2013-08-06

“Ortodoksia serbe” dhe “herezia shqiptare”

image
Bardhyl MAHMUTI
Në shkrimin tim të titulluar “’mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’”  nxorra në shesh se akuzat e Fatos Lubonjës dhe Arben Idrizit kundër personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës bazohen në dokumentin e përpiluar nga institucionet politike dhe të shërbimeve sekrete (civil dhe ushtarak) të Serbisë, të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji”.
Reagimet e shumta kundër përpjekjeve të Fatos Lubonjës, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Berat Buzhalës dhe Imer Mushkolajt që të na e “shesin” «vizionin serb» për Kosovën si gjoja “shprehje e mendimit të lirë të shkrimtarëve dhe intelektualëve” mobilizoi personat e lartëpërmendur që t’u vërsulen kundërshtarëve të vet dhe mbrojtësve të «vizionit shqiptar» me një arsenal të llojllojshëm akuzash.
Në shikim të parë, përmes kësaj forme akuzash ata përpiqen të krijojnë përshtypjen se janë “viktima të logjikës totalitare”, se gjoja janë “heretikët e mendimit unik” dhe në këtë mënyrë të përmbysin rolet:nga persekutor në viktimë!
Për këtë arsye, analizat duhet të jenë të përqëndruara në aspektë të ndryshme. Mirëpo, që në fillim po theksoj se fakti i aspekteve të ndryshme që përmbajnë akuzat e tyre nuk janë të rastësishme. Përkundrazi! Ato janë tejet të koordinuara dhe në harmoni të plotë me logjikën e argumentimit të mbrojtësve të «vizionin serb»!  
Në këtë shkrim do të përqëndrohem në përpjekjet e këtij klani për të përmbysur rolet dhe për të paraqitur veten si ‘heretik’ dhe ‘vikktima’ dhe do të nxjerr në shesh se stigmatizimi i mbrojtësve të «vizionin shiptar» si “fundamentalist”, “si klerik politik ”, “si inkuizitor”, si “stalinist”, si “enverist” etj. sado kundërthënëse dhe përjashtuese të duket, sado që, siç konstaton Arben Idrizi, “ekziston një dallim fundamental në mes nocioneve” ato janë koherente me arsenalin e termeve të ambalazhuara në “kuzhinën serbe” dhe të përdorura vazhdimisht, si në të kaluarën ashtu edhe sot!
Para se të vazhdoj të trajtoj kontekstet shoqërore dhe historike të përgatitjes së “nocioneve” stigmatizuese serbe kundër shqiptarëve, e shoh të udhës që të përmend shkurtimisht domethënjen e dy nocioneve: «ortodoksia» dhe «herezia».
 Ky digression do të na ndihmojë që të kuptojmë se fjala është për përmbysjen e roleve në dinamikën e konfliktit dhe luftës në Kosovë.
Fjala «ortodoksi» ka prejardhje nga greqishtja e vjetër ὀρθός, orthos (« e drejtë », « e saktë», « korrekt »), dhe δόξα, doksa (« rrugë », « opinion » « mendim »), që tekstualisht do të thotë “rrugë e drejtë”, « opinion i drejtë », « mendim i saktë». Ndërsa, nga ana tjetër, fjala «herezi» në shumicën e gjuhëve ka depërtuar përmes fjalës latine haeresis, e kjo ishte huazuar nga greqishta e vjetër dhe paraqiste një mundësi zgjedhje e një« doktrine, opinioni, sistemi ideshë». Pra, përcaktimi për një vision alternative, qoftë religjioz apo politik, përballë «ortodoksisë» dominante.
Këto dy «nocione» do të jenë kategori kryesore të luftës së “vizionit religjioz të krishterë” dhe mbrojta e “ortodoksisë” arsyetohej si mission për t’i siguruar «paqen qillore» njerëzimit!  Përmes ‘censurës’ dhe ‘inkuizicionit’-terme të preferuara të grupit të lartëpërmendur të “shkrimtarëve” dhe të “intelektualëve- si instrumente dhune, “vizionarët e krishterë” do të krijojnë «ferrin tokësor». 
Meqenëse në tipologjinë e diskursit të pjestarëve të grupit të “shkrimtarëve” dhe “intelektualëve” theksohet përndjekja e “heretikeve” nga ” inkuizitorët” dhe “ nga klerikët e indoktrinuar deri në asht nga dogma” po përmendi vetëm disa të dhëna që karakterizojnë luftën në mes «ortodoksisë» dhe «herezisë». 
