2013-12-20

Engjell Koliqi:Miku i madh i shqiptarëve,Rugova art,Prishtinë,2013.


Engjëll Koliqi , është lindur më 10 nëntor të vitit 1956 në Stubëll të Karadakut (Kosovë), aty ku është vatra e parë e Shkollës Shqipe në Kosovë, për të cilën edhe ka hulumtuar , studjuar e shkruar,shkrimtari dhe humanisti Profesor Engjëll Koliqi.



Shkollen fillore e ka kryer në vendlindje, kurse shkollën e mesme (gjimnazin shkencor-matematikor) e ka filuar në Viti, e ka vazhduar në Ferizaj dhe e ka mbaruar në Viti. Ka frekuentuar Fakultetin Universitar të Shkencave të Edukimit dhe është diplomuar në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, ku ka fituar titullin akademik – profesor i pedagogjisë. Plot tetë vjet ka dhënë mësim në shkollën fillore në vendlindjen e tij (Stubëll) e një vit shkollor ka qenë asistent–edukator edhe në Itali – në kolegjin e famullisë në Firmozë (Acquaformosa) të Kozencës, në Kalabri.

Nga regjimi pushtues-diktatorial i Beogradit, është dënuar për motive politike (vetëm për fjalë), me një vit burg (1978/1979), por pas nëntë muajsh është liruar. I kualifikuar nga regjimi pushtues, si person i rrezikshëm kundër “sistemit socialist jugosllav”, i është hequr e drejta e mësimdhënies në shkollë, për plot gjashtë vjet (1978 – 1984).




I lodhur nga presionet permanente të atij regjimi, në mars të vitit 1990 ka qenë i detyruar të emigrojë në Itali, ku jeton ende dhe zhvillon veprimtari gazetarie, duke punuar për Radio Vatikanin, për Radiotelevizionin Shqiptar të Tiranës, për Radiotelevizionin e Maqedonisë të Shkupit, për Radiotelevizionin e Kosovës të Prishtinës dhe për radiotelevizione të ndryshme private në gjuhën shqipe. Ka shkruar për të përditshmet kosovare “Rilindja”, “Bujku”, “Bota Sot”, “Lajm ekskluzive”, “Pavarësia-news” dhe të tjera. Ka bashkëpunuar për vite të tëra e bashkëpunon edhe më me gazeta shqipe në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në diasporë (Koha Jonë, Panorama, Rilindja Demokratike, Gazeta 55, etj). Nëpër revistat shqiptare, enekënd trojeve etnike dhe në diasporë ka botuar qindëra poezi në gjuhën amtare.




Gjatë luftës së Kosovë, ishte gjithnjë në radhët e para, në ndihmë popullit të vet, nga Italia. Gati çdo ditë ishte i pranishëm në studiot televizive të RAI-t dhe të MEDIASET-it, sikurse edhe duke folur përmes mikrofonëve të shumë radiostacioneve e duke shkruar në gazetat italiane: “Corriere della Sera”, “La Repubblica”, “Il Messaggero”, “Il Mattino”, “La Stampa”... duke njohur dhe sensibilizuar kështu opinionin italian me të vërtetën për Kosovën dhe për popullin e tij. Mbas luftës në Kosovë, afër dy vjet ka punuar në IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionet), në Romë – në projektet për Kosovën dhe Shqipërinë.
Në vitin 2002 është transferuar nga Roma në Lecco, ku jeton me familjen e tij. Në vitet e fundit ka filluar të shkruajë edhe italisht dhe bashkëpunon me revista të ndryshme kushtuar poezisë.




Ka marrë pjesë në dy konkurse letrare (në Livorno dhe në Kozencë) dhe poezitë e tij janë kualifikuar në finale. Në Konkursin e Dytë Ndërkombëtar “Autorët për Europën 2005” të shtëpisë botuese “IBISKOS di A. Ulivieri”, nga 156 pjesëmarrës është kualifikuar në mesin e 20 finalistëve. “Shekulli im quhet dashuri” është libri i tij i parë italisht dhe e sheh dritën e botimit si finalist. Është pjesëmarrës në disa antologji poetike, të botuara në Tiranë dhe në Bukuresht.

