Më tepër fat (rastësi) se sa mençuri...("Katalizimi" i dashurisë poetike - Skice)
S. Guraziu
Thënia e poetit A. R. Holst: “Të shkruarit e një poezie të mirë është më tepër fat (rastësi) se sa mençuri” si e tillë mbetet tepër shumë abstrakte, si një mbështjellje e vrazhdtë... diç si lëmsh i ngjeshur rreth një boshti ideatik, i cili mund të zbërthehet për diskurse shumëdrejtimshe e për kuptime shumështresore - kështu siç është, si formulim abstrakt... na bëhet sikur prek vetëm sipërfaqësisht ndikimin e faktorëve “të panjohur” gjatë procesit krijues.
***
"...trenit tim i është zhdukur madje dhe tymi, apo ai avulli si tymnajë në ajri, qysh moti, pa mos të flitet për fishkëllimat dhe zhurmat, trakave të kohës - tani më bëhet sikur kam frikë, është një lloj ndjenje e çuditshme, sa herë i ndiej afër buzët e tua unë filloj e dridhem - ndoshta ja përse largohem nga ti unë… edhe pse duket e pakuptimtë, sepse ti je ngrohtësia ime, vetë frymëmarrja ime, pra ti nuk je frika ime; mbase unë kam frikë nga vetvetja, tmerrohem nga vetë "unë", nga vetë afërsia aty afër teje, afër buzëve, afër afshit tënd..."
(shkëputur nga një dorëshkrim i mëparshëm)
***
Një poezi fare lehtë mund të jetë e mirë në mënyrë të “rastësishme”, diç si rastësi e ëmbël në errësirë, por e vërteta rrokulliset qysh nga lashtësia: nuk mund të jenë “pesë sosh të mira... rastësisht” - ndërsa e shohim përditë, vargjet mund të zbukurohen si fluturat në fushë, aq përkryer, si buzët e miss-eve të ngjyhen, si buzëkuqe nusesh të lyhen... të shkëlqejnë, dhe kanë plot... ose panumër arsyesh!
Përshembull, të mbulohet cilado shenjë patetizmi, ndonjë "dobësi e rastit", e çara në tulin e së poshtmes të mos shihet, as nuanca e zverdhur e së lartes, gjurma e përtharë e herpesit atje në skaj, kafshimi, ndukja e dhëmbit të stresit (si për inat, si alarm nervastik, apo për sulmin tinzar të kariesit), ndonjëherë dhe thjesht ca gjëra për sytë e botës të zhduken, të mbulohen, aso shenjash "minore", shkaktuar nga truptha të huaj... që s'janë pjesë e ashtit amësor të dashurisë!
***
Njohjen e buzëve në errësirë, jo rastësisht, na e ndihmon ndjenja, orientimi i pagabueshëm, "sonari" i shurdhër... ja përse dhe na duhen ato kufjet "speciale" për zemrat - mirëpo kafshimi i buzëve me buzë plot pasion, bredhja nëpër ëndrrat e paskajshme, ekskursioni, vajtje-ardhjet në askundësi, ditë e net përqafuar me pagjumësinë, s’është një metaforë e ngjashme me njohjen e buzëve të poezisë, do ishte "dozë" e tepërt për secilin varg... katalizimi i dashurisë, e gjitha çfarë nga dashuri e saj kemi s'është ndonjë shenjë as gjurmë - ashtu në errësirë s'është më shumë, vetëm një puthje e ëmbël, ashtu e verbër... në buzë të çmendurisë.