2013-11-05

Sovrani i Kosovës i ndëshkoi partitë politike



“Beogradi e pranoi që Kosova nuk është Serbi, duke iu dhënë të drejt ‘separatistëve’ që të organizojnë zgjedhje”, ka vlerësuar sonte televizioni Rusija në reportazhin për zgjedhjet në Kosovë.

“Autoritetet shqiptare mbajtën zgjedhje, duke marrë mbështetje nga SHBA-ja, BE-ja por edhe vet Beogradi. Mirëpo, askush nuk i pyeti serbët e Kosovës se a pajtohen me këtë. Ata kanë deklaruar se Beogradi i ka tradhtuar, dhe se nuk dëshirojnë të jetojnë nën pushtetin e separatistëve shqiptarë”, thekson televizioni, transmeton orainfo.

“Numri i vogël i serbëve të Kosovës megjithatë doli në zgjedhje. Kokëfortësia i karakterizon shumicën e 40 mijë serbëve të Kosovës, të cilët janë të ndarë nga atdheu, kurse kufirin nuk e pranojnë”, është thënë në reportazh.




Zgjedhjet në Kosovë, me përjashtim të veriut, kanë qenë shumë më të mira se ato të mëparshmet.“ Në përgjithësi, nëse i krahasojmë këto zgjedhje me ato të vitit 2010, në pjesët jugore të lumit Ibër, janë shënuar përparime të mëdha. Këto zgjedhje kanë qenë shumë më të përgatitura, si në aspektin njerëzor ashtu edhe teknik. Edhe në këto zgjedhje ka pasur përpjekje për frikësimin apo influencimin e zgjedhësve, por strukturat kanë qenë shumë më të përgatitura dhe më të organizuara. Në terren ka pasur rreth 50 prokurorë, të cilët kanë ndërhyrë në rastet e nevojshme dhe kanë mbajtur nën masa arresti dhjetra persona të dyshuar për parregullsi të ndryshme. Kjo ka funksionuar shumë mirë dhe për këtë jam e gëzuar”, ka vlerësuar në një intervistë ekskluzive për DW, Ulrike Lunaçek, raportuese e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën.

Në konstatimin se që tani zgjedhjet në pjesët e tjera të Kosovës, përveç në veri, mund të quhen si të lira dhe demokratike, Lunaçek tha se do të presë vlerësimet përfundimtare të misionit të Bashkimit Evropian. Por, sipas saj, kur i krahason këto zgjedhje me ato të fundit, mund të thuhet se ato janë organizuar shumë më mirë.

“Kjo ka të bëjë edhe me faktin që në vendvotime kanë qenë prezentë edhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike, pra edhe të opozitës. Vëzhguesit kanë qenë shumë të përgatiur dhe kjo është shumë positive”, tha Lunaçek.

Lunaçek thekson se e ka befasuar pozitivisht fakti se asnjë parti politike nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve. “Në shumë komuna do të ketë balotazh, por interesante është që jo në të gjitha komunat kanë fituar kandidatët për të cilët është menduar se do të fitojnë. Ky është një proces i domosdoshëm demokratik që dëshmon se shumë gjëra janë organizuar më mirë se sa më pare”.

Sa i përket veriut, ku grupe ekstremistësh serbë kanë ushtruar edhe dhunë në vendvotime dhe çfarë do të raportojë ajo për këto ngjarje në Bruksel, Lunaçek tha se edhe vetë ka qenë në veri të Mitrovicës dhe i ka vizituar disa vendvotime. Fakt është që një numër i zgjedhësve ka dalë në votime. Sipas disa vlerësimeve deri në ora 15:00 kishin votuar mes 12 e 14 % të votuesve, tha ajo.

