Pas një qëndrimi gati njëmujor jashtë Prishtinës (për shkak të pushimeve të verës), këtë të diel dola të bëj shëtitjen e zakonshme në Gërmi.
Isha vetëm dhe kisha kohë të sodis me vëmendje e të mendoj në qetësi. Kur ç’të shohësh! Pashë disa ndryshme, të cilat dikujt mund t’i duken mrekullia vetë, por, në të vërtetë, për çdo njeri normal; për çdo qytetar që e do qytetin ku jeton, vendin, mjedisin dhe natyrën e tij, janë tejet të këqija e të dëmshme. Madje edhe krejtësisht të panevojshme.
Gjatë shëtitjes sime të radhës në Gërmi, përjetova tri befasi, mjerisht të pakëndshme.
Befasia e parë, WC-ja publike, e cila ndërkohë ishte përuruar (besoj solemnisht).
Kur kalova pranë këtij objekti “madhështor”, që i ngjan një moteli të vogël, për të cilin do të jenë harxhuar bukur shumë mjete, u desh t’i zë hundët me dorë, sepse kundërmonte një kilometër larg!
Pak më poshtë, kur ende ndihej “aroma” e “halesë”, befasia e dytë. Edhe më e keqe se e para. Një si trotuar nja një metër e gjysmë-dy i gjerë me dërrasa anash e material ndërtimor në mes, që fillon nga shkallët pak përtej Pishinës dhe vazhdon tutje. Beton i gjallë! I gjerë, siç thashë, reth dy metro.
Një zot e di se sa do të jetë i gjatë dhe deri ku do të arrijë ky farë “trotuari”, sepse punimet vetëm sa kanë filluar. Kamionët, ekskavatorët dhe mjetet e tjera teknike pushonin (mrizonin), gjysmë në hije gjysmë në diell, pa njeri pranë, sepse është ditë e diel, ditë pushimi.
Zoti Kryetar!
Se e kujt i ka lindur ideja për ta shtruar me beton “lugun e gjelbër të Gërmisë” unë nuk e di (nuk mund ta di), por e di se kjo nuk bëhet për të mirën e qytetarëve, siç (mund të) pretendohet, por për hir të ndonjë tenderi, prej të cilin përfitojnë (në kurriz të taksapaguesve), firma e individë të caktuar, përfshirë edhe njerëz të stafit tënd. (Jam i prirur të besoj se ti vetë nuk je i involvuar në këto transaksione të pista, por si njeri i parë i Kryeqytetit që je, madje në dy mandate, mban përgjegjësi për ndërtimet pa leje të shumëkatësheve, që po ia zënë frymën qytetit, për uzurpimet e pronës publike etj. Dhe, ja tani, edhe për Gërminë).
Këtë Gërmi të shkretë ka Prishtina, pothuajse asgjë tjetër. Prandaj mos na e merrni edhe atë. Mos e shkatërroni me projekte kuturu. Më mirë lëreni ashtu siç e ka falur natyra sesa ta prishni, siç ia keni mësyrë.
Si banor shumëmvjeçar i qytetit të Prishtinës, ku jetoj e punoj plot dyzet vjet, Ju ftoj publikisht që të urdhëroni të ndërpriten punimet në ndërtimin e atij “trotuari” krejt të panevojshëm e grotesk.
Tërë ditën e gjatë, prejse dal nga shtëpia e derisa kthehem prapë, këmba më shkel në beton e asfalt. Nuk dua që kështu të ndodhë edhe kur dal në Gërmi. Dua të më prekë pak këmba dhé (qoftë edhe baltë!) e bar. Kështu mendon, besoj, shumica e qytetarëve të Prishtinës; të gjithë ata që qytetërimin nuk e identifikojnë me betonin dhe asfaltin.
Befasia e tretë. E vërteta! Pashë se edhe amfiteatri i thjeshtë, por i bukur, te Pishina, po restaurohej; po shtohej me të madhe sasia e hekurit dhe betonit mbi të. Përsëri pa pikë nevoje. Diçka si Pushimorja e famshme e Dacit, në kohën kur ishte kryetar i Kuvendit, po në Gërmi, një projekt i kotë e megaloman, me mure ciklopike prej betoni, që ka mbetur si gërdallë në mes të pyllit dhe që, në masë të madhe, e kryen, funksionin e “yzyrhanes” së miletit, WC-së publike, duke ia marrë “klientët” kësaj tuajës, të sapondërtuarës! Me sa pashë amfiteatri do të mbulohet, do t’i vihet kulmi, që të mos lagen artistët dhe shikuesit, sigurisht. Kur të bie shi.
Kjo duhet të jetë logjika e kësaj ndërmarrjeje. Salla nën kulm kemi sa të duash në qytet, zoti Kryetar; atje lart le të jetë e hapur.
Nuk e përjashtoj mundësinë që ju t’i keni arsyetimet tuaja për këto ndryshime, por logjika e thjeshtë e thotë dhe përvoja jonë e hidhur e përditshme, shumëvjeçare, se përsëri “është në pyetje” tenderi. O Zot, ç’tenderomani! Ia kajtën nënën Kosovës këta tenderë të pasluftës, që, ç’është e vërteta, nuk vijnë vetëm nga krahu yt politik, por edhe nga të tjerët.
Në kthim nga shëtitja në Gërmi, që u bë shkas i këtij shkrimi, për të cilin kur u nisa as që më kishte vajtur mendja se do ta bëja ndonjëherë, mendoja: Ku janë ambientalistët tanë? Ka apo s’ka të tillë? Ku është Partia e të Gjelbërve e Kosovës? A ekziston ajo apo jo? Përse heshtin? Përse nuk bëjnë së paku një protestë publike për të kundërshtuar shkatërrimet në Gërmi dhe në qytet në përgjithësi?!
Zoti Kryetar!
I nderuar koleg! (Koleg po të quaj si profesor i Universitetit të Prishtinës, ku mbajmë mësim që të dy, e jo si anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, ku ti je e unë jo).
Edhe diçka në fund fare. Meqë i hyra kësaj pune. Hiqni atë tabelë të turpshme aty ku fillon rruga «Eqrem Çabej», te semafori, shumë pranë Fakultetit të Filologjisë, ku emri i albanologut më të njohur shqiptar, Profesor Eqrem Çabejt, është shkruar gabimisht: Eçrem Qabej! Eçrem Qabej, hej! Jo një, po dy gabime trashanike! Jepni urdhër që të hiqet që sot kjo tabelë e turpshme, për t’u zëvendësuar me një tjetër, të re, ku emri i Profesorit të jetë i shkruar drejt.
Pra, që sot, kur fillon Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Të mos tallen albanologët e huaj me ne!
Me shpresë se kjo letër nuk do të bie në vesh të shurdhër, zoti Kryetar, Ju përshëndet përzemërsisht Prof. Dr. Agim Vinca, qytetar i Prishtinës.