2013-08-09

Humori kundër diktaturave të sotme

Diktatorët nuk janë të njohur për sensin e tyre të humorit, por kjo nuk i ndalon komedianët të qeshin me ta edhe pse rrezikojnë burgun. Rezistenca e tyre humoristike po tërheq vëmendje ndërkombëtare.
Për komedianin Zarganar nga Myanmar, humori është mburoja dhe arma e tij njëkohësisht. Gjatë kohës së diktaturës, në vendin e tij nga viti 1962 deri 2010, ai ishte i persekutuar nga autoritetet, por publiku nuk rreshti asnjëherë së adhuruari shakatë e tij. Emri i tij i vërtetë është Maung Thura, por ai zgjodhi emrin artistik Zarganar.
“Amerikanët thonë ‘ne kemi një burrë pa këmbë që ka ngjitur malin Everest’. Britanikët thonë ‘ne kemi një burrë pa krahë që kaloi me not Atlantikun’. Por burmezët thonë ‘kjo nuk është asgjë! Ne kishim një lider pa tru që udhëhoqi për 18 vjet!’”. Për këtë barsoletë, Zarganar u dënua me 59 vite burg në vitin 2008, por kjo nuk e ka ndaluar atë të vazhdojë të qeshë dhe të bëjë të tjerët për të qeshur me humorin e tij.
E qeshura rebele
Komediani gjerman Michael Mittermeier është bërë një nga miqtë më të ngushtë të Zarganar. Kur Mittermeier mësoi për fatin e Zarganar, bëri gati valixhet dhe udhëtoi drejt Myanmar për t’u bashkuar me regjisorin Rex Bloomstein për të bërë një dokumentar për komedianin e arrestuar.
“Ai më kërkoi nëse mund të mbështesja miq të tij që ishin futur në burg për shkak të barsoletave të tij. Pa hezituar, unë u përgjigja po”, kujton Mittermeier.
Bloomstein dhe Mittermeier vizituan burgun ku mbahej, por autoritetet zbuluan kamerat e tyre dhe ata u detyruan të largoheshin nga vendi.
Në atë moment, Mittermeier pothuajse humbi shpresat se Zarganar mund të lirohej ndonjëherë. Por në vitin 2011, me ndihmën e “Amnesty International”, komediani burmez fitoi lirinë dhe vazhdoi me barsoletat e tij rebele.
E qeshura forcon njerëzit
Por pse komedianët duhet të vuajnë kaq shumë në regjimet autoritare? Sociologu Anton C. Zijderveld, i njohur për librin e tij “Soziologie des Humors” (Sociologjia e Humorit), ka studiuar rolin e humorit në shoqëri.
“Humoristi luan me vlerat e shoqërisë. Kjo krijon tensionin që prodhon barsoletat”, shpjegon Zijderveld. Por të luash me vlerat e regjimeve autoritare është si të luash me zjarrin.
Sipas Zijderveld, humori politik nuk mund të ndryshojë shoqërinë, por efekti psikologjik i tij është shumë i rëndësishëm.
Regjimi sirian arrestoi dhe torturoi në vitin 2011 karikaturistin Ali Ferzat. Ai u akuzua se me vizatimet e tij ofendonte Presidentin Bashar al-Assad dhe iu thyen gishtat për t’i dhënë një mësim. Tani ai jeton në azil, në Kuvajt, dhe i shëruar tërësisht ai ka vizatuar si kurrë më parë.
Çdo komedian ka armët e tij sekrete
Vetëm pak njerëz në botë kanë forcën dhe talentin të vënë në lojë diktatorët. Kabaretisti gjerman, Fatih Cevikkollu, thotë se ka respekt të madh për kolegët që ngrenë zërin kundër regjimeve autoritare.
“E qeshura është mënyra më e mirë për të treguar dhëmbët”, thotë Cevikkollu. Në programet e tij, Cevikkollu shpeshherë kritikon qeverinë gjermane, por më pas nuk ka asnjë pasojë negative. “Në vende të tjera është më e vështirë. Në Turqi, për shembull, komentet politike mund të jenë të rrezikshme, sepse mund të arrestohesh ose kërcënohesh”, thotë komediani me prejardhje turke.
Në Kinë karikaturistët duhet të veprojnë në anonimitet, duke firmosur karikaturat e tyre në internet me një simbol dhe jo pseudonim. Karikaturisti i njohur në internet si Fengxie (gaforrja e çmendur) ka arritur të çajë censurën.
Rëndësia e humorit
Zarganar ishte me fat. Pas lirimit nga burgu, ai ka dhënë shfaqje me Mittermeier në Londër, Berlin dhe Dublin, ku ishte i lirë të qeshte me absurditetet e regjimit të Mynimarit.
Sot, vendi i tij ka nisur procesin e demokratizimit dhe Zarganar është duke ndihmuar në këtë proces me themelimin e një instituti kulturor që do të mbështesë dhe trajnojë komedianët e ardhshëm. Ai e bën këtë sepse mendon se arti i humorit është shumë i rëndësishëm në një shoqëri. 

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...