Besa VILA
PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore
Viti X 2005 Nr. 2 (37) fq. 165-168
Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë
Më 6 qershor 2005 u mbajt në
Tiranë Konferenca Shkencore "Terminologjia fetare dhe gjuha shqipe”,
organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave,
nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe nga Instituti Shqiptar i Mendimit
dhe i Qytetërimit Islam.
Merrnin pjesë studiues gjuhëtarë, klerikë të komuniteteve të ndryshme
fetare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe të ftuar
të tjerë.
Konferencën e hapi
prof. Jorgo Bulo, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, i
cili midis të tjerave tha: “Shqipja e ka nisur rrugën e saj të shkruar përmes
një formule fetare pagëzimi; kjo ka qenë një rrugë e gjatë përmes së cilës
shqipja është ndërtuar si gjuhë e kulturës, është lëvruar e pasuruar dhe ka
përpunuar mekanizmat e saj të shprehjes dhe terminologjinë përkatëse”. Më tej
ai vazhdoi: “Sot veprimtaria fetare dhe predikimi në gjuhën shqipe në
institucionet e besimeve të ndryshme është pjesë e veprimtarisë kulturore e
shpirtërore e bashkësive fetare në trojet dhe në diasporën shqiptare dhe si e
tillë pjesë e zhvillimeve gjuhësore të shqipes. Në këto kushte përpunimi i
terminologjisë adekuate në përkthimet dhe veprimtaritë fetare është një kërkesë
që buron nga ky realitet i ri. Ky realitet ka qenë një nga motivet e
organizimit të kësaj Konference, e cila synon të vërë në dukje përvojën e
derisotme në fushën e përkthimeve fetare dhe të përvijojë disa drejtime të
punës për të ardhmen në mënyrë që fjala e Zotit në tekstet e botuara dhe në
institucionet e kultit të tingëllojë sa më shqip, të shprehë sa më mirë thelbin
e dogmës duke respektuar skrupujt doktrinarë e kanonikë të shkrimeve të shenjta
dhe normën e standardit gjuhësor.
Konferenca jonë
është vetëm një hap i parë për të tërhequr vëmendjen në problematikën e kësaj
fushe dhe nuk mëton ta shterojë atë as të rekomandojë zgjidhje të detyrueshme.
Ajo synon ta ndërgjegjësojë opinionin e rretheve përkatëse fetare për nevojën e
përpunimit të një terminologjie sa më të saktë dhe sa më të pasur në fushën e
përkthimeve fetare dhe të hapë rrugën e një pune sistematike e të orientuar mbi
kritere shkencore gjuhësore, tekstologjike e teologjike”.
Pastaj Konferencën e
përshëndeti prof. Ylli Popa, Kryetar i Akademisë së Shkencave, Bensaid El
Mahjub, përfaqësues i Organizatës Islamike për Arsim, Shkencë e Kulturë, Ilir
Kulla, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet, dhe dr. Ramiz Zeka, drejtor i
Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam.
Në hapje të seancës
së parë të punës së Konferencës fjala iu dha prof. dr. Shaban Sinanit, i
cili mbajti kumtesën me titull “Ligjërimi fetar si pjesë përbërëse e
kulturës së shqipes”. Duke trajtuar problemet me të cilat ndeshet sot
ligjërimi fetar, ai vuri në dukje midis të tjerash se rikthimi te besimi pas
një periudhe të gjatë të ndalimit të fesë dëshmon një prirje gjuhësisht jo të
përligjur, sepse në mjaft raste ky kthim nuk shfaqet si rikthim te tradita më e
ngulitur gjuhësisht në shqip, por te ripërkthimi kanonik, pa e respektuar këtë
të fundit. Sipas mendimit të referuesit mundësitë për gjallërimin e ligjërimit
fetar qëndrojnë brenda traditës.
Njazi Kazazi mbajti kumtesën me
titull “Gjuha e veprimtarisë fetare dhe kultura e shqipes” në të cilën
trajtoi çështje të kulturës së shqipes në përkthimet fetare.
“Probleme të
terminologjisë në botime të ndryshme fetare” ishte titulli i kumtesës që
mbajti imzot Joan Pelushi, i cili, midis të tjerave, theksoi se për të
arritur përkthimin e saktë të mendimit filozofik e fetar duhet të përcaktohen
qartë termat themelorë, si termat frymë e shpirt, Perëndi
e Zot etj. Me rëndësi të veçantë, theksoi referuesi, është përdorimi i
emrave dhe trajta e tyre, si dhe përcaktimi i termave në përkthimet e shkrimet
asketike.
