2013-08-05

Romani "Pretenca" i Istref Haxhillarit

Tranzicioni në bankon e akuzës

(esse)

Romani "Pretenca" i Istref Haxhillarit


Nga Përparim Hysi

Thotë diku Engelsi ( më duket në letërkëmbimet me Marksin) se ka mësuar më shumë nga romanet e Balzakut për ekonominë,se sa nga gjithë traktatet e tjerë enkas për ekonominë. Sado ashtu mjegulluar më erdhi kjo thënie dhe ja tek m'u përqas,pasi lexova "Pretencën" e Haxhillarit. Analogjitë asnjëherë nuk janë plotësisht të sakta, por,sidoqoftë, me përafërsi xhëku qëllojnë në shënjë. Ajo që dua të them që në fillim, është një fakt shumë domethënës: lexon romanin dhe ke mu në pëllëmbë të dorës gjithë dinamikën e tranzicionit shqiptar. Një trazicion jo pak i lodhshëm.
Istref Haxhillari më duket se të jep pasqyrën e këtij tranzicioni apo për të qenë edhe më konkret: për mendimin tim, autori i romanit, ka marrë lupën në dorë dhe, pasi e vështron atë mirë e mirë në tërë dinamikën e tij, si një anatomist i mirë zë dhe bën diseksionin e tij. NJë "diseksion" që, po të shprehemi me gjuhën e mjekësisë, diagnoza që rrjedh pas këtij "diseksioni", është tepër e ashpër. "Anatomisti" nën xhamin e lupës vëren se "tranzicioni" maraton shqiptar është malinj. Kancerogjen. Natyrisht, një penë e kultivuar si e Haxhillarit nuk është se i bie pragut që të dëgjojë dera. Haxhillari si prozator që ka bërë emër, nuk bën si nuk e vë re këtë "sëmundje me pasoja të rënda", për faktin se ai për vete,është imun dhe i mbrojtur dhe nuk ka pse të djegë vajguri me hallet e botës. Haxhillari nuk është nga ata që të shikoj kopshtin vetjak dhe aq. Jo. Përkundrazi. Duke jetuar në këtë tollovi, ai jo vetëm nuk e përjashton veten, por i tund kambanat fort që të dëgjojnë dhe ata që i kanë zënë veshët me dyllë. Nuk e fut kokën në rrë si struci.
Karizma krijuese e Haxhillarit merr vlera të epërme,se ai jo vetëm e sheh "mbretin lakuriq" -kaq është fare pak,domosdo- , por bërtet: "Mbreti është lakuriq!". Kjo britmë shihet dhe amplifikohet në gjithë romanin.
Haxhillari si një vrojtues i hollë di të vrojtojë dhe në kuinta. Ai jep açik një pohim të madh: në kuinta njerëzit kanë hequr maskat dhe janë lakuriq. Aty është dhe autori dhe, tek i ndjek përmjet "kamerës së tij vëzhguese", na i fal ne, lexuesëve me aq art, sa, tek lexon, ose zë e relaksohesh ose zë e revoltohesh.
Në roman vlon ajo jeta e vërtetë që shumë nga ne nuk duan që ta shohin ose, dhe, në shohin, kanë frikë që ta pohojnë. Nga guximi deri tek heroizmi një çap të ndanë. E hodhe këtë çap, bëhesh hero. Ndryshe përtypesh në hamëndsira pa krye. Haxhillari e hedh këtë hap prej heroi dhe bëhet edhe më i bukur,edhe më i besueshëm aq, sa të vjen keq kur ndahesh prej tij.

