2013-05-20

Rrugëtim drejt së bukurës


Cila do të jetë e ardhmja e artit tashmë që janë konsumuar të gjitha format e tij… Arben Theodhosi sjell në “Hyper-Babel”, një vështrim mbi realitetin artistik të së ardhmes, pas një rrugëtimi në ngjarjet që kanë shoqëruar jetën e tij…
Alda Bardhyli


Arben Theodhosi




Cila do të jetë e ardhmja e artit? Kjo pyetje që shtrohet shpesh në faqet e revistave dhe gazetave të njohur të artit në botë, por dhe në kafene artistësh, libra filozofie, duket se nuk ka marrë ende përgjigjen e duhur. E ardhmja merr gjithnjë formën që ne duam ta shohim, e shpesh konturet e saj vizatohen duke u nisur prej së sotmes. Në një kohë konsumi televiziv, shoqëror, ku arti duket se i ka kaluar të gjitha etapat e rrymat, e ardhmja duket si një hapësirë boshe ku çdo piktor mund t’i japë ngjyrën e tij. Arben Theodhosi nuk i ka vënë dixhiturë pikturave që ka ekspozuar në “Colis”, por e ka lënë të lirë hapësirën në fund të kornizave ku mund të shkruante gjendjen që e çoi drejt asaj pune. Tablotë ku dominon e kuqja dhe e zeza, janë po në stilin e njohur të artistit, që i sheh ngjyrat si detaje që e përfshijnë shikuesin. Për të, piktura është një gjendje, e nëse nuk është e tillë nuk mund ta ndiesh. Këtë herë ai ka zgjedhur ta shoqërojë ekspozitën me një rrëfim të gjatë artistik, të asaj çfarë ka ndier ku i ka krijuar ato, për të hapur kështu i vetëm një debat, për atë çfarë do të vijë pas modernizmit… Pasioni për shkrimin duket se është një pasion i ngjashëm me pikturën dhe pse ai nuk do që ta quajë veten një “profesionist” në këtë fushë. Arben Theodhosi i përket atij brezi artistësh në Shqipëri, që mbajnë nën lëkurë një të kaluar të hidhur, me vite të tëra burg e internime. 