Prof. Seit
Mansaku mbajti kumtesën “Njësi dhe ndryshueshmëri në leksikun fetar në
gjuhën shqipe”. Leksiku fetar, theksoi referuesi, është një nga fushat më
të rëndëshme leksikore sepse nëpërmjet tij mund të ndiqen shtresëzimet
gjuhësore dhe kulturore që nga fillimet e mijëvjeçarit të parë të erës sonë
deri në ditët tona. Në shumë raste, nënvizoi ai, dallimet në terminologjinë fetare
nuk shprehin dallime konceptesh e praktikash fetare, por pasqyrojnë sfonde të
ndryshme historiko-kulturore dhe burime të ndryshme gjuhësore. Më tej kumtuesi
iu referua shembujve që provojnë këtë fakt.
Në kumtesën me
titull “Përvoja e botimeve fetare në gjuhën shqipe para vitit 1967 dhe pas
vitit 1990” Gaqo Bushaka bëri një paraqitje të botimeve fetare në
këtë periudhë dhe të vështirësive që dalin për saktësimin e disa termave të
liturgjisë ortodokse.
“Gjuha letrare
shqipe dhe shtypi fetar” ishte titulli i kumtesës që mbajti Agim Zeka,
i cili ndaloi në disa shmangie nga norma të shkrimeve të botuara në shtypin
fetar.
Prof. dr. Xhevat
Lloshi në kumtesën e tij me titull “Disa emërtime të përbashkëta në
terminologjinë fetare shqipe” vuri në dukje se përpunimi i terminologjisë
fetare në gjuhën shqipe është bërë në disa drejtime, me pikënisje nga disa
gjuhë të huaja konfesioni; se terminologjia fetare shqipe ka një varg emrash të
përveçëm, që shënojnë të njëjtat dukuri, por kanë shfaqje të ndryshme gjuhësore,
se ka pasur një shkëputje në përpunimin e terminologjisë fetare në bashkësitë e
shqiptarëve, të ndara gjeografikisht për shkak të politikës dhe se
terminologjia fetare pas shkëputjeve të detyrueshme është rishfaqur me një
larmi të pazakontë dhe paraqet mjaft probleme për t’u zgjidhur.
Për mirëkuptimin në
mes të shtetasve të një populli multikonfesional, të dëshmuar nga terminologjia
e përbashkët fetare në gjuhën e përditshme, kumtoi prof. Shefik Osmani.
Dr. Ramiz Zekaj
në Konferencë mbajti kumtesën me titull “Kontributi i Fjalorit të
orientalizmave në terminologjinë fetare të gjuhës shqipe”. Ai u ndal
veçanërisht në punën e orientalistit
Tahir Dizdari për hartimin e një fjalori të orientalizmave në gjuhën
shqipe si dhe për vlerat e kësaj vepre, e cila sapo ka dalë nga shtypi.
Problemet e
etnografisë së të folurit që burojnë nga tradita fetarë ndër shqiptarë u
trajtuan në kumtesën e prof. dr. Gjovalin Shkurtajt. Kumtesa ishte e
pasur me vëzhgime, shembuj e përfundime për këtë aspekt të ndikimit të traditës
popullore në ligjërimin fetar.
Në kumtesën me
titull “Trajtimi i disa termave fetare në leksikun e gjuhës shqipe” dr. Qemal
Morina vuri në dukje faktin se gjatë 20 vjetëve të fundit u kompletuan
përkthimet e librave të shenjtë në gjuhën shqipe dhe puna mbi to ka nxjerrë
mjaft probleme që lidhen me përpunimin e saktësimin e terminologjisë përkatëse.
Prof. Feti Mediu
në kumtesën e tij vuri në dukje se imitimi jokritik në procesin e përkthimit të
teksteve fetare shpie shpeshherë në anarki terminologjike, duke e provuar këtë
me shembuj nga përkthime të ndryshme.
Kumtesa e Ibrahim
Daut Hoxhës mbante titullin “Veçori të leksikut në krijimtarinë e
vjershëtarëve çamë”. Gjatë kumtimit ai u ndal në veçanti në rolin që kanë
luajtur tekstet e autorëve çamë në procesin mësimor të medreseve.
Prof. Isa
Bajçinca mbajti kumtesën me titull “Probleme të terminologjisë fetare
dhe të kulturës së gjuhës”. Ai u ndal veçanërisht në rëndësinë e zbatimit
të normës gjuhësore në të gjitha rrafshet e komunikimit dhe në atë të
veprimtarisë fetare. Më tej ai nënvizoi mendimin se terminologjia fetare në
gjuhën shqipe duhet të jetë përafërsisht e njëjta dhe përafërsisht e përbashkët
për të gjitha besimet.
Fjalën e mbylljes në
Konferencë e mbajti prof. Jorgo Bulo, i cili theksoi se qëllimi i kësaj
Konference ishte të shtronte disa probleme, të hapte rrugën e diskutimit të
tyre dhe jo të sillte zgjidhje të detyruara. Kjo, përfundoi ai, është një fushë
pune që kërkon angazhim të përbashkët dhe vëmendjen e shkencës gjuhësore dhe të
të gjitha komuniteteve.