Karriera 40-vjeçare e Zenepe Lukës
Nga Tefta Radi
TIRANE- Takimi me gazetarët diplomuar 40 vjet në parë në Universitetin e Tiranës që u zhvillua dje në Ministrinë e Kulturës, përkoi me promovimin e librit “Kjo është jeta ime” e gazetares Zenepe Luka. Karriera 40-vjeçare e saj është pasqyruar edhe në një dokumentar, që u shfaq pas diskutimeve të kolegëve Prof. Dr. Hamit Boriçi, Tefta Radi, Virgjil Kule, Vllasova Musta, Anila Basha, Dr. Makbule Çeço, Riza Lahi, etj. Takimi ka hedhur dritë mbi figurat e grave gazetare shqiptare përgjatë një shekulli, pasqyruar në një kumtesë që mbajti gazetarja Anila Basha. Libri “Kjo është jeta ime” i Zenepe Lukës përshkruan jetën personale të gazetares së njohur. Dritëro Agolli, i cili ka bërë edhe parathënien e librit e ka cilësuar “si gazetare të veçantë”.
“Ajo ka qenë gazetare në gazetën lokale “Kukësi i ri”, ku për të mbledhur faktet e një artikulli duhej të udhëtoje me makinë dhe me këmbë, pasi nuk ishte koha e celularëve dhe aparateve të vegjël incizues, kështu Zenepja u mësua të shkojë drejt faktit si myslimani drejt Mekës”, shkruan në parathënie Dritëro Agolli. Dje janë kujtuar sakrificat në detyrë si gazetare, në kohën kur shkruante për gazetën “Koha Jonë” rreth ngjarjeve që kaloi Vlora dhe i gjithë vendi të Zenepe Lukës, e cila u sulmua në 10 maj 1998, me vendosjen e tritolit në banesë dhe u synua të zhdukej familjarisht.”
Këto dëshmi që dolën nga goja e autores dukeshin edhe në dramatike në dokumentar, kur shihje shtëpinë e saj të thërrmuar. Por gazetaren s’e ka ndalur as ky sulm më misionin e saj. “Bindja që më ka shoqëruar gjatë jetës është:Gazetaria nuk është vetëm profesion, por edhe mision. Në jetën time të trazuar, janë pjesë edhe vështirësitë për të rritur e shkolluar fëmijët, që hodhën shtat me gjurmët e plagëve të bombës që u vendos, për shkak të profesionit të nënës së tyre. Të gjithë vështirësive u është shtuar edhe fakti që punoj dhe jetoj në Vlorë…” Kjo është Zenepe Luka. Kjo është jeta e saj. Jetë e trazuar!
Dy fjalë për librin “Kjo është jeta ime”
Nuk është një libër autobiografik, pasi ta lexosh ke arritur në përfundimin se në ato 600 faqe libri është vetë gazetaria, pasioni, që për gazetaren rebele, sikurse e thërresin, nuk njeh moshë. Teksa hedh dritë për kontributin e saj për kontributin e saj 40-vjeçar në gazetari, Luka e vrullshme sikurse është gjithë kohën, flet pa reshtur për personazhet e gazetarisë së saj.
E veçanta tek libri “Kjo është jeta ime” e Zenepe Lukës mund të përkthehet fare mirë si jeta e personazheve më të shquar që janë intervistuar prej saj. Jeta personale e gazetares së njohur Zenepe Lukës në faqet e këtij libri kalon me kuadro që lëvizin shpejt, ndërsa pjesën më të madhe të librit e zënë personazhet: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Elena Kadare, Rexhep Qosja, këngëtarët italianë Al Bano e Romina Pauer, Presidenti Rexhep Mejdani etj., etj. Megjithëse ajo ka guxuar të shkruajë hapur edhe me polemikat e saj kundër ideve të pjesës më të madhe tyre, personalitete të rëndësishme të vendit e kanë vlerësuar dhe çmuar gjithmonë figurën e gazetares.
