MR. Nuridin AHMETI
Me rastin e promovimit të eseut historik "Shkupi", të autorit Kim Mehmeti në Prizren...Në kuadër të bibliotekës së botimeve të veçanta të Shtëpisë Botuese “Logos- A” me qendër në Shkup, në vitin 2011, është botuar edhe libri i shkrimtarit e publicistit të njohur Kim Mehmeti me një titull shumë domethënës e aktual: ”Shkupi”. Në fakt, ky libër është një ese historike, por që nuk mungojnë argumentet historik të ngjarjeve, të interpretuara në mënyrë sintetike dhe analitike.
Ky interpretim a shkrim i historisë nuk paraqet asnjë problem për Imanuel Kantin, i cili konstaton se “ historia mund të shkruhet edhe në formë publicistike”, dhe as për Isiaha Berlinin, Jostein Garderin, e Karl Poperin. Ky i fundit, për më tepër, pohon se shoqëria ka një kujtesë “ të cilën ne zakonisht e quajmë histori”. Përkitazi me këtë, autori i “Shkupit” Kim Mehmeti, kur flet për vendbanimet, i thotë lexuesit se vendbanime nuk janë vetëm ato që i shohim dhe se ”tërësinë e tyre nuk e përbejnë vetëm godinat e larta apo të ulëta, ato nuk janë vetëm ndërthurje e rrugëve luksoze dhe të atyre te të varfërve, të rrugicave të padukshme ku zhvillohet jeta në paraskene” etj., Por, “qytetet janë tërësi kronikash të vulosura në mbamendjen e njerëzve, të gdhendura si shenja të padukshme nëpër trotuaret e muret ku janë vulosur kujtimet për ngjarjet e ndryshme që kanë të bëjnë me fatet individuale e kolektive...; ato janë tërësi nënshkrimesh të ndrydhura që kanë lëne ndërtuesit e objekteve ...
Përderisa, autores turko-amerikane Burcu Akan Ellis, i është dashur që të qëndroj për disa vite në Shkup dhe në disa qytet të tjera të Maqedonisë për të mësuar dhe më pas për t’i venë në letër disa nga problemet që lidhen me identitetin e një pjese të qytetarëve të Maqedonisë, për autorin Kim Mehmeti, kjo ishte një punë e zgjidhur, sepse ai ka lindur në rrethinën e Shkupit, është rritur dhe edukuar me hallat e banorëve të këtij qyteti, ka shijuar të mirat e të këqijat që i ofron ky qytet, i ka përjetuar intrigat e pushtetarëve në dy sisteme të ndryshme etj. Dhe pikërisht kjo e ka shtyrë autorin që këto përjetime personale dhe kolektive të banorëve të Shkupit, t’i përmbledh mes dy kapakëve, t’ua ofrojë dhe t’i ndajë me një numër më të madh të lexuesve e bashkëkombësve të tij, që jetojnë përtej qytetit të Shkupit.
Libri “Shkupi” ka 264 faqe, me një format jo të zakonshëm të librave dhe me një përgatitje teknike, të cilës “Do t’ia kishin lakmi edhe shtëpitë botuese anglosaksone”. Thënie kjo e huazuar nga studiuesi boshnjakë Xhemaludin Llatiç. Përshkrimi dhe rrëfimi i ngjarjeve është ilustruar dhe dokumentuar, po thuajse në çdo faqe, me fotografi, që i jep edhe më shumë vlerë argumentuese e dokumentare librit dhe gjithë asaj që është shkruar e thënë aty.
Teksa shfletojmë librin “Shkupi”, lexuesit s’ka se si të mos i bjerë në sy fakti se autorin e kësaj vepre më së shumti e brenë e kaluar e qytetit të Shkupi, e brenë dhe i qanë zemra për atë që ka shkuar në pakthim, për atë që nuk është më, për ato objekte e personalitete, që nuk mund t’i kthejmë dot, për ato dëshmi e fakte që kanë ikur për të mos i njohur kurrë më, dhe sikur autori i thotë lexuesit se sikur t’i kishim këto sot do të ishte shumë më lehtë për ne, për gjeneratën tonë, për banorët e Shkupit dhe me gjerë.
Autori konstaton me të drejtë se sikur lumi i Vardarit që ndan Shkupin në mes dhe me vetvete gëlltit rrjedhat e lumenjve të Lepencit, Treskës e Seravës, njashtu është edhe qyteti i Shkupit të sotëm, që sikurse lumi “ Vardar që ka grabitur ujërat e disa lumenjve, ky qytet ka bërë të pa dukshëm edhe shumë gjurmë nga e kaluara prej disa shekujve, e të cilat janë mbuluar me shtresa të reja” që nga Ilirët, që sipas autorit e themeluan këtë qytet i cili paraqet unazën e Dardanisë, qytet ky nga ku shpërndahen damarët e Ballkanit.
Shkupi i ndarë mespërmes me lumin Vardar, me përmendoret e ngritura për të treguar lashtësinë e munguar nga ata që sot vetën e quajnë maqedonas, nga ata që besojnë - thekson autori, që edhe; “ dielli e hëna edhe qielli e toka kanë përkatësin e tyre religjioze”, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë me shlyerjen e gjurmëve të lashtësisë të këtij qyteti, me ngritjen e përmendoreve, mos lejimin për festimin e datave të çlirimit të Shkupit nga shqiptarët, që kjo u bë katër herë gjatë historisë, i pari i udhëhequr nga Dervish Cara, i dyti në vitin 1880 i udhëhequr nga Jashar bej Kumbara, i treti në vitin 1912 nga Hasan Prishtina dhe i katërti pas Luftës së Dyte Botërore. Manipulime të tjera gjithmonë në kurriz të shqiptarëve është edhe ajo me regjistrimin e popullsisë ku nga regjistrimi i parë në vitin 1948, numri i shqiptarëve gjithmonë është një renje, pa dhënë asnjë përgjigje deri me sot, pse ndodh kjo, e shumë gjera të tjera janë padyshim, mjete që dërgojnë sipas autorit të këtij libri në deshiptarizimin e qyteti.
