“Në vizitën e fundit, – i shkruan Merxhan Avdyli babait të tij, – e morët vesh që isha në vetmi. Prej vetmisë kam dalë dje. Isha i dënuar 30 ditë. T’ju tregoj se përse isha në vetmi ‘nuk bën’, sepse nuk isha i dënuar vetëm unë dhe tani nëse ju tregoj mund të ndodhë që letra të futet nën gërshërë. Pra, psst! Po e vras të vërtetën që të mbetet gjallë letra. Për vetminë mund t’ju them vetëm këtë: dhomat ku mbahet dënimi janë 2 metra e gjysmë nën dhe. Llamba elektrike tërë ditën rri ndezur se përndryshe mund të shohësh vetëm sa për t’i futur gishtat në sy. Nuk ke të drejtë të lexosh, nuk ke të drejtë madje të shkruash as letra. Mirëpo, edhe aty i ke disa të drejta, si për shembull: ke të drejtë, përveç ushqimit dhe fjetjes, edhe të marrësh frymë dhe të thithësh ajër, aq sa mund të përbirohet nëpër shoshë e site, pastaj ke të drejtë edhe të mendosh çfarë të duash, në fund e ke edhe një të drejtë të madhe e të vlefshme që s’mund ta ndalojë askush, por para se ta përmend duhet t’ju kërkoj falje në shprehje pra, nuk është e ndaluar të kryhet nevoja e vogël, madje as e madhja!”
“Vërtet pa ty Ymrane nuk kam mundur kurrë ta mendoj jetën, megjithëse edhe jam rebeluar ndonjëherë, por sot pa ty ndoshta do ta kisha më të lehtë burgun. Dashuria më e madhe t’u bëka barra më e rëndë në burg. Vërtet qenka e vështirë të zgjedhësh në mes dashurisë dhe idealit. Njërën më duhet ta lë keq. Të dyja nuk mund t’i kënaq”. Sherif Konufca, ish i burgosur politik në Kosovë, i shkruan këto rreshta gruas së tij Ymrane, teksa ndan ditët dhe muajt në qeli. Në vetminë e gjatë, e vetmja dritë që i shfaqet janë sytë e Ymranes. Musli Kosumi, një tjetër i burgosur politik në Kosovë, shkroi qindra letra dashurie gjatë dhjetë viteve që qëndroi në burg për gruan e tij, Dritën. Çdo javë, ai i shkruante asaj nga një letër. Po të njëjtën punë kishte bërë edhe gruaja e tij: për çdo javë i kishte kthyer një përgjigje. Vetëm dashuria e kishte shpëtuar Kosumin prej vetmisë. Gani Koçi, edhe pse i kishte mbushur 26 vjeç, mendonte se ende i kishte 21 a 22, aq sa kishte pasur kur e kishin burgosur. Jeta e vërtetë aty i ishte ndalur, si një orë që s’ishte kurdisur. Ndërsa Sherif Konufca, kur numëron vitet e dashurisë me gruan, i fut në llogari dhe vitet e burgut, edhe pse nuk është i sigurt nëse do të quhen dhe ato vite dashurie. Letrat drejtuar gjysmës së tyre tjetër që kishin lënë jashtë, kanë qenë ajri që ka mbajtur gjallë shumë të burgosur politikë gjatë regjimit të Titos në Kosovë, por dhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Letrat intime, dhe pse ishin vështirë për t’u dërguar, ishin një lloj çlirimi dhe force për ata burra që besonin se pas errësirës së gjatë, një ditë do të mund të takonin gruan që dashuronin. Lirika është një gjini shumë e lëvruar në letërsinë e burgut, një letërsi e cila ka një shtrirje të gjerë në të dyja anët e kufirit, dhe ende nuk ka marrë studimin e plotë. Bajram Kosumi, njohës i mirë i kësaj lloj letërsie, e quan atë të veçantë, ndryshe nga letërsia shqipe që është krijuar në të njëjtën kohë jashtë burgut. “Lirika nga burgu ka ngjizur shumë metafora e simbole origjinale, edhe për autorët e saj dhe për lirikën shqipe në përgjithësi. Këto simbole e metafora shpesh janë diamante të lirikës shqipe. Lirika nga burgu përmban në vete disa prej krijimeve më të mira poetike në letërsinë shqipe”, thotë Kosumi. Në poezinë e lamtumirës, kushtuar vajzës me emrin Magdalena, Arshi Pipa i kërkon asaj