Bir i Koço Theodhosit, ish-ministër i diplomuar për ekonomi në Francë me rezultate të shkëlqyera ai u burgos dhe u pushkatua nga regjimi komunist. Familja Theodhosi u internua dhe Arbeni atëherë vetëm 22 vjeç, la studimet e nisura për pikturë në Akademinë e Arteve dhe përfundoi në Kurbnesh, minator. Për 14 vjet ai do të punonte në minierë. Dhe pse Theodhosi nuk do të preket më kjo pjesë e hidhur e jetës së tij, e brendshmja e tij, duket se riprodhon padashur në pikturat që bën. Ja si e përshkruan ai minierën… “Gjatë historisë zyrtare të vuajtjes sime, përpara përpalljes me galeritë e minierës, më duhej të kryeja çdo ditë ritualin fillestar të udhës malore, e cila zgjaste jo më pak se 25 minuta përmes një dhiareje të rrethuar nga shkëmbinj dhe halorë. Momentet e preferuara ishin mëngjesi, kur ketrat ngjitnin rrufeshëm trungjet e pishave të larta dhe veçanërisht mesnata kur kthjelltësia e Kashtës së Kumtrit më bënte të merrja frymë thellë dhe të ndihesha pjesëtar. Në hyrjen e galerisë, gjeja përherë gurë të rrëzuar nga mbingarkesat e vagonëve dhe mbeturina trungjesh të prera nga karpentierët. Qysh nga ai moment rituali, vazhdonte përkrah minatorëve. Uleshim mbi trungjet e prera, kontrollonim llambat e ndriçimit, ndiznim nga një cigare dhe vështronim njëri-tjetrin si luftëtarët e regjur përpara një beteje që u rridhte në gjak prej mijëra vjetësh së bashku me kodin gjenetik. Nuk e di për çfarë arsye, por një detaj i ditës së parë nuk më shkulet asnjëherë nga memoria. Ndizja cigaret njëra pas tjetrës në sheshin përballë hyrjes së galerisë dhe vështroja minatorët si fillestari që nuk dëshiron të ngjajë fillestar.
Arben Theodhosi (3)
 Një brumbull fluturak qarkullonte rreth kokës sime, por unë e largoja me dorë duke vështruar Markun, minatorin 50-vjeçar, i cili më shqiptonte me një buzëqeshje miqësore këshillën më të çuditshme në botë: “Mos u largo, sepse është meleq (engjëll mitologjik), është i mirë!”. Për një malësor që mbante mbi kurriz të gjithë komedinë njerëzore, brumbulli-meleq duhet të ishte me siguri i mirë!”. Pikturat që bën, duket se janë jeta e tij, e shkuara e mbetur në cepat e kujtesës dhe e ardhmja që e pavetëdijshmja vizaton në to…Pikturat e mëdha kuptohen më mirë kur largohemi dhe i vështrojmë nga distanca e duhur. Shumë herë, e njëjta gjë ndodh edhe me kujtimet. Ngjarjet e së kaluarës kthjellohen në mendjen tonë, pasi jemi larguar mjaftueshëm në kohë. 
Arben Theodhosi (2)
Çudia është se dimensioni fizik i universit kohë-hapësinor ndodhet i gjithi brenda nesh, dhe kjo është shumë më e rëndësishme nga ç’mund ta imagjinojmë…Theodhosi kthehet thellë në të shkuarën, duke dashur të shpjegojë se çfarë ishte realizmi socialist. Ai kujton vizitën e parë në studion e piktorit të njohur, Fatmir Haxhia. “Piktorët e njohur të realizmit socialist shqiptar gëzonin tituj “Piktor i merituar” dhe “Piktor i Popullit”. Gjatë viteve të shkollës, më rekomanduan të vizitoja atelienë e Haxhisë për të parë se si punonte “Piktori i Popullit”. Si ngjarje që nuk do të përsëritej dy herë, ajo vizitë do të ruhej e pacenuar në memoriet e mia. Vizita koincidoi kur Haxhia përfundonte “Tendën e Qypit”, një pikturë e dimensioneve të mëdha që i bënte homazh luftës heroike të partizanëve. Figurat e partizanëve mbizotëronin ndaj armikut nëpërmjet qëndrimit heroik, vështrimit të rreptë dhe gjymtyrëve të fuqishëm. Figura e borizanit i tejkaloi të gjitha kufijtë e pritshmërisë sime në ato momente: ky luftëtar i fuqishëm i binte borisë së kushtrimit, duke shtrënguar me njërën dorë venën e përgjakur të qafës së tij të plagosur… U vërsolla për një kohë nëpër atelie, duke vështruar me habi herë pikturën dhe herë autorin, i cili vështronte drejt meje po me të njëjtën habi. Autori i “Tendës së Qypit” komunikonte me veprën e