KUSH TALLET ME EDI RAMEN NË DRENICË

REXHEP SHAHU
 

 
Nga rrjetet sociale mësova se Edi Rama është bërë Qytetar Nderi i Komunës Skënderaj në Kosovë. Për ata që nuk orientohen, Skenderaj është qendra e Drenicës, Drenica është krahinë e Kosovës, Kosova sipas një libri të rekomanduar për nxënësit e cilklit të ulët të Shqipërisë është “fisi ynë i madh…”.

Gëzimin për dhurimin e këtij titulli z. Rama e shpreh kështu :
“Mirënjohje e thellë për kë e propozoi & votoi në komunë këtë titull kaq të lartë për mua! Uroj ta përqafoj shpejt në liri mikun Sami Lushtaku” shkruan z. Rama. “Çfarë suprize fantastike për mua : Qytetar Nderi i Skenderajt, vatra e shenjtë e Luftës Çlirimtare të Kosovës ku ra heroikisht Adem Jashari”.

“E pas 23 qershorit do të hapim një faqe të re historie shqiptare e rajonale në bashkëpunim me Kosovën. Shqipëri – Kosovë model i ri zhvillimi” përfundon teksti i shkruar nga z. Rama për vetën e tij.
E para gjë që më shkoi në mendje kur lexova këtë gallatë është se skenaristët dhe regjizorët e kësaj gallate janë treguar të pashpirt dhe cinikë.

Sepse gjëja më e paduhur, më e panevojshme, gjëja që nuk ngjit, që nuk ka ku rri, gjëja për të cilën më e pakta qesh njerzia, është të shpallet Edi Rama qytetar nderi i Drenicës. Kjo nuk ka bythë ku të rrijë.
Sepse në historinë e re të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri Edi Rama nuk ka lidhje aspak me Drenicën, përveçse në ia ka mundësuar ndokush, ndonjë komunist i vonë me xhepa plot të hajë ndonjë drekë apo darkë.
Aq lidhje ka Rama me Drenicën sa kam unë me Pekinin apo sa ka Rexhep Qosja me komunën e Tropjës.
Këtë tallje Rama nuk duhet ta kishte pranuar. Ose të paktën të ushtronte gjithë pushtetin e tij që e ka ndaj mediave dhe të heshtej ky biçim lajmi. Dhe ta përbuzte të paktën me heshtje “dashurinë” e madhe që kanë treguar ndaj ti që duke dashtë ta puthin e kanë përjargë dhe kafshuar.

Dimensioni apo përmasa e munguar patriotike e Edi Ramës kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk kompensohet apo plotësohet në mënyra të tilla qesharake.


Kosova dhe gjithë shqiptarët e dinë se z. Rama është i paqasur në Kosovë, i paqetë, i parehatuar, i papranuar. Për të mos u treguar i vrazhdë, është i refuzuar.

Sepse z. Rama as nuk lodhet të jetë patriot e nacionalist, dashnor i Kosovës.
Këtë përmasë të munguar ai deshi ta plotësonte me sorrat e tij që dikur i shpalli shqiponja e në fund i gjuajti me çifte se kujtoi se mos vertetë sorrat po bëhën shqiponja, se mos Niku po bëhet vërtetë Kreshnik...

Z. Rama është i paqasur në Kosovë, i papranuar atje, se pavarësisht llogjeve që flet në fushatë, pavarësisht çfarë shkruan në adresat e tij në rrjetet sociale, ai në programin politik të Partisë Socialiste, Kosovës i ka kushtuar vetëm 54 germa, ose gjysmë fjalie dhe saktësisht ka shkruar vetëm kaq : “Ndërtimi i një partneriteti me shtetin e ri të Kosovës”.

E kam strëthënë këtë gjë por duket nuk i han palla askujt ta analizojë këtë përmasë “dashurie” të Partisë Socialiste për Kosovën, këtë mungesë vemendje të Partisë Socialiste për Kosovën në dokumentin më kryesor të kësaj Partie (programi politik i botuar) për gjysmën e kombit shqiptar. Program që ia ka dhuruar me mburrje dhe pa asnjë vrasje ndërgjegje kryeministrit Hashim Thaçi, për të cilin nuk di si do të jetë ndjerë, nëse e ka lexuar.

Z. Rama është i paqasur apo i refuzuar në Kosovë sepse dy herë që ka shkuar për aktivitete politike atje ka shkuar dhe është strehuar në një dhomë në bibliotekën e Prishtinës sikur ai të mos ishte kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë por sikur të ishte një shkrimtar apo poet që shkon të promovojë veten dhe librat e tij në mjedisin e duhur.

Z. Rama është i paqasur dhe i refuzuar në Kosovë se Kosovës ia ka sharë Udhën. Z. Rama nuk e din çdo  të thotë me të sha udhën… Ia ka sharë dhe mallkuar Udhën e Kombit, që edhe qorri e budalla e din se Berisha e ndërtoi për ta bashkuar fizikisht Kosovën me Shqipërinë dhe që Kosova të jetë edhe përmes kësaj udhe krejt e pavarur dhe ta marrë hisen e vet të detit…

Sado bojë të hedh unë, një kile mjafton se boja tjetër tepron dhe nuk tretet.

Por nuk më rrihet pa i kujtuar z. Rama dhe pushtetarëve të Drenicës trime, jo vetëm të Adem Jasharit si mbret i trimave dhe qëndrestarëve, se Drenica nuk do t’i jepte asnjëlloj titulli Edi Ramës që para pak ditësh u përqafua me ish presidentin serb Tadiç në Shkodër dhe u bekua prej Tadiçit si Enveri prej Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës për ta qeverisë Shqipërinë…

Ma merr mendja se të ishte gjallë Adem Jashari do të troshitej duke ikë prej Drenice Edi Rama bashkë me Sami Lushtakun e çdo titull shitës tjetër.
 

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)