Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore,kohë më parë në rrjetin social Facebook tha se nuk është sukses vetëm numri i të zhdukurve , por ka plane ditore dhe javore që bëhen për të zhdukurit në Kosovë.
“Pothuaj çdo mëngjes niset ekskavatori për të gërmuar në lokacione për të zhdukurit në Kosovë, por në të shumtën e rasteve kjo punë bie ngase lokacioni del i rrejshëm.
Ai ka fajësuar institucionet qeveritare që nuk po bëjnë sa duhet për ketë çështje, duke vlerësuar se puna e tyre është me shumë politike dhe procesi për të zhdukurit varet nga puna e tyre.
Për këtë varrezë, ku janë betonuar 250 deri në 400 trupa shqiptarë, duhet të diskutojë edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, e jo në bisedimet e Brukselit, konsiderojnë familjarët. Madje ata akuzojnë Qeverinë e Kosovës se nuk po bën zë në këto çështje, madje e ka shtrirë qafën karshi presionit të Beogradit.
Dy ditë më parë është zbuluar varreza masive, në Rudnicë afër Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetje mortore: rroba dhe eshtra të viktimave të vrarë nga lufta e fundit në Kosovë.
Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, thotë se jo një herë, por disa herë kanë kërkuar nga Brukseli që në tavolinë të bisedimeve të shtrohet edhe çështja e të zhdukurve, por ajo që kanë marrë janë premtime. “Disa herë e kemi kërkuar që në Bruksel të diskutohet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Na është premtuar se do të jetë në tavolinë të bisedimeve”, është përgjigjja që ka dhënë për Kuçi.
Por, jozyrtarisht gazeta nga burimet e saj në Bruksel ka mësuar se kjo çështje nuk do të jetë temë që do shtjellohet në nivel ndërkombëtar. “Tash për tash nuk dihet edhe nëse do të ketë tema të reja në Bruksel. Fokusi mbetet vetëm tek implementimi i marrëveshjes së 19 prillit, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Dhe më tutje do të jenë qeveritë ato që do merren direkt me temat e tjera”, tha ky zyrtar në Bruksel.
Se fokusi i Brukselit tani është vetëm marrëveshja e 19 prillit e thotë edhe Maja Kocijanqiq, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton. “Siç mund ta shihni, fokusi tani është implementimi i marrëveshjes së prillit”,
Nysrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrje e Nënave”, kritikon Brukselin që më shumë është i interesuar që të plotësojë kushtet e Serbisë, të njerëzve që bënë krime më të rënda, se sa të zbulojë fatin e të pagjeturve. Ajo kujton ditën kur u gjet kjo varrezë, të njëjtën kohë Thaçi e Daçiq po shtrëngonin duart në Bruksel për tema që shkojnë në interes të Serbisë, dhe këtë ajo e quan shumë poshtëruese.
“Ne po duam që të qetësohen shpirtrat e familjeve të të zhdukurve. Të heqim ankthin, kemi humbur njerëz e jo kafshë”, u shpreh ajo. Kumnova tha se tema e të zhdukurve do duhej të ngrihej jo vetëm në Bruksel, por edhe në nivel më të lartë, atë të Këshillit të Sigurimit.
Nga ana tjetër, Behxhet Shala, nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, thotë se mënyrën se si po përpiqet Brukseli të normalizojë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, në fakt nënkupton që të harrohet e kaluara, duke i qitur në heshtje personat e zhdukur, krimet e luftës, dëmet e luftës të gjitha këto, që realisht ish dashur të jenë tema kyçe të Brukselit. “E në këtë mënyrë nuk ka shanse që të ndërtojnë të ardhmen, vetëm do të mbetet peng. Normalizimi politik është zgjidhje e përkohshme”, tha Shala.
Luigj Ndou, zyrtar politik për Kosovë në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur, thotë se për ata nuk është me rëndësi a ngrihet kjo temë në nivel ndërkombëtar apo jo, vetëm të ketë rezultate
Dhimbja dhe ankthi janë rizgjuar, ashtu si në ditën kur forcat serbe ua morën nga duart fëmijët, burrat, baballarët, nënat, vëllezërit, e motrat... Foto të vendosura në mure, kujtime për ta që ripërsëriten në çdo ndejë familjare, por jo varre, apo shenjë nga trupat e tyre, është tabloja e të pagjeturve në Kosovë. Mbi dymijë familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë nën ankthin se trupat e kujt do të identifikohen në varrezën masive të gjetur në Rashkë të Serbisë.
“A thua janë tanët, apo nga ndonjë komunë tjetër”, është refreni që përsëritet në çdo familje që ka anëtarë të zhdukur gjatë luftës e të pagjetur pas mbarimit të saj në Kosovë. Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, familjarët shprehin mllefin e tyre ndaj institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, të cilat sipas tyre nuk bënë aq sa duhet për të gjetur të zhdukurit, kurse bisedimet me Serbinë i quajnë “gozhdë në shpirtin e tyre”.
1721 shqiptarë të zhdukur
Është e enjte, 12 dhjetor, ora 13:30, ende nuk është marrë vesh se në Rashkë gjendet një varrezë masive me trupat e shqiptarëve. Në zyrat e shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, kuja ka zënë vend në mesin e nënave prezentë aty dhe anëtareve të shoqatës. Zemrat e nënave sikur kanë parandier se një lajm i kobshëm po vjen te to.
Shumë shpresuan se bijtë i kanë gjallë. Ende nuk ka vdekur te disa ajo shpresë... Gjysmë ore më vonë, kryetarja e kësaj shoqate, Nysrete Kumnova, teksa niset për në shtëpi, merr një telefonatë nga kabineti qeveritar i Kosovës se një varrezë në Rashkë është identifikuar, por nuk dihet se eshtrat e cilëve të zhdukur janë. “Lajmi për gjetjen dhe për hapjen e vendit në Rashkë- Serbi, ka qenë shumë i rëndë për familjet dhe shumë i dhimbshëm”, thotë Kumnova se në anën tjetër është mirë të dihet se shqiptarët nga kriminelët serb u vranë si të pafajshëm për t’u hedhur e mbuluar me gur e asfalt trupat e tyre në Rashkë të Serbisë, që të zhduken gjurmët e krimit.
Kumnova thotë se janë 1721 shqiptarë që figurojnë të zhdukur gjatë luftës dhe të pagjetur. Në mesin e këtyre shqiptarëve ajo ka edhe birin e saj të vetëm Albionin. Për të e ka më vështirë të flasë, dhe zëri i saj fillon të dridhet, kurse dhimbja i shtohet nga heshtja e madhe e institucioneve të Kosovës....