2013-05-21

Një cikël poezish nga Vaso Papaj - Dhe diç urim...




Poeti dhe miku ynë, i respektuari z. Vaso Papaj na përshëndet me një poezi e cila përfshihet në vëllimin që do ta sheh dritën e botimit në fund të javes tjetër... dhe që do t'jetë i pranishëm në Panairin e Prishtinës, nga Sh.B. "UEGEN".
Poshtë saj po i bashkëngjes dhe disa vjersha të tjera nga autori, le të jetë diç si një "cikël përurimi" për librin e ri që do jetë sëshpejti në duart e dashamirëve të poezisë...
Ju uroj z. Papaj, urimet më të përzemërta,
sguraziu


PO U PAMË!?
Vaso Papaj

Ndonjëherë dhe po u pamë,
As shëndet nuk do të themi,
Por mes turmës, siç u ndamë,
Ndoshta lot në sy do t’kemi.

Dhe po e thirra tëndin emër,
Do t’ma hedhësh fshehtë vështrimin.
Do t’bëj “tak” e jotja zemër,
Ndoshta ëndërron dhe kthimin.

Ja, qëlloi, në trotuar...
Ndala frymën dhe të prita
Dhe pa folur, pa u qarë,
Ndoshta sytë i thanë të gjitha.

E po m’ pyete, si po shkoj,…
Do të t’them, s’di të gënjej,
Do t’mundohem të t’harroj,
Veç harresën s’mund ta blej.

- - - - - - - - - - - - - - - - - - - - -

Vaso Papaj - Disa poezi nga cikli voluminoz "Koncert nën narkozë", postuar më herët në kuadër të Ars Poetica (10 Shkurt 2013)

MË KOT NË MESNATË

Më kot në mesnatë të kërkoj Naim bej,
Më kot kalldrëmet i pyes: A e patë?
Po ngjyra reklamash ngacmojnë gjithandej
Dhe veten  pa ty ç’e ndiej fillikat.

E shkela me këmbë Stambollin e vjetër,
Kalldrëme, hotele dhe prapë s’ po të gjej.
Ky vend ka parë sulltanër dhe mbretër
Po unë veç një mbret dua, ty Naim bej.

Bares përmes parkut si të isha fajtor
Bosforit aromën ia thith gjer në fund
Sa dua të të gjej me qiriun në dorë
Dhe flaka e tij ngado të më shkundë.

E shtrihem mbi stolin e vjetër në park,
Kjo mjegull Azie paksa po më ftoh.
Buzëqeshur afrohet Pamuku nga larg
Veç ty me qiriun në dorë nuk të shoh.

E ngrihem, të ndjek në rruginat pafund,
Këto ngjyra reklamash pa gjum’ po më lenë.
Do të desha që flakë e qiriut t’ i mundë,
Ndaj malli për ty aq shumë më mbërthen.


VENDSTREHIMI IM

Në ato netë të ftohta me hënën kallkanisur
Kur s’ dihej në të gjente në shtrat ndonjë agim
Në gjoksin tënd i zhytur, me heshtjen nanurisur
Të thoja lehtë te veshi: Je vendstrehimi im.

Kur bora qetësisht gjithçka e kish mbuluar
Dhe flokët dhe çatitë dhe fjalët tona ngrinë
Në gjirin tënd u zhyta me heshtjen përqafuar
E përsërita prapë: Je vendstrehimi im.

E në shetisnim rrugës me gishta gërshetuar
Dhe ca vështrime shtrembër na shponin pambarim.
Me puthje të padhëna aq shpesh të shoqëruar
Unë ty sërish të thosha: Je vendstrehimi im.

E nëse ndodh një ditë, prej teje larg të jem
Do t’ doja prapë te veshi dy fjalë të të arrijnë
Nga tjetra botë qetësisht, përsëri do të t’i them:
Të dua fort! E di?... Je vendstrehimi im.


MË MUNGON

Më mungon,
Kur terri shuan gjurmët nëpër gurë,
Kur dielli valët detit ia përkëdhel,
Si hije më gjurmon, s’ më ndahesh kurrë
Dhe lodhja brenda vetes nuk  më del.

Më mungon,
Në shikime, në buzëqeshje, s’ të kam gjetur
Në biseda lënë përgjysmë, më mungon
Në grykën time si një nyje më ke mbetur,
Bëj të të gëlltis e kurrë poshtë nuk më shkon.

Më mungon,
Mund të shtirem, se jam mirë, por më mungon.
Tani kuptoj seç është, të mos ndjesh’ një çast intim,
Mos më ndodhesh pranë, kur gjumi më harron,
Kur ecën këmbëzbathur brenda shpirtit tim.

Më mungon,
Ku të t’ kërkojë? Do gënjeja veten. Më mungon,
Je lutja ime në të ftohtët e mëngjeseve pafund
Për rreth, i arratisur ësht’ dhe ajri, më mundon.
Të të shoh edhe një herë, gjithë botën do ta shkund.


TASHMË

Tashmë
Në shtëpinë time je një hije,
Natyrë mort e varur në mur.
Je një lëngim poezie,
Varg i pashkruar kurrë..

Tashmë
Për ty ndodhem larg
Dhe rrugët më nuk më gjejnë.
Nuk më ndërrojnë më zemrën,
As lotët lumenj.

Tashmë
Je një kujtim në letër,
Harruar diku në sirtar.
Një e re, mbetur e vjetër,
Një i prishur kandar.