Vrasjet, burgosjet dhe shkatërrimi i çdo gjëje që nuk ishte në përputhje me “vizionin e krishterë” janë karakteristikat e kësaj forme të totalitarizmit me të cilën është ballafaquar njërzimi. Që të ruhet ‘vërtetësia e kësaj dogme’ autoritetet kishtare do të hartojnë «Lista të  librave të ndaluara (Index Librorum Prohibitorum)» dhe kjo frymë e përndjekjes do të jetë e praninishme deri në vitin 1966).
Sa i përket përmasave të ndalesave të librave dhe autorëve përmes futjes në “lista” (Indekse!)  po përmendim se “vetëm gjatë periudhës 1600-1996 janë ndaluar rreth 5200 vepra dhe rreth 3000 autorë.  (Index Librorum Prohibitorum 1600-1966, Vëllimi i XI, 2002, f.34 Vepër e përpiluar nga grup autorësh nën drejtimin e J.M. Bujanda).
Sa i përket kësaj forme të trotalitarizmit dhe analogjisë që bëjnë me Kosovën anëtarët e grupit të lartëpërmendur, e shoh të udhës të përmend vetëm një segment të “visionit të krishtërë” si “ortodoksi”, si “rrugë e drejtë”, si “vizion i drejtë”: “Zbulimi I kontinentit te Ri” dhe kolonizimi i tij!
Në mënyrë të ngjajshme si dyndja e popujve sllav mbi territoret iliro-shqiptare, ushtarët dhe klerikët e popujve të “civilizuar” te Europës iu vërsulën territoreve dhe popujve autokton të “Botës së Re”. Duke i stigmatizuar si “njerëz të egër”, si “njerëz pa shpirt”, si “popuj të pacivilizuar”, si “popuj barbar” etj., ata që pretendonin se kishin “mandatin hyjnor” që t’i siguronin njerzimit rrugën drejtë ‘parajsës qiellore’ ushtruan format më çnjerëzore të dhunës.
Të udhëhequr nga strategjia se “Konkistadorët janë ketu për te vrarë dhe për të marrë , ndërsa fetarët për të fshirë kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve “( Fernando Baez, Histoire universelle de la destruction des livres, Fayard, 2008, f 156) u shkatërrua çdo gjë që ishte e mundur të shkaterrohej në këtë “Botë të Re”.
Nuk do të zgjatem në tërë atë dhunë të ushtruar kundër civilizimeve të kësaj “Bote të pacivilizuar” por, po përmendi sa për ilustrim vetëm këtë. Peshkopi dhe inkuizitori spanjoll i Meksikës, Juan de Zumarraga, me mburrje krenohej se kishte djegur të gjitha kodekset e popullit Aztek qe kishin shpëtuar nga djegja e mëparshme. (Vepra e cituar e Fernando Baez, f.155) ndërsa zëvendësi i tij, Diego de Landa, në vitin 1548 organizoi në qytetin Mani asgjësimin e 27 kodekseve dhe 5000 tempujve dhe idhujve të civilizimit Maja. Vetëm tri kodekse të këtij civilizimi kanë mundur të mbijetojnë kohët. ( Vepra e cituar, f 177)
Në këtë artikull nuk mund të nxjerrim tërë atë dhunë të ushtruar nga pushtuesit serb për të humbur të gjitha gjurmëve iliro-shqiptare të territoreve të pushtuara. Nëse ka nevojë mund ta bëjmë në shkrimet e ardhshme. Ajo që mund të thuhet në këtë shkrim ka të bëjë me analogjinë tejet domethënëse në mes të “konkistadorëve të Amerikës Latine” dhe të ushtarëve dhe priftërinjeve serb, ku dikush “vriste dhe mirrte” e dikush përpiqej “të fshinte kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve”.
Ti kthehemi edhe një herë temës së mëparshme të stigmatizimit të shqiptarëve.
Fenomeni i stigmatizimit të shqiptarët nga institucionet politike, diplomatike dhe mediatike serbe do të merr përmasa jashtëzakonisht të mëdha, sidomos në periudhën e shpërbërjes së Perandorisë otomane dhe krijimin e kontekstit shoqëror dhe historik që lidhet me procesin e krijimit të shteteve të pavarura në këtë pjesë të Europës.