Për Lukën si gazetare, si grua me kontribute edhe në fushën civile, japin mendime të vyera personalitete të shquara, që nga Dritëro Agolli, që ka bërë edhe parathënien e librit, duke e cilësuar “si gazetare të veçantë”, artistet e mëdha të kombit Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Drita Pelinku, Roza Anagnosti, Irini Qirjako, figura grash që e kanë njohur nga afër gazetaren, si Mjeshtër i Madh Adelina Mzreku, Dr.Makbule Ceço, ish-presidenti Rexhep Meidani, akademiku Rexhep Qosja, për të vijuar me një varg të gjatë deri tek këngëtari i famshëm italian Al Bano Karrisi, që e cilëson gazetaren, njëherësh një mike e tij si “Oriana Falaci shqiptare”.
Pjesë e rëndësishme e librit është familja nga vjen ajo, nëna e shtrenjtë duke u ndalur më pas tek familja që ka krijuar dhe risku që ka pësuar për shkak të profesionit. Për lexuesin do të ishte me interes të nënvizonim pjesë nga parathënia e shkruar nga Dritëro Agolli, që është edhe redaktori i librit, pedagogu dhe kolegu i gazetares Luka:
Zenepe Luka është një gazetare e veçantë
Kështu do ta filloja një përsiatje për krijimtarinë dhe veprimtarinë e publicistes dhe shkrimtares Zenepe Luka, të njohur që kur e kishte mbiemrin Çerkezi, vajzë e gjallë dhe me mendje plot fantazi. Fola në fillim për njohjen e gazetarit nga lexuesit, por kjo njohje nuk është e lehtë sa një shtrëngim duarsh aty për aty. Zenepe Luka e ka fituar me përpjekje dhe me mundim shtrëngimin e dorës nga lexuesi. Ajo ka qenë gazetare në gazetën lokale “Kukësi i ri”, ku për të mbledhur faktet e një artikulli duhej të udhëtoje me makinë dhe me këmbë, pasi nuk ishte koha e celularëve dhe aparateve të vegjël incizues, kështu Zenepja u mësua të shkojë drejt faktit si myslimani drejt Mekës.
Nuk e përmenda rastësisht gazetën “Kukësi i Ri”. Me këtë desha të tregoja provën e parë të një gazetareje të re, si sprovën e një sportisti vrapues: A është i zoti të hyjë në garë? Zenepja ia doli kësaj gare të mundimshme. Arriti në Tiranë me shtypin qendror “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, revista “Shqiptarja e re” dhe me radhë. Në këtë larmi organesh shtypi, ajo vazhdoi të përparojë stilin publicistik të gjinive të ndryshme të gazetarisë. Është një shprehje: “Vrapojmë të arrijmë horizontin”. Horizonti largohet duke paraqitur një peizazh tjetër.
Horizonti i shoqërisë politiko shqiptare, ndryshoi. Ndryshoi dhe përmbajtja dhe forma e gazetarisë. Nuk kishte më kontroll të rreptë të shtypit. U bë mënyra e të shkruarit më dinamike, më e thjeshtë duke larguar ekstazën. Këtë përmbajtje dhe forum të re të shtypit mundi ta përvetësojë edhe Zenepe Lula. Ajo filloi të shkruajë më thjesht, duke shmangur kozmetikën e frazës, kozmetikë që fsheh përmbajtjen dhe zbeh faktin. Një arritje e tillë u bë realitet kur ajo nisi të shkruaj tek gazeta “Koha jonë”, ku shkroi disa vite, madje në periudhën më të vështirë që kaloi vendi ynë pas rënies së regjimit komunist, më pas në gazetën “Ballkan” dhe deri më sot në “Telegraf”.
Arritja e saj më e spikatur është se nisi të shkruajë edhe libra publicistikë, si “Vlora, Vlora”, “Unë gazetarja rebele”, “Rrëfej Nermin Vlorën”, “Violeta Manushi, kryezonja e skenës”, “Al Bano dhe Albania” etj.