Por në të gjithë këtë padrejtësi, pjesën e tyre të fajit, sipas autorit Kim Mehmeti e kanë edhe ata:
1. Shqiptarë që “duke u grindur me zjarimin e tyre lokalist” - thekson autori “ata në të vërtetë e humbë një pjesë të se kaluarës dhe të sotmes së vet.”
2. Fajin e kanë edhe ata që shkruajnë historinë, konkretisht mungesa e librave të mirëfillta, se këto libra sipas autorit- nuk janë shkruar akoma dhe se ato që janë shkruar deri me tani janë “ si piktura ku çdo gjë është ngjyrosur dhe është vendosur sipas prirjeve dhe dëshirës së autorit”.
Pjesë me rëndësi në këtë libër është edhe çështja e feve e trajtuar në këtë libër që autori i quan “shtylla të rëndësishme për ta bërë jetën më të qëndrueshme dhe kuptimplote”.
Për Shkupi por edhe për shqiptarët kudo në Maqedoni, çfarëdo partie me bindje politike që vjen në pushtet, kur është fjala kundra islamit ato mbajnë qëndrime të njëjta, sa ma shumë ndërtime të kishave ortodokse dhe vënie të kryqeve nëpër kodrina të larta që të shihen nga të gjitha anët e vendit, por ajo më e dhimbshmja ishte dëbimi i popullatës myslimane në vitet e 50-ta për në Turqi. Autori është i bindur se “ në Shkup dhe rrethinë, religjioni islam ndihmoi që të mbijetonte edhe përkatësia etnike”, dhe theu çdo tabu se shkupjanët kishin ndërruar emblemat e tyre kombëtare me atë fetare. Dhe se prapa çdo trazire etnike, qëndron ana religjioze, kjo u dëshmua edhe me trazirat e vitit 2001, konstaton autori i veprës “Shkupi”.
Si përfundim në këtë fjalë timen, do të thosha se monografia “Shkupi” e autorit Kim Mehmeti, është një nga librat më interesantë të shkruar për ndonjë qytet në kohët e fundit.
Ky libër është me interes për t’u lexuar, sepse hallet dhe peripecitë në të cilat ka kaluar popullata e Shkupit me rrethinë, posaçërisht ajo myslimane, për çka benë fjalë edhe autori, nuk dallojnë shumë nga hallet dhe brengat e popullatave të qyteteve tjera shqiptare në ish- Jugosllavi, po thuajse janë të njëjta. Është libër interesantë për t’u lexuar, sepse mënyra e ilustrimit artistik të fakteve dhe guximi për ta thënë të vërtetën historike, e bëjnë këtë libër të veçantë. Është libër interesantë për t’u lexuar, sepse libri është ese historike, në fakt ka disa zhanre në shtjellimin e ngjarjeve çka e benë atraktiv për tu lexuar, për të gjitha shtresat intelektuale, pa dallime profesionale. Është libër interesantë për tu lexuar edhe për banorët e Prizrenit dhe të rrethinës, sepse aty lexuesi has shumë gjera të përbashkëta, ndërmjet qytetit të Shkupit e Prizrenit, si; ekzistenca e grupeve ndërfetare e ndëretnike, trashëgimin e pasur kulturo- historike, kalatë, xhamitë, kishat, uratë, etj., dhe pa dyshim se një leximi i një monografie të tillë, ndoshta do ta nxiste kureshtjen e ndonjë lexuesi, apo studiuesi nga ky qytet, për të na dhuruar diçka të tillë edhe për qytetin e tij.
Në qoftë se dikur Gj. Fishta në veprën e tij monumentale “ Lahuta Malcis”, shkroi se si u end fati Shqipërisë, në veprën e tij “ Shkupi”, autori Kim Mehmeti, por në një stil tjetër ka shkruar se si u end fati i Shkupit dhe shkupjanëve me rrethinë.
Dhe në fund fare, më lejoni të them një gjë të njohur nga të gjithë ne se qyteti i Shkupit në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve kudo që janë ka një domethënie të veçantë. Shkupi së bashku me Prizrenin dhe me Vlorën, paraqesin tri qendrat kryesore, paraqesin trekëndëshin historik të shqiptarëve.
Disa të dhëna për autorin
Nuridin (Asan) Ahmeti, i lindur më 14.05.1980, në fshatin Xërxë të Opojës, Komuna e Sharrit.
Në vitin 2003 ka kryer Fakultetin Filozofik – Dega Histori, në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 2006 ka kryer kursin për deshifrimin e dokumenteve osmane, për stilin e shkrimit osman Rika. Kursi është organizuar nga Drejtoria e Arkivave e Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme Arkivave Shtetërorë të Republikës së Turqisë.
Në prill të vitit 2005 është pranuar asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës - Dega e Histori, ku ka filluar punën më 2008.
Në vitin 2009 ka marr gradën Master i Shkencave historike në të njëjtin fakultet dhe degë.
Nga viti 2008 punon si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës - Dega e Historisë.
Është duken punuar në projektin e Institutit Albanologjik me temën: Kontributi i klerit mysliman në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës (1878-1912).
Në vitin 2010 ka regjistruar Doktoraturën në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë.