2013-05-19

Teknika e hipokrizisë dhe teknologjia e konformizmit...

Gëzim TUSHI


(Përshtatje, konformizëm apo hipokrizi e maskuar?) Kur erdhi demokracia në Shqipëri, përveç shumë gjërave menduam se erdhi më në fund edhe koha duhur, e shumëpritur nga shqiptarët, si epokë e të jetuarit me të vërtetën dhe e shpëtimit përfundimtar nga larmia shumëformëshe e mënyrave barbare të tjetërsimit, që njerëzit pësuan për gjysmë shekulli nga pushteti i plotfuqishëm i shtetit totalitarist. Njerëzit nën peshën e dhunës pësuan deformime humane, që kanë lënë pasoja dhe që po na pengojnë për të fituar drejtpeshimin demokratik edhe sot. Sepse ende pushteti është shumë më i fuqishëm sesa duhet përballë njeriut të thjeshtë, sepse ende nuk është larguar nga njerëzit “hija” dhe reminishenca e frikës nga forca leviatanike e pushtetit, që e bëri njeriun pa bosht human, plastelinë, qenie pa personalitet, i mësuar të sillet me dy faqe dhe me disa fytyra, një njeri i depersonalizuar, një qenie “pa gjoks”. Por demokracia shqiptare ka shfaqur defektet e veta, sepse mesa duket, edhe ajo ka format e veta të tjetërsimit të njeriut, në dukje janë më të buta, më të sfungjerta dhe më elokuente, por në shumë raste në thelb janë të ashpra dhe diabolike. Nuk ka si të mos jetë shqetësues fakti, që në diapazonin e gjerë të lirisë kanë filluar të agravohen dhe të shtohet diapazoni i formave të larmishme të “tjetërsimit demokratik”, që edhe tani në kushtet e demokracisë kanë filluar të lulëzojnë në format e njohura të konformizmit me pushtetin, të hipokrizisë në sjelljen e njeriut me shoqërinë. Kaq shumë janë zgjeruar këto dukuri, saqë ka sociologë, të cilët me të drejtë i kanë konsideruar dy dukuri sociale, që në jetën e shoqërisë shqiptare po shfaqen si “çimento” e modernitetit. Me ndryshimin e formave të vartësisë së vjetër të njeriut nga pushteti dhe në nevojën e përdorimit të taktikave të larmishme për të qenë i suksesshëm në komportimin me shoqërinë, përsëri në mënyrë fatale ka disa forca që veprojnë jashtë dëshirës së njeriut, që nuk varen prej tij, apo që në mënyrë të rafinuar dhe shpesh të padukshme qëndrojnë mbi të. Koha po tregon se pesha e tyre deformuese është shumë e madhe. Kjo peshë e thellë deformuese dhe tjetërsuese, ndryshe nga forca e dhëmbëve të pushtetit totalitarist dhe determinimit social super-kolektivist, fshihet pas formave të alambikuara të burokracisë së shtetit ligjor, buzëqeshjeve ironike të përfaqësuesve omnipotentë të pushtetit demokratik dhe të lulëzimit nga ana tjetër në kushtet e konkurrencës së egër individuale, që ka bërë që baza e shumicës së marrëdhënieve sociale të mbështeten mbi platformën e hipokrizisë. Kjo forcë ka bërë që esenca e marrëdhënieve të qytetarit me pushtetin (jo në kuptimin politik të termit) dhe marrëdhëniet midis njerëzve me njëri-tjetrin në shoqëri të kenë ndryshuar pak nga tabani, thelbi dhe ambalazhet e së kaluarës. Kjo ka bërë që të zgjerohet procesi i tjetërsimit të marrëdhënieve të njeriut me “veten”, pushtetin, të “tjerët” dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Mesa duket, më shumë ka ndryshuar forma dhe mënyra e re moderne e shfaqjes së tjerësimit, tashmë jo si frikë patologjike në përmasa totalitare, por si kërkesë për të adoptuar si mjet përshtatjeje dhe mbijetese dy “mjete perfekte” të adoptimit etatist dhe social të njeriut, duke perfeksionuar hipokrizinë dhe konformizmin, ndaj atyre që kanë pushtetin politik apo ekonomik, që kanë “çelësat” e administratës publike apo në ingranazhet financiare të sektorit privat. Konformizmi dhe hipokrizia kanë zëvendësuar në mënyrë perfekte raportet e vjetra të marrëdhënieve ideologjike të njeriut me pushtetin dhe shoqërinë. Hipokrizia dhe konformizmi janë bërë jo vetëm “çimento e shoqërisë moderne”, por ca më shumë edhe ideologjia e domosdoshme e përshtatjes së