Babai i nobelistit hebre Isacc B. Singer thoshte se është çmenduri të lexosh gazetat në mëngjes, të sapozgjuar. Në atë moment shpirti dhe trupi, të sapodalë nga pushimi i natës, janë të hapur, pra, janë të zbuluar përpara çdo rreziku. Është fiks një akt mazohizmi të humbësh kohën me kronika të zeza varresh. Është më mirë, këshillonte, të lexosh të përditshmet një ditë më pas, kur pjesa më e madhe e lajme të këqija ishin, në pjesën më të madhe të tyre, të metabolizuara. Reflektime të këtij tipi bëheshin në fillimet e viteve 1900, kur lajmet, në ndryshim nga ato të sotmet, ishin për pak veta, e sidomos të elitës së një kombi. Çfarë do të thoshte, plaku Singer, po të merrte një gazetë shqiptare sot për shembull?
Do të mësonte se në disa qytete shqiptare ndodhin gjëra të pabesueshme. Sepse disa qytete kanë një llokmë qytetarësh që arsyeja u është bërë një funksion i parëndësishëm. Arsyeja për ta është fajtore e kapur në flagrancë, dhe për këtë arsye është në kërkim të paditur. Për shembull në një qytet shqiptar vetëm në një ditë ndodh:
Tiranë- Gjashtë vjedhje pa autor brenda një nate në Tiranë. Grupet e hajdutëve në kryeqytet duket se janë aktivizuar në mënyrë "të rrezikshme" gjatë 24 orëve të kaluara. Pothuajse të gjitha komisariatet e Tiranës kanë marrë dje kallëzime për vjedhje dyqanesh, makinash, motorësh dhe çantash. Pak koment: këto gjashtë autorë janë të rrezikshëm sepse janë pjesë e grupit famëkeq ndërkombëtar të Luigi Pirandello-s, ku policia italiane njofton se janë gjashtë personazhe në kërkimi të një autori. Dhe jo gjashtë hajdutë.
Vlorë– I dehur masakron të shoqen, nënën e 3 fëmijëve të mitur. Krimi në familje u regjistrua këtë herë në fshatin Armën të Vlorës, kur Maksim Hodaj, 36 vjeç rrahu e më pas i përplasi kokën për vdekje gruas 33-vjeçare, Luljeta. Pak koment: Luljeta që kishte 33-vjeç po aq sa kishte dhe Jezu Krishti-t kur i vunë në krye kurorën me gjemba. Jeta e saj nuk ishte me lule, por plot gjemba armënie dhe Maksimi, terrorist infantil, gllabërohej dëng nga pija jetëshkurtër, e cila pastaj afërmendsh të bën të presësh rrënjët e një trëndafili. Maksim-umi i kriminelit.
Berat - Vodhi burrin, hetohet 34-vjeçarja. Ndiqet penalisht 34-vjeçarja, e akuzuar për vjedhjen e 1 milion lekëve burrit të saj. Nëna e 4 fëmijëve, banore e fshatit Goriçan në Berat, sipas policisë u gjet në Sarandë, bashkë me të dashurin e saj të ri. Pak koment: jemi të mendimit se në këtë rast më shumë se gorja duhesh hetuar Burri dhe jo gruaja, sepse ky beratasi na ka treguar edhe njëhere tjetër, kësaj here në mënyre eklatante, dobësinë që ka kategoria jonë mashkullore përkundrejt femrës. Dënimi duhet të jetë në proporcionalish me 1 milion lajka që i ka dhënë i dashuri fringo.
Tiranë - Zhduket italiani me makinën e marrë me qira: Një i moshuar italian është zhdukur në mes të Tiranës bashkë me makinën e marrë me qira. Denoncimi është bërë nga kompania që kishte lëshuar makinën, por policia nuk po gjen jo vetëm makinën, por edhe italianin. Pak koment: edhe italianët vjedhin do thoshte dikush? Nuk ka asgjë për t’u befasuar. Sepse do të duhej të dinim se ky nuk është italian, por është napoletan; dhe çdo napoletan i mirë, e di artin e zhdukjes pa lënë gjurmë.
