(Hamed ABDEL-SAMAD: “DER UNTERGANG DER ISLAMISCHEN WELT“, Eine Prognose, München 2010, fq. 240.). ISBN 978-3-426-27544-3
Autori i librit Hamad Abdel – Samad është një egjiptian i cili në Gjermani ka shkuar për t`i zgjeruar njohuritë e tij akademike. Fillimisht, Ai do t’i gëzohet faktit se në Gjermani kishte mundësinë për të jetuar më në liri se sa në vendin e tij. Por, me kalimin e kohës ai kalon në një situatë stresi ku e ndjente vetën si një luftëtar i pafuqishëm kulture, gjendje kjo që në mendjen e tij kishte akumuluar urrejtje për vendin ku kishte ardhur. Natyrisht, në fillimet e tij nuk kishte fuqi për t`u ballafaquar me këto probleme pasi kishte mangësitë e njohjes së kulturës dhe gjuhës gjermane për tu përballur si duhet me konfliktet kulturore dhe më pas edhe për t’i zhvilluar si duhet konceptet e reja që tashmë i gërshetonte me ato të origjinës dhe me këto që ishte ndeshur në Gjermani.
Kjo situatë studentin (e studimeve posdiplomike: Shënimi im) nga Egjipti Hamed Abdel – Samad do ta shtyj të merret me një temë mjaft të ndjeshme dhe po aq të rëndësishme për vetë atë dhe botën arabe. I ardhur nga qyteti i Kajros, sot Abdel-Samad njihet në Gjermani, Austri dhe Zvicër si një nga intelektualët islam më të profilizuar të gjeneratës së re. Ai sot punon si docent në Institutin e Historisë dhe Kulturës Hebreje në universitetin e Ludwig-Maximilian në Munih.
“RËNIA E BOTËS ISLAME – Një prognozë”, ose gjermanisht “Der Untergang der islamischen Welt”, botuar në Munih 2010, është titulli i librit të Hamed Abdel – Samad ku jep një prognozë mjaftë interesante.
I zënë “peng” në botëkuptimin në mes dy kulturave, autori i librit zbulon gjendjen e pakëndshme të kësaj situate. I nxitur nga kjo situatë fillon të hulumtoj e të japë prognozën e tij në shtypin gjerman dhe më pas edhe në librin etij për disa faktorë që, sipas autorit, do të ndikojnë në rënien e botës islame.
I zënë “peng” në botëkuptimin në mes dy kulturave, autori i librit zbulon gjendjen e pakëndshme të kësaj situate. I nxitur nga kjo situatë fillon të hulumtoj e të japë prognozën e tij në shtypin gjerman dhe më pas edhe në librin etij për disa faktorë që, sipas autorit, do të ndikojnë në rënien e botës islame.
Ai “rënien e botës islame” e shef jo vetëm në ngurtësinë e të menduarit fetar, por edhe në faktin se shumica e vendeve islamike kanë rënë në mentalitetin e konsumimit deri në dehje të islamit, për të cilën situatë ata nuk kanë një rrugëdalje shpirtërore përveç radikalizmit primitiv. Religjioni si duket nuk është në gjendje për një kundërpeshim përballë materializmit që po sundon për të kontribuar në një baraspeshim të shoqërisë. Kjo për arsyen se, religjioni është në konflikt të mprehtë me materializmin dhe atë njëkohësisht edhe mallkon. Përderisa perëndimi e ka gjetur një balancim përballë sjelljes së konsumimit të tepruar të fesë në repertuarët kulturore të iluminizmit dhe humanizmit, te bota islame mungon një mekanizëm mbrojtës përballë konsumit, pra pa e përjashtuar atë në mënyrë kategorike, dhe pa e mallkuar atë. Kjo situatë që kaherë është realitet në botën islam, thjeshtë është identifikuar si “konflikt mes traditës dhe modernes”.
