2013-07-06

Përtej reklamës së një libri




Romani "E kuqja e demave", sendërton një realitet imediat letrar, ku shfaqen dhe ecin paralelisht dhe në përballëvënie dy dashuri reale dhe tronditëse, mbase dy dashuri të forta dhe çmendurake, të zjarrta dhe të lodhura njëherit



Behar Gjoka

Shtysat për të vajtur te libri janë të shumta dhe po kaq të çuditshme. Gjithnjë e më shpesh, gjatë kësaj ndërkohje, komunikimi me lexuesin, pavarësisht nivelit dhe qasjes ndaj tekstit, shijes dhe mungesës së saj, po formatohet me hapësirë të gjerë veprimi, ajo dukuri mediatike, që do të mund të emërtohej si reklamë për librin. Pra, tashmë ka qëlluar që reklama për librin, të jetë një faktor nxitës dhe vendimtar për ta kërkuar një tekst të ri jo vetëm të huaj, por edhe të letrave shqipe. Kështu në pranverën e vitit 2008 u bë shkak kryesor reklama, që të lexoja Ishullin e shkrimtarit B. Blushi, ndërsa për 2009, reklama mediatike, u bë shkasi thelbësor që të shfletoja edhe romanin E kuqja e demave të shkrimtares Mira Meksi. Kuptohet se reklama për librin dhe qëndrimi ndaj saj është një çështje më vete dhe që kërkon shqyrtime të vëmendshme, sepse në këtë botë ka njerëz që atë e vendosin në krye, madje edhe duke i mveshur atributet e një shkopi magjik. Po ashtu, ka edhe lexues apo studiues, të cilët mendojnë se reklama ndaj librit më shumë e vret shenjën letrare, sepse e sheh tekstin si një mall që shitet dhe jo si vlerë estetike dhe shpirtërore. Megjithatë, në kushtet e mungesës së një shtypi të specializuar për librin, reklama mediatike, tani për tani është gati e pashmangshme, sepse artisti i fjalës nuk ka mënyrë tjetër lajmërimi për daljen e një libri të ri, çka sërish nuk pengon që të ruhet ekuilibri ndërmjet reklamës dhe leximit të teksteve të shkruara.

Teksti letrar

Romani "E kuqja e demave" sendërton një realitet imediat letrar, ku shfaqen dhe ecin paralelisht dhe në përballëvënie dy dashuri reale dhe tronditëse, mbase dy dashuri të forta dhe çmendurake, të zjarrta e të lodhura njëherazi; mbase ka gjasa të jenë më shumë dy përjetime të forta, ku dashuria rrezikon të nakatoset dhe madje edhe të shuhet nga seksomania, pa harruar këtu se nga ana tjetër vetë të bërit seks është ilaçi më i mirë i përtrimjes së dashurisë. Pra, teksti letrar i librit, romanor si tipologji shkrimi, me një teksturë të lëvizshme të ligjërimit të prozës, zbulon përpara lexuesit dashurinë në shumëplanësi, si ndjenjë dhe ankth, si jetë dhe zjarr, si frymë dhe caku i amshimit, në shumicën e trajtave ekzistenciale dhe universale të shpalimit të saj. Po ashtu, ky tekst ofron me një shkujdesje marramendëse edhe një situatë të shembjes së kufijve, sepse ngjarjet luhen sa në Spanjë, e po kaq, ndonëse si një përjetim i parajetuar nga personazhi kryesor, edhe në Shqipërinë e Onufrit dhe të ikonave, duke i mveshur kështu librit/tekstit një shenjë të dukshme të fanitjes së universit, të botës pa kufij, pra të rënies më në fund të mureve politikë, fetarë, krahinorë dhe shoqërorë, si një rrethanë dhe shënjim i inspirimeve autoriale. Hapësira tekstologjike, ku edhe lëvizin dhe gjezdisen fatet e personazheve, dëshirat dhe manitë e tyre, e po kaq vetë rrjedha e ngjarjeve, sprovat dhe kërkimi, përbën edhe shenjën parake se jemi në fiksion, pra në letërsi, që veçmas tenton universin.

