2013-12-18

Brukseli dhe loja e kungulleshkave






Prof.Dr.Eshref Ymeri



Nga njoftimet e zonjës Arta Tozaj, korrespondente e TV “Top Channel” në Bruksel, vjen edhe një informacion i freskët fare lidhur me problemin e statusit të Shqipërisë, si vend kandidat për në Bashkimin Evropian:
“Nuk ka status kandidat, por as kushte shtesë. BE ka shtyrë vendimin për dhënien e statusit gjatë presidencës greke që merr kryesimin e BE nga janari në qershor të vitit të ardhshëm” (Citohet sipas faqes së internetit të TV “Top Channel” dhe të gazetës “Shqip”: “Statusi shtyhet për në qershor”. 17 dhjetor 2013).
Kur lexova këtë njoftim, më erdhi ndër mend menjëherë një informacion mjaft interesant i gazetarit franko-shqiptar, zotërisë Ervin Baku, që ia dërgonte nga Brukseli gazetës “Koha Jonë” këtu e shtatë vjet të shkuara Ai shkruante:
“…Shqipëria me origjinë është e krishterë. Sot ajo është 70% myslimane… Kjo e shqetëson shumë Evropën Perëndimore ku aspirojmë të integrohemi. Po e them troç dhe pa doreza: nuk është as korrupsioni, as krimi i organizuar, as trafiqet që po na vonojnë kaq shumë hyrjen në Evropë. Jo. Aderimi dhe vazhdimi në Konferencën e Vendeve Islamike përbën një handikap tejet të konsiderueshëm drejt Evropës së Bashkuar. Kjo nuk do t’u thuhet kurrë zyrtarisht politikanëve shqiptarë nga interlokutorët e tyre evropianë. Por mua personalisht më është thënë mëse një herë në tavolinat e Brukselit dhe të Strasburgut. Dhe më është thënë nga personalitete eminente të Bashkimit Evropian. Ndaj dhe vendosa t’i ndajë këto radhë me lexuesin e mrekullueshëm të “Koha Jonë”. (“Koha Jonë”, 15 gusht 2006).
Asokohe, në faqen e internetit të datës 15 tetor 2006, unë pata reaguar si më poshtë:
“Fjalët bukur të çiltra të zotit Ervin Baku na bindin përsëri e përsëri se cila është fytyra e vërtetë e Evropës Perëndimore në qëndrimin ndaj Republikës së Shqipërisë, se sa hipokrite dhe se sa e pabesë është ajo në bisedat “e ngrohta” që bën me politikanët tanë, se sa raciste dhe sa imorale tregohet ajo në skutat e realpolitikës. Pra, sipas fjalëve të zotit Baku, Evropa Perëndimore, në qëndrimin ndaj vendit tonë, manifeston një prostitucion të kulluar politik. Nga fjalët e zotit Baku del fare qartë urrejtja e neokonservatorizmit evropianoperëndimor kundër botës islame, urrejtje kjo, të cilën ky i fundit e shkarkuaka gati haptazi vetëm kundër Republikës së Shqipërisë me shumicë myslimane, në trojet e së cilës nuk ka shtresa aq të pasura naftëmbajtëse që edhe me ne marrëdhëniet ai t’i kishte mjaltë e sheqer”.
Para tre vjetësh, Brukseli, Republikës së Shqipërisë i tundte para hundës 12 kushte, të cilat ajo duhej t’i plotësonte për të marrë statusin e vendit kandidat. Me kalimin e kohës, këto kushte, vitin e fundit, pikërisht në vitin e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, erdhën e u reduktuan në tre. Pra, fjala ishte për kalimin e tre ligjeve që të merrej ai status “i uruar” që u zgjat si bishti i lugatit. Pas kalimit në parlament të tre ligjeve në fjalë para zgjedhjeve të 23 qershorit, të gjithë shqiptarët morën frymë lirisht se, më në fund, statusi i shumëpritur do të merrej brenda këtij viti. Por s’kaloi shumë kohë dhe Brukseli na shpiku nja pesë kushte të tjera, që Republika e Shqipërisë duhej t’i plotësonte që të merrte statusin e vendit kandidat. Gjatë verës dhe vjeshtës, Brukseli e nanurisi sa deshi Tiranën zyrtare, duke mos ia kursyer fjalët e ëmbla kësaj të fundit se statusi do të merrej në dhjetor. Por edhe dhjetori erdhi dhe Brukseli e la Tiranën me gisht në gojë. Me sa duket, unë paskam pasur të drejtë kur në vitin 2006, Evropën Perëndimore e pata etiketuar “hipokrite”, “imorale” dhe “të pabesë”.
