REXHEP SHAHU
Tek e shoh dhe dëgjoj z. Rama që flet për fshatin dhe punët e fshatit më kujtohen enciklikat e tij të famshme që pati bërë para disa vitesh. Pati bërë edhe enciklikë për bujqësinë. Ka qenë dhe është gallatë fare. Enciklika të Ramës si enciklikat e Papës. Kur i thanë, ej e ke ngritur stekën lart se nuk mund të jesh Papë, pasi vetëm Papa nxjerr enciklika, u struk, e la dhe hyni në ujë…
Fshati dhe Shqipëria nuk janë e njëjta gjë për z. Rama, por janë dy gjëra për të, dy realitete, janë dy vende të ndryshme. Don ta bëjë Shqipërinë kopësht me lule u thotë fshatarëve të vendit, siç i thoshte Enveri anesë gjirokastrite që e patën sjellë të shkretën t’i tregonte përralla Enverit dhe Enveri i tregonte anesë. Rama u tregon përralla fshatarëve. (Jo përrallën e peshkut të kuq që u bë mavi… mos t’ju shkojë mendja për keq…)
Në recitimet e tij kundërthënëse çajupisht e nolisht ngado nëpër Shqipëri, Rama mashtron për çeshtjen e taksave. Më të mashtruarit e tij ose ato që synon ai të mashtrojë janë fermerët shqiptarë të cilët i sigurojnë këtij vendi mbi 80 përqind e çdo gjëje që hahet e pihet në këtë vend. Nuk e pranon z. Rama këtë që them, por ky është realitet.
Ngado që flet ngul e shkul, një ditë ndryshe e një tjetër ditë ndryshe dhe asnjë ditë e për asnjë problem si një ditë e përditë, ju thotë njerzve se do të heqë taksat.
Shqiptarët duhet ta dinë se taksat e një shteti demokratik, që ka sistem ekonominë e tregut, nuk janë plotësisht në dorë të qeverisë nacionale. Dhe nuk ka shtet pa taksa.
Rama e ka ndarë Shqipërinë në Shqipëri dhe në Fshat. Nuk po shpik. Vini re fjalët e tij dhe do ta kuptoni se ai flet për Shqipërinë dhe për Fshatin si për dy gjëra të ndryshme.
Recitimet e tij në tërësi janë përçartje. Por sidomos kur flet për fshatin (ose “Shqipërinë tjetër” që ai e ka shpikë përsonalisht vetë duke dërguar kamërën në gryka qenefi…) dhe për taksat janë përçartje speciale.
Një sozi i Ramës tha një ditë se Rama do të bllokojë çdo import produktesh bujqësore me qëllim që të shitet prodhimi vendas i fermerëve shqiptarë. Mashtrim dhe rrenë e rrezikshme, me rrezikshmëri të lartë. E ta bësh këtë rrenë në Shkodër është kulmi, pasi atje është komuniteti më i parrejshëm.
Kjo nuk mund të ndodhë se nuk është në dorë të qeverisë apo në dorë të shtetit shqiptar. Mund të ndodhë vetëm nëse e rrethojmë përsëri vendin nga telat me gjemba të klonit. Nëse ngjallet Enveri. Ose nëse Rama po ju duket si Enver.
Nëse ndodh kjo, që nuk mund të ndodhë se nuk ka askush takat ta bëjë një gjë të tillë, kjo do të ishte rivrasje e fermerëve shqiptarë, varrosje e fshatit.
Çdo njeri me dy gram shkollë duhet ta dijë se me ndryshimin e sistemit plitik në Shqipëri, pra me ardhjen e sistemit demokratik, Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Tregëtisë së Lirë. Pra që tregëtia është e lirë për të gjitha vendet e Oarganizatës Botërore të Tregëtisë (OBT). Shqipëria duke qenë në këtë organizatë botërore nuk ka shanse të ndalojë asnjë shtet të huaj të sjellë produkte konsumi në Shqipëri. Sepse shinat i shtron Bashkimi Europian ku ne synojmë të hyjmë dhe ai të imponon.
Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me vendet e rajonit dhe nuk ka shans që Shqiëpëria të bllokojë produktet e vendeve të rajonit të hyjnë këtu. Siç nuk e pengon askush Shqipërinë të eksportojë produkte kudo, nëse produktet tona plotësojnë standartet e kërkuara nga tregu i huaj.
Pra, të mos lejosh tregëtinë e lirë, do të thotë të izolohesh si në diktaturë. Do të thotë që çdo gjë që nuk prodhohet në vend të mos e kesh dhe të biem sërish në skamjen e ditaturës. Do të thotë të hajë banane vetëm shoku Rama me bllokmenët e tij si dikur në bllok ku s’mungonte asgjë por shqiptarët nuk e njihnin frutin e bananes…
Ekstremi tjetër po më i rrezikshëm është heqja e taksave, heqja e TVSH që sot njihet dhe është si 20 përqind mbi vlerën e produktit që hyn nga importi.
