…
No comments:
Post a Comment