Laureta Miftari
Letra Filozofike: Filozofia e personalitetit në marrëdhëniet me vetveten, shoqërine dhe ambientin:
- Alturizmi
Shikuar në kuptimin terminologjik, altruizmi përkthehet në një fjali që mund të shpjerë lehtë në përfundim pak sa të gabuar kur të kihet parasyshë kompleksiteti shkencor në suaza filozofike, psikologjike dhe socbiologjike. Nëpër fjalorë terminologjik, ku bëhet fjalë për një zbërthim gjuhësorë, mjaftohemi me spjegimin se altruizëm është ndjenja për vendosmëri dhe prirje bujare e zemërgjërë për përkushtim dhe për të dashur të tjerët. Në një përgjithësim më të gjërë, por gjithëmonë i pamjaftuar mbi altruizmin është kualifikimi se vetia morale e shmangjes nga çdo lloj ngurimi për të privilegjuar tjetrin dhe manifestimi i jashtëzakonshëm që çfaqet për dashuri apo sakrificë për tjetrin, përbëjnë altruizmin (vetëmohimin). Në të vërtetë, ky spjegim edhe mund të merret i saktë nëse bazohemi dhe marim në konsideratë spjegimin etologjik por asesi sjelljet e qenies me aftësi të rafinuara të evoluimit të situatave të prodhuara, pra qenia njeri. Me këtë largohemi nga kufijtë e të përjashtuarës, mos të them të paqenurës kur njeriu është për tjetrin dhe kur ngritet mbi vetvehten për tjetrin.
Është tejet e qëlluar doktrina pozitiviste e Emile Maximilien Paul Littré* ku thotë se altruizmi është "... domosdoshmëria për dashuri, që është e imponuar rrënjësisht nga bashkimi mes gjinive që të mund të mbijetoj lloji."
Në kuptim më të gjërë, sjelljet me qëllime të mira proshoqërore të ndërmara me dëshirë dhe që prodhojnë përfitime për të tjerët; format e ndihmës vetëmohuese pa qenë i detyrar me dhunë, si dhe vet dëshira dhe dashuria për tjetrin; si dhe për të konsideruar një sjellje, altruizëm, duhet marë parasyshë edhe cytjet për të bërë mirë. Me një fjalë, për tu plotësuar kushti që një sjellje të quhet altruizëm, duhet që akcioni të jetë i nisur me dëshirë e me qëllim të ruajtjes apo ngritjes së mirëqenies së tjetrit dhe mosshpresimi e mospritja e dhuratave të ndryshme si shpagim.
Por, të qenunit altruist, a është dorrëzim para egoizmit, sidomos nëse nisemi nga ideja se një kuptim definohet nga ajo se çka ka për kundërpeshë, për kundërvenie, për diferencim. Të ndjekurit e idealeve dhe qëllimeve të tjetrit do të thot defokusimi i vetvehtes dhe përparsimi i tjetrit. Shërbimi vetanak vihet nën numrin rendor dy sepse dashuria për tjetrin vëndohet para dashurisë për unin. Në këto kushte, altruizmi mer formën e betejës kundër mbylljes në vehte, betejë kundër egoizmit vetanak. Altruizmi pra, nëse kihet parasyshë se është i pamundshëm në formën e tij ekstreme, është një virtyt si që është edhe egoizmi i eklipsuar dhe i cili nuk synon dëmtimin e tjetrit por përfitimin vetiak të konsideruar si pozitif.
Tendencat ndarëse dhe kundërvenëse mes altruizmit dhe egoizmit, si dhe përkufizimet në mes tyre, ngrejnë pyetjen e kapitulimit të parit para të dytit e poqese kjo ndodh, atëherë humbja e altruizmit është e dyfishtë, a) ndaj vetvehtes; b) kundër tjetrit. Mohohet vetvetja dhe kështu mundësohet forcimi e tjetrit. Por nëse nuk zbrapset para egoizmit, atëherë automatikisht vjen në shprehje superioritei i tij dhe ngjallë mundësitë reale që egoizmi të bëjë hapa «të gabuar» dhe të ndërroj kahjen e sjelljeve duke bërë «lëshime» dhe duke dalur nga gëzhoja i hapet botës rreth tij. Shembulli më i mirë i altruizmit të qëndrueshëm që nuk kapituloi as nëpër shekuj dhe që nuk do të kapituloj asnjëherë, është altruizmi i femrës nënë, motër, bijë, bashkëshorte...
Pse?
