2013-08-27

Rexhep Ismajli: Teza për prejardhjen trakase të shqipes nuk qëndron

Në ligjëratën e tij, "Diskutime për prejardhjen e gjuhës shqipe", akademik Rexhep Ismajli ka thënë se shkenca deri më sot nuk ka mundur të hedhë poshtë hipotezën se ilirishtja është nëna e shqipes.
Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes së lashtë. Të gjitha hipotezat shkencore e mbështesin këtë fakt. Edhe pse nga ilirishtja nuk është trashëguar asgjë e shkruar, shkenca e gjuhësisë, duke u mbështetur në metodat ndihmëse, ka arritur të na japë fakte të qëndrueshme se gjuha shqipe është vazhdimësi e ilirishtes së vjetër. Kështu ka thënë në ligjëratën e tij - "Diskutime për prejardhjen e gjuhës shqipe" - akademik Rexhep Ismajli, mbajtur dje në kuadër të Seminarit të shqipes. Në ligjëratën e tij, që zgjati më shumë se një orë dhe që u përcoll me një interesim të madh nga seminaristët, akademik Ismajli, duke krahasuar rezultatet e shumë albanologëve të ndryshëm, të cilat kanë dhënë versione të ndryshme e të shumta e herë-herë politike mbi prejardhjen e shqipes, duke konkluduar në fund se shkenca deri më sot nuk ka mundur të hedhë poshtë hipotezën se ilirishtja është nëna e shqipes, ndërsa ka pohuar se dëshmi e kësaj janë huazimet e vjetra të latinishtes dhe greqishtes në shqipen. Po, sipas Ismajlit, shqipja ka kaluar të gjitha ndryshimet që kanë prekur edhe gjuhët e tjetra indoevropiane dhe përmes këtyre edhe dëshmohet vjetërsia e saj. "Hipoteza për origjinën trake të shqipes nuk qëndron shkencërisht. Nuk ka dëshmi për këtë", ka thënë Ismajli. Megjithëse ka shtuar se ka ende hapësira për diskutim dhe shkenca do të sjellë dëshmi të tjera për vjetërsinë dhe gjenezën e shqipes. Ai ka thënë se edhe hipoteza se shqipja është formuar nga mbetje të gjuhëve të popujve antikë ballkanikë nuk është parë shkencërisht si një hipotezë pa fakte. Kurse sa u përket studimeve serbe, ai ka thënë se shumica prej tyre kanë qenë të ndikuara nga politika dhe në shërbim të saj. Duke folur për formimin e shqipes, ai ka thënë se gjuha shqipe është formuar në një territor të romanizuar. "Shqipja ka shumë elemente latine dhe studimet kanë treguar se këto elemente janë të vjetra, disa janë më të vjetra se të gjitha gjuhët romake", ka thënë ai, duke shtuar se disa shkencëtarë marrin Dardaninë si vend ku është krijuar shqipja, ndërsa arkeologët kanë një mendim tjetër. Ndërsa duke folur për vendin e lindjes së shqipes, akademik Ismajli ka thënë se gjuhëtarët më shumë e mbështesin trevën e Dardanisë. Po në kuadër të Seminarit, gjatë ditës së djeshme përveç kurseve të gjuhës shqipe në dy nivele, janë mbajtur edhe referime.
Isa Vatovci

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...