2013-12-18

Kajtaz Gecaj:Spitali verior me mjekë të Beogradit


Spitali Rajonal në veri të Mitrovicës, i cili udhëhiqet vetëm nga serbët dhe nuk ka madje të punësuar asnjë shqiptar, do të ndihmohet nga mjekë të VMA-së (Akademia Ushtarake Mjekësore) së Beogradit, sipas një marrëveshjeje që kanë nënshkruar kryeshefi i VMA-së, dr. Marijan Novakoviq dhe drejtori i përgjithshëm i Spitalit Rajonal në veri të Mitrovicës, dr. Millan Ivanoviq.
“Në shumë raste, ekspertë të VMA-së kanë ardhur këtu në Mitrovicë, sidomos mjekë që na mungojnë. Marrëveshja është lidhur me kryeshefin e VMA-së, dr. Novakoviq dhe tani ekziston mundësia që mjekët e VMA-së të vijnë në Mitrovicës në masën sa ajo të jetë e nevojshme, por të paktën një herë në muaj”, ka thënë Ivanoviq, të hënën.
Ai ka sqaruar se do të vijnë mjekët që mungojnë në SR veriut, por ka mundësi edhe për dërgimin e pacientëve në VMA, por edhe të kuadrove për t’u specializuar në këtë institucion shëndetësor. Ivanoviq shtoi se deri te ky bashkëpunim i rëndësishëm në interes të qytetarëve dhe të pacientëve, ka ardhur falë mirëkuptimit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë dhe Zyrës për Kosovën. Ivanoviq precizoi, se bazuar në këtë marrëveshje, me 26 dhe me 27 dhjetor, në Spitalin Rajonal në veri do të vijnë nga 2 endokrinologë dhe kardiologë, si dhe një hematolog nga VMA-ja.
Drejtori Ivanoviq, ka shfrytëzuar takimin me gazetarë për të dhënë disa statistika për vitin 2013 për Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Sipas tij, në Repartin e Gjinekologjisë janë lindur 20 për qind më shumë fëmijë se në vitin 2012. Sipas tij, në vitin 2013 kanë ardhur në jetë 752 foshnje, ndërsa në vitin 2012 ishin kryer 664 lindje.
Ivanoviq ka theksuar se Spitali Rajonal i veriut duhet të mbetet pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë.
“Ne mund t’u japim trajtim dhe mbrojtje shëndetësore banorëve vetëm në këtë mënyrë, si pjesë e sistemit shëndetësor të Republikës së Serbisë. Gjithçka tjetër do të thoshte pamundësi e mjekimit këtu, do të thoshte shkurtim i një prej bazave kryesore të të drejtave të njeriut dhe spastrim etnik”, ka thënë ai. 

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...