2013-05-21

Possenti, A - Shuplaka e Turqve (Histori e përshkruar), 1648 - Fragm.


Possenti, A - Shuplaka e Turqve (Histori e përshkruar), 1648 - Fragm.

E shkëputa këtë pjesë teksti të përkthyer nga libri me shuuuuumë tekste të ndryshme "Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët" - 502 faqe ( Autor i librit: Piro Tase ) - libër si përmbledhje tekstesh e copëzash nga botime të ndryshme të kohës...

Possenti, A. - Shuplaka e Turqve (Histori e përshkruar)
Possenti, A. - “Il Flagello dei Turchi” (Historia Discorsa) - Bologna, 1648

"Nuk dimë nëse ishte rastësi apo domosdoshmëri ardhja e Mehmetit, por kjo bëri që me rrethimin e Belgradit të lartësohet emri i Skënderbeut…"

…Ai e kishte rrethuar këtë Fortesë me 15 mijë ushtarë dhe në veçanti me njëmijë italianë trima mes arkebuzierëve (arkebuz = pushkë me strall - Shënimi im, P. T.) harkëtarëve dhe artilierëve të paisur me topa dhe me të tjera instrumente luftarakë, gjithçka e siguruar falas nga ana e Mbretit Alfons të Napolit.
Plani ishte që garnizoni turk, i cili ndodhej brenda mureve të kështjellës ta dorëzonte fortesën, duke i lënë si afat vetëm një muaj, në rast të kundërt, do t'i sulmonin me të gjithë forcën e ushtrisë dhe të armatimeve, sapo të përfundonte ky afat. Por Skënderbeu, përkundrazi, duke patur parasysh atë që kishte ndodhur nën muret e Sfetigradit, ishte i mendimit që t'i detyronin turqit që t'u bindeshin sa më shpejt kërkesave të tyre duke i kërcënuar me forcën e zjarrit dhe të hekurit. Ai qëndronte i vendosur në këtë zgjidhje, por prijësit e ushtrisë së tij iu lutën që të dëgjonte për këtë rast, mendimin e tyre. Ata i thanë se komandantët e kësaj fortese nuk do të pranonin të dorëzoheshin, pasi më shumë do t'i trembeshin zemërimit të Mehmetit se sa shpatave të armiqve të tyre, ndaj nuk do të ishte e lehtë për t'i detyruar që të dorëzoheshin në këtë mënyrë, kjo gjë vetëm sa do të sillte vonesë në përfundimin e atij afati kohor që akoma nuk e kishin përcaktuar.

Arritën në konkluzionin se terreni i thyer malor dhe i rrethuar nga shkëmbenj të thepisur, do t'i ndihmonte ata për t'i rezistuar këtij rrethimi duke i mbrojtur shumë mirë edhe nga armët që ushtria shqiptare kishte në përdorim. Por, Skënderbeu, më shumë nga fakti se qe shumica ajo që kundërshtonte mendimin e tij, se sa arsyeja, pranoi që të vendosej një afat prej pesëmbëdhjetë ditësh.
Mendimi i shumicës, i pranuar më tepër si një detyrim se sa një arsyetim bindës, duhej të përqafohej nga cilido, sepse, është e kuptueshme, më mirë mund të shikojnë shumë sy se sa vetëm një sy, dhe se është më mirë të pranosh një të keqe mbi bazën e vendimit që ka marrë shumica se sa të pranosh një të mirë që vjen si rezultat i vendimit të një individi apo të pakicës. E para është një e keqe që ka si djep varrin, por ajo tjetra, i hap rrugën frikës duke krijuar, në këtë mënyrë, një monstër që nuk vdes kurrë.

