SUPERTALENTI ISMET ZERVOI NË KUJTIMET E PILOTËVE LUTFI QYRA DHE ASTRIT JAUPI

RIZA LAHI


Dossier



Me fytyrën e plotë prej shëndetit të një organizmi me nerva të qeta, të marrë me sport e të ushqyer mirë ; me sytë e butë , të qeshurën modeste dhe me intimitetin që ua krijon njohja e parë pilotëve të të gjithë botës, ja ku qëndronte përballë fletëve të mia Lutfi Qyra.

Në kontrast me ëmbëlsinë e njohur të malësorëve të Librazhdit, të cilëve u kullon mirësia në çdo qelizë të fytyrës sapo dikush u ka shkelur në konak, ai kishte flokë të egjër; të gështenjtë dhe të egjër, si tela të llojit që nuk rrijnë dot të përkulur.

Piloti që qe shkëputur i fundit nga aerodrom luftarak i Gjadrit, që qe kapur pas tij me thonëj e dhëmbë, megjithse i tërë regjimenti i burrave të komanduar prej tij qe larguar, tani po priste pyetjet e mia.

Në krahun tonë qëndronte instruktori ynë i përbashkët, që na kishte mësuar të fluturonim që të dyve – Myzafer Zaho. Kushedi se çfar i kishte thënë Zaho zakonisht shumë racional në të folur, për mua dhe grupin tim që na kishte pasur përpara.

“ Po folur më parë për Ismet Zervoin nuk kemi se ç’flasim për mua” – Lutfi Qyra pa edhe një herë nga instruktori ynë dhe , duke buzëqeshur sërish nga kamarieri i sapo ardhur, kërkoi të porositnim .

Vështrimi i Myzaferit ishte i qartë; sytë më shkuan edhe një herë te flokët si tela të fortë dhe të papërkulur .

Sigurisht!...

Myzaferi duke qeshur, më përkëdheli me dorë sikur më merrte me të mirë, kur isha 18 vjeç, na kërkoi lejë. Do të largohej te merrte pesnionin. Mbase vi prap, i tha Lutos me flokët e papërkulur.

E dija që nuk do të vinte më.Myzaferi dinte po kaq sa unë, që në një bisedë intime siç ishte kjo që do të organizonim me personazhin e radhës të “Dinosaurët e fundit”, një i tretë vetëm prishte punë.

Qoftë edhe ai, idhulli ynë i fluturimeve të rinisë së parë.…





PËR T’U KATAPULTUR A PËR T’U ULUR PA RROTA ME MIG



Viti 1992.Befas te Udhëheqësi i Fluturimeve në Gjadër, Shefqet Lata…

“ Nuk hapet njëra rrotë. Nuk më hapet rrota e majtë…Bëmë të gjitha provat!”

Ishte zëri i Ismetit. Zëri megjithatë, vinte i qetë. Dukej që piloti i njohur, komandanti i MIG 21, Ismet Zervoi po bënte kujdes deri edhe te kontrollimi i të folurës - pa asnjë shënjë alarmi për të njoftuar një gjë që të rënqethte mishtë

Për pak u vërvit në kullën e drejtimit të fluturimeve komandanti i sapo emëruar i regjimentit, Lutfi Qyra.

Që të dy pilotët me origjinë malësore, i pari nga Burreli dhe i dyti nga Librazhdi, si u morën vesh me sy dhe me fare pak fjalë, iu drejtuan me indeksin e fluturimit Zervoit që, ja, të provonte edhe një herë dhe…ndryshe duheshin mbledhur edhe dy rrotat tjera. Dhe do të uleshin së bashku pa rrota; me rrotat e mbledhura dhe në fushën e blertë krah pistës; pra, assesi në pistë.

Fusha e blertë ishte kontrollluar , si përditë, që në mëngjes.



Në Gjadër, kontrollet e pilotëve që fluturonin me MIG 21 realizoheshin me MIG 17 dyvendësh. Gjadri kishte gjashtë të tillë syresh; njërin prej të cilëve, tekniku i tij e thërriste “Krojf”.