Për fat të keq, shtoi Lunaçek, ajo që ka ndodhur në mbrëmje, ku disa radikalë kanë sulmuar vendvotimet me gaz lotsjellës dhe me dhunë fizike i kanë dëmtuar kutitë e votimeve e ka dëmtuar rëndë procesin zgjedhor në këtë pjesë. “Po të mos ishin këto incidente, pjesëmarrja në votime do të ishte edhe më e lartë. Kjo duhet të sqarohet deri në fund, sepse pak a shumë dihet se kush janë këta persona. Ata janë pjesëtarë të strukturave kriminale në veri, të cilat janë krijuar vitet e fundit, si pasojë e mungesës së veprimit të organeve të shtetit juridik. Shpresoj se ata do të kapen dhe do të arrestohen dhe se gjëra të tilla nuk do të përsëriten kurrë”, tha Lunaçek.

Në pyetjen konkrete se a kanë dështuar zgjedhjet në veri të Kosovës, Lunaçek tha se “zgjedhjet kanë dështuar vetëm në ato vendvotime në veri të Mitrovicës, atje ku janë ndërprerë me dhunë”.

Por, sipas saj, në vendet e tjera zgjedhjet janë zhvilluar relativisht mire dhe se “zgjedhjet mund të shpallen legale dhe të vlefshme”.

Madje ajo shtoi se zgjedhjet nuk kanë dështuar në tërë veriun e Kosovës. “Në Mitrovicë po”, tha ajo.






Në të gjitha këto komuna më poshtë do të mund të shihni rezultatet pothuajse përfundimtare të cilat disa kandidatë i qojnë në balotazh e disa u japin edhe fitoren qysh në raundin e parë.

Ne do të ju japim shumicën e komunave, në të cilat mund të shihni rezultat pas numërimit të votave të më shumë se 70 % të tyre.

Prishtinë

Isa Mustafa, LDK, 44.3 %
Shpend Ahmeti, VV, 31%

Dragash

Salim Jenuzi, PDK, 33 %
Fatmir Mehmeti, LDK, 30.9 %

Ferizaj

Muharrem Svarqa, LDK, 33.7%
Agim Aliu, PDK, 39%

Gjakovë

Mimoza Kusari-Lila, AKR, 42%
Pal Lekaj, AAK-LDD, 37 %

Gllogoc

Nexhat Demaku, PDK, 62%

Graqanic

Branimir Stojanovic, G.I.Srpska 49%
Bojan Stojanovic, Savez Kosovkih, 34 %

Han i Elezit

Rufki Suma, I pavarur, 54 %

Istog
Haki Rugova, LDK, 50%

Junik

Agron Kuqi, LDD, 47%
Zenun Shala, LDK, 33%

Kaçanik

Besim Ilazni, PDK, 53%

Kamenicë

Shaip Surdulli, LDK, 32%
Begzad Sinani, PDK, 32%

Klinë

Sokol Bashota, PDK, 43%
Fadil GASHI, LDK, 24 %

Kllokot

Srecko Spasic, G.I.Srpska, 35 %
Sasa Mirkovic, Samosstalna Liberlana Stranka 29%

Malishevë

Ragip Begaj, IQM, 42%
Salih Morina, LDK, 26%

Novëbërd
Bajrush Ymeri, LDK, 35%
Setislav Ivanovic, G.I.Srpska, 26%

Obiliq

Mehmet Krasniqi, LDK, 31%
Xhafer Gashi, AAK-LDD, 23 %

Partesh

Nenad Cvetkovic, SLS, 45%
Dragan Nikolic, GIR, 34 %

Podujevë

Agim Veliu, LDK, 50%
Naim Fetahu, PDK, 38 %

Prizren

Ramadan Muja, PDK, 37%
Eqrem Kryeziu, LDK, 25%

Rahovec

Idriz Vehapi, PDK, 40%
Smajl Latifi, AAK-LDD, 32%

Ranilug

Gradimir Nikolic, GIR, 39%
Milan Aritnovic, SNPK, 36%

Shtërpc

Bratislav Nikolic, SLS, 41%
Ivan Redzic, GIR, 38%

Shtime

Naim Ismajli, PDK, 53%

Skenderaj

Sami Lushtaku, PDK, 89%

Suharekë

Sali Asllanaj, LDK, 34 %
Ram Vataj, PDK, 29%



Fuqia politike e LDK`së dhe PDK`së është pothuajse identike. Mirëpo, LDK edhe më tutje pritet ta ketë privilegjin duke e mbajtur kryeqytetin. Më së dobëti në këto zgjedhje ndahen AAK dhe VV. Ndërsa AKR`në e shpëtoi Gjakova.

