Kosovë: Qeveria shprehet e shqetësuar për aktakuzat e fundit

Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet e brengosur për zhvillimet e fundit lidhur me aktakuzat për krime lufte ndaj ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, thuhet në një komunikatë të ekzekutivit të vendit pas arrestimeve të sotme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson në luftën e drejtë të UÇK-së dhe të luftëtarëve e komandantëve të saj, luftë kjo që bëri që Kosova të fitojë lirinë, pavarësinë, shtetin demokratik dhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-në dhe NATO-n.
Foto
Qeveria ndërton dhe mbështet sundimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e pavarur dhe të paanshëm të gjyqësorit në tërësi dhe të EULEX-it dhe pret që edhe ky proces të zhvillohet mbi këto parime që mbrohen nga ne dhe bota demokratike”, thuhet në këtë njoftim, për të shtuar në fund se “Qeveria beson në drejtësi dhe në pafajësinë e komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së”.

Nga 30 ditë arrest shtëpiak është masa që u ka caktuar gjykatësi i EULEX-it 7 ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës. Ai ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit italian të EULEX-it, Maurizio Salustro, për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh. 
Gjykata e Apelit ka vendosur të caktojë masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për të gjithë të ndaluarit nën dyshimet se kanë kryer krime lufte, gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Seanca për caktimin e masës për të shtatë personat e ndaluar nga policia e EULEX-it në bashkërendim me Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës, ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Në mesin e të dyshuarve për krime lufte është edhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli.

Vendimin e Gjykatës e kanë kundërshtuar avokatët e të ndaluarve.

"Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, ka shpallur vendimin që të gjithe personave të dyshuar ( 7 ) u është caktuar masa e arrestiti shtëpiak dhe është refuzuar kërkesa e prokurorit për paraburgim", ka thënë Tahir Rrecaj, avokat i Sahit Jasharit.

Kurse, avokati Tomë Gashi ka theksuar se ky vendim i Gjykatës është një skandal juridik, pasi që, sipas tij, Gjykata nuk ka pasur të drejtë të marrë një vendim të tillë meqë nuk ka pasur asnjë provë për atë që pretendohet, duke shtuar se do të ushtrojë ankesë.

Deri sa ka zgjatur e gjithë seanca shumë qytetarë, kryesisht nga Skënderaj, kanë qëndruar para Gjykatës. Pas publikimit të lajmit për arrest shtëpiak, turma e njerëzve ka brohoritur UÇK, UÇK.


* * *
Gjatë ditës së premte, në fillim të seancës, sipas avokatëve mbrojtës, prokurori evropian Maurizzio Salustro ka kërkuar për të gjithë të dyshuarit masën e paraburgimit.


Avokat i Sylejman Selimit, Tomë Gashi, shpjegoi se nuk ka asnjë arsyetim të dyshimit të bazuar dhe se sipas tij nuk ka mundësi të masës së paraburgimit.

“Për të gjithë është nxjerrë një vendim për zhvillimin e hetimeve për krime lufte. Ndërsa specifikat ne nuk i kemi ende për shkak se është vetëm fillimi i kësaj procedure dhe çka do, që të themi mund të jetë spekulim. Kemi vetëm kërkesën për caktimin e paraburgimit dhe tani avokatët janë duke u marrë vetë me këtë”, tha Gashi.

Avokati Gashi deklaroi se Prokuroria po insiston në paraburgimin e të dyshuarve për faktin që siç tha ai, të njëjtit mund të ikin dhe të ndikojnë të dëshmitarët.

“Prokuroria ka bërë një kërkesë shabllonike që gjithmonë përmendet se kinse mund të ikin, kinse mund të ndikojnë në dëshmitë dhe dëshmitarët e caktuar dhe kinse mund të përsërisin vepra penale”.

“Prokurori duket që ka harruar që lufta në Kosovë ka përfunduar qe 15 vjet dhe nuk ka asnjë arsyetim, as më të voglin, asnjëri prej ushtarëve të UÇK- së, posaçërisht komandantët, e as ushtarët më të thjeshtë që të ikin nga Kosova nëse ata kanë luftuar për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës”, u shpreh Gashi.

Ndryshe, ndalesa e këtyre personave është bërë me urdhër nga një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Sipas avokatëve, prokurori ka përmendur se për këtë rast mund t’i ketë 6 dëshmitarë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)