Merret shumë edhe me organizimin e diasporës shqiptare në Itali. Gjatë këtij viti, kryesisht po vepron në Brazil, ku ka lobuar për Kosovën, deri te kreu i federatës - Presidenti i Brazilit - Lula. Ka hapur dyert e bashkëpunimit në shumë fusha të jetës, në mes Brazilit dhe Kosovës. Në Brazil tashmë është i njohur dhe shumë i kërkuar si shkrimtar e gazetar me një vizion të mrekullueshëm, që parasheh dhe këmbëngul ta realizojë ndryshumin e botës me dashuri!

Engjëll Koliqi ka ndlrmarrur një hap shumë të guximshëm patriotik - historik: Ai mbas afër 23 vitesh ka lënë përfundimisht mërgimin dhe është kthyer në vendlindjen e tij, në Stubëll të Karadakut (komuna e Vitisdë në Kosovë), ku që nga gjysma e janarit po ushtron detyrën e mësuesit, aty ku e ka lënë në mars 1990 (mësuesi i vjetër na është bërë mësues i ri).

Profesor Engjell Koliqi deri më tani ka botuar këta libra: 

1. Il mio secolo si chiama amore (poezi italisht), IBISKOS, Empoli 2005 

2. Sentimento de luz (Ndjenjë drite) (poezi portugisht), PROTEXTO, Curitiba / Brazil 2007
 3. Sentimento di luce (Ndjenjë drite) (poezi italisht), BOOPEN, Napoli 2008 

4. Madre Teresa - um amor sem limites (Nënë Tereza - një dashuri e pakufishme), O LUTADOR, Belo Horizonte - Brazil, 2008 

5. Să schimbăm lumea cu iubire (Ta ndërrojmë botën me dashuri) (poezi rumanisht), BOTIMET E REVISTËS ALBANEZUL, Bukuresht, 2009 

6. Ylli i Dardanisë rrezaton tokë e qiell (Nënë Terezës), RUGOVA ART Prishtinë, 2010 
7. Trokitje të heshtura (poezi), GLOBUS R, Tiranë, 2010

 8. La stella di Dardania irradia terra e cielo (alla Madre Teresa), TRISAURO dhe ADMINISTRATA E KOMUNËS SË STRIGARIT (vendlindja e Serembes) Kalabri, 2010 

9. Dr Ibrahim Rugova - arkitekt i Dardanisë së Re - Republika e Kosovës, RUGOVA ART Prishtinë, 2011 .
10.Për një jetë më të mirë (ese, reportazhe dhe...), BOTIMET ADA Tiranë, 2011

 11.Nën kurorën e lisit plak (poezi), RUGOVA ART Prishtinë, 2011 

12.Njëqind lule për Nënën (vëllim poetik kushtuar Shqipërisë, në 100 Vjetorin e Pavarësisë), BOTIMET VLLAMASI Tiranë, 2012

13.Miku i madh i shqiptarëve,Rugova art,Prishtinë,2013.

Engjëll Koliqi ka edhe disa libra në dorëshkrim dhe vazhdimisht po mbledh shkrimet e tij nëpër vite, për t'i mbarështruar në libra të rinj. Së shpejti do të dalë me romanin e parë, me shkrepëtima humoristiko-satirike, por edhe me botime shkencore, sidomos nga historia e arsimit shqip. Shkruan edhe për fëmijë.

(Floripress)

Miku i madh i shqiptarëve

Nga Visar Zhiti


Në Akademinë e Shkencave në Tiranë u përurua libri “Miku i madh i shqiptarëve” kushtuar jetës dhe veprës së Papa Gjon Palit II, me autor Engjëll Koliqin, organizuar nga Fondacioni “Imazh & Media”. Po botojmë fjalën e shkrimtarit Visar Zhiti.