qytetarit me realitetet e ndryshuara të kohës moderne. Natyrisht, dialektika e shoqërisë moderne kërkon që njeriu të përshtatet me kërkesat e shtetit ligjor dhe normat konsensuale të shoqërisë. Por kjo nuk do të thotë se, në çdo rast dhe në mënyrë fatale duhet të konformohet me to Koha natyrisht që ka sjellë edhe në shoqërinë shqiptare një “dialektikë të re”, në raportin jetësor midis synimeve pragmatiste, aftësisë përshtatëse dhe vënies në funksionim të “shpirtit konformist”. Kjo dialektikë është shumë delikate dhe dilematike, sidomos kur është fjala për të ruajtur ekuilibrin personal midis personalitetit dhe suksesit, synimit pragmatist dhe shpirtit autonom, midis dinjitetit personal dhe koniunkturës konformiste, të dëshiruar apo të imponuar. Ajo që duket shqetësuese, është fakti se në shoqërinë tonë ka tregues të shumtë që tregojnë shqetësimin qytetar se në shoqërinë tonë po ngushtohet hapësira për të garantuar dinjitetin personal dhe shpirtin e kundërshtimit konstruktiv të njeriut të thjeshtë. Loja me idenë se njeriu është i suksesshëm vetëm në qoftë se mëson vetëm artin e përshtatjes, nuk është tërësisht e vërtetë. Sepse procesi i aftësisë përshtëse të njeriut me pushtetin politik, shtetin ligjor dhe kërkesat e shoqërisë nuk është tërësisht ekuivalent me konformizmin pasiv dhe hipokrizinë sociale, sepse gjatë procesit të përshtatjes është e nevojshme që njeriu të ruajë integritetin moral dhe dinjitetin personal. Kjo do të thotë që njeriu mund të përshtatet me “veten”, “të tjerët”, shtetin dhe shoqërinë, por pa i lejuar ato që “ta shtypin” atë me super-peshën e tepërt të tyre. Njerëzit që nuk kanë dinjitet, nuk kanë si rregull as aftësi përshtatjeje sociale qytetare. Konformizmi dhe hipokrizia nuk i çon ata në çdo rast drejt suksesit të gjatë e të sigurt personal, por më shumë i bën ata që duke mos pasur besim te vetja, në forcat dhe integritetin e tyre, të kenë prirje veçimi, izolimi, mazohizmi dhe margjinalizimi. Më vjen keq që duhet ta pohoj, por ka aq shumë fakte në jetën e shoqërisë shqiptare, saqë të detyron të pohosh se, mesa duket, njeriu edhe në demokraci nuk i shpëton dot të gjithë peshës së tjetërsimeve që i vijnë nga jashtë dhe që e deformojnë dhe e depersonalizojnë atë. Me fjalë të tjera, edhe në shoqërinë demokratike nuk është e lehtë që të sigurohet te njerëzit tanë veprimi sinkron dhe i harmonizuar i dy mekanizmave, që filozofi më modern i liberalizmit, Izaiah Berlin, i konsideron sintetikisht me fjalët “liri pozitive” dhe “liri negative”, që kanë të bëjnë me raportet e reja të vartësisë dhe pavarësisë së njeriut nga faktorët e jashtëm që kanë peshë sociale, ekonomike apo ndikim shpirtërisht deformativ. Po sigurisht ne nuk jemi në kohën kur shteti kishte gjithçka në dorë, kur çdo gjë ishte politike dhe asgjë pothuaj meritokratike, kur vlera e njeriut transformohej dhe tjetërsohej radikalisht nga fondamenti politik. Por përsëri jashtë nesh qenkan përsëri disa forca pushtetesh, të vështira për t’u kontrolluar, që na sundojnë përsëri dhe ndaj të cilave në shumë raste nuk ka terapi për t’i përballuar përveç konformizmit dhe hipokrizisë. Madje ato në disa raste në shoqërinë tonë kanë marrë një zhvillim kaq të madh, saqë e tërë jeta të duket si një “teatër”, në të cilin nuk mund ta luash “rolin”, pa përdorur mjeshtërisht këto dy maska sociale: hipokrizinë dhe konformizmin. Kjo temë e “artit të përshtatjes” apo përmes hipokrizisë sociale dhe konformizmit me pushtetin, është nga gjërat që ndeshim rëndom në jetën e përditshme. Nga njëherë të duket se njerëzit më shumë se të krijojnë aftësi personale për të sjellë produkt social, vlera meritokratike, ata janë në luftë për të përshtatur, duke perfeksionuar këto dy armë (konformizmin dhe hipokrizinë), pa të cilat, mesa duket, qenka bërë e vështirë që të jesh i suksesshëm në këtë jetë. Sa