Çdo produkt që hyn në doganë nga importi, taksohet 20 përqind mbi vlerën e produktit dhe tregtari apo importuesi e paguan direkt në doganë dhe ai e vjel në shitje këtë taksë që paguan, pra e vjel nga konsumatorët që blejnë në treg.
Të gjithë njerzit por sidomos fermerët le të ndalen për një cast dhe le të gjykojnë. Sikur të hiqet TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar), atëhere vendi ynë do të rrënohet me shpëjtësi.
Po të mos jetë TVSH, nuk ka interes asnjë fermer shqiptar që të mbjellë asnjë produkt në tokat shqiptare. Sepse do të na mbysin produktet e importit. Sepse produktet e importit vijnë tek ne në treg shumë më lirë. Sepse produkti në vendet e tjera që janë anëtare të Bashkimit Europian apo kandidate ka kosto më të lirë se produkti ynë. Sepse bujqësia subvencionohet shumë në vendet e huaja krahasim me ne. Sepse subvencionet i jep BE. Ne na përjashtoi për këtë vit z. Rama nga përfitimi i subvencioneve të BE në bujqësi duke mos miratuar në kohën e duhur dy ligjet dhe një rregullore. Është më lirë produkti atje sepse kanë mekanizim më të mirë, kanë organizim më të mirë, kanë koperativa, kanë sipërfaqe të mëdha. A ju kujtohet njerzve kur vinin domatet me 50 lekë të vjetra në tregun tonë. Vinin edhe nga Kina, nga Turqia, Italia etj etj…
Nëse do të hiqet TVSH që thotë z. Rama, fermeri shqiptar nuk ka interes të punojë më tokën e tij. Gjysma e popullsisë (e papunë për z. Rama) që merret me punët e prodhimet e fshatit do të mbetej realisht pa punë. Toka do të mbetej djerrë. Do të vinin domatet nga Kina. Siç kanë ardhur në kohën e PS. Do të vijë salca nga Kina…
Përfytyroni sikur të heqë taksën z. Rama se çfarë do të ndodhte me qumështin. Do të na mbyste Italia e Greqia me qumësht. Do të sillnin aq shumë qumësht të lirë fare sepse qumështi subvencionohet shumë nga BE, sa z. Rama e gjithë ramërat do të laheshin në pishina me qumësht, në dushe me qumësht importi. Do të mbytej Shqipëria nga qumështi pluhur aq i lakmuar nga mashtruesit… Do të falimentonin gjithë punishtet e fabrikat e qumështit të vendit që janë shumë. Nuk do të kishte interes asnjë fermet të mbante lopë.
Rama nuk din as çfarë premton për fshatin. Se nuk e njeh. Të rritesh në bllok nuk ke mundësi ta njohësh fshatin.
Qeveria aktuale ka hequr TVSH për gjithë impotet bujqësore, plehra, pesticide, kimikate, makineri bujqësore. Kjo po, kjo është e mundshme dhe është lehtësi e madhe për fermerin shqiptar. Për pasojë edhe për konsumatorin. Këtë ta thotë Rama, por ia hoqi nga dora këtë aset mashtrimi Berisha i cili e bëri realitet këtë premtim.
Sot në treg në Tiranë një kg patate e re fushe kushton një mijë lekë të vjetra, ose një dollar. Mua më vjen shumë mirë, ndonëse xhepi im lëndohet. Por më vjen mirë sepse ky çmim do të nxisë shtim mbjelljesh me patate stinën tjetër dhe çmimi do të vijë duke rënë.
Sot në treg gjen produkte vendi të shtrenjta e të lira. Nuk mungon asgjë çfarë prodhohet në vend. Sepse ka interes fermeri shqiptar të prodhojë.
Po sikur z. Rama të heqë TVSH (që vetëm mashtron se do ta heqë se po të jetë kryeministër as nuk guxon ta përmendë), nuk do të gjendet asnjë produkt vendi në treg. Produktet e vendit, falë zotit dhe pazhvillimit të industrisë së rëndë, me ogjaqe që tymojnë smog etj., sot janë natyralisht pothuaj bio. Shumë të lakmuara nga tregu i huaj.
Me rritjen e kulturës së marketingut produktet shqiptare ndonëse të pakta do të shiten në Europë për produkte lluksi.
Në vend që tu thotë fermerëve se do të gjejë apo shpikë mekanizma që t’i nxisë ata ta shtojnë prodhimin, që duke u shtuar prodhimi ulet çmimi për konsumatorin në qytet, ai tregon përralla me taksa që s’mund t’i ulë se nuk e lejon askush, pasi vendi nuk jeton më i izoluar si në mbretërinë e përrallës së peshkut të kuq…, por jemi vend i hapur, me rregulla të përbashkëta tregtare me vendet e rajonit e të Bashkimit Europian ku ne aspirojmë të mbërrijmë.