Tashmë
Një vështrim në skaj kyçur,
Në jetën time një dyshim.
Një menteshë porte e ndryshkur,
Lule e tharë në kopshtin tim.

E tashmë
Je zjarr i shuar.
Sa jetuam bashkë, u dogj
Lëngim i kthyer në lutje,
Frut që stinës kurrë s’u poq!


SHKULE TRENIN TËND

Unë njoh poetë, që edhe malet i lëvizin,
Ndaj mbylli sytë dhe vetëm ëndërro!
Dëshirat, për të puthur hënën, s’të habisin,
Në sytë e tu ke botën, këtë mos e harro!

Ndaj fort përpiqu ta mbrosh dashurinë
Dhe kurrë të mos ta lësh të t’ ik fitorja!
Nën xhup fshihe si zog që po mërdhin,
Po kurrsesi ta bjerrësh nga memorja!

E në çdo rast  shtrëngoje grushtin fort,
Me ëndrrën tënde  përballu gjer në fund,
Po kurrë atë grusht mos e lësho më kot,
Dhe s’do të ketë njeri në botë që të të mund!

Ëndërro një herë, dy, ëndërro pafund djalosh
E mos ndrysho një varg nga ç’ke kënduar
Nuk ta kam frikën, e keqja ty s’ të josh,
Ndaj shkule trenin tënd, stacioneve ndaluarl

Nëse do vijë një ditë e ëndrrat nuk të dalin,
Vrapo te dashuria, krahapur si avion!
Përkëdheli ëmbël flokët, e ëmbël puthja ballin
Dhe buza si qershi nga etja të shpëton.

Më të madhe mbretëri, kjo botë s’ka pasur kurrë
Se kjo vogëlushja jonë, që ne e quajmë jetë
E po kaptove muret, do të marrësh tjetër nur,
Do të shohësh ti atëherë ç’është jeta e vërtetë.

Ëndërro djalosh, ëndërro kohëra magjike
Se ditëve që do t’vijnë, do t’vijë dhe dashuria
Po netëve ndalu pak, urrejtjen për rreth fike
Njeri do të jesh atëherë në poezitë e mia.

Ëndërro, djalosh, ëndërro si një i ri,
E di?.. Mbi skrivani kam lënë një letër.
Mungon vetëm një varg në atë poezi,
Mbi të vër zemrën tënde, mos pyet as për mbretër!


NUK E PASHË TROJËN, ENEA*

Trojën nuk e pashë atë ditë, Enea,
Megjithëse i kalova fare pranë.
S’ doja të shihja një qytet të vdekur.
Vallë, për një grua ishte bërë kurban?!...

Po  kioskat në rresht suvenire ofronin,
E bleva një kalë  edhe unë, gjithsesi.
Ata kuaj më dukej akoma mashtronin.
Veç dy euro. Sa lirë, më e madhja pabesi!...

I ngjante kështjellës  me vrima e kamare
Një kalë kuqalash me qeramikë të pjekur.
Sa e bleva, bir, e hodha tej, për fare,
S’ do t’ merresha kurrë me qytete të vdekur.

As ti mos u merr me ta, asnjëherë.
Shpëtove, ah, atë natë të pafund .
Mes flakësh që rrotull villnin veç tmerr,
Do të ngrije dhe ti një  qytet tjetërkund.

Nuk e pashë, Enea, Trojën e vdekur,
Mos e shih atë asnjëhere edhe ti
Por as kalin me qeramikë të pjekur
Në kioska suveniresh kurrë mos e bli.

Djali im që mban emrin e princit trojan


E ÇFARË U BË…?

Kur këngë i dehur nis këndoj,
Në mëndje vetëm ty të ndesh.
Po karafila më  s’dërgoj
E lumtur qofsh, kudo të jesh!

Të më kujtosh, nuk të kërkoj,
Dhe as kërkoj të ndjesh për mua,
Se vjen një çast, në mos gaboj,
Tek njeri tjetri s’kemi më hua.

E çfarë u bë, nëse u ndamë,
Secili shkoi në rrugë të tij.
Ç’më pate dhënë, e lashë mënjanë,
Një flakë të shuar mbi thëngjinj.

E çfarë u bë, nëse u ndamë,
Shpirti na mbeti njëlloj i ri
Ç’patëm thënë mënjanë e lamë,
Ndaj flakë të re ndezëm tani.


KËNGA E NOMADËVE

Sa zhytet dielli, vjen e më kërkon
E dorë më dorë më shumë të ndjej.
Vallë nga i merr ato fjalë që më kon?...
Se unë mbi to më mjalt nuk gjej.

Ne si nomadë shkretëtirash ngjajmë,
Humbur rrugëve të qytetit
Dhe si dy shpirtra frymën ndajmë
Mes ëndërrës  dhe realitetit.

E  kohën vrasim, oaze kërkojmë
Me netë pa gjumë në qiell të hapur.
Atje  ku duam, kurrë s’ përfundojmë,
Se Zonjën Liri prapë e kanë kapur.

Lirinë gabele me ngjyra - ngjyra.
A ka vallë liri me xhepa bosh?!...
Lirinë që paska aq shumë fytyra,
Lirinë që qenka veç për kodosh.

Nomadë  të dashurisë ne jemi,
Udhëtarë që çajnë në çdo tallaz.
Të ndalemi, ne mendje s’ kemi,
Rebeles erë i shkojmë nga pas.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...