Këtë radhë komanandti i skuadriljes së MIG 21, pikërisht ai që kishte zëvendësuar Gezdar Veipin, Andrea Tolin, Petrit Bebeçin dhe Astrit Jaupin – ky burrë i shkathët dhe gjithë reflekse, ja, këtë ditë po kontrollonte pilotin më të ri, Martin Bregu.

Në radio fliste komandanti i ekipazhit, Ismeti.

Ndërkohë…Qënga Vëndkomanda Qëndrore, vjen një zë tjetër, akoma më tronditës Ai sillte një gjë edhe më të frikëshme se sa ulja pa rrota para syve të të dy shokëve; sillte urdhërin për t’u hedhur me katapultë….

“ Vëndk. Qëndrore, dinte se atë ditë kishin fluturim MIG 21 shët. Ajo po jepte atë urdhër, duke mos e ditur se ishte një avion UTI MIG 17 me dy pilotë në kabinë…Ishte punë fare pak minutash, sa premtonte rezerva e karbUraltit… Vëndkomanda këmbënguli disa herë për katapultim duke na u drejtuar edhe ne të dyve, mua dhe Shefqetit. Me siguri nën presionin e dy pilotëve të njohur të MIG 21 që ishin tanimë, njëri, Klement Aliko, komandant i Aviacionit të vëndit e tjetri, Astriti (Jaupi) inspektor fluturimesh!”- jep sqarimin e duhur dhe pa u nxituar Qyra….

Koha ishte në të përfunduar dhe karbranti po i afrohej mbetjes kritike.

Dy alternativat ulërinin të egra, agresive dhe pa asnjë kompromis me njëratjetrën. Ose ulje e detyruar pa rrota, ose hedhje me katapultë.

Ulja e detyruar me rrotat e mbledhura kishte si alternativën më të keqe, përplasjen nga një ulje e dobët, krejt e mundëshme dhe, për pasojë, një flakë që do të merrte jetën e dy pilotëve….Të qara me kuje…të qara grash… arkivole… Hetuesia…Dy palë fëmijë jetimë. Dy gra të veja… Sigurisht i kthyer krejt në gërmadhe MIG 17a.

“Krojfi”, Lutfi?

“Mbase “Krojfin” e Nikoll Zhurit, nuk e kujtoj”.

Në alternativën tjetër ishte krejtësisht e sigurtë shkatërrimi i avionit ( që në atë kohë dhe me tërë ata telashe që kalonte vëndi, vlente thuajse sa një jetë njeriu) ; shpëtimi i dy pilotëve? I sigutë ky shpëtim? Një pilot MIG 21 qe vrarë pasi qe hedhur qetësisht me katapultë. Kurse këta të dy? Në fillim do të hidhej njëri; sigurisht më i riu. Më pas tjetri. Do të hidheshin larg; Martini mbase edhe para syve të të gjithëve, por Ismeti, diku, larg qëndrave të banuara…

Këta dy alternativa buçisnin në kabinën e dy burrave që po i indiqte me sy gjith aerodromi në këmbët e kodrave të Kakarriqit.

Vëndkomanda Qëndrore dhe kulla e komandimit të Gjadrit, dëgjoi zërin e qetë të Zervoit.

Tanimë zëri nuk dukej i kontrolluar, por, vërtet ishte i tillë - krejt i qetë. Faza e tronditjes kishte kaluar dhe i kishte lënë vëndin kalkulimeve të akullta e të shpejta të njerëzve me nerva të qeta në kabinën e MIG ut.

“ Do të zbatojmë urdhërin e parë…Uljen pa rrota në brezin jeshil!”

Të dy burrat , pra, po e merrnin rrezikun mbi shpatulla e tyre. Ishte edhe varianti që, së paku, le të katapultonte njëri prej pilotëve – Martini; Ismeti, fundja të provonte alternativën tjetër. Ta provonte i vetëm.

Bah! Kjo as që bëhej fjalë të ndodhte mes dy burrave me karakter të hekurt, që po kërkonin në mënyrë demonstrative, të drejpërdrejtë, uljen pa rrota, alternativën e parë.

Të dy guximtarët mes krahëve të duraluminta, po e merrnin vetë një pjesë të barrës së përfundimit fatal të mundshëm të aksionit të tyre. Ismet Zervoi po e kërkonte për të dytën herë uljen në brezin jeshil; uljen me rrota të mbledhura.

