Një grup rumun, aktivitet në qytetin e Korçës, i mbështetur nga një deputete me origjinë shqiptare
Korça njihet si qyteti i serenatave, por kur këto këngë vijnë nga larg si nga pikëpamja kohore, ashtu edhe ajo gjeografike, kumbojnë edhe më ëmbël. Dhe pikërisht në qytetin e serenatave, kanë qenë mysafirë të artit një grup këngëtarësh nga Rumania, të cilët kanë sjellë një repertor me këto këngë karakteristike për artdashësit korçarë. Një koncert i grupit të quajtur “Serenata” është dhënë mbrëmjen e së shtunës në sallën e aktiviteteve artistike të katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, ku këngëtarët rumunë kanë “ngjallur” me interpretimet e tij atë që njihet edhe si serenata origjinale. Këngë të pacenuara dhe që ruajnë origjinalitetin që nga krijimi i hershëm i tyre, janë shpalosur si një thesar kulturor nga grupi rumun “Serenata” që me këtë aktivitet të tij ka kujtuar se kjo lloj kënge mbetet e pavdekshme. Pa modifikime moderne, të ëmbla dhe të kënduara shtruar nga këngëtarët rumunë, serenatat u përcollën në këtë koncert, ashtu siç ato janë krijuar dhjetëra vite më parë, duke u ruajtur me fanatizëm si të tilla nga rumunët me gjak shqiptar. Koncerti i grupit rumun nuk ka qenë i rastësishëm në Korçë. Krahas faktit që po ky grup ka hapur rrugën e bashkëpunimit kulturor që pak vite më parë me një koncert të ngjashëm, vlen të theksohet se organizatorët e këtij aktiviteti nga Rumania kanë prejardhje shqiptare dhe jo më kot sjellin serenatën në qytetin e serenatave. Oana Menolesku, deputete në Rumani, është kujdesur që të dëshmojë për artdashësit korçarë sesi ruhen vlerat e trashëgimisë kulturore edhe larg vendit e për breza me radhë. Ajo, ndërsa nuk heziton të këndojë edhe vetë një prej serenatave më të njohura korçare, që titullohet “Margarita” tregon se ka prejardhje korçare. Pikërisht kjo grua, me shpirtin e artistit dhe dashamirësisë së forcimit kulturor mes dy vendeve, ka bërë të mundur që të vijë për herë të dytë në Korçë grupi rumun “Serenata”. Një tjetër rumun që ka krijuar lidhje me Shqipërinë, përkthyesi Marius Dobresku, i cili rreth 40 vite më parë ka kryer studimet në vendin tonë, është pjesëtar dhe shoqërues i këtij grupi serenatistësh. Ai tashmë është përkthyes i shkrimtarit Ismail Kadare, por në bisedë lë të kuptohet se vlerëson dhe çmon së tepërmi edhe serenatën korçare. Ky koncert i grupit rumun ka ardhur edhe si bashkëpunim me grupin karakteristik “Lira” të Korçës, të drejtuar nga muzikologu i njohur korçar Pandi Bello. Pedagog në shkollën e muzikës së qytetit të Korçës dhe dirigjent i palodhur i korit “Lira”, Pandi Bello ka jetuar e punuar për disa vite në Rumani dhe me kthimin e tij në vendlindje ka kontribuar vazhdimisht për lidhjet artistike me këtë vend.