Mes këtyre librave që përmendëm, unë do të veçoja “Vlora, Vlora”, e cila pasqyroi një dramë rrëqethëse të vitit 1997, një rrëmujë dhe një tragjedi, jo vetëm të Vlorës, por edhe të gjithë vendit, ku u paralizua shteti me të gjithë hallkat e tij. Më vërtetësinë e përmbajtjes, ky libër nuk mbetet vetëm si një vepër publicistike, por edhe si një dokument historik.
Në këto shënime nuk mund të mos përmend një temë të dashur të Zenepe Lukës, temën e gruas shqiptare, jo vetëm në fushën e kulturës dhe të artit, por edhe në lëmin e veprimtarisë shoqërore. Që ka dhënë kontribute të mëdha, në fushën e kulturës dhe veçanërisht për gruan.
Çfarë thotë gazetarja Luka për lexuesin e librit të jetës së saj
Kam përjetuar emocione të veçanta, teksa hidhja, në këto 600 faqe libri, më shumë se një gjysmë shekulli të jetës sime dhe është e natyrshme të ndodhë kështu.
Dalja në dritë e këtij libri lidhet edhe me eventin, që në muajin maj, mbush 40 vjet, që jam diplomuar dhe që startova karrierën në gazetari. Kjo ngjarje nuk më takon vetëm mua, por edhe 20 studentëve të tjerë që na bashkoi fati të ishim të parët që të çelim degën e Gazetarisë pranë fakultetit të Shkencave Politike-Juridike në Universitetin e Tiranës. Në 15 kapitujt dhe 600 faqet e tij jam përpjekur që të skicoj në vija të përgjithshme me vërtetësi historinë e vajzës jetime, që me guxim, përmes vështirësive të mëdha, përballjes me mentalitetin e kohës dhe të regjimit, të hidhte hapat e duhur në jetë.
Guximi dhe dëshira për të përshkuar rrugën e gjatë të dijes, bëri që autorja në jetën e saj të shfaqet disa herë e para: është ndër pesë vajzat e para, që çeli dyert e konviktit në shkollën tetëvjeçare të qytetit të Librazhdit, e para që u diplomua “Mësuese “ në shkollën Normale të Elbasanit. Vajza nga Librazhdi është ndër pesë studentet e para,që diplomohet gazetare, por edhe e para femër gazetare, që starton profesionin në gazetën lokale “Kukësi i Ri”.
Pas emërimit në Radio-Televizionin Shqiptar, përsëri është e para gazetare e këtij institucioni, që nis punën në terren, për të mbetur përsëri e para dhe e vetmja zë vajze, që përcolli me zërin e saj lajmin: hedhjes së themeleve të Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ngjarje e madhe për Shqipërinë. Duke e konsideruar profesionin e gazetares njësuar me të vërtetën, një mision të vështirë, asaj i është dashur të përballet me vështirësi të mëdha gjatë gjithë kohës si gazetare e terrenit. Autorja e këtij libri, që mbush 40 vjet gazetare, me dhjetëmijë shkrime të botuara të gjinive të ndryshme në shtypin e kohës, pas viteve 90-të, është e vetmja gazetare që ka rriskuar, që ka provuar terrorin e dhunën, që vinte nga të gjitha anët.
Periudha më e vështirë ishte dekada që shkoi në gazetën e pavarur “Koha Jonë”, kohë, që përkon me ngjarjet e rënda që kaloi Vlora dhe i gjithë vendi. Është fati i mirë dhe i keq, që rastisi të provojë eksperiencën më të dhimbshme në jetën e saj, duke u përballur me trafikantët, bandat, të shkruajë me dorën që dridhej për viktimat e “luftës” më të çuditshme, mes shqiptarëve, pa asnjë shkak e motiv. Është kërcënuar, goditur fizikisht, përballur në gjyqe me pushtetarë, politikanë, prokurorë e gjyqtarë, me gazeta, shërbëtore të pushtetit, për të mbërritur në aktin fondamentalist të 10 majit 1998, ku me vendosjen e tritolit në banesë, u synua të zhdukej familjarisht.