Në 3 komuna LDK ka fituar balotazh, ndërsa prinë në 9 të tjera komuna, e në 7 të tjera është e dyta. PDK po ashtu ka fituar 4 komuna pa balotazh, prinë në 8 komuna, ndërsa mbetet e dyta në 4 të tjera. AAK prinë në 2 komuna, ndërsa e dyta është në 6 të tjera. AKR: Prinë në 1 komunë – në Gjakovë, ndërsa e dyta në një komunë. Vetëvendosje: Nuk prinë në asnjë komunë, e dyta është vetëm në Prishtinë; Kandidati i pavarur Rufki Suma ka fituar pa balotazh në Han të Elezit. Kështu, në 7 qendrat më të medha të vendit asnjë parti nuk ka fituar pa balotazh. LDK prinë në Prishtinë, Pejë, Gjilan, PDK në Prizren, Ferizaj dhe Mitrovicë dhe AKR në Gjakovë. 

Prishtina: LDK dhe Vetëvendosje ne balotazh; 
Podujeve: LDK dhe PDK ne balotazh; 
Mitrovice: PDK dhe AKR ne balotazh; 
Vushtrri: PDK dhe LDK ne balotazh; 
Obiliq: LDK dhe AAK ne balotazh: 
Fushe-Kosove: LDK pa balotazh; 
Lipjan: PDK dhe LDK ne balotazh: 
Ferizaj: PDK dhe LDK ne balotazh: 
Kaqanik: PDK pa balotazh; 
Hani i Elezit: Rufki Suma pa balotazh; 
Gjilan: LDK dhe PDK ne balotazh; 
Kamenice: PDK dhe LDK ne balotazh: 
Viti: LDK dhe PDK ne balotazh: 
Prizren: PDK dhe LDK ne balotazh: 
Malisheve: IQM dhe PDK ne balotazh: 
Shtimje: PDK pa balotazh; 
Suhareke: LDK dhe AAK ne balotazh: 
Rahovece: PDK dhe AAK ne balotazh: 
Gjakove: AKR dhe AAK ne balotazh: 
Peje: LDK dhe AAK ne balotazh: 
Junik: AAK dhe LDK ne balotazh: 
Kline: PDK dhe AAK ne balotazh: 
Istog: LDK pa balotazh; 
Skenderaj: PDK pa balotazh; 
Drenas: PDK pa balotazh; 
Dragash: PDK dhe LDK ne balotazh:




Pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë rezultatet konkrete të zgjedhjeve të 3 nëntorit, megjithatë votimet e të dielës kanë ndryshuar ekuilibrin e partive politike në vend. Brenda tri viteve të shkuara duket se Partia Demokratike e Kosovës ka rënë në “peshë”, nga 32 për qind sa kishte në nivel vendi, në 29 për qind, ndërsa është ngritur LDK nga 24 për qind në 29 për qind.

Po ashtu edhe AAK, pavarësisht se i ka humbur në start dy komuna, sipas statistikave në nivel vendi ka fituar 14 për qind, deri në zgjedhjet parlamentare kishte 11 për qind.

Krahasuar me zgjedhjet e viti 2010, edhe “Vetëvendosje” ka rënë dukshëm nga 12,6 për qind në 8,8 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkaq edhe hënën ka vazhduar numërimin e kutive të votimit për zgjedhjet komunale të 3 nëntorit. Ky institucion ka vazhduar ta bëjë publik këtë proces edhe për qytetarët që dëshirojnë të kenë qasje në ueb-faqen elektronike ku në kohë reale janë dhënë statistika për fituesit e komunave, por edhe për ulëset në Asambletë Komunale.