Mehmeti, mori lajmin e rrethimit të Kalasë së Belgradit, pikërisht, në atë kohë, kur ai po përgatitej që t'u hipte anijeve e për të ndërmarrë fushatën e tij kundër Perandorisë së Trabizondit. Vetëm një gjë filloi ta frikësonte në këto çaste. Humbja që mund të pësonte në Epir, do të frenonte dëshirën dhe shpresat e tij për të arritur fitoren e madhe në kontinentin e Azisë. Çfarë do të thuhej për të nëse, me të vërtetë, pësonte një humbje të tillë?! E ndryshoi planin e tij menjëherë dhe i dha komandantit të tij më të aftë, Sebalia, një ushtri të përbërë nga dyzet mijë kalorës dhe këmbësorë, plotësisht e gatshme për luftë, e cila u nis menjëherë, gati duke fluturuar në ndihmë të kështjellës dhe për të shtypur atë armik i cili, aktualisht, mbante peng Zemrën e tij.

I hidhëruar, ose më mirë do të thoshim, jashtëzakonisht i zemëruar, u tregua shumë dorëlëshuar në shpërblimin që do t'i jepte Ahmetit dhe Barakut, ushtarë të së njëjtës ushtri, të cilët, gjoja rastësisht, i kishin çuar fjalë se, ose do ta ndalonin këtë stuhi të shkaktuar nga Skënderbeu, ose do t'i rrokullisnin Sulltanit nëpër këmbë kokën e atij burri që i kishte dalë përpara e po e sfidonte me kryelartësi.
Sebalia mbriti më parë se sa, në kampin tonë, të merrej vesh nisja e një ushtrie të tillë, edhe pse ata që ishin brënda, e patën mësuar nga dikush i cili, një ditë, kishte takuar në rrugë e sipër, ushtrinë që po marshonte me shpejtësi, duke i parakaluar me indiferentizëm, një privilegj që e gëzojnë të gjithë Korrierët civilë në raport me turqit, dhe me të gjithë kalorësit që ndesh gjatë rrugës, qofshin ata zotër të kuajve të tyre apo edhe të kualifikuar në mjeshtërinë e ecjes me kalë. Ushtria turke e drejtuar nga njerëz që e njihnin shumë mirë terrenin si dhe duke përfituar nga errësira e natës, mbriti në rrëzë të mureve të kështjellës dhe me ndihmën e litarëve arritën të futen brënda tyre.

Skënderbeu i pa me dyshim përgatitjet e të rrethuarve për të riparuar muret rrethues të kështjellës, gjë që binte në kundërshtim me marrëveshjen e bërë. Por u qetësua menjëherë sapo ata i ndërprenë punimet dhe i kërkuan falje me shumë përulësi.
Ai, ashtu i vetëm, mes një vendi të pushtuar nga armiqtë dhe të mbrojtur mirë, në pamundësi për të kontrolluar nga larg misionin e eksploratorëve dhe, pa pasur asnjë mundësi për të marrë informata, u gjend, papritur, mes një goditje të befasishme.

Kunati i tij, Muzakë Topia, i cili, sipas urdhërit të marrë ishte tërhequr qetësisht me gjithë ushtrinë e tij, të përbërë nga 3000 kalorës dhe njëmijë këmbësorë, poshtë në ultësirën pranë kështjellës, në këto çaste duhej të luftonte në të dy krahët: nga njëra anë duhej t'i bëntë ballë sulmit të kështjellarëve nga lartësia e mureve të kalasë dhe nga ana tjetër, sulmit të ushtrisë turke të shfaqur aty, fare papritur. Tanush Topia, kushuriri i tij, i cili e dinte shumë mirë se cila ishte detyra e tij në këto çaste, (bëri të pamundurën për të nxjerrë ushtrinë e tij nga kjo situatë, por u vra duke luftuar heroikisht ) ndërhyri për të organizuar ushtarët që ishin të pushtuar nga paniku e për t'i riorganizuar përsëri në lartësitë e kodrave përreth. Ndërkohë, atje lart, qëndronte Skënderbeu, me shpirt të copëtuar nga dhimbja për ushtarët e vrarë dhe pa qënë në gjendje që të vendosë. Prirja e tij për të qënë gjithmonë në pozita sulmuese, dhe ankthi për t'u hedhur sa më parë në ndihmë të ushtarëve të tij, të goditur tradhtisht, e bënin që të lëshohej si rrufe në drejtim të fushës së betejës. Por, për të ndërmarrë një vendim të tillë e pengonte arsyeja e shëndoshë dhe lutjet e atyre që i qëndronin përreth dhe që e frenonin duke e mbajtur larg atij rreziku që e kërcënonte po qe se do të fuste në këtë çoroditje të përgjithshme edhe pjesën tjetër të ushtrisë që kishte me vete.
Megjithatë, nuk e mbante vendi, dhe ta shikonit (o lexues!) se si ajo çurkë gjaku që zakonisht i rridhte nga goja kur kalonte situata të vështira, kësaj here, filloi të vërshente me vrull nga buza e poshtme të cilën e kafshonte nga dhimbja që ndjente për të vrarët dhe nga padurimi për t'u hedhur në sulm.