Një vepër e mirëpritur dhe me vlera, e duhur dhe me rëndësi, shpalosëse dhe përmbledhëse njëkohësisht, një jetë dhe një vegim, një arritje e madhe botërore dhe një pasqyrë për të – kështu do të doja të thoshim për librin e ri “Miku i madh i shqiptarëve” të studiuesit dhe krijuesit Engjëll Koliqi. Personazhi i tij, Papa Gjon Pali II, Karol Vojtila, është një nga personalitetet më të mëdhenj të kohërave, që bashkë me heronj të tjerë, i dhanë fytyrë tjetër shekullit XX, atë që dëshirohej, për të qënë nga ana e duhur e historisë, nga liritë dhe të drejtat e kombeve dhe njerëzve, nga morali kolektiv dhe mirësitë mbarënjerëzore, nga kujtesa gjenerale me vizione të së ardhmes, kundër dhunës dhe tiranive të ngritura në sistem, kundër mureve që ndajnë njerëzit midis tyre dhe njeriun me Zotin, duke u ngritur kështu në lartësitë e shenjtërisë. Është një punë e madhe, e hatashme, më përkushtim e mënçuri, që pa luftë dhe lumenj gjaku të rrëzoje perandorinë komuniste, e cila erdhi me revolucione të tmerrshme dhe shtua me luftë botërore. Në këtë bëmë të dëshurar nga popujt, për të cilën u sakrifikua shumë, është dhe dora e shenjtë e Papa Gjon Palit II.

Papa Vojtila e nisi duke na dhënë porosinë: “Mos kini frikë!”, e hodhi këtë thirrje në atdheun e tij, kur bënte pjesë në gjysmën e botës të shteteve të nënshtruar nën socializmin real ose “perandorisë të së keqes”, ndërsa kur ajo ra, patjetër dhe me ndihmesën e tij hyjnore, po ky Papë do të na porosiste përsëri: “Nuk e duam një demokraci pa virtyte”. Njeriu duhet të jetë njerëzor, prandaj është lindur dhe shoqëria duhet të jetë njerëzore, prandaj jemi bashkë. Libri “Miku i madh i shqiptarëve” është, po aq sa biografik, edhe rrëfim i bëmave dhe i arritjeve, i sakrificave dhe i urtësisë sublime, kronikë dhe kronologji e jetës së Papa Vojtilës, i udhëtimeve brenda dhe jashtë vetes, me frymën e Tij pannjerëzore dhe të perëndishme, i një dashurie aktive, në veprim.

Autori gjithsesi është përqëndruar dhe në hulumtimin e asaj ane aq të rëndësishme për ne, në lidhjet e Papa Vojtilës me popullin shqiptar, marrëdhëniet me shtetin e tyre dhe me atë që do të shpallej si shteti më i ri në botë, të dyja të një kombi, pra me Shqipërinë dhe Kosovën, me krerët e shquar e të përbashkët, së pari me Nënë Terezën, me të cilën ka bashkëpunuar, ia dha mundësitë, pasi ia kuptoi flatrat, që më pas do ta lumturonte po vetë.

Po kështu autori na ritregon për vizitën historike të Shenjtërisë së Tij, Papa Gjon Pali II në Tiranë dhe Shkodër, rënien e Tij më gjunjë dhe puthjen e tokës tonë sapo zbriti nga qielli, ishte e fundmja rënie më gjunjë e Papa Vojtilës mbi tokë, pritjen madhështore, takimet me njerëzit, besimtarët, me Presidentin Berisha, vlerësimet që i bën Shenjtëria e Tij kishës shqiptare, martirizimit të saj, për besimin që ngjall, po kështu dhe takimet me Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, lutjet për një Kosovë të lirë, takimet me shërbesarë, por dhe me ata të Radio-Vatikanit, seksioni shqip, që në ditët më të vështira, morëm prej tyre shpresë fshehurazi, teksa denonconin të keqen e deri dhe tek dhuratat që Dom Lush Gjergji i ka dhënë Papës, “Mesharin” tonë apo librin e tij për Nënë Terezën në gjuhën polake.

