Laureta Miftari
Egoizmi
Tendencat e kundërvënies së egoizmit dhe altruizmit, sikur që bëjmë me natën e ditën apo me të mirën dhe të keqen qëndrojnë vetëm nëse flasim për një « përvetvetësi » të subjektit, i cili me çdo kusht i jepet dashurisë së plotë për veten. Ai pa ndërpre mendon vetëm për vetveten. Dhe tani, përballë kësaj e definojmë altruizmin si koncept ekstrem i jetës për tjetrin. Por egoizmi i cili synon egzistencën, dashurinë, afirmimin dhe mirëqenien duke pasur respektin ndaj rrethit është vlerë njerëzore sepse mbron integritetin e subjektit në natyrë dhe në shoqëri. E altruizmi, a është kujdes për tjetrin apo një egoizëm i mëshehur që shpreson këthimin e mirësisë me mirësi ?
Për të kapur mirë kuptimin egoist dhe përcaktuar egoizmin si veti negative apo pozitive të moralit, duhet patjetër kthjelluar së pari nevojat urgjente të subjektit, nevojat e afërta dhe ata afatgjate pa të cilat nuk mund të bëhen lëvizjet e duhura për të shkuar përpara. Kufijtë e egoizmit pozitif dhe negatif, ndërrojnë ne disa pikëpamje sipas zhvillimit ekonomik të shoqërive - mjediseve dhe etikës së kultivuar në gjiun e çdonjërës nga ta e që ndërlidhet me etnologjinë dhe historinë së cilës subjekti i takon.
Por ti këthehemi temës pa u zhytur në digresione të shumta që mund të prodhohen nëse kërkojmë zbërthimin etik të egoizmit nëpër shekuj. Përfundime më të përpikta do të nxjerim me krahasime dhe paradokse që ndërlidhen ngushtë e shpesh me altruizmin por unë, në këtë rast, do të ndalem vetëm me shtjellimin e temës në fjalë e për altruizmin dhe altruizmin e egoizmin në mes vete, do të bëjë fjalë në dy studime veçmas.
Të themi se egoizmi nënkupton mosbrengën dhe mos mendimin për tjetrin. Tani shtrohet pyetja : Një vetlavdërues mendon shumë për të tjerët pasiqë është i sëmurë nga meraku se ç’mendojnë të tjerët për të. Po ai që manipulon të tjerët a nuk mendon për të tjerët dhe për metodën se si mund të ju luaj lojën më së miri… ?
Kjo na çon në një zbërthim të parë dhe në konkluzion se egoizmi nuk është objekt i mendimit por i asaj se për çka shërbejnë dëshirat dhe qëllimet. Egoizmi pra, nuk i mer parasyshë, të themi aq sa duhet interesat e tjetrit. Po tani, ç’janë interesat e tjetrit, dëshirat dhe apetitet e tij ? Interesat e tjetrit nuk janë edhe interesa të një tjetri të tretë… Ndërlikimi vazhdon në pakufi nëse nuk bijmë përkufizimin se mosplotësimi i dëshirës së njërit apo tjetrit, nuk është egoizëm, sidomos nëse këto dëshira nuk përbëjnë një interes të përbashkët në kodin dhe etikën e një grupi më të gjërë shoqëror. Por, kur flasim për interessa të përgjithshme, përsëri nuk mund ta konsiderojmë mosradhitjen me normat morale të ngritura pasiqë subjekti mendon për të tjerët, për ata që tërheqin përfitimet nga rrethanat altruiste të krijuara… Të thurrim definicionin se egoizmi nuk mer parasyshë interesat e tjetrit nuk na kënaq pasiqë « ai » është një botë e tërë dhe është tejet joprodhuese dhe ngecëse në ecurinë univerzale. Por a duhet të shërbehen vetëm interesat vetanake ? E pra, ai që ndjenë kënaqsi se bëri mirë në familje, në shoqëri, në rrugë e gjetiu, i bënë për vehte dhe, të përsëris, i bënë se kjo i sjellë kënaqsi… Eh por vallë, ky është egoist ?!
Për të sjellur edhe një përfundim në mes të « përfundimeve » mbi egoizmin do të them se vrapimi pas interesave vetanake është veti e shkëlqyeshme dhe ecja pas tij është e pashmangshme, kjo çon para, me kusht që këto interesa të mos nëpërkëmbin tjetrin dhe etikën e sjellur në formë të edukatës universale të botës ku jetojmë.
