2013-08-30

Zogj mjellme në të gjithë shekujt!...




Brahim (Ibish) AVDYLI:



FLATRAT E QIELLIT


1.

Kur flatrat e qiellit
mbyllen
i ruhemi mbrëmjes së vonë

i mbyllim dyet dhe dritaret
me errësirrën kah e zeza.

Atëherë përpiqet Demoni
të ngjallë kudo të Ligën
me përpjekjet e pandalura

e të dërgojë në falimentim
krijuesin e madh të universit
me të gjitha të mirat
e kësaj bote.

2.

Qeni leh
me lëvizjet e padushme
nëpër natën e pabesë



kush e di sa shpirtra të ligj
kalërojnë
nëpër hapësirën e pafund

me të pathënat e mbyllura
në kujtesë...

3.

Kur biem të flejmë
e lusim Zotin e Madh
të ketë mëshirë për ne

i mbyllim enët e palara
vetëm me një shtagë,

të fshirat e mbrëmjes
i lëmë pa nxjerrë
prej shtëpisë...

dhe Zoti me yjet na ruan!

4.

Kur hapen flatrat e qiellit
me agun e freskët
të mëngjesit




përsëri lindin shpresat
dhe yllit i përfalemi
i përfalemi Diellit

në periudhën e pafundme
të  I l i r i s ë!...

LEJLEKU I DHEMBJES SIME

Nga ditët e para të jetës
vinë këta lajmëtar
të ditëve të mira,

dhembjen e pashpjeguar
e godasin me sqepin e parë
në mes të moçaleve-

do të përtërijnë kudo gjelbrimin
me gjuhën e pafjalë të pranverës.

Kur toka e përplasë nga kurrizi
vdekjen e bardhë e të ftohtë
që dridhin dhembjet e një kohe
vinë këta lajmëtarë të parë

me krahët e qiellit të zbresin
shpresat tona të përlotura...



Lejlekë të dhembjes sime
pranverat m`i sjellni
të vjerrura nën qafë,

merrni një dhembje fëmijërore
e sillni një buzagaz të freskët
me durimin tuaj diellor,

ju udhëtoni gjatë
për të tejkaluar nga dhuna

dhe na mësoni
të kthehemi prapë me Lirinë!

ZOGJ TË PIKËLLUAR

1.

Ju shoh përherë të pikëlluar
nëpër fshatrat malore
rreth kodrave tona
a bregut të liçeneve
si fëmijë të mitë, këputur prej zemre,

një lot u vardiset
në bebëzat e thara të shpirtit,
magmat e zemrës
ndizen flakë e gjëmojnë


shkrihet murana e hekurt
e shtatëqind rrufé me godasin
në harfën time të këngës!...

2.

Jeta e juaj
është Bibël e dhembjeve fëmijërore

jeta e juaj digjet përherë
metaforikisht
në kuptimin e së bukurës
të dhëmbshurës
të mallit
e pikëllimit të pashuar,

mjellma të shpirtit tim-
ju, bijë të Sy-thit
të Adamit me të cilin fillon jeta

nuk e di
në cilin shekull të mallkuar jetoj

jam mijëra vjet jete
para lindjes së Bakut
dhe mbetem
me gojën e tharë të pëshpëritjeve,




nuk mund ta gjëj fillin e parë
jemi të përgjumur pip në këmbë,
nuk e vërejmë Diellin

në miliona plagë shpirti
dhembja lulëzon
prore e ndej veten Josip
e dua të shtrëngoj me zemër Klemestrën

ti më vjen me sytë e përlotur
je Noema, bijë e Sellës
Zotneshës pellazge...

fëmijë të braktisur përherë
zogj mjellme
në të gjithë shekujt!...

3.

Nëpër sytë e mi
ngjallet pikurë e pavdekshme pikëllimi
më le të çmedem
bukuria me emër të rrejshëm,

kuptimësia e së bukurës rilind
nga veza e pa numër e dhembjes,

çuditërisht ndjehem
në shekujt e tanishëm


shihem i ngrirë në piklën e bardhë të lotit
që pikë ngadalë
nga bebëzat e ngrira:

herë u ngjanë fëmijve
që shdërrohen në pulëbardha të lotëve
e përplasen
me dhembjen bregut të këngës;

e herë prindërve, baballarëve
që zvogëlohen në mjellma të vajit,

pastaj rreshin me shi
duke më përcjelur
në krojet e pandalura të lotëve

deri në zhdukjen e maleve!...

4.

Ndojëherë
shdërrohem në mjellmë
për t`u takuar me ëndërren time

në thellësinë e ujit të zi
nga shtërgata shekullore
vetëm për një çast të shkurtër,




pastaj, për t`u sjellur vërdallë
nëpër shekuj vuajtjesh
mbi dallgët e zemrës
dhe për të lundruar nëpër kohë,

nuk kam ku të ulem mbi valë
dhe të marr frymë,

a mos kam ardhur gabim
në këtë strofull jete

sa çel e mbyll sytë
ju notoni nëpër liqenin e zemrës,

fëmijëria e juaj e pikëlluar
është me krahët ëngjëllorë
me krahët e fluturimit
nëpër dallgët e trazuara

deri sa shpirti pëlcet!...

