"Hija e erës", bestselleri botëror, që ende nuk është i tillë në Shqipëri
"Njeriu është i prirur të besojë çdo gjë, përveç të vërtetës", thuhet diku në faqet e romanit "Hija e erës". Autori, Karlos Ruiz Zafon, ka arritur të bëjë për vete miliona lexues me veprën e tij, e cila prej 5 vjetësh është shndërruar në simbol të letërsisë moderne spanjolle.
Ndër të shumtat ndijime të pashlyeshme që mbeten gjatë pas leximit të romanit "Hija e erës" të shkrimtarit bashkëkohor spanjoll, Karlos Ruiz Zafon, vjen dhe pikëpyetja, se përse ende nuk e ka fituar statusin e një bestselleri te lexuesi shqiptar, ngjashmërish me romanin "Kodi Da Vinçi", i cili punë javësh nisi t‘i kishte ditët e numëruara në rehatinë e stendave prej një manie kolektive (që përfshiu dhe komunitetin e lexuesve me hope), për ta përpirë atë brenda një kohë të shkurtër. Ndërsa "Hija e erës", edhe pse edhe pak muaj dhe i afrohet moshës "një vjeç" në libraritë shqiptare, nuk po e ka atë nam të veprës së Dan Braunit, e kjo, pa dashur t‘i gjejmë shkaqe racionale, e lëmë në pashpjegueshmërinë dhe irracionalitetin që shoqëron shijet e lexuesit, a më saktë, në paaftësinë relative për ta gjetur një vepër me vlerë, jashtë kontureve të një promocioni e reklame të imponuar, duke mbetur, tek e fundit, peng i rastësisë. Kjo e fundit, do merrte trajtat e "mbretit", sapo pas kopertinës has në emrin e përkthyesit të romanit: Ardian Klosi. Jo vetëm për mjeshtërinë e përkthimit dhe posedimin e një shqipeje plot cirkuite, të kthjellët, të rrjedhshme dhe të lëngëzuar, por dhe prej gustos së njohur të tij, që më së paku i ka fillesat tek urrejtja për mediokren e më së shumti te një kualitet i lartë letrar, firma e Klosit si përkthyes, të ysht ta marrësh në dorë romanin "Hija e erës" dhe… gjithçka që ndodh më pas, për ata që e kanë librin e "N"-të të lexuar në jetën e tyre, do nisin t‘i gjejnë një vend në toplistën e atyre veprave që i kanë pushtuar patologjikisht sa ç‘janë ende në ekzistencë, ndërsa për ata që mund ta kenë sefte një lexim romani, patjetër do të ndodhë t‘iu duket kryevepra më e madhe botërore! E të dyja janë të pranueshme, në rastin e romanit "Hija e erës". Është bestselleri spanjoll, sot e 5 vjet që kur u botua për herë të parë. Është përkthyer në mbi 30 gjuhë dhe i shitur në miliona ekzemplarë. Autori Karlos Ruiz Zafon ka mbërritur deri te fama e këtij romani, pasi më parë ka botuar katër vepra, që më së shumti i janë drejtuar moshës së re. Ka fituar disa çmime kombëtare prej tyre, por i pabindur kurrë me veten se kishte bërë kryevepra, apo më e pakta, letërsi serioze. Ndërsa "Hija e erës" është të bërit "bam" në letërsinë bashkëkohorë spanjolle. Romani është pjesa e parë e një kuarteti, siç e ka quajtur ai, "Gotik Barcelonas", që do të shoqërohet dhe me tri romane të tjera në të ardhmen, që të kujton trilogjinë njujorkeze të Paul Austerit. Duke qëndruar te paralelizmat apo përngjasimet, "Hija e erës" të sjell "aromën" e letërsisë hispanike dhe kryesisht atë të realizimit magjik, aq të "shijshëm" për ne me romanet e Markesit e Aljendes, por dhe stilin e Hugoit në përshkrimet e hollësishme të çdo detaji frymor e jo frymor. Po ashtu, të lë pak shije Remark në peshën e madhe të fatales mbi personazhe, si dhe të Dikensit në subjektin e ndërlikuar e histori qytetit, çka e ka pranuar dhe vetë gjatë një interviste.