Ç'qe ajo forcë, e cila, më në fund, papritur, si një shkreptimë e rrufeshme e gjithë dritë, shpërndahu ato re të zymta që kishin pushtuar trurin e tij…?! Braktisi kampin, që trofeja e luftës t'i joshte të rrethuarit në kështjellë, dhe, që, në vend t'i suleshin prapa, e të viheshin në ndjekje të tij, të merreshin me transportimin e plaçkĕs brënda mureve të kështjellës, e, duke i dredhuar edhe të tijve, zbriti me furi në fushë, mu në shpinën e armikut, ushtarët e së cilës ishin lëshuar në pikë të vrapit në ndjekje të të mundurve; u dha zemër ushtarëve të tij, duke i bindur që t'i kthenin gjoksin armikut; dhe në këto çaste lufta, veçanërisht për turqit, u bë mjaft e vështirë, sa që Sebalia, u detyrua pak nga pak të tërheqë ushtarët e tij e për t'i riorganizuar. Turqit, për një çast, morën zemër kur panë numrin e pakët të ushtarëve tanë, dhe rifilluan betejën me kaq vrull sa i çanë më dysh luftëtarët e Skënderbeut. E kishin radhën të krishterët, tani, për t'u tërhequr. Atëhere, më shumë se në çdo lloj beteje që mund të kemi lexuar në libra, shkëlqeu veprimi i zgjuar dhe burrëror i këtij njeriu të madh.

Mehmeti, pas kësaj, e quajti atë fitues dhe, ushtrinë e vet, të mundur; Princi shqiptar, atë ditë, do të mbetej i paharruar për sytë e të gjithë të pranishmëve në këtë betejë. Sytë e ushtarëve të Sulltan Mehmetit u bënë dëshmitarë të mrekullive që bënte shpata e Skënderbeut, ndërsa në veshët e tyre do të buçiste gjithmonë zëri i tij tek u jepte zemër luftëtarëve të vet. Sebalia e pa gjithë admirim tek penetroi me vrull mu në qëndër të ushtrisë së tij, dhe kur, me një lëvizje të rrufeshme të shpatës, ndahu më dysh kokën e Barakut që i doli përpara dhe, me një goditje tjetër, kokën e Ahmetit, i cili, pas një përleshje të shkurtër me të, humbi shpatën dhe iu hodh përsipër për ta rrëzuar në tokë; mbeti kaq i habitur nga kjo mrekulli që po i shfaqej para syve sa fundin e kësaj lufte e quajti fat për ushtrinë e tij (edhe pse në përfundim të saj ishin vrarë me mijëra nga tanët dhe, në duart e tyre kishin rënë shumë robër dhe plaçkë lufte) dhe duke përfituar nga nata, grumbulloi ushtarët për t'u vendosur në malin aty afër, natyrisht, vërtet si fitimtar, por nën efektet e një shfaqeje të tillë e cila i rriti lavdinë tanëve.
Kështu bëri edhe Skënderbeu, duke parë me neveri (qoftë edhe për një çast) pamjen e asaj koke që i rrëzoi gjithë ata lisa, e lëshoi në majën e një kodre, jo shumë larg nga armiqtë dhe u nis bashkë me ushtarët e tij, të hipur mbi kuaj, në mes të një nate shumë të bukur, për në beteja të tjera…

Possenti, A. - “Il Flagello dei Turchi” (Historia Discorsa) - Bologna, 1648- fq:148-153

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...