5.

Kështu
mbeteni prore
zogj mjellme
nëpër vargjet e mia-

fëmijë të braktisur përherë!...

ZOGU I NEMUR PREJ QIELLIT

Kudo nëpër Evropë
vajton përherë me pikëllim
e askush nuk të kupton

ty, zog i nemur prej qiellit.

Dhembjen tënde e deshifroj
për të vetmin vëlla të vogël,
e të lanë mëtutje mbi tokë
të vajtosh dhembjen tënde
pranë nesh

gjithmonë shara të rri mbi qafë
ku peri rrinte i vjerrur
derisa thurje
qorapë të leshta...

Kur të dëgjoj më vjen të qaj
më përloten sytë me lotë të tharrë
midis bebëzave-

jam shqiptar dhe ti e ke gjuhën time
mija njerëz na kaplojnë anash
dhe nuk na kuptojnë
se të dytë jemi të dënuar,




në livadhe, le të pëlcasë një gomar
sepse asnjë fjalë nuk e njeh
as nga gjenealogjia
as nga mitologjia-

qielli ynë është i pa skaj...

A e dinë, o Gugu-Isuf,
se ilirët qenë të parët në Evropë

prandaj ti-
zog i nemur prej qiellit
përherë vajton në ilirisht!...


QYQJA E MALEVE TONA[1])

1.

Kush është ai fatkeq
që i ndëgjon
qyqet e natës
tek vajtojnë
nëpër shpellat e maleve
edhe kur duhet të flejnë,




tërë jetën thonë
në një degë të thatë
nëntë vëllezërit e saj
edhe më të voglin prej tyre
Ali Bukurinë
e vetmja motër i vajton!...

2.

Aq e bukur është
sa të të vie keq
që nuk i ndalë lotët
ndër mija vite,

të befason kur e sheh
me kokën shqiponjë
sytë të rinjë dhe petakë
trupin pedant
e lara-lara
gjer në bishtin e gjatë.

Herë-herë i quanin
qyqet e varreve

duke i numëruar varret
me miliona dhembje
mbi troje...



3.

Nuk kanë mundësi
t`a përkthejnë me lotë
hartën e pakryer të Atdheut

të shperndarë kudo
me lotët e kristaltë
që vardisen një nga një
në tokat shqipe

si në lulen e saj,

dhe kur e ndëgjojmë qyqen
trupi na rrënqethet
me “ku-ku”-të e saj-

a  janë nëntë vëllezërit
që i mori vdekja
si në një përrallë

apo qindra kreshnikët
me plisa të bardhë
që vdekja ndër varre
i paloi

ku shpeshherë qajnë!...




4.

Duket sikur andej
u ngrit Ali Bukuria
për besën e dhënë

nëntë ditë largë dhembjes
nga dhembja e pa shpresë

mbi atin e bardhë
të vetmen motër
t`a marrë në gjini,

nuk dëshironte të shohë
atë murtajë të dhimbëshme
që po na godiste
në gemb të historisë

dhe nuk është e vërtetë
që të trishton në gjumë
me emrin e ligë

dhe lotët që s`pushojnë
të bukurisë që fluturon
nëpër dhemje!...

5.

Ajo vajton
për atdheun e humbur
e që lotët e kristaltë
nuk mund ta lidhin
hartën e vërtetë

prandaj nuk janë
për t`i gjuajtur me pushkë
në derë të shtëpisë
me lotët varg,

lotët e kristaltë
janë paralajmërim
tepër i trishtë
që zbret nga qielli,

të lënë në derë
motin e thatë!

6.

Mos na provoftë Zoti
varret e të vdekurve
t`i numrojmë me sqep

as vajtimin e bukur
tepër të trishtë
t`a kultivojmë ndër vargje!...






LOTI I QYQES

Mos e dhashtë Zoti
të mblidhen në konak
kokrrat e kristalta

se të pikon zemra
me rruzat e dhembjes
që nuk kane pushim,

vardisen mbi një lule
me ngjyrë të verdhë
deri në pafundësi!...

Mos e dhashtë Zoti
të të rriten në votër
lotët e qyqes!

LULJA E QYQES

E vetmja lule
me ngjyrë të verdhë
sa një hënë e zbehtë
zbritur mbi tokë,

nuk di si e quanin
latinët me emër-
qëndronte mbi fije
të barit të lartë...

Kokrrat e lotëve
nën lule i numëronim
të vardisura pranë-

lule-bukur dhe e mjerë
prore e vetmuar,

lulja e qyqes!...

PENG KUJTIMI

Ke mbetur
peng kujtimi-

këmisha e shqyer e lëkurës
nga asnjë krijues
i jetës sate
nuk qepet

e ti, dënesë i vetëm
që bie më poshtë se dhembja
e vargut të gjurmëve
të çasteve të bjerrura...