Për këtë dhe situata të tjera që kemi në botën islame autori i librit vlerëson se, bota islame nuk ka në brendësinë e saj fuqi kreative për zgjidhjen e problemeve, porse asaj i ka mbetur vetëm kultura e rezistencës primitive dhe mjaftë radikale. E kjo rezistencë nuk drejtohet kundër arsyeve të vërteta për të gjetur fajtorin përbrenda vetvetes, porse përpiqet të kërkoj fajtorë të jashtëm, të huaj për t`i akuzuar për gjendjen mizerje të tyre. Angazhimet e perëndimit në konfliktet e ndryshe në botën islame, nuk janë pranuar kurrë si ndihmë, porse janë përhapur teori konspirative, thotë Abdel-Samad.
Përderisa në botën islame flitet për një plan master që ka për qëllim kontrollin total të resurseve dhe të myslimanëve, shumë perëndimorë propagandojnë islamizimin e Evropës. Te dy këto perceptime kanë të bëjnë shumë me një vet reflektim. Përderisa njëra anë ka parasysh rreziqet e së kaluarës si: fanatizmin fetar mesjetar, luftërat fetare, turqit para Vjenës etj. Ana tjetër lëpin plagët e shkaktuara në të kaluarën dhe vajton përvojat traumatike me rastin e kryqëzatave dhe kolonializmin. Sa i përket islamit në gjendjen e sotshme, ai mund të jetë gjithçka tjetër, por jo i fuqishëm, vlerëson analisti arab Abdel-Samad.
Dhuna e motivuar fetarisht, islamizimi në rritje i ambientit publik dhe insistimi luftarak për prezantimin, pamjen e simboleve islamike, janë reaksione nervozizmi. Janë pra shenja të qarta që tregojnë mangësinë e vet besimit dhe mundësive të veprimit. Ne mund të vërejmë se, pjesa e madhe e botës islame është e distancuar në mënyrë drastike nga njohuritë e botës laike dhe se po merr një qëndrim të pa pajtueshëm përballë shpirtit modern. Dhe se kjo po përhapet me të madhe në formën e fundamentalizmit dhe po shprehet me dhunë dhe përjashtime. Lufta mes kulturave tashmë është bërë realitet, gjykon autori. Dhe kjo, jo vetëm mes islamit dhe perëndimit, siç supozojnë shumica, por edhe përbrenda vetë botës islame, mes individualizmit dhe shtypjes së konformitetit, kontinuitetit dhe risive. Një reformë politike islame është ende larg. Sistemet arsimore edhe më tutje përpiqen më shumë për lojalitet se sa për lirin e të menduarit. Shtetet e Gjirit si “hapje” e vlerësojnë hapjen përballë konsumimit të gjësendeve moderne, mirëpo jo edhe të ripërtrirjes së mendjes. Vërtetë në shumë vende islamike grave u lejohet edukimi, mirëpo njëkohësisht ato nuk lejohen të bëjnë jetë të pavarur. Debatet për reforma janë iniciuar shpesh, porse ato ende nuk janë quar deri në fund, shkruan në librin e tij Hamed Abdel-Samad.
Të gjitha çështjet e reformave fillojnë tek Kurani e në fund ato thyhen në paqëndrueshmërinë e bllokut të kulturës islame. Sikur reformatorët, po ashtu edhe konservativët citojnë librin e shenjt. Përderisa njëra anë në atë e shohin bazën për një shtet të Zotit (fetar), reformatorët kërkojnë pasazhet pozitive që janë të përshtatshme për jetën e sotshme moderne. Mirëpo askush nuk guxon ta parashtroj pyetjen themelore se “për çka na nevojitet Kurani sot?”. Sa herë debati për reforma bëhej serioz, ngrihen paragjykimet e vjetra kundër perëndimit duke u ndihmuar edhe me manipulimet politike, e me ç`rast fuqitë reformuese klasifikohen si kolonë e pestë e perëndimit, e kështu këta diskreditohen. Frika nga sanksionet, e në rastet më të rënda, edhe kërcënimet me vrasje, shumicën e reformatorëve i frenon në rrugën e tyre për të vazhduar me reforma, vlerëson në librin e tij Hamed Abdel-Samad.
