Viteve të fundit, letërsia në Kosovë nuk i ka punët dhe gjithaq mirë. Kjo, sepse kemi kritikë letrare që shkruajnë për miq dhe për disa vepra që nuk vlen të vlerësohen aq shumë nga kritikët.
Në superlativ për veprën që nuk e meriton
Shkrimtari Reshat Sahitaj thotë se kritika në Kosovë nuk është pas kritikëve tjerë të vendeve fqinje, por kritikët tanë janë të manipuluar dhe të shtrënguar të shkruajnë për atë që i paguan. “Është dëm i madh kur një kritikë letrare nga kushtet ekonomike shtrëngohet të shkruajë në superlativ për një vepër që nuk ka asnjë vlerë letrare. Më ka rastisur të lexoj vlerësime të emrave të njohur për disa libra që nuk vlejnë të publikohen, për disa poetë e poete që nuk e meritojnë statusin e krijuesit. Kritikët e tillë u japin shpresë krijuesve dhe krijueseve që ata/ato të vazhdojnë ende të paraqiten si ashtu, e nuk janë të tillë”, tha Sahitaj, duke shtuar se pikërisht përkrahja e kritikës së pakontrolluar ndikon që disa poetë të bindur se mund të barazohen me krijues të mirëfilltë shkaktojnë incidente në takime letrare, siç ndodhi në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, ku një femër me revole e kishte detyruar komisionin që të lexonte në mbrëmjen qendrore. Pa dyshim se në letërsi duhet çmuar vlerat. “Kritikët duhet të kenë kritere se duke u paguar nga sharlatanë e sharaltane nuk i bëjnë nder as vetes, e as letërsisë. Këta sharlatanë e sharlatane kohëve të fundit kërkojnë t’i lexojnë poezitë e tyre në çdo ngjarje kulturore dhe po qe se nuk i lejon stafi organizativ, këta/këto bëjnë skandale. Duke i ngritur antivlerat në vlera, letërsia jonë degradohet, sepse lexuesi nuk di cila vepër është e mirë, e cila jo. Duke i ngritur antivlerat, kritiku ynë krijon konfuzion në mendjen e krijuesit të padijshëm, aq sa ai krijues/krijuese bëhet narcistik dhe egocentrik, që i detyron të gjithë krijuesit e mirëfilltë t’i largohen nga rruga, e tërë hapësirën ta keqpërdorin për vete”, tha Sahitaj. Ndërkaq shkrimtari Fahredin Shehu thotë se kritika është prijatar i degradimit të letërsisë sonë, e cila po vazhdon të degradohet dhe kjo nuk është e vetmuar, është një suitë e tërë që i shkon pas. “Nuk është fajtore vetëm kritika, është çështje e mendësisë, ngecjes në zhvillimin psikologjik dhe qytetërues. Ende mendohet në raporte shoqërore fisnore, nëse flasim me fjalor sociologjik. Mirëpo, kritika letrare e korruptuar këtu po bëhet me imazh të degradimit”, mendon Shehu.
Mungon sistemi i vlerave
Poeti dhe publicisti Avni Rudaku shprehet se kritika letrare në Kosovë degradon orientimin e lexuesve, madhëron vepra të cilat nuk duhet humbur kohën në përzgjedhjen e librave dhe ndikon negativisht në stimulimin e lexuesve. “Letërsia, ndonëse zhvillohet me kritikën dhe aty ku ka kritikë të zhvilluar letrare, pa dyshim se ka emancipim në rrjedhat zhvillimore letrare, por ndonjëherë në fazat e zhvillimit letrar historik, ndonëse ka pasur letërsi shumë kualitative artistike dhe kreative, nuk e kemi pasur të zhvilluar kritikën”, nënvizoi ai. Rudaku shton se marrë në tërësi, ku ka zhvillim të kritikës letrare, ka edhe zhvillime të letërsisë, sepse kritika, ngjashëm si kasapi që heq pjesët e dëmshme dhe jo të përdorshme nga kafsha ushqyese, ashtu edhe kritika heq pjesët e dobëta të krijimtarisë letrare, jep sugjerime, konstaton dhe jep vlerësimin për vendin që zë një vepër e caktuar në një sistem aktual të vlerave letrare. “Prandaj, ndonëse krejt akuza nuk mund t’i shkojnë kritikës, ajo mban një përgjegjësi të madhe për vlerësim euforik e komercial për disa vepra, për të cilat nuk mund të thuhet se kanë ndonjë vlerë të veçantë dhe inovative letrare. Mungesa e kritikës profesionale e pengon afirmimin e vlerave të duhura letrare dhe i orienton gabimisht lexuesit. Duke e orientuar gabimisht lexuesit, në fakt e rrit zhgënjimin me vlerat lokale letrare, sepse mostra përfaqësuese është e shëmtuar si referencë letrare nga kritika për lexuesit”, mendon ai. Kurse Ragip Sylaj tha se kritika tash për tash është në situatën e shumë punëve e çështjeve që i ka shoqëria jonë. “Më e mira do të ishte ta kishim një sistem të hairit të vlerave në përgjithësi, e së këndejmi edhe kritikën si udhërrëfyese në planin krijues”, mendon Sylaj.
B. ZYBERI