Ali Suf Krashi tregonte se paskan jetuar edhe tre kreshnikë shqiptarë me brirë në ballë, pas Skënderbeut, në kohë shumë të vona, e paskan luftuar edhe këta për liri kundër batalioneve të Turqisë
Ali Zejneli, atë ditë që isha në shtëpi të tij, më 22 gusht 1929, më dha portretin e Fatosit ose të them më mirë ma bëri prosopografinë e tij, e cila është fort e çuditshme dhe afërmendsh; e paraqet atë cok si përbindësh e po e parashtroj tekstualisht: "S'ka pasë si Skandërbegju në dynja, se i kanë dalë brinja si kaprollit. Ka qanë nishanlli në botët; si Ai asnjëa tjetër. Skandërbegju ka qëanë me brinja, me dy brinja në lule të ballit. Ka pasë ene fletë për nënë sqetull. Mustaqet e zeza Skandërbegju, mas fjalës së vjetër, i ka pasë më njëanën ané katër pëllamë e më tjetrën katër pëllamë të mëdhoja, çi ja kanë maot Skandërbegjut. Kur luftonte Skandërbegju i baonte syët të përxhakun ene çitte dum prej gojet: çaq i zoti çi ka qëanë në luftë. Ka pasë fuçi sa shtatë evliarë bashkë".
Fshehja e brirëve nga kreshnikët
Ndër këto tipare të jashtëzakonshme na tërheqin fort vërejtjen, e madje na çudisin shumë brirët në ballë të Skënderbeut. Si është e mundur të dalin brirë në ballë të njeriut? Në folklorin tonë a ekziston ky motiv absurd? Dhe në qoftë se ekziston është i ri apo i vjetër? Po shohim: "Kuptova se motivi i brirëve në ballë të njeriut është i gjallë në folklorin tonë dhe u binda sidomos pas vitit 1956, kur dëgjova me veshët e mi të flitet për një malësor injorant, i cili, kur doli partizan, njërin prej heronjve të luftës sonë legjendare e pandehte se kishte brirë në ballë… dhe në janar të vitit 1962, një dibran prej, si dhe Ali Suf Krashi, që erdhi mik në shtëpinë time, më tregoi se paskan jetuar edhe tre kreshnikë shqiptarë me brirë në ballë, pas Skënderbeut, në kohë shumë të vona, e paskan luftuar edhe këta për liri kundër batalioneve të Turqisë. Dhe ja ç'më tha fjalë për fjalë:
Lam Daci i Kalisë së Lumës, kundër Turkies, ka çanë me brina në Ballë; ene Nazif Grezhdani prej Grezhdani, kundër Turkies, e Zeledin Seferi prej Luznie të Dibrës, afër Selishtës, kundër Turkies, kanë çanë me brina në ballë. Jallah, si u dalin këto brina këtyne! I mshehin me një kësule të madhe, të bardhe, e nuk u shifen. Po kur t'u binte një fashkare (shuplakë) qafës, atëhere vup u dalin brinat e njaten nji pash e me të kapë me ato brina të faekin… Dy tjerët kanë qanë ma vonë, në kohë të Sulltan Hamidit….
Sipas fjalëve të kallëzonjësit, këta kreshnikë kanë jetuar e vepruar, para dhe pas Lidhjes së Prizrenit; e kuptojmë se Nazifi e Zeledini kanë luftuar në kohë të Sulltan Hamidit. Është shumë interesante dhe fshehja e dalja e brirëve, që na paraqitet si mekanizëm biologjik, i ngjashëm me atë të kthetrave të kafshëve, si fjala vjen luani e tigri. Kreshnikët i mbanin fshehur brirët, po, si duket, i nxirrnin menjëherë, kur përlesheshin me armiqtë e tyre. Këtë përkujtim do të këtë pasur sigurisht dhe Ali Zejneli për brirët e Skënderbeut.
Skënderbeu dhe lëkura e cjapit
Ali Zejneli, në vrullin e entuziazmit të tij, e imagjinon Skënderbeun si përbindësh me brirë në ballë, po në të vërtetë këta brirë janë vendosur në përkrenaren e Atij dhe fshatarët e buzës së Detit, që prej Ishmi gjer në Shëngjin dhe të Kurbinit dhe të Malësisë së Lezhës me anë të legjendash të bukura na tregojnë dhe arsyet pse Fatosi i ka ngulur ato në përkrejsen e tij të famshme. Me dy legjenda të këtilla, për fat rashë dhe unë më 20 tetor 1960. M'i dha shoku Faslli Sinica, prej Devolli, i cili më 1945 e 1946 ka qenë komandant i batalionit të ndjekjes dhe e ka dëgjuar në katundin Laç të Krujës tekstualisht:
"Njëherë n'atë kohë turqit e rrethuan Skënderbenë me gjithë ushtrinë në një katund. Turqit kishin fuqi të madhe dhe që të çante rrethimin, Skënderbeu, qe e pamundur.
