Edhe pak ditë dhe mbushen plot 80 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës nga ana e Ibrahim Çelos në Selanik të Greqisë. Ndërsa, më 27 shtator mbushen 140 vjet nga lindja e këtij heroi të popullit shqiptar. Institucionet tona shtetërore kulturore janë duke përgatitur aktivitete për t’i kujtuar këta dy përvjetorë. Ndërsa, historianët çmojnë lart figurën e Hasan Prishtinës, duke konsideruar se ai ishte dhe mbetet figura kyçe e luftës çlirimtare të shqiptarëve në pjesën e parë të shekullit XX, duke thënë se historiografia shqiptare edhe pse e ka trajtuar gjerësisht dhe e ka vlerësuar kontributin e tij, ka ende çfarë të thotë për këtë patriot të madh.
Vizitë në shtypin në Selanik
Emri i tij tashmë mbahet nga shumë institucione arsimore publike në Kosovë, ndërsa tani, edhe Universiteti Publik i Prishtinës e mban emrin e tij, andaj edhe zyrtarë të këtij universiteti kanë bërë gati aktivitete për shënimin e 80-vjetorit të vrasje së Prishtinës dhe 140 vjetorin e lindjes. Zyrtarë të Rektoratit të Prishtinës kanë thënë për “Kosova Sot” se zyrtarët e lartë të këtij institucioni arsimor do ta vizitojnë shtëpinë e Prishtinës në Selanik, ndërsa aktivitete kanë përgatitur edhe për ditëlindjen e tij. Kjo është konfirmuar edhe nga Ardian Kastrati, zëdhënësi i rektorit Ibrahim Gashi. “Rektori do ta vizitojë shtëpinë e Hasan Prishtinës së bashku me Dekanin e Fakultetit Filozofik javën tjetër në Selanik, kur edhe shënohet simbolikisht 80-vjetori i vrasjes se tij. Kurse, për ditëlindjen e tij do ta kemi një aktivitet për të cilin mediet do të informohen me kohë”, ka thënë Kastrati në një prononcim për “Kosova Sot”. Në anën tjetër, në një prononcim për “Kosova Sot”, historiani Hakif Bajrami ka thënë se Hasan Prishtina është një ndër figurat më madhështore shqiptare gjatë tërë historisë sonë mijëravjeçare. Sipas tij, Prishtina është figura kyçe poetike e ushtarake shqiptare në pjesën I të shekullit XX dhe këtë e vërteton fakti se që nga braktisja në mënyrë demonstrative e Parlamentit osman dhe mbajtjen e Takimit të Taksimit, Prishtina në asnjë moment nuk do të zmbrapsej dhe deri në frymën e fundit do të punojë për shpalljen e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar dhe luftën për bashkimin e trojeve të shkëputura nga shteti amë. “Edhe Pavarësia e Shqipërisë më 1912 është produkt kryekëput i luftës së Hasan Prishtinës, sepse ai ishte organizatori kryesor i kryengritjes më të fuqishme të shqiptarëve në shekullin XX kundër osmanlinjve. Më vonë, Prishtina do të bëhet një ndër udhëheqësit kryesorë kundër okupimit të Serbisë, e cila e burgosi në nëntor të 1912-ës dhe e mbajti në prill të 1913-ës në Beograd”, ka thënë ai, duke shtuar se Hasan Prishtina do të shquhet gjithmonë për shkollën shqipe, për emancipimin kombëtar, për atë kulturor dhe tolerancën kombëtare. Ndërsa ishte mik dhe bashkëpunëtor i partitive më të mëdha dhe të njohura që ka nxjerrë kombi shqiptar nga Jugu në Veri.
Themeluesi shkollave shqipe
Bajrami ka thënë se edhe pse Prishtina nuk ishte më 1918 në Kuvendin themelues të Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, ai prej 1915-ës e deri më 1918 u shqua për themelimin e shkollave shqipe në Vushtrri, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjakovë e vende të tjera. “Prishtina shquhet edhe për luftën e tij se Shqipëria duhet të frymojë si Një dhe se Evropa padrejtësisht i ndahu trojet shqiptare. Më 1921 ai themeloi edhe një kabinet qeveritar, por për shkak të intervenimit të jashtëm dhe divergjencave të brendshme, pas 4 ditëve dha dorëheqje dhe nga ajo kohë e derisa u vra më 1933, mbeti në opozitë”, ka pohuar historiani Bajrami. Bajrami ka thënë se për Prishtinën është shkruar shumë dhe historiografia shqipe ka bërë shumë për të, por ende ka hapësira për të. “Për Prishtinën, në saje e rrethana që i kemi pasur, edhe Tirana edhe Prishtina kanë bërë mjaft. Në Tiranë, më 1964, u botua libri “Hasan Prishtina” i Ajet Haxhiut, libër i cili na shërbeu neve studentëve dhe studiuesve të saj në Kosovë për të mësuar për Hasan Prishtinën”, ka pohuar ai, duke shtuar se për figurën e tij kanë shkruar historianët më në zë shqiptarë.
Hasan Prishtina, diplomat
Ndërsa, në një prononcim për “Kosova Sot”, historiani Nuridin Ahmeti ka thënë se historiografia shqiptare ende ka punë në zbardhjen e fakteve për jetën dhe veprën e personalitetit të Hasan Prishtinës. Sipas tij, vetëm po ta shikoni një numër të posaçëm që njëra nga revistat që del në Maqedoni me emrin “SHENJA”, që i është kushtuar Hasan Prishtinës, do ta shikoni se sa fakte të reja ka mbi jetën dhe veprën e këtij personaliteti. “Deri më sot, është folur për anën nacionaliste të tij, por jo edhe atë diplomatike, që Prishtina i shpërfaq, në raport me fqinjët tanë serbë dhe grekë në dy editoriale të botuara në gazetën “Dajti” të Tiranës, në vitin 1924, me titull “Sjelljet e Serbisë kundrejt Shqipnis” dhe “Sjelljet e Greqisë kundrejt Shqipnis”, ka thënë historiani Nuridin Ahmeti, hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ndërsa Fitim Rifati, hulumtues i pavarur shkencor në Institutin e Historisë, aktualisht edhe kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, ka thënë për “Kosova Sot” se Hasan Prishtina mbetet një ndër figurat më madhore në historinë e popullit shqiptar të shekullit XX. Sipas tij, Shumdimensionaliteti i tij në çështjen kombëtare shqiptare ka reflektuar pozitivisht në ngritjen dhe avancimin e aspiratave kombëtare. “Kundër Perandorisë Osmane dhe regjimit xhonturk, ai veproi si një ndër deputetët më të zëshëm shqiptarë në Parlamentin osman, ku denonconte hapur padrejtësitë dhe reaksionin xhonturk ndaj shqiptarëve”, ka thënë Rifati, duke shtuar se Prishtina nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), njësoj sikur që nuk u pajtua as me vendimet e Konferencës së Paqes në Paris (1919).
I. Vatovci