Pas votës së anëtarëve pro koalicionit të madh kryesia e Partisë Socialdemokrate Gjermane SPD miratoi gjashtë postet ministrore në koalicionin e madh me CDU/CSU. Kryetari i SPD-së Sigmar Gabriel do të jetë zëvendëskancelar dhe ministër i Ekonomisë dhe i Energjetikës.
Frank-Walter Steinmeier do të drejtojë si edhe në vitet 2005 deri 2009 Ministrinë e Punëve të Jashtme. Barbara Hendricks do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit, sekretarja e përgjithshme e SPD-së Andrea Nahles do të jetë ministre e Punës, zëvendëskryetarja e SPD-së Manuela Schwesig do të drejtojë Ministrinë për Familjet, kurse Heiko Maas, Ministrinë e Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorëve .
Po nga radhët e socialdemokratëve do të jetë edhe ministrja e shtetit për Migracionin, Refugjatët dhe Integrimin, Aydan Ozoguz. Për herë të parë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë pjesë e kabinetit është një grua me origjinë turke.
Nga CDU-së kryetarja e partisë Angela Merkel tha se do t’i propozojë Presidentit gjerman këta emra : Peter Altmaier si shef të zyrës së kancelares, Hermann Grohe si ministër të Shëndetësisë, Ursula von der Leyen si ministre e Mbrojtjes, Thomas de Maiziere ministër i Brendshëm, Wolfgang Schäuble ministër i Financave, Johanna Wanka ministre e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor.
Edhe kryetari i partisë CSU Horst Seehofer prezantoi se cilët ministri do të drejtojnë . Alexander Dobrindt do të jetë ministër i Transportit dhe i Infrastrukturës Digjitale, Hans-Peter Friedrich ministër i Bujqësisë dhe Gerd Müller, që deri tani ishte sekretar shteti në Ministrinë për Mbrojtjen e Konsumatorve do të jetë ministri i Ndihmës për Zhvillimin. Ministrat e rinj do të betohen ditën e martë.