2013-08-27

Këngëtarët, të pasur me muzikën ‘tallava’



Muzika është ëndërr për shumë të rinj. Dashuria e madhe që kanë shqiptarët për muzikën është aq e madhe, saqë nuk shuhet kurrë, edhe pse kjo dashuri mbase nuk është shumë e madhe për muzikën sesa për dëshirën për t’u bërë i pasur, andaj edhe vrapojnë pas stilit që e ha pazari më së shumti, e ai është stili ‘tallava’. Shumë këngëtarë përmes muzikës janë bërë njerëz të pasur dhe sot kanë pasuri shumë të madhe.
Viteve të fundit gjithnjë e më shumë muzika po kthehet në një biznes fitimprurës. Sot, këngëtarët duket se më shumë bëjnë këngë të qëlluar, sepse ajo këngë u sjell dhjetëra mijëra euro për një muaj.

Muzika, ekzistencë për familje

Kitaristi i mirënjohur, Naser Dula, thotë se këngëtarët e shohin si biznes të mirë muzikën. “Mendoj se shumica e këngëtareve e shohin si biznes atë, sepse është ekzistencë për familje, dhe shkaku i kësaj shumë këngëtarë veprojnë ‘Sipas vendit bëhet kuvendi’. Solistët kur shkojnë të këndojnë në koncerte dhe sidomos në dasma, pronari dhe dasmori po ua kushtëzojnë të këndojnë muzikë ritmike, posaçërisht muzikën e huazuar joshqipe, të cilën mbi 90% e këngëtarëve e kultivojnë, pra konkretisht muzikën tallava, e cila muzikë e ka prejardhjen nga një solist rom, Tafa”, tha ai. Mirëpo, që muzika jonë të ecë në rrugën e duhur dhe të mos ketë shumë probleme të këtilla, sipas Naser Dulës, do të duhej që institucionet e kulturës ta ruajnë dhe të kultivojnë muzikën e pastër shqipe, me qëllim që të stimulohen këngëtarët. “Për ta kultivuar muzikën e pastër shqipe popullore duhen të kujdesen institucionet e kulturës për t’i stimuluar solistët dhe ata të mos kenë nevojë të krijojnë muzikën ‘shund dhe kiç’, flas për solistët që kanë talent dhe që shkollohen me zërin profesional, kurse për solistët që nuk kanë vlera, institucionet as që duhet t’i përkrahin. Këtu duhet të luajnë rol edhe mediumet që t’i stopojnë spotet që nuk kanë vlera artistike”, mendon ai. Kurse, këngëtari tjetër Visar Peja thotë se komercializimi ka bërë që muzika të shihet si biznes potencial. “Komercializimi i jetës në përgjithësi po i shtyn interpretuesit e këngës që të mendojnë si biznes, përderisa në kohën e përparme muzika ka qenë hobi, sepse punësimi ka qenë në nivel, kurse tani kushtet dhe dinamika e jetës po i shtyjnë që të materializojnë muzikën”, tha Peja.

Fitimi nga kënga

Këngëtarja Adelina Emini thotë se është bërë e domosdoshme të mendohet se muzika është biznes. Kjo, për shkak që papunësia është e madhe dhe është shumë normale që të fitosh nga një këngë që shpenzon për të. “Mendoj se muzika sot jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend të botës është kthyer në një industri, në një biznes. Është shumë normale që të mendohet kështu, sepse për ta bërë një këngë të mirë investon para dhe do që ato shpenzime përmes koncerteve t’i nxjerrësh”, tha ajo. Në fakt, edhe këngëtarët kanë shumë shpenzime, sepse për ta bërë një këngë dhe klip të mirë duhet së paku 5 mijë euro, që për një këngëtar të ri dhe të talentuar është shumë e madhe për t’u arritur. Sidoqoftë jo vetëm në Kosovë, por në shumë vende të tjera këngëtarët fitojnë miliona. Dihet mirë se këngëtarët e rangut të Madonës marrin për një koncert të vetëm deri në 5 milionë dollarë apo më shumë. Ndërkaq, këngëtarët tanë marrin më shumë para për natën e Vitit të Ri, ku pagesat shkojnë nga 3-7 mijë euro për një natë të vetme.

B. ZYBERI

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...