Kot përplasesh
me durimin e humbur
duke numëruar
mija goditjet
e pa shpresë,


sytë e qiellit
janë errur në shtërgatë
të lotëve të mallit...

Del nga ajo plagë shpirti
dhe dërgoje deri në fund
atë këngë dhembjesh!...

FRYMA E FUNDIT

Toka e shqipes
është e shkelur dhimbshëm
nga të gjithë fqinjët

e shtrënguar do të pëlcasë
e shkelur me shkelmat e tankseve
të dhunës së përdalur...

Frymën e fundit e mbledhë
nëpër oqeanet e paskajshme të lotëve
me jetën e ndrydhur thekshëm
nëpër dhembjet e vdekjeve

pikën e fundit të durimit
nga fundi i asgjësë për ta nxjerrur
derisa vetëtinë e bubullinë jashtë saj
në minutat e mbetjes gjallë…



Atëherë e mbledhë veten
si mbiqenie
e shtrydhë së fundi zemrën
të lëshojë ulurimat e shpirtit-

këngën e zjarrtë të lirisë!...

Teatër i dhembjes së pafund

1.

Gjakova është vendi i dashur i fëmijësisë
me të gjitha dhembjet e ndarjes së pakthim
dhe nuk kam kohë të ndalem me therrjet
nëpër mushkëritë e djegura të mendimeve-

është botë e veçantë e përplasjeve të mëdha
mbrenda zemrës tërmetet prore rrënojnë
prap një vistër i përtërirjeve ngritet me diell,

mbrenda një çasti shprehen të gjitha stinët
e nuk ndalen bubullimat e mëdha të dheut tim
duke i ndjekur vetëtimat e përdalura të brejtjes.

Gjakova është vend i shpalljes së dhembjes
marr frymë thellë në damarët e qenies sime
e lëshoj rëndë në përkushtimin e vargut
me një pikë loti bebëzavë të heshtjes!...

2.

Dita dhe nata nuk e kanë të njëjtin kuptim
e keqja dhe e mira mbeten prore në dyluftim,
i mbledhi vetë cuklat e fijeve të këputura
të gjëj fillet e dhembjes që piketon gjak-

gjak, gjakova dhe gjaku që nuk ndalet kurrë
për një ditë të bukur ulur këmbëkryq nën bli
me plisin e bardhë të një plaku të ndjenjave

gjithmonë e shoh të ulur në pikëtakimet tona
të asaj malësie që i jep shpirt e madhëri,

gjak i kuq është prore gjaku i shenjtë i lirisë
që në tërë Gjakovën bulëzon në çdo gemb të ri,

edhe fëmijët që vinë të shëndetshëm pas këngës
duke qarë thekshëm me lotë të përzier gjaku
e m`i ngrisin mua flokët peshë deri në vdekje

nëpër muranat e shumta të dëshmorëve...

3.

A e dini ju sa herë jam rrëzuar nëpër metropole
duke qajtur me lot kalldrëmin e rinisë në Gjakovë,
ka mbetur në kujtesë kinoja dhe teatri i gjallë
që lozin tragjikomedinë e dhembjes së pandalur-



do të rrëzohem prap në Paradeplacin e Cyrihut[2])
në Rapersvil, në Stutgard, Mynhen dhe gjetiu
trotuareve të pagjetura përmallshëm nëpër ëndërra;

liria është ndjenjë që çel sythin e përmbajteve
me pranverën rritet e me dimrat e shumtë zbehet,
rreth e rreth zgjerohen në pafundësi këngët e saj
që si fëmijë të rritur dhimbshëm më rrënqethin,

prore i kam kënduar, por çuditërisht më janë zhdukur
dikund në ndërdije ka mbetur ia zë i qartë kënge
se Gjakova është teatër i shpalljes së dramave

e i dhembjes së pafund të përkryer të burrërisë!

DORË MBI ZEMËR

Kur e vendos dorën mbi zemër
sikur të gjithë e kuptojnë,
i përkulen asaj që e rrah jetën
deri sa marrin frymë.

E madhe është bota për barkushet e vogla
që përbirohet nëpër aureolat e saj
si nëpër një çips të jetës
dhe pikëshënon universin,



mendja e di që qeniet jetojmë
atë copë të vogël të orës sonë,

kur ngutet sëmuret del nga takti
jeta e humb kuptimin e vet
me të rrahurat e saj,

por, kur dua të rrespektoj
shtëpitë e Zotit
e vendos dorën mbi zemër
dhe kaloj pranë tyre-

janë ata që i dua më shumë,
kam gjuhë të përbashkët
aq sa e kemi të shkruar
në letrën e padushme...

Zemra do ta rrah jetën deri në fund
dhe kur bota do të ndalet
e lëshojmë frymen e fundit

kthehemi të shtrirë
kah bota e tjetër!...









[1] Kjo poezi e fitoi Shpërblimin spezial të Jurisë në orën e madhe letrare të Shoqatave e Lidhjeve të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Evropës, në Artanë të Kosovës, me 05.08. 2013.
[2] Sheshi i Paradës në Cyrih të Zvicrës

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...