Vilhelme
Vranari Haxhiraj
Të lindësh femër, është fat apo
mallkim?!
Ese..., (sociologji)
"Kur
nuk njeh dot veten, nuk ke se si të njohësh të tjerët dhe botën...
Po qe se të mungon respekti ndaj
vetes, nuk respekton dot tjetrin,!
Nëse nuk i bën mirë vetes, kurrë
s'mund t'u bësh mirë të tjerëve!"
Vivra
Titulli i
këtij shkrimi(ese) që ngjan me një "Pyetje Kujtesë" për
lexuesin, është sa delikate dhe po aq tronditëse, sa zhbiruese edhe po aq e
thellë, sa e thjeshtë në dukje dhe po aq intriguese për debat. Veçse, në këtë
diskutim dëshiroj që të japin mendimin individë të kategorive e profesioneve të
ndryshme. Pavarësisht nga niveli kulturor dhe jetik, apo mënyra e të jetuarit,
do të ishte me rezultat nëse do të jepnin mendimin e tyre intelektuale
dinjitoze e të respektuara, ose femra me një jetë normale apo gra e vajza të
dhunuara, sidomos intelektualë që kërkojnë zhvillimin e vërtetë të kombit. Nuk
përjashtoj të marrin pjesë në këtë edhe njerëz të thjeshtë që kanë përvojën e
jetës. Por mjerisht...
Natyrisht
për këtë temë kam parasysh të dy sekset dhe të gjitha moshat.
Duke
kujtuar thënien e Rilindasit të madh, Naim Frashëri, se "At'
i qytetërimit është liria",është pikërisht kjo e drejtë legjitime
për të cilën ka nevojë çdo njeri, si mashkulli, ashtu edhe femra. Nuk bëhet
fjalë vetëm për kuptimin e ngushtë të lirisë kombëtare, jo...por për kuptimin e
gjërë të kësaj fjale si nocion i shtrirë si në kohë,ashtu edhe hapësirë.
Që t'i
përgjigjesh pyetjes:"Të lindësh femër... është fat apo
mallkim?!",
nevojitet që të bëhet një qelizëm i thellë i
ndërgjegjes humane që mund ta krahasosh me gërmimet dhe gjetjet arkeologjike të
antikitetit, ku vetëm aty mund të gjesh arsyet logjike për të hasur në të
vërtetën e fshehur nëpër labirintet që ka varrosur koha ndër shekuj. Këtij
titulli që ndonjë studiues i huaj i shkencave të filozofisë, sociologjisë dhe
psikologjisë, hulumtues që nuk njeh shkallën e kulturës, mentalitetin dhe
ndërgjegjësimin psiko- social të shqiptarit, e cila vetëm deri para pak vitesh
u ka qëndruar besnike normave të moralit komunist nga njëra anë, si dhe
mendësive të trashëguara nga mesjeta dhe karakteri ballkanas, nga ana tjetër,
do ta merrte si një dukuri alarmante, tronditëse, pasojë e të cilit është
fenomeni vetshkatërrues i kombit.
Pse? -do
të pyes ndokush.
Kjo
pyetje, pavarësisht nga mënyra e përpilimit apo trajtimit të saj, është bërë
shpesh, por për herë dhe më shumë është trokitur në vesh të shurdhët. Gruaja
është pjesë e shoqërisë, madje deri në fund.shek.të XX përbënte pak më shumë se gjysmën e popullsisë. Ndaj që të
nxjerrësh përfundime rreth fatit dhe rolit të saj në jetë, nuk duhet marrë
veçmas nga bota meshkullore.
Që bota ka arritur në stade të pëlqyeshme
vlerësuese të segmentit femër, kombet kanë shekuj që kanë nisur këtë luftë që
bëhet sot tek ne për liritë, të drejtat
e fenrës dhe barazinë gjinore që lidhen me shkallën e lirisë vetjake. Gjithsesi
edhe kombet e zhilluara kanë ende shumë për të bërë në këtë drejtim.