Fatkeqësisht, stigmatizimi serb i shqiparëve si “islamik në Europën e krishterë” do të gjejë përkrahësit e vet edhe në qarqet politike dhe diplomatike të Fuqive të Mëdhe të asaj kohe.
Mbështetja e “visionit serb” nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia cariste, dhe ‘mbyllja e veshëve me dhyll’ ndaj ‘të vërtetës shqiptare’ do të kenë pasoja të mëdha në përcaktimin e kufijve shtetëror në këtë pjesë të Ballkanit.Tërësia e territoreve të banuara me shqiptar  që përfshinte Vilajeti i Kosovës, si njësi administrative e Perandorisë Otomane , dhe një pjesë e madhe e territoreve të banuara me shqiptar që përfshinte Vilajeti i Manastirit, i dhurohen shtetit të ri serb.
Të gjithë të interesuarit për këtë periudhe vendimtare në krijimin e shteteve të reja në Ballkan mund të binden se “vizioni serb” dhe’vizioni grek”, të propaganduara si vizione të “krishtera”, do të arrijnë suksese në përhapjen e mendimit se “shteti shiptar në Ballkan” do të ruante prezencën otomane në Evropë. Rezultate e Kongresit të Berlinit, të Konferëncës së Ambasadorëve në Londër dhe e të ashtuquajturës “Paqë e Vërsajës” e trimëruan politikën serbe që të Aplikojë politikat shfarrosëse kundër shqiptarëve në përputhje me “vizionin e saj ortodoks” të shtuar në Platformën famëkeqe «Naçertanje».
Moment tjetër që e shoh të rëndësishëm ta përmendi lidhet me pozicionimin e Jugosllavisë në anën e shteteve komuniste. Që nga instalimi i diktaturës komuniste në Jugosllavi, dhjetëra mijë shqiptarë u ekzekutuan pa gjyq nën akuzën  “e antikomunizmit dhe ndikimit me ideologji borgjeze”. Ata që nuk pranonin “ortodoksinë’ serbe, të definuar dhe të kamufluar nën plafin e “parajsës jugosllave” përjetuan ferrin në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.
Vetëm disa vite më vonë, sidomos pas prishjes së marrëdhenjeve politike dhe diplomatike me “Internacionalen Komuniste “ në vitin 1948, shqiptarët do të vriten, përndiqen, arrestohen dhe dënohen nën akuzën e “ithtarëve të stalinizmit”.
Periudha nga shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 e deri te shpërthimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën një moment kyq në strategjinë e luftës antishqiptare.
Kontestimi masiv i “ortodoksisë serbe” se gjoja “shqiptarët kishin vendosur me vullnet të vet t’i bashkohen Serbisë” dhe kërkesa e afishuar për të jetuar të pavarur nga Serbia në kuadër të Federatës jugosllave, i terboi bartësit e aparateve shtetërore, politike, mediatike dhe religjioze të “vizionit serb”. Komunistët serb dhe shqiptar të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe të Kosovës u vërsulen me të gjitha aparatet e dhunës fizike dhe mediale kundër ‘heretikëve’ shqiptar. 
Të akuzuar si “nacionalist” dhe si “enverist” vetëm në periudhën 1981-1987 do të kalojnë nëpër duart e hetuesisë serbe dhe argatëve të tyre komunistë shqiptar të Lidjes së Komunistëve të Kosovës mbi 1/3 e popullsisë shqiptare të Kosovës. 
Krahas vrasjeve, plagosjeve, arrestimeve dhe dënimeve të atyre që nuk pranonin t’i nënshtroheshin “të vërtetës serbe”, me mijëra libra shqip, të botuara në Tiranë, këngë dhe vepra të diciplinave të ndryshme shkencore u ndaluan me dekret shtetëror. ‘Inkuizicioni i klerikëve komunistë serb e shqiptar të Kosovës kundër ‘herezisë’ shqiptare është i dëshmuar në shumë vepra në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.
Interpretimi zyrtar i komunistëve serb lidhur me vendimin e aneksimit të Kosovës konsistonte në gjoja shprehjen e lirë të vullnetit të popullit shqiptar për të jetuar nën Serbinë socialiste. Këtë interpretim të “ortodoksisë komuniste serbe” argatët shqiptar në strukturat komuniste të Kosovës të tipit të  Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Mehmet Maliqit dhe funksionarëve tjerë që përpiqeshin edhe më tepër se serbët që të mbanin “ortodoksinë e vizionit serb” si opcion të vetëm  për Kosovë.
