Sipas një studimi të publikuar së fundi në PNAS (Proceedings of the National Academy of Sciences), rindërtimi i gjuhëve të lashta është i mundur nëpërmjet një programi informatik.
Programi shfrytëzon fjalë moderne dhe nëpërmjet analizave statistikore probabilistike mund të rindërtojë protogjuhë, pra gjuhë të lashta nga të cilat kanë dalë familje gjuhësh.
Risia, në këtë rast, është koha e shkurtër që i nevojitet programit kompjuterik. Sepse këto llojë studimesh, që prej shekullit të tetëmbëdhjetë, kryhen në mënyrë “manuale” duke krahasuar tinguj dhe fjalë të gjuhëve që i përkasin të njëjtës familje gjuhësore. Një punë e tillë zgjat disa vite.
Sistemi i sofistikuar kompjuterik për rindërtimin e protogjuhëve është ndërtuar nga një grup kërkuesish shkencorë të Universitetit të British Kolumbia në Vankuver dhe të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley. Sistemi bazohet mbi teknika statistikore të përdorura në biologjinë kompjutacionale për të rindërtuar pemët filogjenetike të organizmave (të gjallë dhe jo të gjallë); dhe është testuar me sukses në/mbi gjuhët austroneziane.
Po cila është rëndësia e rindërtimit të gjuhëve të së kaluarës?
Studimi i gjuhëve të lashta hap dritare të reja në studimin e kulturës, të dijeve, të strukturës shoqërore etj. të popujve të lashtë.
…
Kulla e Babelit (1563) – Pieter Brueghel (Plaku)
Gjuhëtarët i rindërtojnë gjuhët e lashta (antike) nëpërmjet krahasimit të tingujve dhe fjalëve. Tingujt në veçanti, me kalimin e kohës ndryshojnë me njëfarë rregullsie. Kështu, duke studiuar tingujt e dy gjuhëve të ndryshme mund të kuptohet nëse kanë apo jo një prejardhje të përbashkët, nga një gjuhë mëmë.
Programi në fjalë analizon një sasi të madhe të dhënash, nga një databazë fjalësh për të kuptuar se si tingujt kanë evoluar në brendësi të një familje gjuhësore.
Falë kalkulimeve probabilistike gjuhëtarët kanë arritur të rindërtojnë rreth 637 gjuhë proto-austroneziane me një shkallë saktësie (sigurie) prej 85% krahasuar me shkallën e saktësisë së të njëjtës punë të kryer në mënyrë manuale nga gjuhëtarët.
“Sistemi ynë nuk e zëvendëson punën e saktë e të rafinuar të gjuhëtarëve të kualifikuar, por mund të tregohet i çmuar dhe tu mundësojë atyre rritjen e numrit të gjuhëve moderne që përdorin si bazë për rindërtimin”, tha Bouchard-Côté – shkencëtari që drejtoi kërkimin. “Kemi shpresa se ky sistem do të revolucionarizoi linguistikën historike pak a shumë në të njëjtën mënyrë siç analiza statistike dhe fuqia e kupjuterit revolucionarizuan studimin e biologjisë evolutive.”
…
Hapi i radhës për kërkuesit që kanë realizuar studimin (dhe programin) është ndryshimi i zonës gjeografike, për të replikuar studimin mbi protogjuhët e Amerikës së Veriut.