Gjithmonë, edhe gjatë
diktaturës komuniste, në Shqipëri është folur për emancipimin e gruas,
natyrisht, edhe të shoqërisë, por brenda caqeve të paracaktuara. Ishte ngritur
në piedestal thënia e famshme: "kush merr nëpër këmbë dinjitetin e
gruas, do të digjet me zjarr dhe me hekur!", por kjo ishte vetëm një dogmë
konformiste. Pasi ndërkohë asaj i ishin mohuar të drejtat dhe liritë e
saj.
Mjafton të kujtojmë disa fakte:
Për shkak të planifikimit socialist, jo të
gjitha vajzat e kishin të drejtën e arsimimit, të drejtën e ushtrimit të
profesionit që adhuronin, nuk mund të realizonin ëndrrat apo të shpalosnin
dhuntitë me të cilat kishin lindur, ndërkohë që meshkujt kishin më shumë privilegje.
Femrat nuk mund të zgjidhnin katedrën e parapëlqyer për arsimimin universitar.
Kjo ishte e përgjithshmja, se për të rinjtë e të rejat e deklasur as që bëhej
fjalë t'u jepej e drejta e studimit. A nuk ishin këto shkelje e të
drejtave dhe mohim i lirive vetjake të femrës?! Askush nuk mund ta mohojë se
kjo është një formë dhune.
A nuk përdorej dhuna morale në
martesat e detyruara që bëheshin në bazë të parimeve komuniste, shtresës
klasore, apo martesat me ndërmjetës pa u njohur çifti fare?
Sa e sa të burgosur, madje edhe shumë gra, u
vranë nëpër burgjet e diktaturës dhe nuk u deklaruan kurrë, sepse ua mohuan
edhe të drejtën e prehjes në një varr. Pra bijtë e shqipes u trajtuan si të
lindur nga hiçi, pra qenie pa atdhe. Këtu a nuk kemi të
bëjmë me një dhunë të egër, ku mijëra fajtorë të pafaj u çkombtarizuan
nga dhuna politike.
Nuk llogariten sa përdhunime femrash i
ka mbuluar pluhuri i harresës,ku heshtja ishte kapak floriri,
pasi nuk duhej të nëpërkëmbej dhe të përbaltej "madhështia" e pushtetit
komunist. Dhe më keq akoma, për të humbur gjurmët e dhunës morale ndaj
vajzave që joshnin eprorët, kryenin një krim të dytë duke i martuar dy të rinj
kundër vullnetit të tyre, sepse ky ishte misioni moral i orjentuar nga
Partia-shtet. "X" djalë më parë emërohej në një institucion me
rëndësi si në "fole pëllumbash", kurse më pas e urdhëronin: "do
ta mbash këtë vend pune, por me një kusht: Do të martohesh me këtë
"X" vajzë". Ky ishte urdhër, me anë të të cilit u hapej
dera e të mirave për "çiftin e lumtur", ku vetëm
ndërgjegja e tyre ishte dëshmitare e kësaj "lumturie të
dhuruar", që origjinën e kishte te dhuna".
Nëse
ndokush dilte jashtë kornizave të këij morali, thyente rregullat dhe
caqet, quhej antikombëtar, antiparti dhe shpallej armik populli. Pa
pritur e pakujtuar, i gjendej një pretekst... Ndërsa populli flinte gjumë,
"X" personit i hidheshin prangat: me slloganin: "Në emër
të popullit je i arrestuar". A nuk është dhunim e
mohim i lirive pa logjikë, pa shkak dhe pa arsye?!
Në një
shoqëri me mentalitet mesjetar, ose ku morali, virtyti apo rregullat ishin
strikte nën trysninë e politikave të një kombi të mbyllur, që kanë qenë të
imponuara, kemi të bëjmë me dhunë të shumfishtë ndaj individit e
veçanërisht ndaj femrës. Respektimi i këtyre rregullave ishte i detyruar nën
kërbaçin e dhunës së diktaturës, për të shmangur burgun.
Theksoj se
nuk ishte shkalla e kulturës kombëtare, ajo që i mbante të ndrydhur
shqiptarët, apo që respektonin ligjet komuniste, por ishte frika ajo që e
mbante nën tutelë vesin, krimin apo dhunën, të mbuluara nga një petkë
mashtrimi, gënjeshtre dhe hipokrizie në fasadë.