Polonia është vendi i Vojtilës dhe libri që po përurojmë tani na shtjellon nga fëminia e tij atje, në atë vend heroik e me kulturë, nga rinia, kur e nisi si poet, aktor, teksa zbuloi brenda vetes dhe filozofin e shkencëtarin, të cilat s’duhet të jenë e nuk janë në kundërshtim me njeriun e fesë, e deri tek thirrja: Habemus Papa! (Kemi Papë!)

Habemus shpresë, besim, kemi përvojën e të kaluarërs dhe vizionet e së ardhmes, kemi ëndrrën dhe botën, kemi vdekjen dhe lindjen dhe rilindjen e shenjtë, kemi veten të shumëzuar në miliarda e miliarda të tjerë.
Kulme dhe kumte kuptimplotë e të gjithkohshëm gjejmë në këtë libër, ndër të tjera në vijim dua të kujtoj vajtjen e Papa Vojtila në qelinë e atentatorit, të vrasésit të tij, Ali Alça. Me dorën që tërhoqi këmbëzën e revolverit, ai i rrëmben dorën Papës dhe ia puth fort si një ndjesë e pendim i thellë, mësim për mijëra e mijéra duar që kanë tërhequr me gishtin si kthetér këmbëzën e armëve në plotonet e pushkatimeve të llahtarshme dhe të atyre që kanë përdorur armë té padukshme në pushkatime të padukshme ideologjike, kulturore, në vrasjet e përditëshme, gjithnjë e nga pak, deri sa sollën rrënim shpirtëror dhe mendor. Por njeriu është caktuar të ngrihet dhe të triumfojë.

Bashkë. Me tjetrin. Ta kuptojmë dhe ta duam. Në diversitet dhe tolerancë, e gjitha si pasuri e përbashkët përvojash e vlerash të gjithmonta. Ja, në libër, mes fotove të shumta, Papa Vojtila me Kur’anin në dorë, duke e puthur Librin e Shenjtë, gjest emocionues e domethënës, aq kollaj i kuptueshëm për shqiptarët, të shquar për bashkëjetesën ndërfetare.

Dhe ky Papë, që kur Shqipëria ishte nën diktaturë, në bregun përballë lutej për të me lot në sy. Eshtë fakt se shqiptarët kanë zgjedhur në rrugëtimin e tyre anën e duhur të historisë, pavarësisht se pësimet kanë qënë të rënda dhe ndëshkuese, por që meritojnë gjithsesi shpërblim.
Pra me të drejtë monografia e parë për Papa Gjon Palit II, e shkruar nga një shqiptar, titullohet “Miku i madh i shqiptarëve”, siç u cilësua nga pritësit e tij në Shqipëri. Dhe është rastësi e bukur, nëse mund ta quajmë kështu, që autori i librit ka emrin ungjillor Engjëll dhe mbiemrin Koliqi, si të kardinalit të parë shqiptar, që kaloi një kalvar të tmerrshëm nëpër burgjet e komunizmit, por që nga ky Papë u përzgjodh dhe shelbua.

Libri ndërkaq është dhe një homazh i përbashkët i shqiptarëve, mirënjohje dhe vlerësim për një mik të madh e të përbotshëm, nderim ndaj së mirës, që duke dalë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, e bën dhe më të vyer duke i dhënë dhe simbolikë të dyfishtë. Libri ka vlera të qëndrueshme dhe shërben për informacionin, datat, bëmat e një jete të madhe të një njeriu të madh dhe për kumtet dhe porositë që përçon, për falje dhe kujtesë, për mirëkuptim dhe ringritje, për paqe dhe një jetë me kuptim dhe me besim, me virtyte njerézore e të perëndishme.

Pavarësia, identiteti ashtu si liria, mëçuria dhe mirësitë kuptohen dhe mbrohen nga njerëz të pavarur, të lirë, të mënçur dhe të mirë dhe me identitet dhe njerëzit e tillë u përkasin popujve të tillë. Çdo popull është njeri, çdo njeri është popull.