Për katër minuta , të dy, Ismeti dhe Martini, mund të digjeshin e përcëlloheshin, sa të takonin.….

“Oh, ne kemi folur kot. Ismeti e bëri gjithçka vetë. Ata e kishin stakuar baterinë e aeroplanit për të shmangur një tjetër burim të mundshëm të zjarrit duke ndërperë kështu, menjëherë radiolndërlidhjen. Ismeti gëlonte nga reflekset dhe ishte i qetë si një mendimtar.Për kokën e Dritanit. ” – Miku i Ismet Zervoit do t’ia lërë të gjitha lavditë atij, që sot nuk është më mes nesh. Dritani është biri i heroit të tregimit tonë; ai është sot pilot në regjimentin e helikopterëve…

MIG 17 me rrotat e mbledhura po vinte me kujdes sikur të ishte një qëndisje. Ai takoi ëmbël në fillim me pjesën e bishtit dhe…ra.

Ne vrapuam te ata, ndërsa , që të dy, po dilnin nga kabinat shëndosh si kokrra e mollës.

“Ndërsa e përqafoja, ai më tha: “ Më vinte keq për ty, Luto…sapo u bëre komandant regjimenti dhe të të fillojë kaq ters”…O, si e kam mbështetur kokën te supi I tij. I shtërngoja fort, atë dhe Martinin e ri, fortttt…ata kishin qënë duke më ikur për jetë, që të dy…Brënda një ore erdhën në Gjadër nga Tirana Klementi dhe Astrit Jaupi..Klementi qante… Astriti vetëm thoshte “ju lumtë”!…

Burri nga malësia e Librazhdit tani po qante edhe vetë.As që u përpoq t’i fshihte lotët.

Fundja ishim vetëm ne të dy; kamarjeri se ku bënte muhabet përtej.



Në Gjadër plasi gazi dhe hareja. Avioni thuajse nuk ishte dëmtuar fare dhe pilotët ishin top.

Të gjithë gëzonin në një dalldi të bukur që të merrte mendtë.

Kur...dikush u kujtua…More ejani të shkojmë në klub…hahahah…të na qerasi të dy sebepçinjtë …More, ku ishte Ismeti, se?

Ai se ku ishte përvjedhur.

“Ejani t’i shkojmë në shtëpi”, propozoi komandanti i aviacionit dhe, me Klementin në krye, grupi u nis drejt e në Lezhë. Drejt e në shtëpinë e Ismetit. E shoqja e tij shqeu sytë nga kjo vizitë e paparalamëruar dhe nga tërë ata burra.Fytyra e të kunatit, Shefqet Latës vetëm gëzonte. Gjithsesi, gruaja pyeti në ajër, gjith takt, po, ku e kishin Ismetin?

Që të gjithë ishin të habitur. Po… Kurrgjë? Si “kurgjë”…hahahah…mos qesh …më thoni se çka patur Ismeti sot…Hë, Shefqeti i motrës më thuaj diçka …Po…Po ku e di unë se ku është…

“ Mua më shkoi mëndja për dikund. Ejani me mua…me siguri është …. dhe nuk kisha gabuar. Sapo kishte plasur dalldia e përfundimit me sukses të atij telashi, Ismet Zervoi modesti i mrekullueshëm , duke patur siklet nga lavdet, qe përvjedhur. Kishte shkuar në shtëpi ku nuk kishte njeri, kishte marrë mjetet e peshkimit dhe, hahahahah…kur po nxirrte një alamet qejfullit, kur…e ka parë veten të rrethuar ….”


“Të tregoj edhe diçka tjetër për Ismetin?”

Sytë përgjëronjës të Lutfi Qyrës nuk pranonin asnjë kundërshtim.

Nisi të tregonte sërish…

“ Ka qënë prap me Martin Bregun. Kur po ngriheshin – flakë nga motorri. Sapo e njoftoi Udhëheqësi i Fluturimit, brënda atij çasti, ai e mori gazin dhe u ul…Kishte reflekse të mprehta dhe të forta…Ai as u hutua, as pyeti edhe një herë, as u mendua, por veproi si të komandohej jo nga arsyeja, pro nga instinktet; nga instinkti i vetmbrojtjes…Një herë tjetër, tre “Njëshat” e MIG 21, Shefqet Lata, Ismet Zervoi dhe Raqi Qari, bënë një spektakël ajror brilant duke parakaluar mbi qiellin e paradës….Ismeti na ka lënë …ka qënë 2 vjet më I vogëël nga unë, por u sëmur nga një sëmundje e keqe dhe, brënda gjashtë muajve, na la. La tre fëmijë… Shiko…të lutem…thuaji edhe Gjeneral Astritit të të tregojë për Ismetin… Tanimë, me mua u lave…po të duash, mos shkruaj asgjë më. Mjafton që do të shkruehet në libër për Ismet Zervoin që u ka bërë mirë të gjithëve …Si, do të vazhdojmë? Oh, falemdnerit shumë… shumë falemnderit…të paça…Të lutem, mos ma prish, takoje dhe Astritin në emër të kujtimit të Ismet Zervoit….”



Duke ia përsëritur këtë dëshirë përvluese konsulentit tim të pandarë të librit me sagën e aviatrëve “Dinosaurët e fundi”, Gjeneral Astrit Jaupit, ky i fundit dërgoi materialin më poshtë…:



Piloti Ismet Zervoi ka qënë shoku im më i mirë i grupit në shkollën e aviacionit, por dhe i Gjergj Spahos,Petrit Dashit , Shpëtim Sulës ( dëshmor i atdheut), Jovan Korunit etj … Bashkë kemi qënë në shkollën e aviacionit, dy herë bashkë në Kinë, kemi qënë shokë dhome në hotelin e oficerëv në Kuçovë dhe në hotelin e Gjadrit, në një kat pallati banonim në Lezhë, kemi qënë në një skuadrilje në Kuçovë dhe po ashtu me Mig-21 në Gjadër. Kam të ndryra në shpirtin tim shumë kujtime,mbresa ,gëzime ,suksese, trishtime të kaluara së bashku, episode dhe ngjarje pa fund.