Këtë e
tregoi më së miri, rënia e diktaturës, duke nisur nga "Njeriu
Idhull", për vdekjen e të cilit derdhën "lotë të hidhur
dëshpërimi", e mohuan aq shpejt dhe aq dhunshëm e mbuluan me turp,
sa bustin e "Orakullit" e hoqën zvarrë sa hap e mbyll
sytë. A nuk është paradoks, për një shoqëri që edhe frymë merrte
për "Atë", të cilin e kishte "Zot"
dhe pastaj e shëmbi për tokë me paturpësi dhe pa mëshirë?! Mendoj se është
shprehje e një zemërimi të shfrenuar, si pasojë e izolimit të gjatë gjysmë
shekullor e dhunës së përdorur ndaj një komuniteti që e vlerëson lirinë. Ky
fakt është një tregues i tjetërsimit moral e mendor të njeriut.
Pas
viteve 1990, te shqiptarët me nivel të ulët kulturor, pa origjinë brezash
fisnikë ose pa origjinë qytetare, sapo shpëtuan nga zinxhirët
skllavërues të dhunës, nxori kokën e keqja, doli në shesh vesi, mori krah krimi
dhe prostitucioni. Është mëkat dhe fatkeqësi kombëtare kur dembelët dhe
parazitët amoralen e quajnë morale, paaftësinë e quajnë aftësi, gënjeshtrën e
quajnë të vërtetë, mashtrimin e quajnë virtyt, antivlerën e quajnë vlerë. Në
bazë të këtyre cilësive të tjetërsuara, kultura kombëtare shkoi dhe vazhdon të
shkojë në regres.
Ndaj
vajzave që hasin kundërshtim, tutorët përmes shantazhit, përmes kërcënimit të
familjes së tyre, përdorin dhunën psikologjike, dhunën fizike e dhunën morale,
me forma dhe metoda nga më çnjerëzoret madje arrijnë deri në krim.
Nëse në
fillimet e ndryshimeve politike, krimi, tregtia e lëndëve narkotike, tregtia e
qenieve njerëzore, droga ishin dukuri spontane sot, kanë arritur shkallën më të
lartë që si fenomene hynë në krimin e organizuarnë shkallë kontinentle, pse jo
dhe botërore.
Kam të drejtën
morale dhe qytetare, si çdo nënë tjetër, të pyes:
"-Ç'u
bë ajo tradita e bukur e familjes shqiptare? Këta tregtarë të ndyrë, të
paskrupullt a kanë familje? A nuk kanë lindur nga një nënë? A kanë motra? A
kanë gra? A mund ta shpërdorojnë besimin dhe dinjitetin e tyre?! Nuk e
di...Porse një dritë e mekët, ajo e arsyes, e ndriçon anën e errët, të panjohur
të qenies sime e më thotë se ata për para bëjnë gjithçka. Të zhytur në ethet e
drogës dhe fitimeve pa mund, të zhveshur nga çdo normë humane, nuk duan t'ia
dinë sepse janë të zhytur aq shumë në llomi dhe krim sa nuk dinë të dalin dot.
Nëse çdo
familje shqiptare e edukon fëmijën që kurrë të mos harrojë të shkuarën, por ta
kthejë kokën pas dhe të ndjekë arsyen përmes Mbivetdijes. Me intuitë të ecë në
të përpjetat e të tatëpjetat që të parët e tij kanë hasur në jetë, ai njeri
kurrë nuk ka për të gabuar.
Kujtoj
lexuesin se në të gjitha rastet e paraqitura, ndërgjegja e përsosur humane këlthet: "O njerëz të mirë,
ndaloni, analizoni dhe i thërrisni arsyes,se kemi të bëjmë me dhunimin e
femrës, dhunimin e lirive humane, po shpërdorohen të drejtat dhe liritë
vetjake..."A është e drejtë kjo? A na nderon si komunitet apo si
komb?!"
Me këtë rast po kujtoj pak nga historia jonë
kombëtare...
Duke nisur që nga
ilirët, gruaja veç bukurisë që e karakterizonte ,ishte e shenjtë, nderohej dhe
vlerësohej si e paprekshme nga të gjithë dhe kishte të drejtën të merrte pjesë
në kuvende burrash, ku i dëgjohej fjala, gjë që u ka bërë përshtypje edhe të
huajve (përmend dy anglezë: Xh.Bajron, dijetari Hamond dhe sa e sa të
tjerë). Ishin gratë ato që në kohë luftrash mbanin shtëpinë, drejtonin
ekonominë dhe jo rrallë herë u veshën si burrat e luftuan krahas tyre. Po
kujtoj për lexuesin disa syresh... Mbretëresha Teutë, zëvëndësoi
të shoqin, Gentin dhe udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Romake.