të mos qajë për këtë ndarje, dhe t’i lutet Zotit se ndoshta një ditë mund të shihen sërish. “Ashtu është dashunija”, thotë Pipa, ndërsa nuk e fsheh gjatë vargjeve dhembjen e kësaj ndarjeje të gjatë. Zyhdi Morava, një pjesë të subjekteve për romanët që shkroi pas burgut, i kishte të ruajtura në shënimet që mbante gjatë kohës që vuajti dënimin. Në to ndihet dëshira për femrën dhe të bukurën, një dëshirë e cila ka ndenjur gjatë te shkrimtari. Vetëm brenda vitit 1992 ai botoi katër libra: “Dashuritë”, “Armiqtë e dashurisë”, “Shpirtra të uritur” dhe “Puthje pa fund”. Të katër titujt e tregojnë gjatë atë çfarë e ka frymëzuar shkrimtarin gjatë kohës së dënimit. Përkthyesi i Dantes, Pashko Gjeci, ishte një i ri që kishte vetëm pak vite që kishte ardhur në Shqipëri nga studimet në Itali, kur u burgos. Nëse nuk do të ishin kujtimet e kohës studentore, dhe sekretet intime që mjeshtri i ruante thellë në kujtesë, ato vite do ishin më të errëta. “Si qenie e gjallë njeriu ekziston për sa kohë dashuron, dashuron gruan, dashuron jetën”, thoshte Gjeci. Në studimin e tij për letërsinë e burgut, Kosumi i quan letrat një totem. “Ato lexohen nga të burgosurit fjalë për fjalë, nga disa herë, duke vërejtur me kujdes një pikë, një vizë a një alegori… e pastaj fillon komentimi i tyre. Tamam si në librat e shenjtë, në të cilët komentuesit zbulojnë kuptimet e fshehta. Kam parë shumë letra, në të cilat ka mjaft pikëpyetje, nënvizime a shenja të tjera”, thotë Kosumi. Janë pa fund dhe shënimet që Pjetër Arbnori mbajti gjatë viteve në burg, të cilat i ripa për t’i botuar kur ishte i lirë. Maks Velo është një nga autorët që e ka lëvruar më shumë këtë letërsi, duke sjellë në poezi dhe prozë momente që do të jenë gjithnjë dëshmi e një kohe shkatërruese për artin dhe njeriun. Jusuf Vrioni i kishte ruajtur me kujdes në kujtesë fort të gjitha ato që i ishin orvatur në mendje gjatë kohës kur vuante dënimin, për t’i botuar vite më vonë në një libër me kujtime. Atë Zef Pllumi, ati françeskan, është ai që e ka ngritur në një tjetër dimension këtë lloj letërsie me kujtimet e tij. Pasioni për poezinë nuk iu tret as Jorgo Bllacit në terrin e burgut. Vincens Prendushi e hodhi gjithë melankolinë e viteve të burgosjes në krijimtari letrare. Poeti nga Kosova, Merxhan Avdyli, në poezinë “Loçka ime”, rrëshqet mes jetës e vdekjes dhe kërkon të gjejë paqe te dashuria. Astrit Delvina, Bedri Çoku, Vizar Zhiti, Koço Kosta, Petraq Kolevica, Amik Kasoruho, Henrik Gjoka, Makensen Bungo, Halil Laze, Gëzim Hajdari, Musine Kokalari, Havzi Nela, Ejëll Çoba, Uran Kalakula, Fatos Lubonja, Drita Çomo, Leka Toto, Beqir Ajazi, Lekë Tasi, Luan Myftiu, Bardha Mulleti, Ahmet Bushati, Gëzim Çela, janë disa nga autorët që e kanë lëvruar këtë lloj letërsie. Letërsia e burgut, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, vazhdon të mos jetë e zbuluar tërësisht. Qindra dorëshkrime flenë në sirtarët e familjarëve që kanë trashëguar këto thesare të të afërmve. “Ekzistojnë jo vetëm disa qindra faqe letrash të shkruara në burg nga intelektualët shqiptarë të burgosur, po disa mijëra faqe të tilla”, thotë Kosumi. Për të letrat dhe dorëshkrimet nga burgu nuk mund të quhen më të tilla, por letërsi. “Botimi i deritanishëm i një pjese jo dhe aq të vogël të kësaj letërsie, jep prova të forta se kjo letërsi jo vetëm që do të funksiononte si e tillë, por do ta pasuronte shumë historinë e letërsisë shqipe dhe do të ishte pranuar nga lexuesi”, thotë Kosumi.