Shkodër - Janë plot 112 familje të ngujuara vetëm në Qarkun e Shkodrës. Në përfundim të projektit të inicuar nga Forumi i Mendimit të Lirë ka rezultuar se në Qarkun e Shkodrës janë 323 persona të ngujuar dhe mes tyre janë identifikuar 77 të mitur që janë në moshën e arsimimit të detyruar. Probleme me arsimin, me zhvillimin dhe me varfërinë. Pak Koment: ky është sezoni i fushatës elektorale, ku më shumë flitet për Kodin Zgjedhor sesa për kodin e Lekë Dukagjinit. Si gjithmonë, ne shqiptarët shtrijmë këmbët më larg se jorgani. Dhe jorgani nuk është prej atlasi. Është i bërë nga rrecka mburrjesh. Politikë e re, probleme shekullore.
Tiranë - Kuzhe: Shqipëria ime i ka shanset t’i shokojë portugezët. Trajneri i ri i Kombëtares: Kjo skuadër më kënaq, mund të bëjë surprizën. Koha e përgatitjes së ndeshjes në letër përfundoi. Sot në mbrëmje do të zbresin në fushën e “Qemal Stafës” Shqipëria e Portugalia. Janë në pozita diametralisht të kundërta. Për kuqezinjtë e dalë jashtë objektivave do të jetë një ndeshje prestigji, ku trajneri i ri, Josip Kuzhe, duhet të kalojë me suksese debutimin në pankinë. Pak koment: nuk kishte si të mos na shokonte trajneri Kuzhe. Skuadra e tij luajti mirë, me pasime të shkurtra e të gjata. Ishte e mrekullueshme. Përgatitja nuk ishte vetëm në letër. Ndeshja konfirmoi edhe njëherë tjetër prestigjin tonë: si humbës. Shqipëri-Portugali: 1-2. Debutim me sukses.
Dibër: Mediu: Luftë ndaj krimit dhe korrupsionit. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zhvilloi dje në Dibër një miting me simpatizant e republikanëve në këtë qytet. Gjatë fjalës së tij, ai tha se për koalicionin e djathtë, vendosja e shtetit ligjor do të mbetet një prioritet edhe për mandatin e dytë qeverisës. Pak koment: ja kjo është sikur Ponc Pilati të ishte një prej apostujve të krishtërimit. Sikur presidenti i Iranit Ahmadinejad të konvertohej si hebre sionist, sikur Ahmet Zogu të ishte sot president i republikës. Sikur Gramor Ruçi të bëhej kryetar i shoqatës së lëvizjes së dhjetorit. Sikur Aranit Çela të kërkonte dëmshpërblim si ish-i përndjekur. Sikur Skënder Gjinushi të ishte pa vetulla. Sikur Gebëlsi të shkruante libra për fëmijë. Sikur Mero Baze të ishte gazetar sportiv. Sikur Mustafa Nano të ishte intelektual. Të kuptohemi, djalli është optimist nëse mendon të përkeqësojë edhe më jetën e shqiptarve.
Ndoka në Durrës: PS-PD po tallen, ne zgjidhim hallet. Përfaqësuesit e koalicionit parazgjedhor “Poli i Lirisë”, çelën ditën e djeshme fushatën e tyre zgjedhore në qytetin e Durrësit. Gjatë fjalës që mbajti kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka deklaroi se dy forcat e mëdha politike ishin tallur me kandidaturat e vendosura për këtë qytet. “Të tallesh me Durrësin, siç kanë bërë edhe deputetët e zgjedhur deri tani në këtë qytet, është jo vetëm e turpshme por politikisht edhe e dënueshme”, deklaroi Ndoka gjatë fjalës së mbajtur. Pak koment: Jam për shpërndarjen e budallallëkut. Për shumë kohë është përqendruar në një pikë të vetme. Pika është te laguna e Nardit. Nardi do të zgjidhë hallet. Ku do të shkojnë këto hallat e Nardit. Po sikur Nardi të kishte shumë teze, kur do t’i zgjidhte? Dhe pse? Apo po tallet? Si gjithmonë fjala u është dhënë njerëzve për të fshehur mendimet e tyre.
Fund: Në qoftë se lajmet sjellin frikë, fjalët që i rrëfejnë ato sjellin më shumë frikë. Në fund të fundit, fjala hyn si pykë në memorie e ndihmon të kujtosh atë apo këtë fakt, duke i rikthyer si një fishkëllimë akute që thërret qenin e kufirit të një demokracie.