Ne ndjekim me ëndje filmat ku trimëria e të huajve është ngritur në art dhe
vjen tek ne përmes legjendash. A nuk e meriton një përjetësim të tillë
kinematografik legjenda e Argjiros, që u hodh me djalin nga
bedenat e kalasë së Gjirokastrës, e ndjekur nga dhjetëra gra trimëresha?!
Identike si histori e El Sidit,(kufoma e të cilit u kalli tmerrin armikut),
tek ne është Shote Galica që veshi rrobat e u armatos me
armët e Azemit dhe luftoi me trimërinë e luftëtarit. Maro
Kondi kjo nënë e re u flijua duke e tërhequr në greminë ushtrinë e
huaj. Janë burra ata që mbajnë leksione për këto gra të virtytshme, po përse
vallë sot e shohin me zili dhe e nënvleftësojnë aftësinë femërore?! Mos vallë egua
mashkullore nuk i lë të dalin nga vetja? Ndoshta duket si vetëvlerësim apo
mbivlerësim i aftësive të tyre, por gabojnë sepse kush nuk është në gjendje të
njohë veten,nuk arrin të njohë tej hundës së vetë.
Pushtimet e
huaja mesjetare sollën një regres të lirisë së gruas. Baballarët, burrat,
vëllezërit ushtruan një trysni ndaj saj, duke e mbyllur brenda mureve të
shtëpisë, me synimin për ta mbrojtur nga dhuna e të huajit. Por ndërgjegja
shqiptare kishte harruar se ajo ndërkohë e në vazhdimësi po dhunohej
shpirtërisht, mendërisht dhe psikologjikisht, gjë që u shndërrua në traditë. E
njëjta gjë ndodhi me femrën nën petkun e emancipimit edhe gjatë izolimit
gjysmëshekullor të diktaturës komuniste, ku gruaja e njohur për karakterin fin
dhe delikat ,u shndërua në një qenie të përçudnuar me tipare burri.
Gjatë
kohërave, vetë femra, e bindur se nënshtrimi ndaj mashkujve, që shkonte deri te
respekti i tepëruar që duhej të kishte edhe për kunatin o nipin e mitur të
burrit, ndaj të cilit duhej të përulej se e donte zakoni apo tradita, e ka
shndërruar atë në inferiore ose skllave të ndërgjegjes së saj. Për femrën këto
rregulla të vendosura padrejtësisht si trashëgimi mesjetare, kanë arritur që ta
dëmtojnë imazhin e saj për botën reale,duke pranuar pa kusht mohimin e të
drejtave dhe lirive të saj.
Me kohë,
me apo pa dëshirë, këto rregulla të pashkruara, u bënë ligje të trashëguara që
zbatoheshin dhe vazhdojnë të gjejnë zbatim edhe sot, madje më egërsisht...
sepse bëhen me vetëdije të plotë. Me këtë të fundit kuptojmë se sot kemi
parasysh stadet bashkëkohore të zhvillimit global të njerëzimit. Pra
dhuna sot zhvillohet më e sofistikuar dhe e paramenduar nga përdoruesit e saj.
Ka aq
shumë shembuj e tregues për format, metodat, shkallën e përdorimit të dhunës
dhe pasojat e saj tragjike, sa koha është e pamjaftueshme për t'i rrëfyer.(pikërisht
këto tema duhet të studiohen dhe të diskutohen në rrethet studentore, në
qendrat sociale apo rehabilitimi, në organizata grash etje).
Në ditët e
sotme mjafton të kujtojmë rritjen e numrit të përdoruesve të drogës, rritja e
krimit në familje, divorcet në shifra alarmante dhe një ringritje e ushtrimit
të prostitucionit. Divorci është një vendim i drejtë i çastit, por pasojat janë
më afatgjata dhe shumë të rënda për fëmijët. Kur nuk janë fëmijët në mes, është
femra, ajo që pëballet me vështirësitë, jeta e së cilës mund të ketë pasoja
diskriminuese e fatale.
