2013-08-09

“Katër ditë në burg si Bujari”(SHQIP)

Ergin Zaloshnja, një vepër mbi historinë personale. Arrestimi i gabuar në dhjetor të 2007-s nga policia italiane duke e ngatërruar me një person tjetër
112444. Ky është numri që artisti i ri, Ergin Zaloshnja, mbajti për katër ditë në trup në Burgun Sollicciano në Firence. Ishte 3 dhjetor i vitit 2007. Ai ndodhej në Aeroportin e Firences për të udhëtuar drejt Tiranës, ku do të merrte pjesë në konkursin e përvitshëm, atëherë ndërkombëtar “Onufri”, ku ndalohet nga policia, i dyshuar se ishte “Bujari”, pseudonimi i një krimineli shqiptar që kërkohej në vendin fqinj për prostitucion e krime të tjera. Pavarësisht protestës, Ergini do të kalonte katër ditë jo të lehta në Burgun e Sollicciano-s, duke i përsëritur vetes vetëm një fjali që e thoshte edhe gjatë seancave të marrjes në pyetje “Unë nuk jam Bujari”. Gati gjashtë vjet më pas, kjo ngjarje ka lënë ende gjurmë në jetën e tij. Pavarësisht sqarimit nga ana e Gjykatës, shumë gjëra nuk do të ishin më si më parë në jetën e të riut shqiptar që sapo kishte përfunduar Akademinë e Arteve në Firence. “Jeta ime, nga ajo ditë mori një drejtim tjetër. Edhe pse kanë kaluar vite nga ajo histori, ende disa njerëz e vënë në dyshim këtë gjë”, thotë ai. Prej vitit 2008 ai do ta kishte të vështirë të merrte lejet e zakonshme të qëndrimit në Itali, pasi historia ende nuk ka gjetur zgjedhje. “Sa herë më duhet të kaloj kufirin, më duhet të shpjegoj statusin tim”. Në ekspozitën “Ky është udhëtimi”, ai e ka kthyer në art këtë histori, si një mënyrë për të treguar se ndonjëherë fati të sjell histori e ngjarje në të cilat nuk e ke imagjinuar kurrë veten. Bashkë me një tekst ku tregon historinë e tij, në anglisht dhe italisht, Ergini ka lënë në një letër numrin 11244 që i jepet çdo vizitori në këtë ekspozitë. Vepra e tij, është një protestë mbi ironinë e fatit, por dhe për drejtësinë… Veprat e Erginit tashmë nuk mund ta shmangin protestën dhe ato orientohen drejt një teme, pranimin e së vërtetës, e cila shpesh është e vështirë për t’u pranuar. Ja rrëfimi i tij në vepër: “Më 3 dhjetor 2007, unë Ergin Zaloshnja ndodhesha në Aeroportin e Firences të merrja fluturimin LZ272 më 20:30 për të udhëtuar drejt Tiranës, për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të arteve figurative ‘Onufri 2007’. Gjatë kontrollit të zakonshëm të pasagjerëve unë u ndalova nga oficeri i policisë nën një akuzë tepër serioze: shfrytëzim prostitucioni nën pseudonimin Bujar. Bota u shemb për mua. Kështu unë u gjenda i përfshirë në një procedim penal nga Gjykata e Napolit. Bujari, djali i dyshuar kishte kryer krime serioze. Rreth tij kishte përgjigje dhe nuk kishte asnjë dokumentacion apo foto që të tregonte imazhin e tij. Kështu u arrestova. Pavarësisht protestës sime që kishin të bënin me një identitet të gabuar, si rezultat i neglizhencës dhe çmendurisë së organeve hetuese ata vepruan pa bërë ndonjë hetim të vërtetë mbi personin tim. Unë u dërgova menjëherë në burgun Sollicciano. M’u sekuestrua gjithçka kisha me vete: një axhendë, çelësat, një ‘Nokia’, një kartë ‘Vodafone’, një videokamera, 38 CD të ndryshme dhe DVD dhe 1 laptop. Ata më çuan në një qeli të veçuar, ku ndjenja disa ditë dhe mbaja numrin :11244 RIMC. Kur kontrolluan bagazhin tim, oficerët u habitën me ato çfarë gjetën: Një libër: ‘Ekonomia dhe tregu i artit’, një katalog arti, ngjyra të ndryshme për punët e mia. Kur hapën kompjuterin, desktopi shfaqi punën që unë kisha përgatitur për ekspozitë: ‘Flamuri europian i varur në një pemë në një ishull në mes të lumit Arno’. Sigurisht që kjo nuk ishte ajo çfarë ata prisnin. Ata e kishin krijuar tashmë profilin tim. ‘Bujari’. Ata kishin një dosje të thirrjeve telefonike të tij dhe të bashkëpunëtorëve por jo një fytyrë. Unë qëndrova në burg deri më 21 dhjetor 2007. Pas shqyrtimit nga Gjykata e Napolit e rastit tim dhe hetimeve paraprake ata urdhëruan lirimin tim të menjëhershëm. Por gjatë kohës që qëndrova i mbyllur në burg dhe gjatë kohës që merresha në pyetje, unë i përsëritja vetes këtë fjali ‘Unë nuk jam Bujari’. Ky nuk është numri im, është numri i tij”.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...