Kujtojmë me respekt aktivitetin e gjërë në stërvitjet ajrore, paradat në treshe dhe pesëshe me Mig-21, stërvitje treguese , detyra speciale, qitje-bombardimet, kapjet ajrore, fluturimet e testeve të aeroplanëve Mig-21 mbas punimeve në uzinën e aviacionit Kuçovë (mezi priste të shkonte për fluturim në Kuçovë, të takonte me këtë rast dhe shokët e tij të grupit, veçmas Gjergj Spahon, Petrit Dashin, Bashkim Sadikun a pilotin e ri ( sot Gjen.Brig). Syrja Gjoka). Kujtojmë se me sa cilësi shembëllore realizonte ai fluturimet në lartësi të mëdha 20 mijë metra, në shpejtësi të mëdha 2150 km/orë, natën e në kondita të vështira meteorollogjike…sa e sa raste pranë të papriturave, pranë rreziqeve. Ismeti është përballur me situata të ndërlikuara por i ka kaluar me plot sukses falë aftësive të tij personale; me ç’farë, qetësie, guximi e besimi në aftesitë e tij - të pa krahasueshme; ç’’farë gëzimi në përfundimin me sukses –të pa imagjinueshme….! Ismeti ishte shumë i shoqërueshëm, me të gjithë. Ishte shok e mik i ngushtë për fluturim e peshkim me pilotin Agron Daci, Petrit Bebeçin ,Vangjel Koroveshin, Raqi Qarrin,Martin Bregun, Lytfi Qyrën; mik e shokë i ngushtë i gjadërsorëve Vlash Filipi, Zefit, Ahmetit, i mësuesëve nga Tirana Sokol Kamberit e Ramadan Hasani, i blinishtarëve Preng Matia,Gjergj Gjoni, i lezhianëve Mark Simoni, Marash Noka, etj. Ismet Zervoi ka lindur në Burrel ëe vitin 1952, kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në vitet 1967-1971 dhe në vitin 1971-1974 kreu shkollën e aviacionit. I aposionuar e dashuruar me avionin, fluturimin, i shkathët, me reflekse të rralla, i dashur me njerzit i respektueshëm dhe i thjeshtë me të gjithë sidomos me pilotët por dhe me specialistët e teknikët e aeroplanëve , si me inxhinierët Sokrat Rumbullaku, Petrit Demaliaj ,teknikët Myrteza Jaupi, Jorgji Fane (dëshmorin e aviacionit), Besnik Milori,Gani Villa, Luan Luka, Besim Bedini, Luc Bala, Xhelil Perxhilla, Roland Stoja ,Leontjev Xhelili etj . Ai ishte nje aktivist i gjithanëshëm, një peshkatar i rregullt e sistematik - çdo kohë të lirë e shfrytëzonte për pasionin e sportit të peshkimit. Ai ishte i përkushtuar ndaj fëmijëve; edukoi dhe rriti me sakrifica e vështirësi tre djem që i ndihmonte shumë për ecuritë në shkollë. Djali i madh, Eltoni, emigroi në Itali ku banon edhe sot, i dyti, Gentiani, mbaroi shkollën mjeksore ushtarake në Ankara dhe sot punon në Spitalin Amerikan Tiranë; i treti, Arditi, mbaroi universitetin për inxhinier ndërtimi, profesion që sot e ushtron në Tiranë. Ismeti në vitin 1972 fluturoi në Jak-18 me rezultate të shkëlqyera dhe më pas fluturoi me gjith tipat, edhe me Mig-21, ku komandoi skuadriljen e tyre nga viti 1992 deri 1998, kur u nda nga jeta në një moshë të re. Kalimin në mig-21 e realizoi bashkë me mua dhe Shefqet Latën ne vitin 1978 në Gjadër, nën përgatitjen teorike dhe fluturuese të pilotëve – instruktorë Andrea Toli, Petrit Bebeçi e Vangjel Koroveshi. Një kohë plot fluturime por dhe shumë gëzime e probleme personale! Ai kishte raportet të mrekullueshme me prindërit, me vëllezrit e motrat e, në vecanti me mbesën (vajzën e vellait të madh) që e donte shumë e bënte çdo gjë për të. Më kujtohet kur mori vendimin të jepte veton në familje për kërkesën e shokut, mikut të tij dhe timit, pilotit Shefqet Lata, që ai të fejohej me motrën e tij të vogël. Eh… ç’momente , diskutime, rrahje mendimesh; ne ishim që të dy shumë të hapur dhe të sinqertë me njëritjetrin nëpër intimitetet tona! Shoku ynë donte të fejohej me motrën e tij…Pikëpyetje të shumta, ëndërrime, anët e bukura të të dyve…mmm… ndonjë rezervë me që kunati i mundëshëm ishte me ‘të në një skuadrilje… Vendimin e tij “po” e shoqëroi bashkë në fluturime, stërvitje , familje por asnjëherë të ngatëronte punën detyrën me qënit kunat. Ismeti ishte korrekt, studjues e zbatues i përpiktë i rregulloreve të fluturimeve, i përpiktë e i saktë në teknikë pillotimi, i pastër në eksplloatim, i qetë dhe i dalluar në të gjitha detyrat luftarake. Në shoqëri e jetë ishte i thjeshtë , i drejtë, i komunikueshëm, gazmor,i dashur dhe e donte lirinë e fjalës dhe jetës private si asnjë tjetër; ai e urrente padrejtesitë dhe servilizmin… Ismeti u nda para kohe nga jeta, pavarsisht nga mjekimi special që u krye në Greqi nga ndihma e perkujdesja prej Ministrisë së Mbrojtjes por dhe ndihmës personale të pilotit grek me mission në Shqipëri, nënkolonel Jani Zouganelis. Amaneti i tij i ditëve të fundit ka qënë: “Astrit ! Ma rregulloni djalin e dytë Gentin për shkollë ushtarake në Turqi”. Kujtoj se sa vështiresi, përpjekje e stresse kaluam që të plotësohej amaneti i shokut tonë. Me mbështetjen e Ministrisë sonë të Mbrojtjes, u sigurua bursa ushtarake dhe, mbas mbarimit të shkollës, Genti u stabilizua menjëherë në Tiranë…



RIZA LAHI

( Nga libri “DINOSAURËT E FUNDIT” VLL 2, që është në shtypshkronjë)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)