Një
vlerë edukuese e parandaluese janë marrëdhëniet prind- fëmijë dhe prind-
institucion arsimor. Nuk mjafton ta lindësh e ta rrisësh fëmijën. Ushqimi
më i mirë për të, është edukimi që nis sapo ai ngjizet në barkun e nënës.
Në këtë periudhë rol të veçantë kanë marrëdhëniet në çift dhe sa shumë e
dëshirojnë ata daljen në jetë të këtij fëmije.
Përdorimi i
drogës që nis qysh nga mosha e adoleshencës e në vazhdim, sjell shkatërrimin e
ekonomisë familjare, e jetës së individit, si dhe të familjes në tërësi. Kurse
si pasojë e drogës, e pedofilisë,marrëdhënieve seksuale pa mbrojtje,
shkaktohet sëmundja vdekjeprurëse AIDS. Këto vese vihen re te fëmijët
që vijnë nga familje me nivel të ulët kulturor. Ndodh edhe në ato
familje të kamura që u japin fëmijëve liri të tepëruar , të cilët
e shpërdorojnë lekun, pa ia ditur vlerën dhe se si nxirret. Në të dy rastet
kemi të bëjmë me mungesë të theksuar informacioni nga ana e prindërve.
Një punë të madhe edukuese duhet të bëjë nëna, lidhur me pasojat e veseve prej
të cilave tërhiqen fëmijët.
Kujdes
duhet treguar nga familja, e cila duhet të dijë se në ç'shoqëri bënë pjesë
fëmija.
Natyrisht
marrëdhëniet mes gjinive në familje dhe në shoqëri, si: femër dhe mashkull,
motrës e vëllait, burrit e gruas, mes kolegëve kanë ndryshuar. Ky ndryshim
është i lidhur me integrimin social drejt një shoqërie të hapur dhe me
integrimin e femrës në shoqëri, i cili varet nga shkalla e personalitetit
(niveli arsimor, kulturor dhe profesional).
Ky
evolucion varet nga hapësirat sociale që i krijon njeriu vetes,
sidomos vendin që i krijon femra vetes në të gjitha fushat e jetës. Rëndësi të
veçantë ka përballja e femrës me realitetin, gjë që arrihet nëse
ajo vret frikën, ka kurajon për të pranuar të përballet me të
rejat e kohës, për të sfiduar jetën dhe të papriturat e
saj. Duhet të kemi parasysh se sa kulturë ka trashëguar dhe se si
e ka pritur ajo hapjen me botën e zhvilluar. Shpesh herë te femrat
vihet re mungesa e besimit në vetvete, që vjen si shkak i
mosnjohjes së vetes. Këtë e vërteton fakti që femrat, duke mos
njohur aftësitë e tyre, punojnë, zhvillojnë fushata elektorale dhe
votojnë që të zgjedhin kandidatë meshkuj në organet më të larta legjislative,
ekzekutive apo gjyqësore, si dhe në drejtimin e forcave politike. Me këtë
padrejtësi që i bëjnë vetes gratë, janë të dhunuara moralisht nga egua
mashkullore dhe të vetëdhunuara mendërisht nga inferioriteti i tyre.
Kujtoj se
Partitë kanë mbirë me bollëk në Shqipëri, si kërpudhat pas shiut. Nuk është
aspak çudi që çdo fis shqiptar të krijojë një parti politike. Mjerë gratë se
atëherë femrat kanë për t'u lënë fare në harresë.
Vendosja
e shifrës fiktive 25-30% e administratës së lartë, si në Parlament,
Qeveri, drejtësi, në administratën e mesme të jenë gra, gjë që nuk është
realizuar asnjëherë në këto afro 23 vjet, e quaj një formë dhune
psiko-morale ndaj femrës nga pushteti dhe politika. Te përqindja
e gruas në përfaqësitë politike kemi të bëjmë me konformizëm të theksuar.
Cila formë
do të ishte më e mira?
