Liderët politikë dhe institucionalë të vendit, janë dashuruar me pushtetin, dhe për asnjë çmim nuk pranojnë të ikin nga aty, duke u shndërruar në mbretër, vlerëson Murat Jashari.
“Kosova nuk ndodhet në situatë të mirë, dhe kjo nuk është pa fajin e lidershipit politik të vendit, të cilët janë dashuruar me pushtetin dhe nuk e kanë ndjesinë e halleve të popullit”, ka thënë Murat Jashari.
Ai thotë se liderët duhet të ndërrohen, pasi të qenit në pushtet për një kohë të gjatë i ka shndërruar ata në mbretër. Kosova ka nevojë për liderë të rinj dhe të pastër në ndërgjegje, vlerëson Jashari.
Kur flet për evidentimin e veteranëve të luftës së UÇK-së, dhe vrapin e marrjes së meritave të paqena, Jashari thotë se “me disa kategori duhet pasur kujdes, sepse përveç që është e padrejtë, është edhe ofendim për ata që kanë luftuar dhe kanë lënë gjymtyrët e tyre të trupit për lirinë e vendit”.
Familja Jashari, thotë ai, do të vazhdojë të kritikojë ata që nuk punojnë si duhet për këtë vend dhe jo t’i duartrokasë dhe se nuk u intereson nëse kjo u pëlqen apo jo liderëve politikë të vendit, sikur kryeministrit Hashim Thaçi, i cili për mbetje hatri, ka dy vjet që nuk ka shkelur në kullën e kësaj familjeje.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku nuk hyjnë dot në Kullën e Jasharëve në Prekaz, për shkak të qëndrimeve kritike të familjes Jashari për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Jashari ka thënë Kosova është larg prej asaj që është pritur dhe është koha e fundit që të ketë ndryshime politikanësh. Ai e ka krahasuar gjendjen aktuale me atë të viteve ’90, duke thënë se njerëzit po kërkojnë të dëshpëruar që të dalin jashtë për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.
Përfaqësuesi i Jashari ka thënë se Kosova është larg prej asaj për të cilën kanë sakrifikuar breza të tërë, dhe se duhet më shumë punë për të pasur atë që kemi dëshiruar.
Ai ka kritikuar gjendjen në të cilën gjendet sidomos shëndetësia e Kosovës, duke thënë se njerëzit e duhur të në të gjithë sektorët nuk janë vendosur aty ku duhet.