Edhe analistë politikë konsiderojnë se Lidhja Demokratike e Kosovës është fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve.

Halil Matoshi thotë se fituese e padiskutueshme e zgjedhjeve të sivjetshme është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, sipas tij, do të ketë numrin më të madh edhe të ulëseve në Asambletë Komunale, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Sipas tij, sivjet vota e qytetarit ka pasur më shumë se kurrë karakter ndëshkues.

Ahmeti fitues në Prishtinë

Kryeqendra e Kosovës, një nga pikat më të nxehta në programet e partive dhe një nga synimet më të mëdha partiake, sivjet ka sjellë befasinë e depërtimit të lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila sipas të gjitha statistikave që KQZ-ja ka ofruar deri në orët e vona të së hënës, do të ndeshet në balotazh me partinë që tash e disa mandate qeveris me kryeqytetin, LDK-në.

Kjo e fundit ka rreth 34 mijë vota nga kryeqytetasit, ndërsa Shpend Ahmeti nga VV ka marrë rreth 25 mijë vota për kryetar të kësaj komune. Sali Salihu nga Grupimi Tradicional Shqiptar dhe Kaqusha Jashari nga Partia Socialdemokrate janë të fundit në listë, me vetëm 0,24 gjegjësisht 0,26% të votave.

Qyteti i Pejës sivjet ka sjellë një pasqyrë të re të votuesve, derisa këta të fundit për herë të parë në disa mandate zgjedhore kanë sjellë në balotazh koalicionin AAK-LDD me në krye Ali Berishën dhe Gazmend Muhaxherin nga LDK-ja.

“Në Pejë duket se kryesimi i Gazmend Muhaxhirit është ndëshkim për Ali Berishën e AAK-së, kurse në Prishtinë është një tendencë për ndryshim me Shpend Ahmetin e VV-së, mirëpo edhe ai gjasat i ka të vogla, sepse LDK-ja tashmë e ka krijuar psikologjinë e fituesit edhe në balotazhe, por edhe në zgjedhjet kombëtare të vitit që vjen, dhe kjo do të jetë e vështirë të sfidohet”, thotë Matoshi.

Ai përmend ringjalljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës si partia e vetme që mund ta sfidojë PDK-në e Thaçit, si dhe rënien drastike të votave për AKR-në e AAK-në.

Qyteti i Gjilanit vazhdon të prijë me kandidatin Lutfi Haziri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i shoqëruar nga kandidati Qemajl Mustafa, i cili numëron rreth 7 mijë vota më pak se i pari. Në garën për Kuvend Komunal, LDK prin me rreth 28 për qind të votave, ndërsa 8 për qind më pak ka partia e Mustafës.

“Edhe lëvizja Vetëvendosje i ka humbur zgjedhjet për pushtetin komunal, por ka shënuar një rritje të lehtë në votën popullore. PDK-ja e cenuar seriozisht nga fraksionet në Malishevë dhe Drenas (Iniciativat Qytetare) duket se nuk ka humbur shumë në votën e përgjithshme, por ka humbur tre komuna dhe rrezikon ta humbasë edhe Ferizajn”, thotë Matoshi.

E Malisheva, në anën tjetër, komunë që konsiderohet si bastion i pastër i Partisë Demokratike të Kosovës, sivjet ka ndëshkuar këtë të fundit, duke votuar pothuajse njëjtë kandidatin për kryetar komune nga radhët e LDK-së, Sali Morinën.

Elektorati ndëshkoi partitë

Në zgjedhjet e kaluara të mbajtura në vitin 2009, Lidhja Demokratike e Kosovës me kandidatin e saj për Prishtinën, Isa Mustafa, mori rreth 39 mijë vota, deri tash ka rreth 6 mijë më pak. Asokohe, Astrit Salihu i cili kandidonte për kryetar nga radhët e PDK-së pati marrë mbi 8 mijë vota, njësoj sikur Çeku sivjet.