Sa i përket asaj se, çka ka mbetur sot nga historia e të menduarit islam, sipas mendimit tim, thotë autori, ka mbetur vetëm shkuma intelektuale e një ortodoksie të papajtueshme. E me këtë libër po përpiqem të kuptoj, se si erdhi te rënia e islamit dhe çfarë domethënie ka për boten e sotshme. Dhe kur autori flet për botën islame, ai flet për një konstrukt të imagjinuar të emëruar si umma. Bëhet fjalë për qëndrimin intelektual të shumë myslimanëve përballë modernes; bëhet fjalë për islamin si një ide politike, e cila në meskohë ka humbur substancën dhe ka fare pak përgjigje për ngjarjet botërore, e, ndërsa të gatshme ka vetëm tërbimin dhe dhunën.
Një nga pyetjet e shpeshta që bëhen, shkruan autori, thuhet a kemi një islam? Kjo është një pyetje që pretendon t`i ngulfatin kritikët e islamit. Natyrisht se islami është mjaft heterogjen. Megjithatë mund të flitet për një islam. Heterogjeniteti mund të jetë interesant për etnologët, teologët mirëpo shikuar nga aspekti politik, këto dallime janë tejet irelevante. Dhe kurë flasim për islamin, këtu mendojmë si ideologji politike, shpjegon autori.
Autori duke shtjelluar definicionet për civilizimin dhe kulturën si teori që njihen i vlerëson jo të plota dhe nga ky qëndrim ai nxjerr një definicion të civilizimit dhe e formulon si “një aftësi të një kulture për të ndryshuar diçka të shëmtuar në diçka estetike. Civilizimi është aftësi për transformim dhe çarmatosjen e historisë vetjake.”
Shumica e intelektualëve mysliman kolonializmin e shohin si “ndërprerje” të zhvillimit dhe si argumentin kryesorë për prapambeturin e botës islame, shpjegon Abdel-Samad. Për këtë argument autori i librit cekë vlerësimin e shkrimtarit egjiptian Hamdy Abu – Golayyel, i cili, duke krahasuar, merr shembull Gjermaninë e pas LDB dhe Japoninë, vende këto që nuk u “ngulfatën” duke vajtuar dhe mallkuar vendet që i sulmuan këto dy shtete, porse duke e pranuar se kanë qenë pjesën më të madhe vet-shkaktar për gjendjen e krijuar, kanë filluar të bashkëpunojnë me “armiqtë” për ta ndërtuar vendin e tyre.
Autori i librit thotë, se deklarimi i tillë i Abu-Golayyel është gjykuar si “më i rrezikshëm se gjithë sionistët së bashku”. Krahasimi me Gjermaninë dhe Japoninë mund të jetë i papërshtatshëm, thotë Abdel-Samad, atëherë le të dalim në Tajvan, vazhdon analizën e tij, ai më tutje. Gjatë invazionit japonez në këtë siujdhesë u bënë përdhunime dhe vrasje të shumta. Universiteti i Tajvanit, që u ngrit nga japonezët në vitin 1928, pas largimit të japonezëve, tajvanezët kanë mundur ta shkatërrojnë. Mirëpo ata nuk e bën këtë. Ata vendosën atë ta ngritin, dhe në vitin 2008 universiteti i Tajvanit hynë në listën e universiteteve më të mira në botë.
Pas kësaj, Hamed Abdel-Samad kalon në librat arab shkollor, të cilat siç shkruan ai, kanë shumë mangësi dhe në mënyrë njëanësore mësohet historia, pra për islamin e kohës së lulëzimit dhe sot paraqitja e tij në rolin e viktimës. Si arsyetim jepen teoritë konspirative perëndimore, pra vazhdimësia e imperializmit perëndimor në botën islame. Fillimisht, thotë autori, aty paraqitet fakti se, sie evropianët kanë përfituar nga njohuritë arabe, pastaj vazhdohet me paraqitjen e asaj se, çka i ka bërë Evropa islamit, pra shkatërrimet. Ndërsa kontributin dhe agresionin e islamit dhe luftërat robëruese ose tejkalohen ose ato paraqiten si luftëra të drejta. Luftërat e veta paraqiten si fath, pra të bëra në emër të Zotit, ndërsa luftërat e të tjerëve paraqiten si ghazw, pra si invazione.
