AKADEMIK PROF.DR.JORGO BULO
Viti 2010, i shpallur nga UNESCO si “Viti i Afrimit të Kulturave” dhe Dita Ndërkombëtare e Khajamit, janë një rast i mirë për të dëshmuar se sa i afron banorët e këtij planetit tonë kultura që ata kanë krijuar në shekuj dhe për të kujtuar gjithashtu një nga korifejtë e një kulture të madhe, një shkencëtar, filozof e poet si Omar Khajami. Në imazhin e të gjithë brezave njerëzorë, herët në Orient, dhe dy shekujt e fundit në Evropë, rubairat e Omar Khajamit janë një kujtim rinie, një kupë vere dionisiake e pirë me etjen e moshës dhe një tufë këngësh epigramatike që të shpien në një oazë qetësie evangjelike ku meditohet për jetën dhe vdekjen, qenien dhe mosqenien, bukurinë dhe shkurtësinë e jetës, me mençurinë e urtësisë së vjetër klasike. Këtë ndjesi kanë provuar edhe brezat në Shqipëri qëkurse Noli përktheu në shqip Rubairat e Mjeshtrit që i dha këtij zhanri poetik, të lëvruar kohë para tij në letërsinë persiane, formën e përsosur, duke e identifikuar me vetveten dhe atë vetë me një nga përfaqësuesit e pavdekshëm të asaj bote kulturore të lashtë, por gjithmonë të re për vlerat dhe mesazhet e saj. U desh të takoheshin dy gjeni, një nga gjenitë e kulturës dhe të mendimit persian të shek. XI-XII, Omar Khajami, dhe gjeniu i kulturës shqiptare të shek. XX, Fan Noli, që në botën shqiptare të vinte shpirti i artit dhe i mendimit të Khajamit, në një version magjistral, që po të parafrazojmë fjalët e Nolit për Fizxheraldin “i jep të drejtë Shqipërisë të mburret për Fan Nolin aq sa Persia vetë për Omar Khajamin”. Shqipërimi i rubairave prej Fan Nolit nxiti edhe përkthimin e një tufe syresh prej një njohësi të rrallë të kulturës dhe të gjuhës së Persisë së Lashtë, që me shkrimet e tij botuar në vitet 20-30 të shekullit që shkoi në gazetat e Teheranit kishte mahnitur botën intelektuale persiane për faktin që një intelektual nga një vend i vogël dhe i largët evropian njihte aq mirë shpirtin e kësaj gjuhe të vjetër të poezisë e të shkencës. Ky ishte Hafiz Aliu, lindur në Korçë, ku mori mësimet e para e të mesme, për t’i vazhduar në Universitetin e Stambollit, për t’u bërë jo vetëm një nga figurat e shquara të klerit islam, por dhe një nga protagonistët e jetës kulturore të kohës në Shqipëri. Këtë traditë e vazhduan më tej personalitete si Sejfulla Malëshova, që sillte me shqipërimet e tij risinë e një poeti elegant dhe të një mjeshtri të vargut. Midis këtyre përkthyesve Omar Khajami qëndron si një sfinks, i kuptuar dhe i dëshifruar në mënyra të ndryshme, siç ndodh me enigmën që paraqesin mendjet e mëdha dhe mendimet e thella për brezat që vijnë e ikin, të habitur përpara gjenialitetit dhe universalitetit të etërve të kulturës njerëzore, e krijuar kudo qoftë, në Lindje a në Perëndim.
Pyetja kush është Omar Khajami vazhdon të mbetet sot e kësaj dite në tryezën e diskutimeve akademike. Shpirt enciklopedik, astronom, matematicien, filozof dhe poet, personalitet kompleks, që çdo shkollë poetike a mendimi, çdo fe a sekt fetar, ka dashur ta quajë të vetin, Omar Khajami mbetet ai që është. Të ndriçohet sadopak vepra e këtij magjistari të madh të mendimit dhe të fjalës, “besnik i vetvetes”, ky është dhe motivi që shtyu organizuesit e këtij simpoziumi të ndërmerrnin nismën e kësaj veprimtarie, kushtuar veprës së Khajamit dhe historisë së përkthimit të Rubairave të tij në gjuhën shqipe.