----------------------
Engjëll KOLIQI, Miku i madh i shqiptarëve: reflektim i Don Lush GJERGJI



Engjëll KOLIQI, Miku i madh i shqiptarëve, Rugova Art – DRITA, Prishtinë, 2013, fq. 261


Ky studim dhe botim i mirëfillët ndriçon jetën dhe veprën e madhe të të Lumit Papës Gjon Pali II në dimensione familjare, thirrjes dhe shërbimit të tij meshtarak, ipeshkvit ndihmës në Krakovë, pjesëmarrësit në Koncilin e Dytë të Vatikanit, emërimit kardinal, zgjidhjes së tij të papritshme në Selinë e Shën Pjetrit. Sidomos theksohet dhe paraqitet me porosi dhe fotografi dërgimi i tij apostolik gjatë pontifikatit vërtet unik në historinë e Kishës katolike, mirëkuptimi dhe përkrahja e gjithanshme ndaj popullit shqiptar, si dhe ndaj shumë popujve të ndrydhur dhe të shtypur.
Jeta dhe vepra e tij është aq e madhe dhe domethënëse, sa që vështirë mund të gjejmë ndonjë emërtim të thjeshtë dhe të përbashkët për ta vlerësuar dhe cilësuar atë. Pendat më të ngritura, regjisorët dhe kamermanët e afirmuar dhe të spikatur, gazetarët, publicistët, krijuesitë e profileve të ndryshëm në Papën Gjon Pali II kanë pasur një Protagonist të shkëlqyeshëm për frymëzim, një figurë të madhe për zbërthim, një shembull të prekshëm për modelimin e njeriut dhe njerëzimit të ri.
Edhe Engjëll Koliqi i bashkangjitet kësaj “aradhe”, dhe disi dëshiron ta lajë borxhin e madh të Shqiptarëve, siç e quan ai ndaj “Miku i madh i Shqiptarëve”, për kujdesin e tij atëror, guximin e tij të profetik dhe biblik për ta luftuar komunizmin dhe ateizmin, për afërsinë dhe ngrohtësinë e tij gjatë Kalvarit tonë në Shqipëri dhe në Kosovë, për shpresëdhënie ndaj së ardhmes më të mirë për ne dhe për mbarë njerëzimin.
Të gjitha këto verpimtari të llojllojshme kanë një emërtim të përbashkët, një vlerësim të përputhur, një shqyrtim të gërshetuar dhe të njësuar: Papa Gjon Pali II vërtet ishte Njeriu i Zotit, i Kishës Katolike dhe i mbarë njerëzimit, Njeri i risive dhe rekordeve në Kishë dhe në botë. Afro 27 vitet e shërbimit të tij në Selinë Apostolike të Shën Pjetrit zbuluan mendjen e tij të mprehtë, vizionare dhe profetike, zemrën e tij të madhe, të ngrohtë dhe kozmike, vullnetin e tij të fortë dhe të pathyeshëm për dashuri, shërbim, flijim dhe përqafim të tërë njerëzimin, verpimtarinë e tij të palodhshme për paqe, drejtësi dhe pajtim mes njerëzve, popujve, feve, shteteve, për njeri dhe njerëzim të afruar, të bashkuar dhe të vëllazëruar, për bijësi me Zotin dhe vëllazëri me të afërmin.
Jeta dhe veprimtaria e tij ishte shumë e gjithanshme dhe krijuese: poet, dramaturg, filozof, teolog. Opusi i tij është tejet i madh dhe shumë i begatshëm, me plotë shqyrtime dhe studime të gjithanshme.
Për ne Shqiptarët Gjon Pali II ishte dhe do të mbesë mik, dashamir, përkrahës mbrojtës dhe prijës i pathyeshëm para qarqeve botërore.
T’ i përkujtojmë vetëm di sa lidhje të ngushta të tija me ne:
“Unë pas popullit tim polak më së tepërmi e dua popullin shqiptar, sepse, së pari keni vuajtur tepër gjatë e tepër shumë dhe padrejtësisht, dhe së dyti, sepse na keni dhuruar Nënën Tereze” (2 shkurt 1981).