Madje, ata do të mundohen të bindin “turmën e manipuluar” “se rruga e Kosovës drejt zhvillimit të gjithanshëm dhe Fondeve të Federatës kalon nëpër Beograd”.   
Opinionit publik shqiptar dhe të gjithë atyre që kanë përcjellur me vëmendje ngjarjet e asaj kohe ju kujtohen mirë këto deklarata. Siç ju kujtohet edhe deklarata e xhelatit të «Kushtetutës së Tankeve», Rrahman Morinës, “se populli shqiptar me ndryshimet e kushtetutës të vitit 1989 nuk ka humbur asgjë por ka fituar shumë! Por, fatkeqësisht në mesin tonë ka hi një dreq i madh dhe po mundohet ta turbullojë mendjen e popullit” . Kjo deklaratë e Rrahman Morinës për “Dreqin e Madh” që “turbullon shpirtin e popullit dhe që mund ta bëjë të shpërthej  kundër Serbisë” ndodhi në kohën kur bartësit e aktivitetit kundër okupimit serb të Kosovës bëhëj në mënyrë tërësisht të fshehtë. Pra, në kohën kur pushteti i okupatorëve të Kosovës nuk i dinin se kush ishin personat konkret. Po rikujtojmë se cilësimi me termin «dreq» është cilësim tipik i “inkuizitorëve dhe klerit fetar”.
Përmbysja e komunizmit dhe instalimi i sistemit gjoja demokratik në  Serbi, e cila udhëhiqej nga ish diktatori komunist S. Millosheviq, krijoi kontekstin “à la mode” që të fshihen cilësimet e moçme të “shqiptarit antikomunist dhe të ndikuar nga ideologjia borgjeze” dhe të ndryshojnë amballazhin e akuzave përmes të cilave shqiptarët që nuk pranonin ortodoksinë e vizionit serb të stigmatizohen si “komunist”, si “terrorist” dhe si “fundamentalist”… 
Në këtë shkrim nuk do të zgjatem në citimin e diskurseve të shumta të politikanëve dhe gazetarëve serb, dhe të atyre «jo serb» (madje edhe shqiptar!) që mbështesnin “vizionin serb për Kosovën” si “vision i vetëm i drejtë” dhe, sipas të cilëve, shqiptarët që nuk pranonin këtë “të vërtetë” nuk ishin gjë tjetër pos “komunist”, “stalinist”, “enverist”, “terrorist”. “ekstremist”, “fundamentalist”…. 
Kësaj radhe do të kufizohen vetëm në shkrimet e kohëve të fundit të “shkrimtarëve” dhe “intelektualëve” të sortës së Lubonjës, Idrizit, Buzhalës, Matoshit dhe Mushkolajt.
Një çerek shekulli më vonë, tani më kur edhe emrat e bartësve të veprimtarisë çlirimtare të Kosovës janë publik për opininin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, pasardhësit e Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Mehmet Maliqit, Rrahman Morinës etj nën maskën e të drejtës për të shprehur lirshëm mendimin e tyre do të aktualizojnë diskurset dhe stigmatizimet e vjetra. Kështu, Arben Idrizi, të cilit i pëlqenjë parafrazimet herë të Senekës e herë të Salman Ruzhdiut kësaj radhe, në shkrimin e tij të gjatë kundër Jakup Krasniqit dhe “turmës së manipuluar”, parafrazon Rrahman Morinën. Ai,  ndër të tjera shkruan:
“Ballafaqimi human dhe intelektual me doktorë të shkencës si z.Krasniqi është më i vështirë se ballafaqimi me djallin. Turma në vetvete shpesh mund të jetë e ndenjur, janë ai lloji i klerikëve që e trazojnë, e bëjnë të pluskojë dhe gurgullojë, derisa edhe të shpërthejë si vullkan. Klerikët politikë dhe klerikët fetarë, sidomos kur janë të indoktrinuar deri në asht nga dogma përkatëse dhe njëkohësisht kanë në dorë pushtetin dhe gëzojnë njëfarë autoriteti (çfarëdo qoftë) para turmës që përfaqësojnë, në të vërtetë nuk janë veçse ideologë skizofrenikë të vrasjeve, shfarosjeve individuale e në masë”. Duke mos ia përmendur emrin e Rrahman Morinës, ai mendon se do t’ia arrijë të fsheh gjurmët e burimeve të “mendimeve të veta të lira”!