Në këto fletë hidhërimi të thellë, që nuk janë thjeshtë rrëfime të autores, por fakte, dëshmi, sekuenca filmike dhe foto, nuk kanë mundur të më gllabërojnë brenda tyre, pasi bindja që më ka shoqëruar gjatë jetës është:Gazetaria nuk është vetëm profesion, por edhe mision. Në jetën time të trazuar, janë pjesë edhe vështirësitë për të rritur e shkolluar fëmijët, që hodhën shtat me gjurmët e plagëve të bombës që u vendos, për shkak të profesionit të nënës së tyre. Të gjithë vështirësive u është shtuar edhe fakti që punoj dhe jetoj në Vlorë.
Libri “Kjo është jeta ime” ka edhe fletë lumturie, ku zë vend kënaqësia e profesionit, qenia vazhdimisht mes njerëzve që për t’i intervistuar kam udhëtuar me mushkë, më këmbë, me avion, na karrocerinë e skafeve, me tragete dhe me çfarë kam mundur. Kam shkuar unë tek ata, kudo që ishin: majëmaleve, në thellësitë e galerive, tek piramidat në kufi, tek gjeologët, që shponin tokën, për të gjetur mineral. Jam ngjitur në lartësinë e oxhakut për të mbërritur në Kullën e Ankarasë dhe në lartësitë e Kullës Lindore në Shangai në lartësinë 460 metra.
Me diktofonin në dorë, jam futur në burgjet e shteteve të Europës, ku vuanin padrejtësisht bashkatdhetarët e mi, të harruar nga shteti i tyre. Jam ndalur edhe tek semaforët, për të intervistuar vajzat shqiptare, që u bënë prehe e dhunës dhe trafikut, pas rënies së regjimit komunist.
Në faqet e këtij libri zënë vend edhe ndjenjat e sinqerta të miqve dhe mikeshave të mia që janë Presidentë, artiste të mëdha të Kombit, personalitete të shquara të Kombit tim dhe nëpër shtete të botës. Dashuria e tyre më ka mbajtur ngrohtë edhe në ditët më të dhimbshme të jetës sime. Kontributi në shoqërinë civile, ka qenë e mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Themeluese dhe kryetare e shoqatës “Al Bano Karrisi” dhe Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” për dy dekada, bashkë me të tjerë, duke theksuar gratë e shquara të Kombit tim, kemi dhënë kontribute të mëdha në fushën e kulturës dhe veçanërisht në mbështetje të gruas. Duke përfunduar, ia lë radhën lexuesit, që të shfletojë fletët e jetës sime, që nis në arën, ku lindi në Dardhën me buronja, për tu ngjitur në lartësitë e Oxhakut të Metalurgjikut në Elbasan dhe deri në Murin e Madh Kinez.
Jam një qytetare e botës, që kam bërë dhe bëj sa mundem për vendin tim, që kam qeshur dhe kam qarë, që kam vallëzuar me kurajë në valsin e jetës, por që kurrë nuk kam urryer. Pasuria e vetme që iu lë fëmijëve dhe brezave është emri im.
Kjo jam unë. Kjo është jeta ime. Jetë e trazuar!
Ne veprimtari emocionuese kane folur Prof. Dr. Hamit Boriçi, Tefta Radi, Virgjil Kule, Vllasova Musta, Anila Basha, Dr. Makbule Çeço, Rudina Xhunga, Riza Lahi, ish deputete, personalitete te artit si:Nderi i Kombit Tinka Kurti,Margarita Xhepa, Mjeshter i Madh Irini Qirjako,Roza Anagnosti etj.