Në shumë fjalime, udhëtime, meshë gati gjithmonë e pati në gojë dhe në zemër popollin shqiptar, Shqipërinë dhe Kosovën, duke theksuar fenë, shpresën dhe dashurinë, historinë, traditën, kulturën, lashtësinë tonë, qendresën shumshekullore dhe martirizimin me theksime mjaft të qëlluar dhe shumë pozitive.
“S’ mund të mbytet njeriu që e ka fenë e gjallë… Nëse në jetën e njeriut mbytet Zoti, mbytet edhe njeriu… Përjetoj përzemërsisht dhe vëllazërisht këto vuajtje të mëdha me vëllazërit dhe motrat shqiuptare” (27 prill 1986).
Apo: “E njoh historinë tuaj, shpeshherë të shkruar me gjak. E di se me arsye mbaheni krenarë për ligjet dhe traditat tuaja bujare…” (6 maj 1988).
Një kapitull shumë i veçantë për Papën Gjon Pali II ishte Kosova jonë, sfidat, rreziqet, dhuna që pësuam. Si babë dhe bari i mirë pothuaj në çdo qast dhe rast foli, shkrojti, protestoi, apeloi, lutej për mbrojtjen e popullit të pambrojtur dhe të pafajshëm, për lirinë dhe dinjitetin tonë njerëzor dhe kombëtar duke i cilësuar ngjarjet tona kështu:
“Krishti është përbuzur dhe refuzuar në ata të share dhe të vrarë në luftën e Kosovës…” (29 mars 1999); “Unë mendoj për ata që janë të vrarë, për ata që janë të pastrehë, për ata që janë të ndarë nga familjet e tyre, për ata që janë detyruar të largohen…” (4 prill 1999).
Me një fjalë pa të Lumen Nënën tonë Tereze (1910-1997) dhe Papën Gjon Pali II s’ mund të kuptohet dhe të shpjegohe gjendja e Kosovës, ndërhyrja e NATO-s, internacionalizimi i çështjes sonë si sfidë dhe si sprovë e ndërgjegjes njerëzore.
Papa Gjon Pali II e cilësoi Nënën Terze si përfaqësuesen më të mirë të popullit shqiptar dhe të Kishës Katolike në dimensione botërore.
“Ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…Grua sa të vogël me shtat, aq të madhe me vepra…që sjell dhe ruan brenda vetes hirin e bujarisë së papërmbajtur të zemrës shqiptare…(25 prill 1993).
Në lumturimin e saj ndër të tjera tha: “Jam personalisht i falënderueshëm ndaj kësaj Gruaje të guximshme të cilën gjithmonë e kam pasur afër vetes…” (19 tetor 2003).
Këtë miqësi, dashuri dhe përkrahje ndaj popullit shqiptar Gjon Pali II e ka shprehur në çdo vend dhe kend të botës, sidomos gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993, në emërimin e kardinal Mikel Koliqit (26 nëntor 1994), gjatë trazirave në Shqipëri (1997), gjatë Kalvarit të gjatë të Kosovës (1981-1999), në përshpejtimin e procesit të lumturimit të Nënës Tereze.
Në këto lidhje të ngushta, të përzemërta dhe miqësore mes Papës Gjon Pali II dhe popullit shqiptar, rol të rëndësishëm paten edhe dy prelatët e lartë tonë, Imzot Nikë PRELA (1918-1996) dhe Imzot Mark SOPI (1938-2006), që fatbardhësisht vazhdon edhe me pasardhësin e tij, Papën Benediktin XVI, tani me Papën Françeskun.
Papa Gjon Pali II dhe Imzot Nikë Prela paten takime të shpeshta dhe të përzemërta, bisedime të frytshme për Kosovën dhe për Kishën tonë. Imzot Nikë Prela vazhdimisht e ka informuar Papën gojarisht dhe me shkrim mbi gjendjen tonë, si dhe të gjitha institucionet tjera kishtare dhe shetetërore të Evropës dhe të botës.
Po e përkujtoj vetëm takimin e tyre të fundit më 17 tetor 1995, kur Papa dukshëm i emocionuar para Ipeshjvit në karrocë, para të gjithëve me ofshamë goje dhe zemre klithi: “Kosova plaga dhe shpresa jonë!”.