Pa u zhytur në shkoqitjen e teorive mbi edukatën e mbi gjenet apo mbi etologjinë humane, do të përkufizohem në saktësimin e evidencës historike se femra ka qenë dhe është e lidhur më ngushtë me grupin se sa mashkulli, pra më pak autonome dhe autonomiste. Që nga lashtësitë ajo « duhej » të përkëdhelë, çdonjërin sipas rradhës, vëllaun, prindin, burrin, fëmijën para familjen dhe miqët. Ajo ishte e përgatitur dhe është gjithëmonë edhe sot, të mbaj mbi supet e saja rolin e adhuruar të bashkëshortes, motrës, nënës, fëmisë e mikeshës ideale, personit që jep çdo gjë për të përmendurit. Kurrë është me barë, ushqehet së pari për frytin që mban, për mirëqenien e tij dhe pastaj të veten. Së fundi, vet fakti i shtatzanisë është një sakrificë sublime e pakapshme për mashkullin. Prandaj konstatoj se Ajo është simbol i sakrificës dhe hirësisë. Më kot nuk është thënë se «Ju do ta gjeni parajsën te këmbët e nënës suaj».
E rrethuar në të shumtën e rasteve, së paku nga një egoizëm, ai i burrit për shembull, ajo e mposhtë atë, duke u bërë nënë edhe për të, çdo egoizëm në afërsi të saj mposhtet dhe bie në nivelin tallës dhe kështu ndoshta detyrohet të bëjë hapin e famshëm të gabuar dhe eklipson egoizmin me kapjen e trenit «të fundit»: dhuron një lule për herë të parë - gruas, nënës, motrës, mikeshës... Një ndjenjë e re e panjohur gjer më tani, ndriçon në jetën e egoizmit të mundur.
Teoritë që përkrahin idenë se mashkulli është po aq altruist pasiqë ai që shkon në gjah për të ushqyer familjen, dhe se ai flijohet në luftë poashtu për të tjerët është pak sa i tepruar se; ky lloj altruizmi pëmban në vehte ndjenjën egoiste të «gjahtarit më të mirë, të luftarit më të mirë…», altruizëm gjithashtu madhështor por asesi i barabartë me atë të femrës. Më së fundi, historia njeh trimëritë dhe sakrificat më të shejta të bëra nga femra se sa nga mashkulli. Nëse gladiatori ka vdekur në arenë për krenari të VETEN, nëse luftari ka shkuar në luftë për të mbrojtur tjetrin (besa shpesh pa dëshirën e vete), në momentin e kacafytjes lufton për jetën e vet, për egzistencë të veten... Dhe pasiqë beteja përfundon, kur lufta humbet nga njëra palë, dhunimet, ky element trishtues, më i përhapuri ndër luftëra pushtuese, fillon mbi femrën e të humburve. Tani ajo flijon jetën dhe nuk lejon dhunimin sa për të mbrojtur integritetin e vet psikofizik aq më tepër për të mbrojtur nderin e familjes dhe kombit. Janë të panumërta rezistenca dhe vetëflijimet për të ruajtur nderin familjar jo vetëm në kushte lufte por edhe në raste të ndryshme kriminele që ndodhin në jetë.
Shkallët ose llojet e altruizmit
a) Gatishmëria spontane e njeriut për të ndihmuar tjetrin, është cilësi e përbashkët pasiqë i takon etapës para mendimit. Pra, shtin njeriun të haroj animin gjithashtu të lindur për ruajtjen e integritet vetanak. Altruizmi i këtillë, në këto rrethana të spontaneitetit pohon se është pjesë e qenësishme dhe e pandashme nga natyra e njeriut po ndoshta edhe e kafshëve në përgjithësi.
b) Sipas J.J. Rousseau, mëshira është një komponentë fundamentale e altruizmit pasiqë njeriu e ka të lindur neverinë për të parë tjetrin në vuajtje. Sa më e fuqishme të jetë ndiesia ndaj hallit të tjetrit ; aq më i madh është altruizmi. Këtu unë do të shtoja faktin se ky lloj altruizmi i bazuar në mëshirë, është i kufizuar në aspektin se Rousseau, nuk mer parasyshë komponentet tjera tepër të rendësishme kur flet për mëshirën, e këto janë etika, dhe ndjenjat vetanake që dallojnë nga personi në person.