Unë egoizëm të dëmshëm e quaj ndjekjen e qëllimeve që janë me të vërtetë burim i ndërlikimeve shoqërore dhe nismëtare të ngatërresave dhe konkurencës së pangopshmërisë. Gllabërimi i çdo gjëje pa u kujdesur aspak për tjetrin dhe për normat më të vogla etike egzistuese. Harxhimi i qindarkës së fundit për një luks si duhani pa u kujtuar se dikush pret kafshatë buke apo qumësht... Dëshira e tëpruar për ekskluzivitet, për një aritje pa patur para syshë damet e drejtëpërdrejta dhe anësore që sjellë arritja e një qëllimi, shkelja e etikës dhe i ndërgjegjes kolektive të krijuar dhe edukuar në ambientin ku funkcionon subjekti, apo ku bën ndërmarrjen e vet, mer përmasat e « bëj çka të dua ; mar çka të dua edhe pse nuk dij mirë se ç’dua ». Egoizëm negatif dhe damsjellës në një të ardhme të shpejtë. Është kjo formë e të kërkuarit të gjithçkafit nëpërmjet një egoizmi të sëmurë, të ballafaquar me mungesë të taktit njerëzor, kulturës dhe moralit shoqëror.
Në anën tjetër egziston edhe një lloj i egoizmit të lehtë që çfaqet në raste të pavolitshme t’egzistencës që në të vërtetë është egoizëm i lindur me vet natyrën e njeriut si element kyq i mbijetesës. Është ky lloj i egoizmit i botës së gjallë që e gjejmë edhe tek bima që ngritet në lartësi drejtë rrezes së diellit dhe nuk mban aspak për botën që e rrethon. Forca e pakët e ngelur në eshtërat që mbahen vetëm në lëkurë të subjektit që shkel mbi të uriturin tjetër akoma më të gjymtuar nga uria për të kapur copën e bukës së hedhur nga egoizmi altruist, nuk mund të rradhitet në mos interes për tjetrin.
Një egoizëm i lehtë është edhe dëshira dhe vrapi pas jetës më të mirë, shkollimit të lartë, luksit dhe sigurisë duke dëshiruar dhe synuar në të njejtën kohë konkretizin e një ecurie më fatlume edhe për tjetrin, nuk kalohen suazat e egoizmit pozitif.
Egoizëm i lehtë dhe do të them më se i nevojshëm është kujdesi për vetvehten : Jeta kërkon ti ofrohen gjërat e nevojshme për tu jetuar në harmoni, brenga për ushqim, për shëndet për krijim dhe kënaqsitë shpirtërore e fizike që janë të pandashme nga njëra tjetra nuk janë detyrimisht egoizëm.
Friga është gjithashtu një komponentë e egoizmit të lehtë. Këtu bëhet fjalë për atë se çka do të ndodhë të nesërmen. Vrapi dhe lufta për ndihmë sociale është mendim vetëm për vehte dhe aspak për të tjerët. Kjo dashuri për vetvehten është egoizëm i forcuar, instinktiv dhe do ta quaja edhe egoizëm i dhimbshëm apo egoizëm i detyruar.
Egoizmi në shkollim dhe sport, është gjithashtu i rangut pozitif dhe i lehtë pasiqë në këto raste, subjekti mendon ekskluzivisht për vehte, por si që thash edhe më lartë, qëllimi është sublim dhe pse në sport arrihet me humbjen e tjetrit. Këtu në të vërtetë kemi një kundërvenie të dy ose më tepër bartësve të egoizmit që luftojnë për fitore, për ngadhnjim të unit.
Çdo shkëputje nga egoizmi shkakton pasoja të rënda regresive si që shkakton pasoja shkatruese egoizmi i tepruar dhe agresif për arritje të qëllimeve vetanake. Largimi nga egoizmi si edhe mishërimi me të janë joproduktiv dhe të rrezikshëm se sjellin pasoja të papëlqyera në të dy drejtimet. Një egoizëm i matur e pozitif, arrihet vetëm me edukatë dhe norma etike të komponuara nga një religjion ose filozofi, nga se këta dy lami të ndërlidhura njëra me tjetrën, gjinden në krye të krijimit të personalitet human. Nisur nga kjo, do të përfundoj për egoizmin me disa citate nga religjioni dhe filozofia nga edhe më së miri dallohen nyancat e egoizmit në përgjithësi.
Citate:
Pa mbështetjen e egoizmit, shtaza humane nuk do të ishte zhvilluar asnjëherë. Egoizmi është bimë kacavjerrëse për të cilën u ngjitën njerëzit jashtë kënetave të qelbura për të dalur nga xhungla.
Blaise Cendrars (nga Hors la loi - Jashtë ligjit)
Egoizmi përbën lumturinë tonë nga fatkeqsia e të gjithëve. Henri Lacordaire
Egoizmi inteligjent do të çonte njeriun në vertyte më të larta. Alfred Capus
Nëse e përcaktoni egoizmin si dëshirë për të kënaqur nevojat, në këtë kuptim unë dhe çdo pjesëz e natyrës, jemi egoist. Maurice Barrès (nga Armiku i ligjeve)
Lumturia ka lindur nga altruizmi kurse mjerimi nga egoizmi. Bud