Atëherë, ky siç ishte i rrethuar brenda në katund, mori një cjap të madh e theri, e rropi dhe e veshi lëkurën e tij. Katundarët u thanë Turqve: "Po na ngordhin bagëtia, na lejoni t'i nxjerrim të kullosin". Turqit i lejuan që t'i nxirrnin bagëtinë, po bashkë me dhitë dolli dhe Skënderbeu duke ecur këmba doras si dhi me lëkurën e cjapit veshur e si cjap me brirë. Turqit s'e pikasën. Mirëpo, Skënderbeu me të dalë nga rrethimi përgatiti shpejt një ushtri të mirë, u ra turqve prapa krahëve dhe i detyroi të largohen. Kështu e shpëtoi ushtrinë e tij që ishte e rrethuar".
Në një katund të Lezhës ka dëgjuar edhe këto për stemën e Skënderbeut:
Në ato kohë u afruan turqit me anijet e tyre për të zbarkuar në Shëngjin. Po Skënderbeu, me qëllim që t'i frikësonte Turqit, mblodhi një tufë të madhe me dhi dhe në brirët e çdo dhie vuri nga një qiri të ndezur dhe i lëshoi natën nga mali në drejtim të Turqve, që ishin në buzë të detit. Turqit, duke parë gjithë ato drita që po u turreshin, u frikësuan fort dhe ikën me anijet e tyre nga kishin ardhur. Kështu Skënderbeu e shpëtoi Shëngjinin dhe për kujtim të asaj fitoreje, vuri për stemë brirët e dhisë, se dhitë ua dhanë datën turqve".
Përkrenarja me brirët e dhisë
Përkrenarja e Skënderbeut, me brirët e dhisë, i jep Heroit tonë, një bukuri të veçantë, një origjinalitet e madhështi njëkohësisht dhe i ka tërhequr vërejtjen e i ka ngjallur kureshtjen popullit tonë kurdoherë.
Aliu, në përshkrimin e tipareve të Skënderbeut, më tha se Fatosi ka pasur dhe fletë për nënsqetull. Këtu po i biem shkurt, duke përfunduar se Skënderbeu, ka pasur fletë për nën sqetull, që qoftë e fluturonte mal më mal, e kep më kep, me kalë e me mushkë, bile dhe me gomar, sipas një besimi që njihet tashmë dhe vërtetohet me provat materiale të gjurmëve të kalit e të mushkës të ngulura në shkëmb. Na bind për këtë edhe Barleti, që shkruan për fluturimet e tij. Na mbushet mendja se legjendat popullore në fillim e përfytyrojnë Skënderbeun si dragua, e kështu, mitologjia që po krijonin ata për Skënderbeun, ka pasur lidhje me mitologjinë e vjetër shqipe. Kështu, fshatari i thjeshtë prej Urxallës së Macukllit të Matit po na del mbartës e zbulonjës i besimit popullor shumë të vjetër, e kështu fjala e tij është e saktë e ka rëndësi të madhe për Mitologjinë Skënderiane.
Legjendat popullore na thonë se Fatosi ka kaluar me kalë e me mushkë në shumë vende të malësisë, kep më kep e ka fluturuar mal më mal edhe gjurmët e kafshës së tij, të rrasura nëpër shkëmbinj, na kanë mbetur gjer më sot si prova të gjalla e tregohen. Po këto gjeste të mbinatyrshme, në ç'baza i ka mbështetur imagjinata popullore; a mos i ka marrë nga feja myslimane? - po shohim:
Jam i bindur se të parët tanë, në etapën e parë të krijimit të legjendave kanë besuar se Ai duhet medoemos të ketë të hofme të mëdha, doemos ka pasur fletë për nënsqetull, pra ka qenë dragua, siç e ka parë në ëndërr e ëma para se ta lindte. Por, në etapën e dytë "……….. me përhapjen e myslimanizmit në masë, figura e dragoit u zëvendësua prej evliarëve e të dashmëve të Allahut dhe Mitologjia Skënderiane mori tjetër drejtim….. si na paraqitet sot. Fluturimet e rrufeshme dragonjtë i kryejnë në sajë të fletëve që kanë nën sqetull. Pra, del si rrjedhim që legjendat e etapës së parë kanë pas treguar sigurisht se Ai ka pasur dhe drangoj si bashkëluftëtarë, e këta drangoj në etapën e dytë u zëvendësuan prej evliarësh dhe se Fatosi, pra, duket të ketë pasur fletë nën sqetull, na bind edhe Barleti e Frang Bardhi".
Por, Ali Zejneli ka ruajtur atë të vjetrën që Skënderbeu ka pasur fletë për nënsqetull, e pra ka qenë dragua dhe kështu na bind se pushteti i mbinatyrshëm i Kreshnikut arbëror për të hofmet e për të fluturuarat e ka bazën në mitologjinë shqipe të vjetër e jo në atë myslimane, siç paraqitet sot malësori në fjalë, që duhet çmuar se na ka ruajtur edhe këtë motiv ndër sa e sa të tjerë.