c) Ndërpreja sado e shkurtër që të jetë e egoizmit për të ndihmuar tjetrin në vështirësi, është bashkëvuajtje e duke u nisur nga pohimet e Rousseau dhe nga rrethanat tjera vetanake të neriut që haron në një moment të meret me vetvehten, prodhon altruizëm, natyrisht me intenzitet të ndryshëm që varet nga komponentat e përmendura më parë. Altruisti më i madh, nuk hidhet në ujë për të shpetuar tjetrin se rrethanat i sheh të pavolitshme për të ruajtur egzistencën e vet. Ose nuk din not ose nuk ka guximin e duhur... Në këto kushte, një notues i mirë o i dobët, ndërpren egoizmin që e karakterizon dhe arrin shkallë të lartë altruizmi dhe simpati të lakmueshme. Me këtë shembull praktikisht kalojmë në një kriter tjetër të kritereve objektive të altruzimit si që është reciprociteti
d) Sipas filozofëve që meren me çështje etike, reciprociteti (ndërsjellja, dobia dypalëshe) është një ndër kriteret kryesore objektive të altruizmit. Që nga mitet më të lashta gjejmë këtë element në etologjinë humane. «Bën mirë gjen mirë!» , «Mos ia bën tjetrit atë nuk don të ta bëjnë ty!»... Ndoshta ky aspekt i shiqimit ngushton pak hapësirën morale të altruizmit pasiqë gjejmë nyanca të egoizmit që lidhet enkas ose tërthorrazi me kujdesin për vetvehten, bëj mirë për të gjetur mirë, bëjë mirë për të ju shmangur represaljeve eventuale. Kurë spontaneiteti, ndjenja, dëshira, mëshira dhe dashuria për të bërë mirë janë prezente nga faktori reciprocitet, do të flasim për altruizëm me dobi objektive dypalëshe. Të imagjinuarit e vetvehtes në vendin e tjetrit është faktikisht vënia e tjetrit në vendin tonë se në këtë rast na prekim ndiesitë vetanake dhe reagimi është pasojë e sensibiliteit; por, të venduarit në pozitë të tjetrit duke gjykuar e trajtuar ndërmarrjet vetanake, do të thotë se dëshirat dhe veprat rrjedhin sikur të jenë të tjetrit, nxitës i angazhimit është etologjik. Njëherit i angazhuari zbulon kështu, ndjenjat pozitive personale dhe bërja mirë tani mer vlerat e mirëfillta të reciprocitetit.
Mbi altruizmin nëpër shekuj
Kërkimet e shumta mbi altruizmin në lami të ndryshme si biologji, socbiologji, antropologji psikologji, psikosociologji, sociologji dhe filozofi, i kanë rrënjët në fillim të qindveçarit të XX si kusht i patjetërshëm për të kuptuar dhe definuar një pyetje kaq të përbërë. Sot, altruizmi numrohet dukuri naturore dhe faktor i rëndësishëm i zhvillimit univerzal.
Nëse i hedhim një vështrim antikës, do të dallojmë dy teza të kundërvuara:
a) ajo realiste e shtjelluar dhe e mbrojtur nga Demokriti, Epikuri dhe Lukreciusi që thonë se natyra e njeriut duhet të konsiderohet si funkcionim i asaj shtazore dhe;
b) teza idealiste që mbron Platoni se principet kryesore etike janë rrjedhojë e botës së ideve e cila konsideron natyrën e njeriut në relacione hyjnore. Sidoqoftë, që nga të dy teoritë e permendura, nxjerrim përfundimin se zhvillimi ndikon në njeriun shtazë dhe në njeriun hyjni e kështu pra, ai është i lirë dhe i pavarur në zgjedhjet e veta, të mira apo të këqija.
Këto dy teza antike plotësohen sot me një aspekt të tretë të vështrimit mbi altruizmin e ky është ai fetar-kulturor si pasojë, të them, e trashigimisë
shtazore dhe i inspirimit hyjnor fetar apo filozofik.
Feja dhe altruizmi
Është feja ajo që krijoi etikën e bëmirsisë dhe që zhvilloi ndjenjën e altruizmit në vlera univerzale të pamohueshme. Ky altruizëm përbën dozën më të vogël të egoizmit pasiqë edukon dhe ngulmon që të bëjmë mirë, ta kujtojmë tjetrit pa pritur një shpagim të afërt. Shpagimi dhe shpëtimi është për në jetën tjetër. Altruizmi i këtillë që ngjallë dëshirë dhe dashuri për lumturi të amshueshme nuk pret as nuk kërkon një këthim të së mirës me të mirë nga askush. Ai flijon nga mundësitë e veta jo për tu parë nga bota, jo për të tërhjekur përfitime dhe shpërblime tokësore dhe kështu ndihma e tij nuk mbjellë në asnjë moment ndjenjën e borxhliut tek tjetri se as që pret nga tjetri një kundërshërbim. Kundërshpërblimi i tij është shejtëria dhe parajsa.
* * *
Citate :
"Dashuria amërore është ndjenja më e shquar egoiste, ose, të themi ndryshe, ndjenja më energjike altruiste." (Alain)
"Egoist nuk është ai që jeton si ia kënda por ai që kërkon nga tjerët të jetojnë si i pëlqen atij,; altruist është ai që len të tjerët pa intervenuar aspak, të jetojnë jetën e tyre." (Oscar Wilde) *
"Bëre të mirën, hudhe në det se e gjen në krypë." (shqiptare)
Altruizmi shpesh është alibi (Jean Rostand)
*Émile Maximilien Paul Littré - filozof dhe leksikograf i njohur francez (1801-1881).
*Alain - Eseist dhe filozof francez (1868-1951
*Oscar Fingal O'Flahertie Wills Wilde - shkrimtar irlandez (1854-1900)
*Jean Rostand - biolog shkrimtar dhe filozof francez (1894-1977