Në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, sot u trajtua tema “Dinamika bashkëkohore e identitetit shqiptar” nga profesor Bashkim Kuçuku. Profesor Kuçuku ndër të tjera shpalosi edhe rreziqet e zhbërjes së identitetit shqiptar në rrethanat e sotme.
Identiteti shqiptar në ditët e sotme është në një situatë paradoksale, tha profesori i Universitetit të Tiranës, Bashkim Kuçuku, duke shtuar se nga njëra anë identiteti është në liri dhe nga ana tjetër është i rrezikuar nga disa faktorë të kësaj lirie, transmeton rtk. Në ligjëratën e tij para seminaristëve, ai tha se historikisht identiteti shqiptar ka qenë i rrezikuar nga mungesa e lirisë.
Lufta e fundit në Ballkan mes shqiptarëve dhe serbëve nuk ishte vetëm thjesht një luftë politike, ushtarake dhe ekonomike, por në thelb ishte një luftë identitare, tha profesor Kuçuku.
Ai përmendi problemet dhe rreziqet e zhbërjes së identitetit shqiptar në rrethanat e sotme, duke shtuar se disa nga këto rreziqe vijnë nga integrimi dhe nga copëzimi politik.
“Integrimi i shqiptarëve në BE mundësia e punësimit dhe jetesës në hapësira të tjera, pra përhapja e shqiptarëve në mes të identiteteve të tjerë, përbën një rrezik të madh. Rreziku u dytë vjen nga vazhdimi i copëzimit politik. Edhe me Kosovën e Pavarur, shqiptarët etnik vazhdojnë të jenë të ndarë politikisht dhe administrativisht në pesë shtete. Ata paraqiten në Evropë dhe botë me ato identitete formale në shtetet ku jetojnë.”
Kuçuku tha se përballë këtyre problemeve të vështira shqiptarët nuk kanë asnjë lloj strategjie.
“Përballë këtyre problemeve shqiptarët nuk ndjekin asnjë politikë as të thjeshtë as të ndërlikuar, madje shqiptarët e Republikës së Shqipërisë nuk kanë qenë asnjëherë të mbrojtur nga shteti shqiptar të paktën me deklarata zyrtare. Janë vrarë shqiptarët, janë dhunuar, por edhe kur është bërë ndonjë vërejtje gjithmonë është pohuar zyrtarisht se kjo nuk i prishë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Greqisë.”
Gjuha dhe letërsia janë bartëset, kultivueset dhe zhvillueset kryesore të identitetit shqiptar në historinë e tij, tha profesor Kuçuku në ligjëratën e tij, duke shtuar se kjo është aparatura më e mirë që ka funksionuar gjithmonë.