I vetmi dallim i tekstit të Arben Idrizit nga teksti që i ishte dhenë Rrahman Morinës për ta recituar 25 vite më parë qëndron në përmendjen e emrit të «dreqit të madh», të z. Jakup Krasni. Për ta krijuar mozaikun biblik “të dreqërve të tjerë” që kontestojnë ortodoksinë serbe, po i njëjti Arben Idrizi, siç mund të shihet në shkrimin e titulluar ’Mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’, e publikoi “listën serbe” të atyre personaliteteve të shquara të historisë së re të Kosovës që krijuesit dhe mbështetësit e vizionit serb i konsiderojnë për ‘kriminele dhe vrasës’. 
Në arsenalin e “listave”, si në kohën e inkuizicionit, nuk munguan as emra personash e as vepra të caktuara. Madje, kopjimi i diskursit të para 25 viteve nuk i mungoi as Enver Hoxha. Jakup Krasniqi, ky “dreq i madh” «që trazon turmën deri në shpërthime vullkanike» siç cilësohet në shkrimin që mban emrin e Arben Idrizit, nuk ka të drejtë, në cilësinë e doktorit të shkencave të historisë apo edhe të bindjeve të veta personale, të mbajë as librat e Enver Hoxhës, sepse ai ishte për paraardhësit e Rrahman Morinë dhe kopilave të ortodoksisë serbe “Nëna e Dreqit”! Fotografia e e Enver Hoxhës në kopertinën e një libri shndërrohet, në diskurset e kësaj sorte, në “fotografi bukur të madhe në kornizë”!
Në arsenalin e sulmeve që grupi i “shkrimtarëve”, “intelektualëve”, “krijuesve të opinionit” dhe “deputetit” nuk munguan edhe nocionet tjera stigmatizuese të kuzhinës serbe.
Kështu, Berat Buzhala, në cilësinë e deputetit të PDK-së, në shkrimin ekskluziv për Gazetën Ekspress, shkruan artikullin e titulluar “ Lubonja dhe Beni nuk janë problem”  deklaron me pompozitet se edhe në rastet “kur nuk pajtohet me konstatimet e ‘ngushta’ dhe ‘rigjide’ të Lubonjës dhe Benit prapë se prapë unë rreshtohem në taborin e tyre nëse do të më kërkohej që të rreshtohesha. Me tërë qenien time unë i urrej fundamentalistët!”  Që i urren “fundamentalist” që luftuan ortodoksinë serbe Berat Buzhala e ka bërë të qartë që moti. Por, ajo që mbetet e paqartë dhe që përpiqet ta fsheh në shkrimin e tij lidhet me faktin se ai nuk e tregon se kush i kërkoi “të rreshtohet pro Lubonjës dhe Benit”. Fundi i fundi kjo nuk  çon shumë peshë. Ajo që shihet qartë ka të bëjë me arsenalin e stigmatiziimit të shqiptarëve me nocione dhe terme të gatuara në kuzhinën serbe.
Megjithatë duhet të pranoj se Berat Buzhala ka të drejtë kur thot së “Lubonja dhe Beni nuk janë problem”. Problemi qëndron në “vizionin serb për Kosovën”, si vision racist dhe gjenerator I politikave të shpeshta gjenocidale në këtë pjesë të Europës. Për deri sat ë mbetet gjallë dhe të ushqehet kjo “ortodoksi serbe” edhe ndër shqiptarë do të gjenden të atillë që do të mendojnë  “se rruga e Kosovës për Europë kalon nëpër Beograd”. Ndërsa, ata që si Halil Matoshin që “u vargisen thirrje e çjerrje bishash me fytyra të mërdhezura për linçim publik” tentojnë të rikthejnë strukturat dhe logjikën që aplikoi “diferencim ideopolitik” kundër atyre që rrugën e Kosovës për në Europë nuk e shohin përmes Beogradit”.
Zhurma dhe “çjerrjet e bishave” deri në kupë të qiellit për t’u sjellur argumente dhe fakte se janë ‘argatë të ortodoksisë serbe’ në Kosovë, fsheh frikën e tyre nga e vërteta. Ata që “luftojnë për mendimin ndryshe”, madje “sado ekstrem që të jetë” artikullit tim dhe fakteve që unë ua bëra publike, ia mbullën hapsirën në mediat e kontrolluara prej tyre.  Për mua është plotësisht e qartë dhe i kuptoj. Sepse, siç thot R. de Gourmont “ ajo që është më e tmerrshme në procesin e kërkimit të vërtetës, është gjetja e saj!”

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...