Në Antarktidë ankorohet një ekspeditë shkencore, e cila ndjek nga afër shpërbërjen e bregut prej akulli. Në kohën kur gazetarja Grejs Logan nis kronikën nga vendngjarja, papritmas në qiell shfaqet një lëmsh i stërmadh, vezullues drite, i cili e mbështjell anijen në një shkëlqim lëbyrës, mandej zhduket në mënyrë po aq të mistershme sa shfaqet, ndërsa bota mbarë mban frymën teksa ndjek ngjarjen drejtpërdrejt. Në majë të një mali në Egjipt, një prift fillikat kundron madhështinë e krijesës së Zotit që shtrihet në luginën përpara syve të tij. Prania e tij në këtë vend të shenjtë mbetet mister edhe për atë vetë. Ai është i sigurt veç për fuqinë e parrokshme të prirjes së brendshme që ndien bashkë me nevojën shtrënguese për të hedhur në letër – dhe për të zografisur – një vegullim që i fanitet pareshtur.
Klientët e një lokali të pluhurosur diku, aty pranë, ngrijnë në vend kur shikojnë simbolin e shndritshëm që shfaqet në televizor. Një burrë bën kryqin disa herë dhe del turravrap jashtë lokalit, duke mërmëritur nëpër dhëmbë veç një fjalë të vetme: E pamundur…