2013-08-28

Aleks Buda, si e mbajnë mend akademikët

Më 7 korrik të 20 viteve më parë, më 1993, do të ndahej nga jeta Aleks Buda. I njohur si arkitekt i projektit madhor që e futi studimin e historisë së Shqipërisë në një kuadër rreptësisht shkencor, ai konsiderohet si një gur i fortë themeli në albanologji. Dy dekada pas ikjes së tij, akademikët Muzafer Korkuti e Jorgo Bulo rrëfejnë për “Gazetën shqiptare” kujtimet e tyre për njeriun e madh dhe shkencëtarin e paharruar

Jorgo Bulo: Historian vizionar Aleks Buda është një korife i shkencës së re albanologjike, historian i Mesjetës Shqiptare, i Skënderbeut dhe i Rilindjes Kombëtare, i kulturës dhe i ideologjisë së saj, mendje dialektike, mjeshtër i analizave historike dhe i sintezave të mëdha, i stilit brilant të ekspresivitetit noljan, erudit dhe poliglot, personalitet poliedrik i kulturës, arsimit dhe shkencës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, përfaqësues dinjitoz i albanologjisë shqiptare në botën shkencore të jashtme, simbol i identitetit shkencor të kombit të rilindur.

Aleks Buda është arkitekt i projektit madhor që e futi studimin e historisë së Shqipërisë në një kuadër rreptësisht shkencor. Me rikonceptimin materialist të historisë mbi bazën e analizës së formacioneve sociale, e ktheu historinë nga një grumbull ngjarjesh në një rezultante historike të një procesi të determinuar nga faktorë të zhvillimeve politike, ekonomike e kulturore të brendshme e të jashtme. Me vizionin e një historiani që sheh thellë dhe larg, dominanten historike, rezultanten historike dhe perspektivën historike, Aleks Buda, me mendimin dhe veprën e tij, me ekipin e udhëhequr prej tij, e nxorën historiografinë shqiptare nga faza parashkencore në epokën e mendimit historiografik shkencor. I pajisur me të gjitha instrumentet e punës së historianit, me mprehtësinë, kulturën, njohjen e burimeve, të metodave, të gjuhëve klasike e moderne, Aleks Buda udhëhoqi një aksion të madh shkencor të studimeve ndërdisiplinore që mundësonte ndriçimin e proceseve kardinale historike, si atë të vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe të formimit të etnosit shqiptar, të gjuhës e të kulturës së tij, të autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre dhe të njësisë etnike të këtij populli, shprehur në kulturën materiale dhe shpirtërore, të lindjes së shtetit të arbrit në shekullin XIV dhe të zhvillimit të formacioneve të reja shtetërore në rrjedhë të kohës, të rolit të shqiptarëve në historinë ballkanike, e të tjera. Në çdo vepër dhe aksion shkencor për historinë e shqiptarëve, të kulturës dhe qytetërimit të tyre, është mendja dhe kontributi i Aleks Budës. Ai krijoi shkollë në studimet shqiptare. Veç të tjerave, Aleks Buda është mentori i disa brezave studiuesish, të cilëve u dha gjithçka, duke marrë kënaqësinë e njeriut që vetëm fal. I falem kujtimit të tij.

Në distancën e 20 viteve të mungesës së prof. Aleks Budës, personalitetit të shquar e historianit me përmasa evropiane, figura e tij lartësohet edhe më shumë.

Veprimtaria gjysmëshekullore e akademikut Aleks Buda për albanologjinë u realizua e kushtëzuar nga gjendja e nevoja e kërkimeve për historinë, gjuhën, kulturën e shkencën shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX. Qysh në krye të herës prof. Buda me largpamësinë e vizionin e qartë ndjeu nevojën e studimeve ndërdisiplinore dhe punoi pa u lodhur për krijimin e bërthamave e të sektorëve shkencorë me specialistë për periudha e fusha të caktuara të historisë, të gjuhës, të arkeologjisë, të etnografisë e të traditës letrare e folklorike. Ai është themeluesi i sektorit të Mesjetës, ku u përgatit një plejadë e tërë studiuesish.

Historiani enciklopedist Aleks Buda konceptoi veprën kolektive "Historia e Shqipërisë" (Tiranë 1959, v.I), vepër tërësisht e re nga përmbajtja dhe gjerësia e trajtimit dhe kritereve shkencore të ndërtimit e të vështrimit të proceseve historike. Prof. Aleks Buda ishte dashuruar pas arkeologjisë e historisë antike dhe u bë mbështetës i fuqishëm i kërkimeve arkeologjike ilire dhe mesjetare, të cilat i konsideronte si burim themelor në ndriçimin e historisë e të kulturës ilire e asaj arbërore. Ai i përgjithësoi këto arritje duke i çuar më tej dhe argumentuar në një vështrim shumëplanësh vazhdimësinë iliro-arbërore të banorëve të lashtë të vendit tonë.

Për figurën humane të Aleks Budës ka shumë për të thënë, por unë po preferoj të citoj vlerësimin e kolegut dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të tij Prof. Kristo Frashëri, i cili shkruan: "Profesor Aleks Buda edhe kur ishte i thjeshtë dhe ecte më këmbë, edhe kur u bë shef dhe vinte në zyrë me biçikletë, edhe kur u bë kryetar i Akademisë dhe udhëtonte me makinë, mbeti po ai: njeri i thjeshtë, i qeshur, i ngrohtë, i urtë me këdo. Dëgjonte me kujdes çdo njeri që vinte në zyrë dhe përpiqej me aq sa mundej të zgjidhte problemet jo të pakta që kishte ai që fliste me të. Ndoshta këto veti personale një ditë do të harrohen, por ato që do të mbeten të ngurosura në historinë tonë kulturore dhe shkencore janë kriteret metodologjike që ai kërkonte të zbatonin historianët shqiptarë, të zbatonin në çdo rast dhe për çdo temë. Këtë trashëgimi duhet ta ketë parasysh patjetër brezi i ri që angazhohet në studimet e shkencave shoqërore shqiptare".

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...