Epiqendra e realitetit letrar

Teksti i romanit përveçohet nga shkrimi i prozës së tanishme për vendosjen në qendër të universit letrar të alteregos, jo se teksti sugjeron autobiografizimin, madje si një mikrobotë që rrezaton makrobotë, realitetit të universit të qenies, pra me një procedim të thekur letërsishkrimor, duke vënë në qendër të hapësirës tekstologjike heroinën kryesore, figurën e ndërlikuar të Teutës. Qenësia e saj si epiqendër e realitetit letrar, preket dhe shënjohet:

- Në qerthullimin e gjerë hapësinor, tashmë të një kontinenti dhe planeti që përgjithësisht po i shemb pengimet dhe kufijtë, dita-ditës, po kaq të yshtur edhe në detin ndjenjor, të një beteje në ekstazën e thekur të dashurisë si dëshmi ekzistenciale e qenies.

- Në përjetimin e dukshëm të fatit njerëzor, të fatit të femrës dhe mashkullit, pra e të gjithë botës njerëzore, të gjetjes dhe humbjes së dashurisë, porse edhe duke e kundruar këtë situatë pezullie, pra këtë gjendje enigmë e mister, me qetësi të rrokshme.

- Në shpërfaqjen e një bote të ndritshme, tejet të hapur dhe komplekse të protagonistes, që vijon që të endet midis dashurisë dhe artit, midis shkrimit letrar dhe përkthimit, mbase edhe si një udhëtare që sfidon shenjat e artit për hir të jetës dhe dashurisë.

- Në rrekjen siprane për të shënjuar edhe kërkimin e pambarueshëm, por në jo pak herë edhe vetë shënjimin e qiellit të dashurisë dhe të artit, si dy prej gjendjeve më të ngritura të ekzistimit dhe të vetë kuptimit të jetës njerëzore.

Këto prekla (shenja identifikuese dhe të përveçme letrare) të prekshme dhe të pranishme të protagonistes, rreth së cilës sillen ngjarjet dhe personazhet e tjerë, enkas e vënë në qendër të tekstit, pra si një epiqendër e romanit.

Sinkretika artistike

Bota romanore e tekstit "E kuqja e demave", sa ç‘është e ndryshme nga shkrimi i prozës së tanishme të letrave shqipe, aq është edhe i dallueshëm, kryesisht edhe për shkak të një ndërlidhnie të hapësirave të tekstit dhe të kumteve letrare. Ndërlidhnia e këtillë, letrare dhe artistike, jetësore dhe eterne, preket e zbulohet:

- Në praninë e rrëfimit të gjallë dhe mjaft të shtrirë, që shpesh shënon edhe përmbysje të rrëfimtarisë së zakontë.

- Në praninë e vargjeve të qëlluara, të cilat edhe shoqërojnë subjektin, por edhe të një ritmi poetik, brenda frazës së shkrimit të prozës.

- Në përshkrimin e hollësishëm të ikonës dhe të vetë ikonografisë, madje edhe të historisë së ekzistimit të saj, që në fakt në këtë vënie pranë e pranë, vetvetiu të sjellë ndërmend idenë e Lesingut, se piktura (ikona-B. Gj.), është një poezi që hesht, e poezia një pikturë që flet.

- Në ngjizjen e jo pak episodeve të tekstit në prozë, edhe përmes një shkrimi eseistik dhe kulturologjik, që eksperimenton fare qartësisht në ndërthurjen dhe brendashkrimin letrar të tipologjisë së sinkretikës së zgjeruar artistike.

Këto gjurmë, dëshmojnë për një sinkretikë artistike/letrare, e cila në shkrimin e prozës ndihmon në përndritjen e fatit të qenies, pra edhe të letrares, e cila pavarësisht bashkëlidhjes dhe sendërtimit të sinkretikës letrare-artistike, nuk humbet si identitet.

