Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi është munduar të shpjegojë pozicionin e ulët të Universitetit të Prishtinës, postuar në rang-listën e universiteteve në internet, raporton ktv. Në emisionin Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se është e vërtetë që ka pak publikime shkencore nëpër revista të ndryshme evropiane, e po ashtu ka pak postime në Google.
Mirëpo, sipas tij, është bërë shumë sa i përket ngritjes së cilësisë në Universitetin e Prishtinës, por fakti që ky institucion ka buxhet shumë të vogël, ndikon në avancimin e standardit akademik. Gashi ka bërë të ditur se do të kërkojë që të ngrihet buxheti për UP-në, pasi rreth 26 milionë euro nuk mjaftojnë, sepse rreth 20 milionë shkojnë për pagesa ndaj stafit akademik.
Për këtë vit UP-së i është rezervuar vendi i 4 mijë e 416, që i bie 1000 vende më poshtë sesa që ka qenë vitin e kaluar. Kjo listë në internet është bazuar duke përdorur metoda kuantitative, ku janë dizajnuar indikatorë që lejojnë matjen e kualitetit shkencor në internet.
Ueb faqja “Renditja në internet e universiteteve” është iniciativë që i takon grupit hulumtues të Këshillit superior për hulumtime shkencore, organi më i lartë publik hulumtues në Spanjë.