Nga vendimi i Brukselit për shtyrjen e marrjes së statusit për në muajin qershor, del fare qartë ideja e tij djallëzore për ta lënë diskutimin e statusit në fjalë pikërisht në periudhën e presidencës greke. Brukseli shtiret sikur nuk e di se cilat janë marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë. Brukseli bën të paditurin që Greqia vazhdon të jetë në gjendje lufte me Shqipërinë që prej vitit 1940, në bazë të ligjit të luftës, të cilin Athina zyrtare as që ka ndër mend ta shfuqizojë ndonjëherë. Madje, në një shkresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, dërguar ambasadës sonë në Athinë më 28 qershor të vitit 1999, Athina kërkonte t’ia kujtonte përsëri Tiranës zyrtare se:
“Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, në përgjigje të shqetësimit të ambasadës shqiptare, deklaron se ligji numër 2636 i vitit 1940 dhe ligji me numër 4560 i vitit 1966 mbeten ende në fuqi” (Citohet sipas faqes së internetit të z. Feliks Taho, me titull: “Shqipëri-Greqi - ligji i luftës ende në fuqi”. 15 tetor 2013).
Dhe Brukselit as që i ka shkuar ndër mend ndonjëherë që ta kapë mirë për veshi Greqinë, këtë shtet karnaval jo vetëm të Evropës por edhe të mbarë rruzullit tokësor për hajdutërinë e tij proverbiale, ta ulë në tryezë dhe t’i thotë:
“Abrogoje ligjin e luftës me Shqipërinë, se për ndryshe do të kesh pasoja të rënda, deri në përjashtim nga Bashkimi Evropian”.
Por Brukseli nuk e ka bërë dhe as që shpresohet ta bëjë ndonjëherë një gjë të tillë se simpatitë e tij, në jetë të jetëve, kanë qenë dhe janë vetëm për sllavogrekët e Ballkanit, kurse për shqiptarët s’ka tepruar më gjë.
Dhe gjatë gjashtëmujorit që vjen, Tirana zyratre do të ndodhet nën presione të vazhdueshme të karnavalshtetit grek për falje hapësirash detare, për ngritje varrezash të tjera ushtarësh agresorë grekë, bashkë me manastire dhe memoriale në nderim të tyre, që nga Karaburuni e deri në Elbasan, Pogradec e Korçë, për të ashtuquajturat të drejta të minoritetit grek në Shqipëri, për të cilat shqiptarëve s’u ka mbetur më gjë tjetër, vetëm t’i mbajnë në pëllëmbë të dorës minoritarët grekë, për hapje shkollash të tjera greke në çdo cep të Shqipërisë, për vënien përsipër të gurit të rëndë Çështjes Çame, për përjetësimin e pushtetit të kishës shoviniste greke në Shqipëri dhe shndërrimin zyrtarisht, domethënë ligjërisht (se faktikisht është shndërruar) të kishës ortodokse shqiptare në filial apo pjesë përbërëse të kishës shoviniste greke.
Deri në muajin qershor, shqiptarët kanë për të dëgjuar të tjera avaze nga Brukseli, nën nxitjen e Greqisë, dhe pse të mos u lindë përsëri dyshimi për një tjetër shtyrje të statusit deri në dhjetorin e vitit 2014. Të shikojmë e të presim.
Tirana zyrtare duhet të ketë parasysh se në muajin mars të këtij viti, Kryeninistri hungarez Orban, e akuzoi Brukselin se po e trajtonte sikur ajo të ishte koloni e tij. Kur Bashkimi Evropian sillet kësisoj me Hungarinë, me një shtet me mjaft autoritet, merret me mend se ç’qëndrim ka për të mbajtur ai ndaj Republikës së Shqipërisë, të cilën ka për të trajtuar si një kavje eksperimentale.

Santa Barbara, Kaliforni
17 dhjetor 2013

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...