E kuqja, simbolika e shumëfishtë

Teksti i romanit sendërgjon hapur simbolikën e ngjyrës së kuqe. E kuqja, që nuk është vetëm se rrafsh i ngjyrimit dhe larmisë së saj, është e shumëfishtë:

- E kuqja e demave, pra rrafshi më i dukshëm i shënjimit të ngjyresës së përzgjedhur dhe të parapëlqyer, që menjëherë lidhet me Spanjën.

- E kuqja e Onufrit, piktorit të madh shqiptar të Mesjetës, që i bashkëlidhet shënjimit të parë të së kuqes së fortë, i cili e plasoi dhe përjetësoi veten tek ikona dhe ngjyresa e saj.

- E kuqja e flamurit (identiteti kombëtar), jo larg së kuqes së demave dhe pikturave të Onufrit, si shkas për t‘u dëshmuar se ekzistojmë në këtë planet.

- E kuqja e zjarrit, si përshkënditje jetëdhënëse, mbase edhe si shkëndijë dhe zjarrllimë, që njëherit ngroh dhe përvëlon gjithçka.

- E kuqja e dashurisë, si frymë dhe ndjesi, mbase shënjimi më njerëzor dhe më jetëgjati, të cilën e prekim dhe po kaq edhe troshitemi çdo ditë-natë të motit.

Pra, e kuqja reale, e gjakut dhe e flamurit, nga njëra anë, pranëvihet me të kuqen piktorike dhe të besimit, porse edhe të vetë dashurisë, si për ta ndier edhe ca më shumë realitetin letrar, me gjasë sugjerimin dhe aspiratën e autores, se e kuqja më tepër se sa ngjyrë dhe mjet, më shumë se dëshmi arti dhe shenjim estetik, është një fashë dhe vazhdë drite, krejt e epërme që vë në marrëdhënie dhe lidhje, qenien njerëzore ndërmjet vedi, por edhe me mjedisin përqark.

Libër i hapur

Një mënyrë e ligjëratës autoriale, është edhe sendërgjimi i një libri/teksti letrar të hapur. Lënia hapur (hapësia e sugjeruar) e shtjellimit të ngjarjeve, e fateve të personazheve, madje e vetë shkrimit letrar me procedurë të zgjeruar të ndërlidhjes së shkrimit letrar me shkrimin eseistik dhe kulturologjik, duke shënuar dije filozofike dhe dëshmi artistike. Teksti i hapur i romanit, sendërtohet:

- Nga jashtëzimi i rrëfimtarisë, pra në ato raste kur protagonistja, heroina kryesore e romanit, nis komunikimin e qartë me lexuesin. Faktura e jashtëzimit të narrativës së gjithëdijes, e largon situatën rrëfimore kryesisht në rrafshet e ligjërimit modern.

- Nga epilogu, nëse mund të emërtohet kështu kapitulli i dhjetë i librit, një fund krejt i papritur, ku edhe prekim mbarimin pa lumturi të personazheve, çka zbulohet sidomos prej fundit tragjik të Antonit.

- Nga vetë emri i kryeprotagonistes, pra i Teutës, që pasi e kryen këtë udhëtim në ferrin dhe parajsën e dashurisë, simbolikisht emri i saj, sugjeron dhe lajmëron se së shpejti do të niset shtigjeve të Teutës, princeshës ilire të lashtësisë.

Prania e librit të hapur, pra që përplotësohet me mbishtresime të leximeve dhe të lexuesve, si ndodhi dhe gjetje, por edhe me imazhe të teksteve dhe personazheve që flenë e zgjohen në vetëdijen shkrimore, është nga kumtet e përveçme letrare, që përçon si një sugjerim i kërkimit në sinkretikën e shpalimit të fjalës letrare.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...