Sipas llogaritjeve, për periudhën 2009-2013, Lidhja Demokratike e Kosovës ka humbur elektoratin e saj për rreth 14 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës për rreth 1,2 për qind më pak.

Xhavit Shala, ekspert i çështjeve zgjedhore, thotë se sivjet më shumë se kurrë elektorati ka votuar me synimin për të ndëshkuar ata që për vite me radhë kryesuan komunat e Kosovës.

“Për herë të parë në Kosovë ka filluar të rritet numri i qytetarëve që po votojnë, kjo sepse ata e kanë kuptuar se vota ka rëndësi, peshë dhe ata janë vetë vendimmarrësit. Është hera e parë pas vitit 2000 që demokracia po vjen duke u konsoliduar, ndërsa ndëshkimi dhe penalizimi po vijnë në shprehje”, pohon Shala.

“Partitë politike duhet të fillojnë që në të vërtetë t’i praktikojnë strategjitë e tyre dhe reformat që ato i kanë duhet të jenë thelbësore, kjo nëse dëshirojnë të kenë mbështetjen e popullit”, shton Shala.

Në 93 për qind të votave të numëruara nga KQZ, Partia Demokratike e Kosovës mban primatin me 29,8 për qind për kryetar komune dhe 27,5 për qind për Kuvend Komunal, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29,7 për qind për kryetar komune dhe 26,8 për Kuvendet Komunale. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vjen e treta në radhë, ndërsa lëvizja “Vetëvendosje” radhitet e katërta.

Gjakova deri në numërimin e tanishëm zyrtar të votave nga KQZ shkon në raundin e dytë me Mimoza Kusari Lilën dhe Pal Lekajn. Edhe pse Sami Lushtaku aktualisht gjendet në paraburgim në burgun e Dubravës, ai ka marrë rreth 18 mijë vota në Skenderaj. Për dështimin e zgjedhjeve në veri, Matoshi thotë se këtij fakti i ka kontribuuar vetë shteti serb.

“Atje zgjedhjet janë minuar nga grupe të organizuara kriminele, dhe për këtë kanë dështuar. Duket se Bashkësia Evropiane dhe Qeveria e Prishtinës së bashku me KQZ-në do t`i mbyllin sytë dhe ti pranojnë zgjedhjet në veri si valide qoftë edhe duke e falsifikuar rezultatin në koordinim me OSBE-në dhe Beogradin zyrtar”.

Numërimi i votave në ndërkohë ka vazhduar edhe ditën e hënë dhe me një orar prej tri ndërrimesh. 




Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK-ja në nivel vendi në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ka marrë rreth 178 mijë vota apo 17.6%, që në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, kjo parti ka 40 mijë vota më pak. Rritje nuk ka as LDK-ja, e cila ka fituar rreth 174 mijë vota, derisa në zgjedhjet e vitit 2010 kjo parti kishte fituar 172 mijë e 552 vota. AAK-ja në nivel vendi qëndron njejtë sikurse në vitin 2010, derisa rënie ka pësuar “Vetëvendosja” dhe AKR-ja.

Edhe pse ka humbur primatin nq disa prej komunave të Kosovës që i kishte fituar në vitin 2009, PDK krenohet me votat e fituara në nivel vendi e të cilat janë rreth 40 mijë më pak, shkruan Koha Ditore.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK-ja ka marrë më së shumti vota në nivel vendi, por jo 230 mijë, siç tha një ditë më parë kryetari i kësaj partie Hashim Thaçi. Ndërkaq për kryetar komune PDK-ja në nivel me përqindjen e votave në nivel vendi ka fituar 29.8%.

Por as LDK0ja, në bazë të rezultateve preliminare, nuk ka rritje të votave në nivel nacional. Në këto zgjedhje ajo ka marë rreth 174 mijë vota apo 26.8%, derisa në zgjedhjet e vitit 2010, LDK0ja si parti e dytë kishte fituar 172 mijë e 552 vota. Ndërkaq për kryetar komune LDK-ja ka fituar 29.7 % në nivel vendi.