Kështu, autori, duke u bazuar në librat shkollor të Egjiptit, përveç shembujve të ndryshëm me mongolët, përmend sundimin osman 400 vjeçar, sundim ky që shumë më shumë prapambeturi i ka sjell botës arabe, se sa kolonializmi evropian. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për aspektin historik, thotë autori, por edhe për aspektin fetar, ku botën e ndajnë në besimtarë (myslimanët) dhe jobesimtarë (perëndimi, përkatësisht të krishterët). Integrimi i stilit të jetesës perëndimore dhe njëkohësisht ndjenja e brendshme nënçmuese përball kësaj jete, e bën këtë shizofreni të jetë eksplozive.
Duke vazhduar me tutje me deklaratën e ambasadorit saudit i cili në Uashington ku deklaron për “pastrimin” e librave shkollorë nga fryma e nxitjes së urrejtjes, gazeta “Uashington Post” në vitin 2006 duke provuar deklaratën e ambasadorit hulumton vërtetësinë, nëse është e vërtetë ky “kontribut”. Gazeta konstaton se librat shkollor fetar e paraqesin islamin si fenë e vetme të vërtetë. Raportimi i kësaj gazete paraqet disa pasazhe nga librat shkollorë, e njërin po e paraqesim edhe këtu. Bëhet fjalë për librin e klasës së gjashtë ku thuhet: “Majmunë janë hebrenjtë, njerëzit e Sabbats, ndërsa të krishterët janë derra, jobesimtarët simpatizantë të Jezusit”. Hamed Abdel-Samad thotë se librat e tillë nuk po përdoren për mësim vetëm në Arabinë Saudite, por edhe në 19 shtetet evropiane, ku ekzistojnë akademitë saudite. Autori duke vazhduar pos të tjerash thotë se, ndikimin e këtyre librave nuk duhet nënvlerësuar sepse në kombinim me ndikimet e rrethanave sociale të mësuesit, ndikimi i xhamive dhe televizioneve janë shumë serioze. Këto na tregojnë se, sie një kulturë e percepton vetveten dhe se çka u jep gjeneratave të reja, vlerëson Hamed Abdel-Samad.
Përveç trajtimeve më të detajuara që jep autori i librit që po e prezantojmë këtu, ai flet edhe për kohën historike osmane. Ai thotë se osmanët deklaronin se okupimet e tyre ishin në shërbim të përhapjes së islamit. Ai si kundër fakt cekë okupimin e Sirisë në vitin 1516 e një vjet më vonë edhe të Egjiptit, para se kjo perandori ta fuste nën pushtetin e saj gjithë rajonin.
Ky okupim ishte bërë me dhunë edhe pse këto pjesë tashmë i takonin besimit islam, thotë autori. Sundimi katërqindvjeçar mbi gjysmëhënën araba nga Maroko deri në brigjet e Gjirit Persik e mbulon këtë pjesë nga kultura e fqinjëve evropian. Aparteidi gjinor, i cili edhe ashtu ishte prezent në traditën fisnore araba, fuqizohet edhe më shumë me ardhjen e të menduarit të harem-it turk. Në kohën kur Evropa kaplohet nga iluminizmi dhe risitë teknike, industriale, në Lindjen e Afërt sundonte letargjia dhe besëtytnia. Ndërsa në ato rrethana Abd al-Wahhab (1702-1793) kërkonte kthimin në shkronjat e Kuranit dhe se të gjithë të pafetë do duhej të luftoheshin mbase edhe mistikët mysliman, thotë autori.
Hamed Abdel-Samad thotë se janë dy lëvizje që ia dolën të përhapin ideologjitë e tyre radikale në gjithë botën islame: Wahabizmi nga Arabia Saudite dhe Vëllazëria Myslimane (arab. Jamaîyat al-ikhwân al-muslimîn) nga Egjipti.