Çdo grua apo vajzë që e ndjen veten të aftë
si intelektuale, në arsimim dhe profesion, duhet të pranoj sfidën dhe me kurajo
të startojë me burrat që kandidojnë. Bota e pushtetit të çdo fushe është e
egër, i ngjan madhështisë së pushtetit të Meduzës. Cilido që ulet në një
karrige, pastaj nis e flet ajo, e cila ngjitet aq shumë me shpirtin e atij që
është ulur në të sa, nuk e lë të ndahet prej saj. Ndaj vlen shprehja: "O shtet që ke madhështinë e pushtetit të Meduzës, kujdes se kë ul në
karrigen tënde, se do të pësosh disfatë, pasi i ngjan bukurisë magjepsëse të
Meduzës, që mbyt dhe më të zotin detar..."
Dua të di historikisht, se cili mashkull e la
karrigen e vet që të ulet një tjetër, aq më tepër një femër e paragjykuar prej
tij?!
Ndaj cilido mund të pyesë: A duhet përkrahur
shoqëria apo politika lidhur me këto probleme që cënojnë integritetin e femrës
dhe të shoqërisë?
Sot mbi të gjitha pushtetet qëndron pushteti i
parasë. Para saj gjunjëzohet dija, diploma, aftësia, arsyeja... dhe ngre krye
Padija, hipokrizia, gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni dhe krimi. Është paraja
që nxjerrë në ankand vajzën apo djalin e mitur, motrën, aty dhe gruan, pra familjen.
Meqë familja është embrioni i shoqërisë, qeliza e kombit, atëherë kur vlera dhe
dinjiteti i familjes shumëzohen me zero, ç'vlerë ka për të tillët atdheu?! Janë
këto fenomene sociale që i ndeshim përditë,që i japin liri pa kufi
bashkëshortit që ta trajtojë gruan si pronën e tij. Me nivel dhe me marrëdhënie
të tilla, nuk shkohet drejt Evropës. Nëse familja do të vazhdojë të jetë në
udhëkryq, sepse një jetë e dhunuar nuk është normale, edhe fati të lindësh
femër, nuk është më fat, por mallkim që lindi.
Për
njeriun e udhëhequr nga virtytet, Atdheu është familja. Nëse nuk e do familjen,
nuk e do atdheun.
Nuk
mund të jetë familjar i rregullt një baba që do fëmijët e tij, por fyen dhe
dhunon mendërisht, moralisht dhe fizikisht, gruan që rilindi jetën me genet e
tij. Nuk duhet të harrojë se fëmijët janë gjysma e secilit prej tyre. Ndaj të
rinjtë para se të vendosin të krijojnë familje, nuk duhet as ta mendojnë e jo
më të veprojnë dhunshëm, qoftë edhe me fjalë. Gjatë jetës duhet të arsyetojnë
me logjikë, sepse marrëdhëniet në çift i ngjasojnë enës së qelqit, që po mori
krisje, nuk riparohet më. Duhet ta kenë të qartë se femra nuk është pronë as e
burrit dhe e askujt, madje as e prindit. Ata i dhurojnë jetën fëmijës për të
qenë i lirë, por nuk kurrë janë pronar të jetës së tij. Madje është e dalë mode
rritja e vlerës së djalit dhe nënvleftësim i vajzës. Jeta bashkëshortore është
përgjegjësi dhe detyrim, gjatë së cilës fëmijët duhet të edukohen e të
trajtohen të barabartë mes tyre. Vëllai duke u rritur e edukuar me dashurinë
dhe respektin ndaj motrës, do të bëjë që ai nesër do të di të respektojë atë
vajzë që do ta ketë për shoqe jete.
Në këtë shkrim nuk mund të analizohen të
gjitha problemet, të mirat dhe të këqijat që na dikton jeta, por unë mendoj se
çdo individ, femër apo mashkull, beqar/e apo i/e martuar, i ri apo i moshuar,
duhet të shohë brenda vetes. Duke njohur të padukshmet e rrënjosura në qenien e
tij, do të ketë më shumë respekt për veten dhe jetën.Të jesh qytetar i mirë, veç respektimit të ligjit e normave, do të thotë të
njohësh veten, t'i bësh mirë vetes dhe të dish ta respektosh atë. Kur vlerëson
veten, je në gjendje të vlerësosh të tjerët! Atëherë jeta nuk ka për të qenë
një ferr për bashkëshortët.
***