tij, hynte dhe dilte në veprën e tij duke parë, duke imagjinuar dhe duke modeluar vetëm heronj. Në studion e Haxhisë, dhe veçanërisht në ato momente, unë u ndjeva një specie e huaj që duhej të largohej për të mos u kthyer më kurrë…”, thotë Theodhosi. Ndërmjet artistëve dhe mjedisit ideologjik të çdo periudhe,  krijohet domosdoshmërisht intersubjektiviteti, interfantazia dhe përfaqësimet afektive që impliklojnë memorien implicite. Por, pikërisht duke mos qenë procese të vetëdijshme, asimilimet estetike që formojnë artistin nuk mund të jenë as pengu i së përkohshmes. “Buza, Madhi, Haxhia, si edhe piktorë të tjerë soc-realistë, asnjëherë nuk mundën të ishin ekskluzivisht soc-realistë”, thotë ai. Por le të kthehemi në atë që Theodhosi e quan dhe thelbin e kësaj ekspozite “Hyper Babel”, vështrimin që ai do të japë ndaj filozofisë postmoderne dhe hiper-realitetit. Imazhi i “gruas së bukur” mbetet imazhi më intrigues që shoqëron subjektin krijues drejt konsumeriste postmoderne. Theodhosi thotë se “argumenti i gruas së bukur” mbetet shembulli tipik i debatit filozofik mbi të Bukurën. Sipas këtij shembulli: “Ne perceptojmë gruan e bukur, por jo idenë apo formën e së bukurës në vetvete”. Është krejt normale: duke qenë të rrethuar nga një univers i paperceptueshëm në nivelet e tij më të shumta, ajo që na tremb është nëse këto nivele do të ishin inekzistente! E quajmë “shpirt njerëzor” atë çka është më e rëndësishme për ekzistencën tonë, por rrallëherë jemi konsekuentë në besimin e kësaj ekzistence. Mendojmë se kemi kuptuar thelbin e gruas së bukur, pasi e kemi parë e kemi prekur dhe renditur atë, në larminë marramendëse të bukurive të perceptuara – një larmi që mund të shumëfishohet nëse shfrytëzojmë shqisat e insekteve apo zgjatimet elektronike – dhe rrallëherë kujtohemi që nuk jemi insekte apo zgjatimet elektronike, por mbartës të shpirtit njerëzor, i cili dashuron dhe krijon vepra arti që nuk janë as gruaja e bukur, as kopja e gruas së bukur, por që tregojnë në thelb që “gruaja është e bukur”, thotë Theodhosi. Duke hyrë në një debat me teoritë e Umberto Ekos mbi të bukurën, artisti vazhdon esenë e tij filozofike mbi këtë temë, duke thënë se rrugën për të parë të bukurën e tregon vetëm arti. Por cilat janë momentet e artistit me të bukurën? “Momentet e para të komunikimit sublim me të Bukurën u mundësuan nga rrethanat e vuajtjes në moshën 22-vjeçare. Sipas predikuesve të lashtë, vuajtja do të eliminohej nëse do të mund të hiqej dorë nga lakmia. Kjo duket e pamundur, ndërsa rasti im ishte i pashpresë. Gjatë dy dekadave të para duke bërë një jetë të privilegjuar për arsyen e rëndomtë se kisha lindur nga prindër të privilegjuar, unë nuk mund të lakmoja nuk kisha çfarë të lakmoja, dhe nuk dija çfarë ishte lakmia”, thotë Theodhosi. Dhe fati i mëvonshëm i jetës së tij, ku internimi dhe puna në minierë do ta bënin që përmes dhembjes të kalonte në përfytyrimin që duhet të ketë dimensioni i së bukurës. Dhe pse galeritë e minierave ishin mbytëse dhe të lodhshme atje nuk mungonin momentet e bukura për të. “Kthehesha në shtëpi i lodhur, por mbresat dhe imazhet e rëndësishme të atij mjedisi nuk i shmangeshin asnjëherë memories sime të përditshme. Modeloja portretet e minatorëve në vaj, laps të thjeshtë…i varja në muret e dhomës për t’i vështruar me nge dhe habitesha me rrudhat me kavitetet dhe protuberancat e tyre të gjalla që lëviznin dhe ndryshonin çdo ditë”, kujton Theodhosi.  Rrugëtimi i tij drejt së bukurës është po aq interesant dhe i ndier sa pikturat që bën. Pasi e bukura ashtu si dhe vetë arti është konceptuar mbi 30 mijë vjet më parë, në format e natyrës…dhe e ardhmja ndoshta nuk do të jetë gjë tjetër veç një përsëritje e atyre imazheve të mrekullueshme…

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...