"Hija e erës" ka si subjekt po një roman me të njëjtin titull. Pra është ndërfutje subjektesh, ku ndërliksen realitete nga më befasueset dhe personazhe po kaq befasuese. Të gjitha këto janë të një epoke që nuk paraqet interes, deri sa mëson se bëhet fjalë për vitet ‘40-‘50. Madje, në fund të librit të vjen të kërkosh nëse subjekti është i bazuar mbi një histori të vërtetë, por autori nuk e ka cituar asgjëkund këtë fakt dhe të mbetet të zgjedhësh; nëse të pëlqen quaje histori të vërtetë, nëse jo quaje dhe imagjinatë fillim e fund, por kjo nuk ka aspak rëndësi në raport me atë realitet të ndërtuar në subjekt, ku je i përthithur totalisht, pa pasur mundësinë për t‘u rrekur në përçapje vetjake, të paktën sa je duke e lexuar. "Hija e erës" është historia e një libri i quajtur "Hija e erës", ku personazhi kryesor, Danieli, (ka dhe të tjera personazhe kryesore, por Danieli është i pari prej tyre), në një moshë të njomë e merr në "Varrezën e librave të harruar". Prej së këndejmi, ky libër misterioz, po aq sa autori i tij, Hulian Karaksi, do bëheshin shkak për një jetë të tallazuar të Danielit në kërkim të së vërtetës, për fatin e romanit dhe autorit. Hapi i parë do të ishte i ligsht, pasi të rrëmbyerit pas librit do ta çonte Danielin në të rënit për herë të parë në dashuri, e të dështuarit turpshëm në të. Që këtu, fataliteti i tij nis e përvijohet me fatalitetin e autorit të romanit, Hulian Karaksit, si një ish-person real, i veshur me një tis misteri. Rreth tyre, grupohen dhe marrin jetë të tjerë personazhe, nga më ekstremët dhe të çuditshmit, prej të cilëve rrjedhin realitete po të tilla, të cilat burojnë diku nga lufta civile e diku nga metamorfozat njerëzore, të pakushtëzuara nga realitete specifike, të kudondodhura dhe të gjithkohëshme. Në thelb të tyre qëndrojnë dashuritë, urrejtjet, tradhtitë, xhelozitë, marrëzirat rinore dhe ato pleqërore, skaj më skaj, duke prekur e përshkruar muret më të errëta të paradoksit dhe fatit njerëzor. Veç subjektit që provokon një mbajtje të frymës pezull faqe pas faqeje, sipas kodit "Pas zbulimit të çdo misteri, fshihet një tjetër mister" (si në rastin e Kodi Da Vinçit), është ndërtimi i personazheve aspekti më mjeshtëror i veprës. Ligjësia providenciale e të pangjashmes absolute në këtë botë, te personazhet shfaqet në trajtën e një skalitjeje, që duke prodhuar figura të ndryshme e me një kundërshti mahnitëse, të ngjan sikur nuk është i njëjti njeri (autor), që e ka realizuar këtë proces. Çdo personazh është një histori më vete. Pikëtakimet mes tyre, prodhojnë reaksione psikologjike, diku duke plotësuar ligjin e harmonisë së të kundërtave, e diku duke u ndarë thekshëm nga njëri-tjetri. Gjithçka ndodh në një hapësirë kohore, fizikisht sa mosha e njeriut, e metamorfozikisht mbi kohë e hapësirë të limituar. Gjithsesi, më e rëndësishme për autorin duket se ka qenë vendndodhja e ngjarjeve, Barcelona dhe theksi i personazheve. Qyteti, që sipas Markesit është më i bukuri në botë, vjen i detajuar në veçantinë e tij, duke ju përshtatur personazheve. Përshkohen rrugët e Barcelonës, godinat, misteret e saj; ka shumë pak ose aspak kohë me diell. Është një Barcelonë që vizatohet si e trishtë, e ftohtë e mjegulluar dhe me shira. Sepse kjo është dhe stina e personazheve. Në fund të librit, më i vështirë është klasifikimi i një shumëllojshmërie fabulash në të tërën: nëse i kushtohej paradoksit të fatit njerëzor, vetë natyrës së ngatërruar njerëzorë, mitit të dashurisë, apo mitit të librit!? Krahasueshëm, pasi ke mbyllur kapakun, të vjen ndërmend varianti i ofertës me sens tërësisht praktik: "bli një e merr dy". Në rastin e romanit "Hija e erës", oferta është e çmendur: "Lexo një e shijo dhjetë... me të njëjtin çmim".
Dashuri brenda dashurisë...!
Bea mendon se leximi është një art që po vjen duke u shuar dhe se librat janë si pasqyrat, ku gjejmë vetëm atë që kemi brenda nesh, se leximi përfshin mendjen dhe zemrën, dy sende që po bëhen gjithmonë e më të rralla. Çdo muaj na vijnë oferta nga njerëz që dëshirojnë ta blejnë lokalin, (librarinë), për ta kthyer në dyqan televizorësh, të linjtash ose këpucësh. Por ne prej këtej nuk largohemi sa të kemi jetën.
(Pjesë nga libri "Hija e erës")