Edhe AAK-ja përvecse ka humbur në disa komuna ku ka qeverisur deri tani, nuk qëndron mirë me vota as në nivel kombëtar. Bashkë me LDD-në, që në këto zgjedhje garojnë si koalicion, kanë marrë rreth 90 mijë vota apo 14.3% që i bie shifër e njejtë me votat që AAK-ja kishte marrë në vitin 2010- 77 mijë e 130 vota dhe LDD- 14 mijë e 924 vota.



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sërish dështoi t’ japë rezultatet preliminare për zgjedhjet, ndërsa Koalicioni i OJQ-ve, “Demokracia në Veprim” ka shpallur fituese Lidhjen Demokratike të Kosovës në 3 qendra kryesore të vendit, ndërkaq procesin zgjedhor e ka konsideruar të suksesshëm me disa incidente që ata i konsideruan të izoluara.

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, ka bërë të ditur se nga trupi i përgjithshëm i votuesve, thirrjes për të votuar iu kanë përgjigjur 45.79 përqind, ndërsa është shprehur e lumtur për mbarëvajtjen e procesit, të cilin megjithatë e ka cilësuar si jo të lehtë.

Në fakt, jo gjithçka ka shkuar siç duhet. Derisa në shumicën e qendrave të votimeve në jug të Kosovës zgjedhjet kanë shkuar relativisht mirë, dhe qetë, në disa qendra votimi në Komunën e Mitrovicës Veriore janë futur grupe të organizuara të huliganëve të cilat kanë penguar mbarëvajtjen e procesit normal të votimit.

Gjatë takimit me gazetar kryesuesja e KQZ-së, Daka, ka thënë se në Mitrovicën Veriore është rënduar integriteti i procesit zgjedhor dhe është rrezikuar stafin vendor dhe ai ndërkombëtar që të marrë pjesë në organizimin e zgjedhjeve në këtë pjesë të Kosovës.

Daka e ka pranuar se pothuajse ka dështuar procesi zgjedhor në disa qendra votimi në Mitrovicën Veriore, ndërsa ka pohuar se materiali zgjedhor është duke u bartur nën përcjellje të policisë nga veriu në Qendrën e Numërimit të Votave, ndërsa ka theksuar se KQZ-ja në ditët në vijim do të jap vlerësimin se çfarë do të ndodhë me qendra të caktuara të votimit në Mitrovicën Veriore.

Në bazë të të dhënave preliminare nga kjo organizatë, në Prishtinë LDK prin me 43,3 për qind pasuar nga Lëvizja “Vetëvendosje” me 31,5 për qind, ndërkaq PDK 10,49 për qind të votave. Befasi e garës zgjedhore, sipas DV-së, është edhe Gjilani ku LDK-ja me kandidatin e saj, Lutfi Haziri, udhëheq me 41,1 për qind, PDK me 23,6 për qind dhe Lëvizja “Vetëvendosje” me 14 për qind.

Po ashtu edhe Peja ka nxjerrë LDK-në dhe kandidatin Gazmend Muhaxhetin partinë e parë me 41,7 për qind, pasuar nga kandidati i AAK-së, Ali Berisha, njëherësh kryetar aktual i Pejës me 35,6 për qind dhe PDK 15,3 për qind. DV ka nxjerr në Gjakovë AKR-në partinë e parë me 43,2 për qind, duke e lënë prapa Pal Lekajn e AAK-së me 36,5 për qind, ndërsa ka shënuar rritje edhe PDK në këtë komunë me kandidatin e saj Hajdar Beqaj me 12,9 për qind.

Ferizaj, sipas kësaj organizate, ende mbetet bastion i PDK-së me 40,1 për qind, LDK 34 për qind, LDD-AAK 10 për qind. Në Prizren PDK-ja vazhdon të kryesojë me 33,7 për qind, LDK me 26 për qind dhe Bashkimi Demokratik me 13,9 për qind.

PDK po ashtu kryeson në Mitrovicë me 43 për qind, AKR sërish mban primatin e dytë me 20,5 për qind dhe LDK 20,4 për qind.

