2013-06-05

Flutura Açka: Protagonizmi nga padija dhe paraja rri mirë ndër shqiptarë

Flutura AçkaPyetësori i Prustit
E dini ç’bën shkrimtarja Flutura Açka kur politikanët dalin në ekran? Merr pultin e televizorit, shtyp opsionin “mute” dhe në sytë e saj ata kthehen në kukulla pa zë, për të cilat ajo ka rrëfyer edhe në romanin e saj të fundit “Kukullat nuk kanë atdhe”. Por duket se një tjetër roman që pret të shkruhet ka filluar t’ia  trazojë gjumin shkrimtares…

Cila është ideja jote për lumturinë?
Lumturia shpesh është burimi i pakënaqësive tona, projektimi i saj strabik në sytë tanë, ethja për ta zgjatur. Lumturia është matrica e lumturive të vogla të përditshme, që shpesh, ngaqë i shijojmë nxitueshëm, na duken edhe më të shkurtra. Çështja është se si në vjegën e njërës të dimë të lidhim tjetrën, asisoj që radhori i tyre t’i japë kuptim jetës sonë.
Cila është frika më e madhe?
Dikur ishte avioni, tani frika nga ndonjë shofer i marrë në rrugë, nga më e pakta, mund të mbetesh çyryk.
Kë person të gjallë admironi më shumë?
Nuk kam ndonjë admirim akut për ndokënd, të paktën mes të gjallëve, jo. Si qenie biologjike, nuk kam të tillë, por si qenie letrare, kam.
Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?
Protagonizmi i frymëzuar nga padija ose paraja, ose të dyja bashkë, që duket se ndër shqiptarë rrinë mirë me njëra-tjetrën.
Ekstravaganca jote më e madhe?
Personazhet e mi janë më të ekspozuar ndaj ekstravagancës, unë jam natyrë më diskrete. Edhe një xhaketë të shtrenjtë me dizajn të bunkerëve shqiptarë, të një stilisti holandez (një porosi ca e kripur), dyshoj në ia vlen ta vesh ndonjëherë. Dikur po, kur nuk kishte shumë ngjyra rrotull, kam mbajtur ngjyra shumë të forta, veçmas çorapë e geta.
Cili është udhëtimi yt i preferuar?
Udhëtimi i shpeshtë për të takuar tim bir. Pse jo, të kthehesha sërish në Granada. Vietnami dhe Kamboxhia do të jenë udhëtimi im i ardhshëm, por Afrika mbetet dashuria ime.
Në ç’rast mund të gënjesh?
Një poezi imja e shpjegon rastin e vetëm kur unë mund të gënjej: Më gënjejnë pa turp/dhe unë pa turp i gënjej/duke i dëgjuar/deri në fund.
Personi që përçmon më shumë?
Nuk përçmoj kënd, ka disa njerëz që thjesht i shmang t’i takoj.
Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?
‘Sorry’, që ka kuptim të shumëfishtë, dhe jo gjithnjë është ndjesë. Kur jam e zemëruar përdor fjalën ‘lafarak’, edhe në variantin femëror të saj.
Pengu yt më i madh?
Të kisha një vajzë, të kem një vajzë, desha të them…
Kur dhe ku ke qenë e lumtur?
Kam qenë shpesh e lumtur, në pranverë veçmas, në Shqipëri dhe Holandë. Një ditë fundmaji ka qenë edhe dita më e lumtur e jetës sime.
Në ç’gjendje shpirtërore je tani?
Kanë filluar pagjumësitë e para, trazimet e një romani të ri, mbase. Një ngathje në komunikim, një gjendje pa trajtë, qysh pas shkarkesës nga një barrë lodhëse si “Kukullat nuk kanë Atdhe”.
Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?
Të falja më pak, të harroja më pak.
Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?
Të ruajturit e thelbit, kjo ngaqë thelbin ia kam varësuar vetëm Fluturës, me të mirat dhe të këqijat e veta. Koha dhe rrethanat i ndryshojnë njerëzit, keqardhja nga metamorfoza e ndonjë mikut tim para syve të mi, më ka dhënë alarmin e kësaj humbjeje.
Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?Kalë, kali fle në këmbë, nuk zgërlaqet.
Cili është sendi më i çmuar që zotëron?
Kam disa të tilla, sendi më i fundit i çmuar është një tufë Proteash që i kam “grabitur” nga Table Mountain, në skajin më jugor të Afrikës.
Kë quan pikën më të thellë të mjerimit?
Depersonalizimi prej adhurimit ndaj dikujt që ke përballë, veçmas kur ky dikushi e di dhe përkëdhelet nga përulja jote. Idhulli të mbron, nuk të shpërdoron.
Ku do të të pëlqente të jetoje?
Në Firenze.
Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?
Të lexuarit, të bërit dhe të shkruarit libra. Sikur të hiqja dorë nga ndonjëra prej tyre, do të kisha preferuar edhe të shisja libra.
Cila është karakteristika juaj më e spikatur?
Besoj, mirësia, përkushtimi, të qenit e drejtpërdrejtë, gjë që shpesh nuk më ka sjellë dobi.
Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?
Mençuria dhe të diturit e sjelljes me femrat, edhe në shtrat. Ka meshkuj që nuk e dinë se edhe gruaja ka orgazmë, mjerë ata!
Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?
Feminiliteti. Meshkujt na duan për të kundërtën e vetes.
Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?
Clarice Lispektor, J.M. Coetzee, Virginia Woolf, John Williams, Mishel Houellebecq dhe poetesha Ingrid Jonker.
Cili është heroi yt në art dhe kulturë?
Faruku te “Shtëpia e heshtjes”, dhe Anil te “Fantazmat e Anil”.
Kë ke heronj në jetën reale?
Nuk kam.
Cilat gjërat nuk të pëlqejnë fare?
Shija e Brussels Sprout, të vetmen të jeshiltë që nuk e gatuaj. Mitingjet dhe krekosjet e politikanëve shqiptarë nëpër ekrane. Vetëm në vende me civilizim të dyshimtë ndodh kjo. Kur dalin ata në ekran, unë shtyp “mute” dhe ata kthehen në kukulla pa zë. Edhe personazhet e mi e bëjnë këtë, tani edhe shumë e më shumë qytetarë, madje.
Si do të të pëlqente të vdisje?
Duke e ditur, që të mund të përshëndesja njerëz të dashur. Është shumë e rëndësishme të dish si të jetosh, por po aq e rëndësishme të dish si të vdesësh.
Cila është motoja juaj? 
Njeriu është ajo çfarë bën.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...