Një kapitull të tërë autori ia kushton edhe Muhamed Ali Pashës dhe kontributit të tij në ndërtimin e Egjiptit. Lidhur me këtë temë autori i përfshinë disa ngjarje historike në Egjipti. Ky përfol zgjedhjen e Muhamed Ali Pashës nga drejtues fetar, tregtar dhe njerëzit tjerë me ndikim në krye të shtetit të Egjiptit, sidomos pas tërheqjes së francezëve nga ky vend. Ai përshkruhet si ushtarak shqiptar intrigant, besimtar mysliman. Ardhja e Muhamed Ali Pashës në krye të Egjiptit vlerësohet nga autori si ndryshimi i fundit në mënyrë paqësore i pushtetit në Egjipt. Interesante është vendosja e Pashës në krye të shtetit të Egjiptit, thotë autori, sikur nuk ka mundur të gjendet ndonjë personalitet egjiptian i denjë që të marrë pushtetin, u emëruar një ushtarak osman nga Shqipëria. Muhamed Ali Pasha ishte një strateg i mençur. Ai nuk ishte njohës i mirë i fesë, mirëpo ai me sjelljet e tija bëhej kinse ishte fetar i mirë, e në këtë mënyrë kishte fituar simpati në Egjipt. Veprimi i parë i tij në detyrë ishte largimi i të gjithë drejtuesve fetar drejt shkretëtirës si dhe ftesa e gjithë gjeneralëve ushtarak në një banket, të cilën pretendonin të ndanin pushtetin me atë, dhe i vret të gjithë.
Muhamed Ali Pasha, duke marrë si shembull Francën, qëllimin e kishte për ta ngritur një shtet jo vetëm modern por edhe për ta shndërruar në një fuqi. Ai me një tempo tejet të shpejt ndërton Fabrika moderne në vend. Ai kishte dërguar të rinj në Evropë për të studiuar. Autori i librin thotë se vlerësimi i Muhamed Ali Pashës ishte: vetëm duke ndërtuar një ushtri të fortë, do ta modernizonte edhe vendin. Ai kishte ndërtuar edhe flotën egjiptiane dhe kishte për qëllim ndarjen nga Perandoria Osmane. Muhamed Ali Pasha e kishte gjykuar Egjiptin si një komb me vetëdije të vonuar.
Modernizimet e Muhamed Ali Pashës nuk do të japin fryte për kohë të gjatë, sepse përparimet nuk po vinin nga vetëdija e popullit, porse ato po diktoheshin nga lart. Muhamed Ali Pasha e shfrytëzonte sistemin feudal, ndante toka familjes së vet dhe ushtarëve besnik ndërsa pushkatonte secilin qe e kundërshtonte, thotë autori, për të vazhduar me përfundimin e tij mbi këtë personalitet ku thotë: “Muhamed Ali Pasha shfrytëzoi instrumentet materiale të modernes ndërsa injoronte zhvillimin e mendimit të njohurive mbi të cilat ishte ndërtuar instrumentet moderne)… (dhe se ky është) një fenomen i cili përshkon historinë e re të zhvillimit të islamit e që studiuesi i shkencave politike Bassam Tibi e quan “gjysmë moderne”.
Gjithsesi libri “RËNIA E BOTËS ISLAME“, është një uverturë e mirë nëse merret për studime, përkitazi me zhvillimet politike nder ne, këtu në Kosovë, sepse përmes këtij libri do të dalin në shesh të gjitha analogjitë për radikalizmin e islamit, do të kuptohet më mirë luftërat speciale për gjoja rreziku që vjen nga perëndimi, pastaj do të kuptohet më mirë edhe tendenca për arabizimin sa më të madh të fesë edhe këtu te ne, ku përmes islamit pretendohet të bëhet Kosova një arenë e përgjakshme, përkatësisht një mur i madh ne mes orientit dhe oksidentit që do të jetë fatale dhe e përgjakshme për të ardhmen tonë.
Analizat e tij, Hamed Abdel-Samad, i cili është edhe anëtarë i Bashkësisë Islame në Gjermani, i zgjeron edhe më tej në librin e radhës “LUFTË OSE PAQE“, ose “Revolucioni arab dhe ardhmëria e Lindjes“, Munih 2011, të cilët janë libra “Bestler“, për hapësirën gjermano-folëse.