Petrit Zogaj nga ky rrjet i OJQ-ve ka thënë se këto zgjedhje janë mbajtur nën tensione, porse, sipas tij, ishte një ditë fryme e mirë ku karakteristikë ishte se zgjedhjet janë mbajtur në një frymë të pranueshme, duke zbatuar disa standarde.

Ndërkaq, Shqipe Pantina ka thënë se Kosova ka dhënë një provim të rëndësishëm duke organizuar një proces të drejtë dhe fer, duke përjashtuar disa incidente të vogla në veri të Mitrovicës.

“Disa nga parregullsitë që ne i kemi evidentuar gjatë ditës nuk kanë ndikuar në masë të madhe mbarëvajtjen e procesit dhe si përfundim procesi i votimit ka shkuar mjaft mirë. Vendvotimet janë mbyllur me kohë”, ka thënë Pantina. Ajo shpreson se i gjithë procesi si i shpalljes së rezultateve si dhe procesi i certifikimit dhe pranimit nga ana e subjekteve do të shkojë mirë.

“Ne do ta kurorëzojmë këtë proces me një fitore të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Pantina.

Ndërsa Driton Selmanaj nga KDI ka dhënë detajet e fillimit të procesit të votimi në nivel Kosove. Ai ka thënë se të dhënat nga terreni tregojnë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit në gjithë vendin, në përjashtim të një vendvotimi të qendrës 1908e në Prishtinë, i cili është hapur me 1 orë vonesë, si dhe në disa qendra tjera është raportuar se janë hapur me vonesë prej 10-20 minutash.



Në tri qendrat e votimit në pjesën veriore të Mitrovicës të dëmtuara gjatë të dielës nga grupe serbe, me qëllim të dëmtimit të procesit të votimit, pritet që të përsëriten zgjedhjet.

Ndonëse një vendim i tillë ende nuk është marrë, vetë OSBE-ja si lehtësuese e mbajtjes së zgjedhjeve në këtë pjesë të Kosovës e ka konfirmuar dëmtimin dhe zhdukjen e kutive të votimit në tri qendra, të vendosura në shkollën “Sfeti Sava”, atë të mjekësisë dhe teknike ku grupe të maskuara serbe kanë hyrë dhunshëm në këto tri qendra dhe e kanë penguar procesin e votimit.

Bazuar në përvojat e mëhershme kur ka pasur dëmtime dhe manipulime, vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar rivotim dhe kësisoj pritet që të veprojë edhe me veriun. Zyrtarë brenda KQZ-së i kanë thënë gazetës në kushte anonimiteti se në këto tri qendra pritet që të ketë përsëritje të votimit.

“E tëra kjo do të vendoset pasi të kemi një vlerësim dhe një analizë reale të atij materiali dhe të gjithë asaj çfarë ka ndodhur në këto tri qendra votimi”, ka thënë ky zyrtar i KQZ-së. E ky vlerësim pritet që të bëhet pas ditës së martë. Të martën ndërkaq në KQZ pritet që OSBE-ja të sjell zyrtarët komunalë të zgjedhjeve në veri me qëllim që ta bëjnë dorëzimin e materialit sipas procedurave në Qendrën për numërimin e votave.

E kontaktuar nga gazeta, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, nuk ka dashur që të lëshohet në deklarata para se siç ka thënë ajo, të verifikohet i tërë materiali që tashmë ka arritur në KQZ.

“Ne e kemi marrë materialin por vetëm pasi ta shikojmë e vlerësojmë atë, do të dalim me informatë se çka është dëmtuar e çka jo. Vetëm atëherë mund të flasim për hapat që do t’i ndërmarrim dhe nëse do të ketë rivotim apo jo”, ka thënë Daka.

Ajo ka shtuar se materiali nga tri komunat e tjera Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq nuk është i dëmtuar por se fokusi më i madh i vlerësimit, sipas saj, do të jetë në kutitë e votimit që kanë qenë në tri qendrat e votimit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...