2013-06-02

Dështimi i një samiti të FYROM-it të Ohrit


Kosova po bën përpjekje të vazhdueshme t’i forcojë marrëdhëniet fqinjësore e më gjerë, duke demonstruar vullnetin për stabilitet rajonal. Si një Republikë e re, në këtë proces bashkëpunimi, në vend që Prishtina zyrtare të gjejë mbështetjen e duhur, jo rrallë po has në një politikë refuzuese. E tillë duket të jetë vija politike maqedonase. Presidenca e Maqedonisë ka informuar se Kosova nuk merr pjesë në Samitin e Ohrit për Bashkëpunim Rajonal, që do të mbahet më 1 qershor. Arsyetimi i tyre nuk ka kurrfarë baze. Në një njoftim nga kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov, theksohet se Kosova nuk e ka marrë ftesën, për shkak se me ardhjen e Jahjagës, shumë shtete do ta bojkotonin këtë samit. Kjo është një e pavërtetë e madhe. Dihet se janë serbët ata që kanë bojkotuar vazhdimisht takimet ndërkombëtare, ku është ftuar të marrë pjesë edhe shteti ynë. Sipas njoftimit zyrtar, Republika e Maqedonisë nuk mund të bëjë ftesa, për shkak se do të rrezikojë që disa nga vendet anëtare të SEECP (Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore) të refuzonin pjesëmarrjen. Në fakt rreziku nuk është se disa shtete mund ta bojkotojnë këtë ngjarje, por vihen në pikëpyetje marrëdhëniet Beograd-Shkup. Është e qartë se politika maqedonase, ndonëse përpiqet të tregohet dashamirëse, në thelb është e ngjashme me atë serbe. Ky refuzim për ta ftuar përfaqësuesen e Republikës së Kosovës, në këtë rast presidenten Atifete Jahjaga, e ilustron edhe një herë realitetin hipokrit ballkanas, ku gjurmët e shovinizmit nuk janë shlyer ende. Fqinjësia e mirë dhe partneriteti rajonal nuk ndërtohen në këtë mënyrë përjashtuese. Si duket, as ajo fusnota e famshme nuk ka bërë punë që t’ua hapë derën zyrtarëve kosovarë të marrin pjesë në forumet e tilla. Kjo është dëshpëruese dhe BE-ja duhet t’ia tërheqë vërejtjen Maqedonisë për këtë.



Ende pa u ratifikuar marrëveshja në kuvendet respektive, të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Beogradi po shfaqet pengues për vendin tonë në proceset integruese. Një nga pikat e marrëveshjes së 19 prillit, parasheh që pala serbe nuk do ta pengojë integrimin e Kosovës në BE. Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, i paraparë të mbahej në Ohër këtë fundjavë, është pjesë e këtij procesi të gjatë. Nëse pikërisht edhe këtu hasim në bllokadën serbe, mund të merret me mend se çfarë obstruksionesh do të bëjë Qeveria serbe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Përveç marrëveshjes 15-pikëshe të arritur muajin e kaluar në Bruksel, është edhe një marrëveshje tjetër, e vitit të kaluar, për përfaqësimin e Republikës së Kosovës me fusnotë, në forumet rajonale, siç është edhe ky i Ohrit. Por, presioni i Beogradit ndaj Shkupit zyrtar për ta injoruar prezencën e zyrtarëve të lartë kosovarë, e ka anashkaluar edhe këtë marrëveshje. Pala serbe ka bërë kështu dy shkelje të njëpasnjëshme, ndërsa është dekurajuese që zyrtarët evropianë nuk kanë bërë ndonjë reagim ndaj këtyre veprimeve. Mbajtja e Samitit të Ohrit pa Kosovën, do ta margjinalizonte pozicionin e shtetit tonë në rajon, por refuzimet e njëpasnjëshme të disa presidentëve për të marrë pjesë, e kanë kthyer situatën në favorin e Prishtinës zyrtare. Nuk është mirë që ngjarje të tilla të dështojnë, por në të njëjtën kohë është dërguar një mesazh i fortë për minorancën refuzuese të pavarësisë së Kosovës. Ne duhet t’u falënderohemi sigurisht presidentit shqiptar Bujar Nishani dhe presidentit kroat Josipoviç, të cilët e anuluan pjesëmarrjen në këtë Samit, për shkak të mosftesës për lidershipin kosovar. Bashkëpunimi rajonal duket se është përballë sfidave serioze, ndërsa askush nuk mund t’i mbyllë sytë përballë realitetit të ri gjeopolitik. Ballkani nuk mund të shkojë drejt BE-së me armiqësi mes popujve, mëri mes shteteve, refuzime statusi.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...