Gjon Pali II fill pas luftës në Kosovë (1999), e falënderoi personalisht Imzot Mark Sopin, Kishën dhe klerin katolik për guximin, dëshminë dhe shërbimin ndaj popullit të rrezikuar pa dalime gjatë Luftës 1998-1999.
Imzot Mark Sopi kështu e vlerësoi Gjon Palin e II: “Për popullin Shqiptar Papa ishte mik i madh dhe tregoi dashuri të madhe për të. Ai këtë e dëshmoi me vepra duke treguar angazhimin e palodhshëm në gjetjen e zgjidhjeve paqësore për Kosovën tonë të dashur”.
Kjo simpati dhe dashuri ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, ndaj Kosovës në veçanti, është dëshmuar dhe përforcuar edhe me takimet e Gjon Palit II dhe Presidentit të Kosvës dr. Ibrahim RUGOVA )1944-2006).
Papa çmonte shumë Njeriun e urtë dhe veprimtarin e guximshëm, krijuesin dhe frymëzuesin e strategjisë paqësore jodhunore në Kosovë, në Ballkan dhe në Evropë, dr. Ibrahim Rugovën.
Ja vetëm disa hollësi:
Pas takimit të dr. Ibrahim Rugovës me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit ai ndër të tjera tha: “Pasi Zoti, Papa, Vatikani është me ne, atëherë jam i bindur se e dhe bota do të jetë me ne, në anën tonë…”(27 qershor 1991).
Gjatë bombardimeve të NATO-s Papa Gjon Pali II e pranoi në audiencë private dr. Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij. Po ashtu edhe në takimet tjera, veçmas atë të fundit në vitin 2003, qe vlerësuar nga qarqet e Vatikanit dhe të botës si përforcim miqësie dhe bashkëpunimi mes Selisë Shenjte dhe Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova në një takim me Imzot Nikë Prelën ndër të tjera tha:
“Në mua kanë ndikuar pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze. Papa Gjon Pali II angazhohet gjithnjë për paqe në mbarë botën dhe është vendosmërisht kundër dhunës dhe luftës kudo. Nëna Tereze me dashuri e përfitoi mbarë njerëzimin…” (gusht 1993).
Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Vatikanit në varrimin e dr. Ibrahim Rugovës, si dhe cilësimi i tij si “Gandi dhe vizionari paqësor i politikës”, edhe një herë dëshmuan dhe vërtetuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e frytshëm mes Papës Gjon Pali II dhe dr. Ibrahim Rugovës, Kosovës dhe Vatikanit.
Në historiografinë e afërt të popullit shqiptar Papa Gjon Pali II ka një vend kulmor dhe meritor për zhvillimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe më gjerë, të popullit tonë. Provani a Zotit në kohën e duhur i gjeti njerëzit e zgjedhur dhe së bashku me ta e shkrojti një faqe të ndritshme të historisë sonë.
Njerëzit e mirë dhe të mëdhenj, si ishin papa Gjon Pali II, Nëna Tereze, Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi, dr. Ibrahim Rugova, lindin rallë dhe nuk vdesin kurrë. Kjo është histori, fatbardhësi dhe lumturi për ne, ngushëllim dhe siguri se Zoti mendon dhe vepron ndër ne, për ne dhe me ne.
Falënderoj përzemërsisht Engjëll Koliqin për punë dhe studim në këtë monografi, që është edhe si “meze” për shpalljen Shenjt të të Lumit Papës Gjon Palit II së bashku me të Lumin Papën Gjoni 23, vitin e ardhshëm, më 27 prill 2014. Ky botim është shkruar me shumë përkushtim, flijim, frymëzim, falënderim dhe dashuri. Shpresoj dhe uroj që të pranohet dhe lexohet me të njëjtat ndjenja.

Don Lush GJERGJI





Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...