* * *
Le të jemi pak më afër asaj që dua të them. Dihet nga të gjithë që në këtë tranzicion made in maratonë, njerëzit kanë parë me sytë e tyre (kanë parë dhe shpesh kanë bërë sikur nuk kanë parë?!),se ka nepotizëm. Se ka korrupsion. Se ka krime që mbulohen për arsye shumë subjektive; se ka tendera milionshe; se ka pasurim si me "urdhër të peshkut";se ka imoralitet dhe perversitete apo zventime morlae që të ngjalin krupën, dhe,sado që i shohim ato përditë dhe para syve tanë, heshtim si ata shqerrat që i çojnë për kurban. Po vallë kur do t'u thuhet ndal gjithë këtyre shfaqjeve kaq amorale?
Pikërisht, këtë ka bërë Istref Haxhillari në romanin e tij. Gjithë kastën e "vipave" dhe pretuberancat ( tumoret malinj që vijnë nga kjo kastë vipash), Haxhillari e zë prej veshësh dhe i çon para bankos së akuzës.
Natyrisht, ai e di mirë se edhe drejtësia është e sëmurë, aq sa të vijnë ndërmend fjalët që nuk humbur vlerën ende, të bejtexhiut Hasan Zyko Kamberit: "Kadiut, po t'i dëftesh paranë/ ters e vërtit sehrjanë", por Haxhillari lëshon britmën e tij alarmante. E bën këtë jo si ai bariu që bërtet pyjeve ku nuk e dëgjon askush, por përmjet rreshtave, thotë: "... paratë e vëna me grusht, e mikluan që të vinte kandidaturën për deputet". Dhe kush është ky që vuri në këtë mënyrë para. NJë i drejtësisë. Pra, është një fshat që duket dhe nuk do kallauz. Bëhet deputet ( stigamtizon trafikimin e votave!!!) dhe fillon të vërvis pleshta. Pasuri. Nepotizëm. Prona të tjetërsuara. Perversitete seksuale. Kumar. E çfarë duhhet më shumë për të "takuar" një nga ata që shihni për ditë; që, ngjasme, përfaqësojnë popullin. Deputeti Rudin Kosta është ndoshta më tipiku ku"tranzicioni" ka gjetur "klonin" e tij.
"Madhështia" e tij shkon jo vetëm në tjetërsim pronash, por deri në "arkivimin" e një krimi. E vërteta nuk sjell dobi,- shkruan Haxhillari. Mos vallë po bën pak ?
Fallsifikimet në arsim, emërimet nepotike, fligësitë morale dhe shumë perversitete janë stigmatizuar me aq vërtetësi sa ta bën autorin,aq të përafërt dhe të dashur,sa nuk do të largohesh prej tij.

* * *
Duke i vënë vetes një mision, Haxhillari nuk është ai gazetari i kronikës së zezë apo rozë që sjell një ljam apo ngjarje dhe aq. Jo. Përkundrazi ai e bën lexuesin që ta ndjej veten gjithmonë në tension nga skena në skenë; nga një trend dramatik, në një tjetër plot rekasim dhe ajo që ia rrit "valencat e vlerës", është ai "relaksim i botës së bukur të dashurisë *kur është vërtet dashuri *në shumë kapituj e tillë është" dhe atëherë kur kjo është veç interes apo prapamendim i mbrapsht. Haxhillari, them, që duhet të jetë nga më të rrallët (aq sa kam lexuar unë,domosdo) që gjithë këto skena jo vetëm nuk i kalon,përcipatzi, por sikur i ka përjetuar vet. Këtë lloj "virusi përjetimi" ai sikur ta ngjit jo vetëm në flirtet intime,por dhe në ato me perversitete (kujtoni skenën trish të adoleshentëve e gjashme me ato "ditarët intimë të Pushkinit) dhe ca më tepër edhe ato me orientim tjetër seksual; Gidi-Berti që janë "gaj". Kur lexoja këto skena, m'u ravijzua portreti aq domethënës i Papës së sotëm të Vatikanit. A nuk tha ai: "Kush jam unë që të gjykoj orientimin e tyre seksual?!". Vetëm duke gjykuar kaq, them që Vatikani ka gjetur Papën më njerëzor dhe më tokësor në botë. Dhe aq kapem pas karizmës së këtij Pape, sa them me vete: " Kur në krye është një misionar kaq njerëzor sa ky Papë, ia vlen që të bëhesh katolik!". Jo më kot se citova Papën. Istref Haxhillari, pa thënë këtë që tha Papa, as i paragjykon fare orientime të tilla seksuale, por i përshkruan me aq vitalitet sa ç'bën dhe me ato skenat aq relaksuese të një dashurie të vërtetë e të bukur.

* * *
Ka shumë arsye pse duhet lexuar ky roman i bukur. Së pari, bën anatominë e tranzicionit shqiptar.
Së dyti, duke nxjerë lakuriq "njollat malinje",ai i lufton duke vënë bisturinë mbi to.
Së treti, kushdo që do ta lexojë përfitimin do ta ketë dyfish: do kënaqet dhe,veç kënaqësisë, do mbushet me guxim. Kaq nuk është pak.
Të rinjtë, kanë seç mësojnë. Qoft dhe atyre që leximit i rrinë "skiç" dhe kohën e "vrasin" bingove (po të jem qeveri unë i mbyl të gjithë bingot!), u them një gjë: - A doni atë leksionin e parë për "pokerin" tuaj të dashur? Lexoni romanin dhe merreni leksionin falas.

* * *
Istref Haxhillari ka shkruar një roman mozaik. Atje i gjeni të tëra. Pritni sa ta botoj dhe vraponi ta blini. Nuk kini për t'u zhgënjyer. Kaq sa kam shkruar unë është fare pak. Thesaret janë në thellësi. Urime,Istref Haxhillari!

Tiranë, 5 gusht 2013

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...