më mirë të zotërosh “teknikën e hipokrizisë” apo “teknologjinë e konformizmit”, aq më shumë duket se ka shanse që njeriu të jetë i suksesshëm në jetë. Pa to, sado vlera, merita dhe punë të bëjë, është vështirë t’i shmanget peshës shtypëse të autoritarizmit të politikës, determinimit të pushtetit dhe fuqisë së parasë. Padyshim është e domosdoshme që njeriu qytetarisht, moralisht dhe kulturalisht të përshtatet me kërkesat e shtetit, politikës, realitetit social të shoqërisë. Por të përshtatesh është tjetër gjë dhe të konformohesh apo ca më keq, të bëhesh hipokrit është gjë krejt tjetër. Padyshim lufta konformiste dhe hipokrite e “përshtatjes”, i duhet njeriut ngaqë, mesa duket, janë ngushtuar “rrugët legale” të suksesit me dinjitet, ngaqë njeriu ndjen nevojën që i duhet të mbrohet nga “shtypjet sociale” që vijnë nga jashtë dhe që i deformojnë dinjitetin, autoritetin dhe prestigjin social, që e fosilizojnë, e shpërfillin dhe “i ngrinë” mendimin personal. Sepse, megjithëse jemi shoqëri e lirë, përsëri pranë kemi shumë pushtete të ekzagjeruara paternaliste, kemi shumë hallka të determinimit social, kërkesa dhe imperativë moralë me natyrë imponuese, që shpesh e privojnë njeriun nga liria e ligjshme e tij. Kjo është dialektika e jetës moderne, njeriu është dhe duhet të kalojë me kujdes midis “skillës” dhe “karibdës”. Kjo do të thotë se njëherësh duhet të jetë i përshtatur, sepse nuk mund të jetë asnjëherë i suksesshëm duke qenë i pavarur nga forca e jashtme e pushteteve të shumta që qëndrojnë jashtë tij, që shpesh kanë forcë të deformuar, të ekzagjeruar, përtej standardeve të shtetit demokratik, që forcën e tyre shpesh e tregojnë në mënyrë brutale, duke ndëshkuar dhe favorizuar, duke përdoruar dhe shpërdoruar mekanizmat e tij, në emër të politikës, militantizmit, ligjit, trajtimit parcial të favoreve të pushtetit etj. Në kushtet e shoqërisë sonë nuk mund të ecet kuturu, nuk mund të ecet pa përfillur këto forca, të cilat nëse njeriu i shpërfill, nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë i fituar. Domethënë se, përveç meritës si vlerë konsistente, për të qenë i suksesshëm në jetë, mesa duket, duhet të duhet të zotërosh edhe “dy armët” e tjera, që në pamje duken si aftësi përshtatëse, por që në të vërtetë janë aftësi për të bërë konformizëm dhe hipokrizi. Padyshim, në këtë kohë të ngatërruar, njeriu ka vështirësi së pari, që të ketë aftësitë e duhura që të zotërojë veten, por në të njëjtën kohë edhe ambientin rrethues, në të cilin duhet të jetojë dhe me të cilin duhet të përshtatet. Shikoni sa vështirësi ka njeriu i kohës sonë, që për të qenë i suksesshëm duhet të përshtatet me shoqërinë dhe që të ruajë dinjitetin dhe lirinë duhet t’i shmanget konformizmit, që është gjëja më e vështirë që të realizohet në kohën tonë, të cilën jo të gjithë munden ta realizojnë. Gjërat janë zhvilluar deri në atë masë, saqë njeriu e ka të vështirë t’i zotërojë ato me dinjitet, sepse shumë gjëra në kohën moderne zhvillohen pavarësisht dhe kundër dëshirave të tij. është e vështirë të garantosh dinjitetin deri në fund dhe të mos biesh preh e konformizmit dhe hipokrizisë. Sepse njeriu duhet të gjejë dhe të mbrojë veten, të garantojë suksesin pragmatist dhe njëherësh të ruajë dinjitetin e vet, në kushtet kur është përballë presionit social, përballë turmave, pushtetit të politikës militanteske, nepotizmit, krahinarizmit, përballë alambikimeve të një makine të stërmadhe e të sofistikuar të burokracisë, përballë fuqisë së të cilave dinjiteti është i diskutueshëm për t’u garantuar. është zgjeruar paranoja sociale dhe frika e mospërshtatjes sociale të njeriut, ndaj të duket se konformizmi dhe hipokrizia nuk janë më vetëm epidemi sociale për shoqërinë shqiptare. Ato në njëfarë mënyre, po bëhen ideologjia e saj. 

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...